Albspirit

Media/News/Publishing

Haris Vongli: STUDENTËT DHE PLOT PADREJTËSI NDAJ TYRE

 

Ndërsa auditorët janë mbyllur dhe kafenetë e restotantet janë plot e përplot ditë e natë, me mik e pa mik, unë kam gjithsesi një detyrë – tejet të thjeshtë ndaj shoqërisë ku jetoj e një mision shumëherë më të madh ndaj studentëve të mi. Detyrë e mision për të folur mbi shumë të vërteta që kanë një peshë të madhe në raport me të ardhmen e të rinjve, duke i paraprirë asaj jo vetëm si individë por edhe si bashkëjetues me njëri-tjetrin, në një komunitet që në fakt po asgjesohet, jo vetëm për nga vlerat por edhe masa e popullatës në të. Çdo gjë tjetër është propagandë.

Të rinjtë duan të largohen, dhe këtë e shprehin kurdo u jepet mundësia. Dëshira për të lënë pas Shqipërinë është padyshim pasojë e shkakut, pra pakënaqësisë së thellë ndaj një shteti kaotik e të korruptuar kokë e këmbë, një vendi fare pak të lumtur në shpopullim e sipër, një vendi ku mungon shpresa e tyre për të jetuar mirë dhe të sigurtë.

Këta studentë të Komunikimit, viti i parë Bachellor, pranë Fakultetit të Ekonomisë, të cilët më ridimensionuan shumë mendime e ide pas takimit tonë të parë jo virtual, janë më të penalizuarit nga virtualiteti i gjendur në mes të informalitetit, padrejtësive dhe propagandës.

Ata e duan dijen por nuk u jepet mundësia për të përthithur sa më shumë prej saj dhe sigurisht që forma si e marrin dijen ka shumë rëndësi, sidomos në urën tejet domethënëse të kalimit nga gjimnazi në fakultet, nga nxënës në studentë. Një auditor nuk ka kurrë brenda tij më shumë studentë se sa ka një bar/restorant klientë, le të themi gjatë orarit 10:00-13:00 dhe 18:00-22:00 (mora këtu një orar kulminacioni për nga frekuentimi). Jam e bindur se ndaj studentëve janë bërë vazhdimisht padrejtësi.

Unë dëshiroj që studentët e mi dhe jo vetëm, të arrijnë të mësojnë tre gjëra të rëndësishme për fillimet e tyre në realitetin e komplikuar shqiptar:

  1. Rrugën shumë të gjatë të marrëdhënieve të tyre në raport me të vërtetën.
  2. Mendimin kritik e të pavarur, si pasojë e të qënurit sistematik e pasionant ndaj dijes, librave, informacionit, vlerave perëndimore e shoqërive të zhvilluara.
  3. Reagimin e guximin përkundrejt heshtjes e kompromisit.

Nëse do arrijnë t’i bëjnë këto, ata do të jenë të lirë psikologjikisht e shpirtërisht, për rrjedhojë do jenë individë të lirë edhe fizikisht, jo vetëm për veten por edhe brezat në vijim.

Ne u ulëm jashtë, folëm gjatë, kënduam me kitarrë, por mbi të gjitha dëgjuam njëri-tjetrin. Studentët janë absolutisht motiv i përpjekjeve të mia në kërkimin dhe evidentimin e të vërtetave që na nevojiten kaq shumë sot. Në fakt sot e gjithmonë./albspirit.com

Please follow and like us: