Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: Profeti i pasmesnatës

 
Zgjim në orën tre, hëm hëm ç’zgjim…
Flokët nga koka përpjetë të ngrihen rrënjë e trarë
sikur të t’i shkulnin trutë
t’i tërheqnin a rrjepnin në këtë fund
me rrënjë të merimangta të honeve.
Jashtë një shi rreh diku në themelet
mbi një llamarinë të harruar
zhurmë-mbytur, si të ish rrahje dheu
mbi xham të arkivoleve.
Nga dritaret -pasqyrë e ndytë në shkitë shiu-
Të vjen ndjesia që je një hiç,
për më tepër, je dhe i zënë në lak.
Krejt dita sot mund të jetë pasqyrë
(si fytyra jote)
shkërrmoqur me gur
ndotur me baltë.
Horoskopët ta thonë:
yjet janë kundër teje.
Asgjë. Kthehu pas.
Te dhoma tjetër me trarë durimi të mbytur
nën ujë. Ku e mbajke frymën me zor
në një abstenim të dlirë që të vë nën faj.
Asgjë, asgjë. Mbaje frymën gjatë nën ujë,
Deri.. deri kur durimi të mbajë.
Ndokur greminë e vetes del mbi rrugë.
Vetja e vertetë kokëposhtë,
ecën ngjitur me shuallin tënd
puqur shuallet, por nën tokë-
lart hija, i vërteti nën dhè, gurë
kanale, gjirize symbyllur i çan
u bie me kokë.
Ej, përmendu, je këtu në dhomën tënde.
I zgjuar në orën tre.
Mjaft. Gjërat marrin për mirë,
vjen dita, shiu siç vjen, resht.
…Sot ogurlig, i ankthshëm,
nën kapuçon shiu e nate
t’u shpifka në xham një profet.
Please follow and like us: