Albspirit

Media/News/Publishing

Ela Zdrava: PRITJA

 

Kur zhgënjimi të mbulon shpatullat,

acari të therr deri në eshtër,

kur malli të bluan aq imët në thërmija,

me gjak punon mulliri në zemër.

 

Kur mugëtirës së shpirtit si gjethe bie,

mjegullës së vetmisë përmes i kalon,

kur shpresën ta thyejnë pasqyrës së ëndrrës,

copat i mbledh e veten rindërton.

 

Por ajo, që të vret ngadalë ëmbël,

të kripëzon në etje e s’mund t’i zësh besë,

është pritja, kur zvarrë ta merr shpirtin,

lodhje e cfilitur, që s’di ku të hedh.

 

Të kafshon e copat t’i lë në duar,

as t’i përtypësh pritja nuk të lejon,

sofrën plot, vaktet t’i mban shtruar,

me ushqim të freskët, që të helmon.

 

Në uri të bën grusht të afrosh largësitë,

në etje për një pikë ujë të rrëzon si gjethe,

në lutje të gënjen bashkë me Perënditë,

në heshtje të bërtet të grindesh me vete.

 

I shtegton shpirtit në pritje pafund,

ardhje të mërguara të zemrës në pritje,

ikje të ardhura të besimit pritjen shkund,

pritja ësht’ tinëzare s’ka vdekje veë lindje.

 

Në ngulfatje gëlltit sheqerpikant pritjen,

zemrën ta kullon, shpirtin ta bën fërtele,

puthadoras të tërheq, të shkelmon në zvarritje,

shpresën ta paketon me dhimbjen kordele.

Please follow and like us: