Albspirit

Media/News/Publishing

Gjergji Mihallari: Mosha e pafajësisë

Tregim

Andrea, si la pas pyllin e ahishteve, nxitoi hapat e tij në rrugën që të çonte tek kisha e shën Marisë, ku e priste detyra e psalltit në ndihmë të xhaxhait. E ndjeu nxehtësinë t’i pushtonte trupin pas atij hapi të nxituar.

“Të paktën të freskoj pak fytyrën me nja dy grushta uji”, mendoi dhe ndaloi tek çezma e parë që hasi. U përkul mbi gurin e gdhendur, nga ku lëfytonte uji i freskët dhe i bollshëm. Mbushi pëllëmbët e duarve me ujë dhe i përplasi pas fytyrës. E kreu disa herë këtë lëvizje, aq sa ndjeu ftohtësinë e ujit mbi faqet e prushta dhe së fundmi lëshoi një “ohhh…” të stërgjatur nga kënaqësia.

Nga pas dëgjoi një qeshje të lirshme dhe të çiltër. Nuk paskësh qenë vetëm. E nxehta që çlironte trupi i tij e kishte dalldisur, sa nuk kishte vënë re praninë e një vajze të ulur në qoshe të sofatit të çezmës. Mes turbullsirës në vështrim, shkaktuar nga uji i hedhur në fytyrën e nxehtë, u rrotullua në drejtimin nga erdhi e qeshura. Patjetër që në fytyrë duhej të kishte fiksuar pamjen e një të hutuari, pasi vajza akoma vazhdonte të qeshte. Fërkoi sytë me gishta për të qartësuar shikimin.

Ishte Frida, një vajzë disi e çuditshme për mendjen e Andreas. E haste shpesh rrugës dhe ndjente që vështrimi i saj sikur do ta gllabëronte, ta hante me gjithë lecka. Ajo duhej të ishte vërsnike me të ose një apo dy vite më e madhe në moshë se ai. Frida kishte pamjen e një kukulle të madhe, e gjallë, me mish e gjak, me zë dhe me jetë. Kishte sy të mëdhenj, që shkëlqenin si dy thëngjij në një zjarr gati në të shuar. Buzët e kuqe si qershitë belica, të mahnisnin në plotësinë dhe në fryrjen e tyre. Fytyra ovale kishte formë perfekte, perfektësi e cila plotësohej më së miri me formën dhe flokët kaçurrela dhe të shëndritshëm, që dallgëzonin nën marrinë e erës së freskët, që frynte lehtë poshtë strehës së çezmës.

Ajo po vazhdonte të qeshte, por jo me intensitetin e mëparshëm. Frida e çuditshme gjendej si me magji pranë tij. Nuk po e kuptonte dot Andrea, se si kjo vajzë i shfaqej kaq shpesh dhe si papritur në rrugë, i kalonte shumë pranë, aq sa shumë herë ndjente cikjen e dorës së tij prej dorës së saj. Aq shpesh po e takonte, sa krijoi përshtypjen se ajo vajzë ishte hija e tij, si ajo hije që lëshon trupi nën goditjen e rrezeve të diellit. Ajo njëherë, kishte ndalur para tij duke i zënë rrugën dhe duke e vështruar thellë në sy me një vështrim të lagësht, me zë të dridhur pati shqiptuar: -Andrea o djalë i ëmbël! Nesër prindërit nuk do të jenë në shtëpi! -pastaj kishte marrë dorën e tij dhe ia kishte mbajtur midis pëllëmbëve të buta të duarve të saj, të njoma dhe të zjarrta njëkohësisht.  -Do të jem vetëm unë dhe qershitë e mia belicë!

Ishte larguar me hap të ngadaltë, duke kthyer herë pas here shikimin nga ai, pa i dhënë asnjë mundësi që ai të fliste apo të reagonte në një farë mënyre për sjelljen e saj. Ky episod kishte bërë që në mendjen e Andreas të fillonte një mugëtirë arsyetimi për këtë vajzë dhe ai të besonte se tek Frida kishte diçka jo normale. Asnjë vajzë nuk do të kishte reaguar në atë farë mënyre, t’i priste rrugën një djali dhe të shqiptonte ato fjalë. Ato nuk do të kishin guxuar ta shkonin në mendje dhe jo më pastaj të vepronin në atë mënyrë siç pati vepruar Frida. Duhet të jetë e mangët nga mendja pati menduar Andrea dhe nga ajo ditë, mundohej t’i shmangej takimit me të. Por ajo mbinte si një fantazmë, atje dhe atëhere kur ai nuk e priste, siç po ndodhte tani tek çezma, kur rruga dukej si e shkretë dhe nuk ndihej frymë e gjallë.

-Të paska zënë vapa keq Andrea! -thumboi ajo. Sytë sikur i morën zjarr dhe vështrimi dukej sikur do ta digjte për së gjalli. Ndrisnin dhe shkëlqenin sytë e saj, si dy yje në netët e gushtit, kur këto yje shkëputen në trajektoret e gjata që lënë në qiell. Ishin bërë më të bukur sytë e saj, ishin të një bukurie që të thithte brenda tyre. -Shiko edhe uji nuk po ta shuan dot zjarrin. Ke shumë zjarr brenda teje more djalë! Por ti nuk duhet të mbash kaq shumë, pse fillon e digjesh edhe vetë. Ha, ha…- qeshi ajo dhe zjarrmia e syve të saj dukej sikur do të digjte Andrean.

-E ku e di ti që kam zjarr dhe vapë? -foli Andrea me naivitet, pa mundur të futej thellë në kuptimin e thumbit që gjendej brenda fjalëve të saj. Vajzat gjithmonë janë më të pjekura se moshatarët e tyre meshkuj. Ato vetë nga natyra maturohen më shpejt, ndiejnë ndryshimet në trupin e tyre, kontrollojnë me maturi hormonet në harlisje, por që disa herë loja e këtyre hormoneve u del jashtë kontrollit. Me psikologjinë e moshës mendojnë se edhe krahu tjetër, i kundërti i tyre, gjinia mashkullore kanë mbërritur në atë pjekuri që u ka afruar mosha. Por kjo mendjelehtësi i çon që të ndërmarin veprime, të cilat pala tjetër nuk i kupton dhe nuk u përgjigjet me të njëjtën mënyrë, duke krijuar tek kjo palë iluzione dhe mendime të gabuara për to. Duhen edhe vite të tjera për meshkujt që ata të mund të kuptojnë këtë mënyrë sjellje nga ana e tyre, por është shumë vonë për t’u kundërpërgjigjur. Molla këputet kur është e pjekur nga pema, as më para dhe as më pas. -Pastaj edhe po të kem, -vazhdoi ai: -mjaftojnë dy grushta uji fytyrës dhe të ikën vapa…

-Ehhhh…! Ikën vapa, ikën… -hokatoi Frida. -Por ka vapë e vapë, sa edhe dy grushta uji nuk të freskojnë, -dhe gishta i kaloi sikur numëronte mbi buzët e plota dhe të skuqura si qershi të plasaritua nga pjekja dhe pa guacka brenda. -Po shiko more djalë, po ta them si e kam hallin!

Andrea çakërriti sytë, sepse iu kujtuan fjalët e saj të fundit, të thëna para disa kohësh se gjendej vetëm në shtëpi. E pushtoi paniku, që u bë i dukshëm edhe në fytyrën e tij dhe iu drodh pakëz buza. Frida vuri re reaksionin që pati shkaktuar me fjalët e saj tek ky djalë. Si për të zbutur këtë situatë, ajo buzëqeshi. Pasiguria në veprime e djaloshit ishte e dukshme. Me ton të butë foli:-Andrea, mblodha disa fiq dhe shportën e kam të varur në degë. Por si budallaqe që jam, po edhe pak frikacake kam frikë se kur të marr shportën mos lëviz shkalla dhe bie. Ndaj, vjen ta mbash pak shkallën? -sytë e saj zjarrmonin, po ashtu edhe buzët qenë fryrë më shumë se zakonisht. Ishin përskuqur nga gjaku që vërshonte vrullshëm në to dhe nga kafshimet që ajo u bënte me dhëmbët e saj, si rruaza të bardha. Nën një dihatje të lehtë frymëmarje të shpejtuar, nga poshtë bluzës dallohej ulje-ngritjet e gjoksit të saj të vogël.

-Pse nuk i ke prindërit në shtëpi? -mezi mundi të shqiptojë Andrea.

-Budalla i vockël!  -vazhdoi Frida pa e dhënë veten. -Po ti për ku ishe nisur dhe po shkoje më parë? Atje ku do të shkoje ti, janë edhe ata. Kanë shkuar në kishë apo harron ti që është e djelë dhe njerëzia gjenden aty. Po të gjendeshin në shtëpi, përse duhej të të kërkoja ty ndihmë, apo as këtë nuk mund ta kuptosh? Po eja tani, se prishen frutat në shportë. Ka kohë që i kam mbledhur, por nuk po gjeja këmbë njeriu për të më ndihmuar. Po të kisha gjetur ndonjë humbameno tjetër që të më kishte ndihmuar të mbaroja punë, nuk do të lutesha ty buzëqumësht. Po eja tani, eja!  -i zuri dorën dhe e tërhoqi nga pas drejt shtëpisë së saj.

-Eja, eja! Mos ki frikë, se nuk kam për të të ngrënë! -vazhdonte të thoshte të njëjtat fjalë duke qeshur lehtë Frida.

-Ti mbaje shkallën dhe mos bën gabim dhe e lëshon! -ajo filloi të ngjiste shkallën duke mbajtur shikimin nga Andrea, i cili nuk po largonte vështrimin nga ajo. Fustani i saj u zgjerua në fund, nga ku ai dalloi dy këmbët e saj të bardha dhe të kolme. Kishte këmbë të bukura Frida. Në fund të tyre dallohej ngjyra e bardhë e të brendshmeve të saj. Andrea largoi vështrimin nga pozicioni i mëparshëm duke e hedhur në tokë përdhe. Një ngjyrë e kuqe pushtoi fytyrën e tij dhe zjarrmia i mbuloi trupin. Frida tek mori shportën nga dega dhe po bëhëj gati të zbriste e dalloi këtë moment tek djaloshi. Pati frikë se mos ai largohej nga mbajtja e shkallës dhe pastaj i rroftë gjithë skena që kishte përgatitur për të afruar këtë djalosh, ndaj i foli: -Ej Andrea!  Mbaje shkallën dhe shih nga unë, po filloj të zbres!

Ai ngriti sërish kokën duke vështruar Fridën. Tashmë ajo gjendej disa  shkallë më lart se koka e tij. Fustani i saj sa nuk i çikte faqet e përskuqura. Këmbët e saj ishin të bukura, të tulta, por nga ato tule të mishta që krijojnë forma perfekte dhe mahnitëse. Frida ishte e bukur për moshën që kishte, biles e pjekur dhe maturuar para kohe, ku hormonet kishin shpërthyer në këtë lule të pakëputur. Edhe dy shkallë të tjera në zbritje dhe ajo rrotulloi dorën e saj rreth qafës së Andreas. Për këtë gjest ajo shfrytëzoi atë pasiguri të Andreas në mbajtjen e shkallës, kur ndjeu pranë aromën e trupit të saj.

Shporta me fiq u rrëzua përtokë dhe krahët e Fridës ishin shtërnguar pas qafës së Andreas. Frymëmarrja e saj e ngrohtë i gudulisi veshin dhe pastaj sa hap e mbyll sytë, buzët e saj të zjarrmuara kishin përthithur brenda tyre, buzët e Andreas. Ndjeu njomësinë e buzëve të Fridës, ishin të ëmbla. Iu krijua ideja se buzët po i njomte me lëngun e ëmbël të qershive të shtrydhura. U tulat, ngeli pa frymë, aq sa iu duk se bota u soll rrotull dhe poshtë pantallonave ndjeu lëvizje dhe fortësi. Shkëputi duart nga shkalla dhe shtyu me forcë Fridën. Ishte inatosur apo turbulluar nga gjesti i saj, këtë nuk mund ta përcaktonte në atë gjendje. Aq më tepër nuk po mund të arrinte të kuptonte me arsyen e tij, shkakun e veprimit në këtë mënyrë të Fridës. Ajo nuk u zemërua me shtytjen që ai i bëri, por vazhdonte të buzëqeshte. Lëpinte buzët sikur të kishte shijuar glikonë më të mirë dhe më të ëmbël në jetën e saj. Akoma kishte zjarrmi në sytë e saj, biles me doza më të shtuara se në fillim. Ai u tremb dhe mblodhi duart grusht përpara vetes, si për tu mbrojtur nga një sulm i papritur. As ky veprim i tij nuk i bëri përshtypje Fridës, e cila qetësisht shqiptoi: -Të pëlqen të luajmë lojën e nuses dhe të dhëndërit? Është lojë e bukur, do të shikosh se do të të pëlqeje së tepërmi…Kemi gjithë shtëpinë bosh dhe vetëm për ne për ta luajtur këtë lojë…

“-Qënka marrosur! ”-mendoi Andrea, pa guxuar ta shprehte me zë këtë mendim, por pyetja e Fridës kërkonte përgjigje, ndaj foli: -Nuk më pëlqejnë lojra të tilla. Ato janë lodra për ju vajzat, kurse unë jam djalë!

-Je djalë, je! -qesëndisi ajo. Mori shportën dhe filloi të mbledhë frutat e shpërndara në oborr, me një inat prej të marre. Ashtu në irritim dhe turbullirën e krijuar brenda trupit të saj, pa kuptuar se Andrea ishte larguar, shqiptoi disa herë me forcë:-Budalla! Budalla! Budalla i vogël!

Andrea u largua me vrap nga dera e hapur e avllisë, pa kthyer as kokën mbrapa për të parë reagimin e Fridës. Akoma mbi buzët e tij kishte ngelur njomësia e buzëve të saj, zjarrmia që përcillnin ato. Trupi i saj për disa sekonda kishte pushtuar brenda krahëve trupin e tij të brishtë dhe mbi gjoks kishte ndierë shtypjen e dy gjinjve të saj të vegjel, në formim e sipër. Kishte qenë sikur dy topa të vegjël dhe të butë, të kishin ushtruar trysni dhe shtypur kraharorin e tij të njomë të atij trupi joshëndet mirë. Nuk shihte fare rrugën ku ecte, ishte si një hajdut që nuk dëshiron të shihet nga të tjerët.

Fotin nuk e gjeti tek shtëpia, ndaj u drejtua nga fushat e pakta të fshatit, buzë lumit. Akoma në fushë ishte bari jeshil dhe doriu i Fotit duhej të ushqehej, pasi shoku i tij e kishte me merak këtë kalë. E dalloi nga larg. Ishte mbi kalin e tij, një dori trevjeçar, në vrapimin e tij të çmendur. Trupi i Fotit ishte i ngjeshur dhe me tipare të një atleti. Ishte nga djemtë më të fortë në fshat dhe nga ata që çmendurisht kryejnë aventura të pa imagjinueshme për moshën që kanë. Ashtu në çmendurinë e tij, me kalin e shaluar pa shalë, me frerët e lënë të lirshëm, në atë vrapim ai ngjasonte me kalorësit e dalë nga Partenoni. Mezi mundi të dëgjojë thirrjet e Andreas dhe duke tërhequr frerët dhe kapur jelet e doriut, ndaloi para tij. Kali turfullonte dhe Foti u mundua ta qetësojë duke kaluar dorën e tij mbi kokën e kalit dhe duke përkëdhelur krelat e tij.

-Hë more trim, ç’ke dalë? -e pyeti Foti pa hequr sytë nga kali dhe duke vazhduar ta përkëdhelte.

-Po ja, -ende në zërin e tij ndihej një ndjenjë fajtore për atë që kishte ndodhur me Fridën. -U mërzita vetëm rrugëve të fshatit dhe…

-Dhe? -Foti ktheu vështrimin nga ai: -dhe the të marrësh fushat si shoku yt i marrë?

-Jo moooo… -e zuri ngërçi në fjalë Andrean.

-Po, pastaj! -ngulmoi Foti. -E di ti se të njoh më mirë se ky doriu im. Mos u mundo të më gënjesh. Ke diçka në sy dhe buzët i paske shumë të kuqe. Vështron si hajdut, sikur do t’i fshihesh diçkaje, sikur të ndjek njeri nga pas. Po këtu në të ndjektë vetëm era apo doriu im. Dhe e di more trim? Kështu të kam parë kur fejove tët motër dhe pe atë kushërirën e bukur të kunatit tënd. Dale, dale, se nuk po e kujtoj dot. Si e kishte emrin? Nuk po më kujtohet, por gjatë atyre ditëve të qëndrimit të saj tek shtëpia juaj, ti fluturoje dhe sytë të lëshonin zjarr, sikur të ishin xixëllonja që shpërthejnë natën e verës në një fushë të gjelbër. Shpike edhe atë dreq shkrimi, që as sot e kësaj dite nuk po arrij ta kuptoj se si e mësova edhe unë. Prandaj Andrea, lëre atë mërzitje që po më përrallis dhe trego si është puna!

Andrea rrotulloi vështrimin nga të gjitha anët, për t’u bindur se aty pranë nuk kishte frymë njeriu për të dëgjuar dhe mësuar, atë që i kishte ndodhur me Fridën. Ishte përsëri në mëdyshje për ta treguar. I vinte turp, por njëkohësisht donte të shkarkonte tek dikush, atë siklet të brendshëm që mbartte. I shte mbledhur një lëmsh  në grykë që po i ngushtonte rrugët e frymëmarrjes. I dukej se nga çasti në çast do të kthehej në një top llastiku gati për të shpërthyer nga fryrja e tepërt. Shoku i tij po priste me veshë ngritur, duke ngulmuar me vështrim.

-Po ja, -filloi të belbëzojë Andrea: -po kthehesha nga pylli me nxitim për të qënë në kohën e duhur në kishë. Po nxitoja kaq shumë, sa isha nxehur më keq se një kafshë e tërbuar. Kisha etje, shumë, dhe ndalova per t’u freskuar dhe të pija dy gllënjka ujë. Atje në krua, nuk e di po… si fantazmë u shfaq Frida. Kishte një vështrim të çuditshëm, sytë e saj ishin thëngjij që të digjnin. Më tha ta ndihmoja, pasi kishte lënë shportën me fiq në pemë dhe unë duhej ta ndihmoja. Duhej të… mbaja shkallën…

-Dhe ti patjetër i mbajte shkallën, -qeshi Foti duke vazhduar: -vetëm shkallën apo dhe diçka tjetër?

-Je i lig Foti! -vazhdoi Andrea. -Po mbaja shkallën dhe kur ajo ishte në fund të zbritjes, më pushtoi gjithë afsh dhe…Ajo është e çmendur!

-Jo moreeee…! -u gëlltit Foti. -Po pastaj?

-Më puthi! -u mbllaçit Andrea duke shqiptuar mbyturazi këtë fjalë.

-Oh sa mirë! -nuk u përmbajt Foti duke lëvizur gjuhën mbi buzë, sikur do të shijosh edhe atë pak sheqer të ngelur mbi to, pasi ke ngrënë një ëmbëlsirë.

-Ajo është e çmendur! -Andrea ishte skuqur, sikur Frida ta kishte puthur sërish në këtë moment. -Është vajzë e çuditshme, vajzë që duhet patur frikë dhe qëndruar larg. Është një shtrigë që të bën magji. Nuk mjaftoi kjo, por më tha të hynim brenda në shtëpinë bosh, për të luajtur një lojë të çuditshme…prit si quhej? Ëh, po! Një lojë me nusen dhe dhëndrin. Dreqi e di se çfarë kishte në mendje ajo.

-Edhe ti? -ngulmoi Foti, kurioziteti i të cilit ishte trazuar keqazi: -E ti ç’bëre, kur ajo të tha të bënit atë lojë?

-E çfarë duhej të bëja unë? -mblodhi supet Andrea. -I thashë se nuk janë lojra për ne djemtë këto dhe u largova.

-Eh o budalla! -u nxeh Foti dhe vazhdoi duke qesëndisur: -Ku shkon fati! Mos thuaj pastaj se fat kanë…

-Edhe ti si flet kështu o Foti? -vijoi pothuajse me naivitet Andrea.

-Dëgjo këtu, ti shoku im! -mori pamje prej filozofi fytyra e Fotit, sikur do të shqiptonte shpikjen dhe thënien më të mënçur të thënë deri atëhere: -Vajzat apo femrat piqen më shpejt se ty, edhe se mua. E ke vënë re si shpërthen dhe u rritet mishi poshtë bluzës. Janë cicat e tyre o tuhaf, që i bën të ndihen si të rritura. U lëviz një gjak në trup, që i ndez zjarr edhe me ato buzë ato përpiqen të shuajnë etjen e atij zjarri që bubulon brenda tyre. Po ti more trim, a ke vënë re ndonjëherë veten tënde? Kanë filluar të të dalin qime? -qeshi aq fort ai, sa Andrea u frikësua sikur pranë tij të ishte shfaqur si fantazmë Frida.

-Mirë, mirë… E mora vesh! -mezi shqiptoi Andrea. -Të lutem vetëm për një gjë, por më parë m’u beto, se kjo bisedë e bërë tani midis nesh do të varroset këtu dhe era do të tresë në pafundësi çdo fjalë të thënë. Nuk do t’i thuash asnjeriu këto që të thashë, ndryshe më harro si shok!

-Po pse ore tuhaf, ç’më di mua ti, tellallin e fshatit?  -ia ktheu tepër serioz Foti. -Po të jap një këshillë! Herë tjetër, kur të gjendesh si sot, mos ik si i marrë! Do ta shikosh se është lojë e bukur… Ha, ha… Tani ik o trim, se edhe doriu im u mërzit nga fjalët tona dhe do të harliset pak! -kërceu si pupël mbi kalë, tërhoqi frerët fort dhe la pas trupin e bronxtë nën reflekset e rezeve të diellit. Mes çapitjeve të zvarra u drejtua për në shtëpi. Shoku i tij nuk e kishte qetësuar, por vetëm sa kishte shtuar rrathë në shpërhapje në mendimet e tij. Gjërat e çuditshme vijnë si papritur në jetët tona, aq sa na kredhin në vorbulla mendimesh, që sjellin një seri pyetjesh pa përgjigje, të cilat me kalimin e kohës bien një e nga një, si frutat e pjekura, kur mbërrijnë në moshën e pjekurisë.

 Maj – Tetor 2002.

Please follow and like us: