Albspirit

Media/News/Publishing

Bardhyl Berberi: Tringëllijnë prangat për zullumqarët

Këto ditë para Shën Valentinit, ATA janë të braktisur nga të gjithë dhe të frikësuar nga zhurma e prangave që u tringëllon në vesh kudo, në zyrë, në rrugë, në kuvend, apo gjykata dhe prokurori. Personat që kanë ngjyer duart e pista në pronat e të tjerëve apo që kanë grabitur djersën e popullit kanë ngelur të shushatur. Arestimi i gjyqtares me kompani dhe mjekut kardiolog tregon se SPAK ka filluar të shfletojë defterët dhe mëkatarët duket do t’i mbylli në qeli… Atyre nuk iu hyjnë në sy uikendet dhe pushimet. Frika e arrestimeve u ka prishur gjumin. Opozita e çorientuar nga shumë mëkate që ka ndaj popullit nuk gjen një kallëzues real që të sulmojë pozitën, por merret me rritje rrogash dhe premtime që askush nuk i gëlltit. Mëkatarët  kanë humbur ekuilibrin. Flasin përçart. I sheh të zbehtë, nuk u hyn asgjë në sy. Ato vila hijerënda anembanë Shqipërisë, madje dhe jashtë saj nëpër vendet më ekzotike e nëpër Europë, iu duken si fantazma që do t’i gllabërojnë brenda tyre. Makinat luksoze, numrat e llogarive nëpër bankat e huaja tashmë janë kërcënuese e iu janë kthyer si shpata e Demokleut…

Edhe dashnoret e tyre po e ndjejnë këtë “dimër”  të ftohtë që nuk iu bën derman kokave të tyre të nxehta. Ato janë braktisur. Ju mbyllin telefonat dhe nuk duan të pipëtijë asgjë, përveç ritmit të çrregullt të zemrës së tyre. Ata i ka bërë llogaritë gabim. Paraja e fituar pa djersë… dhe vjen një ditë që të nxjerr në ankand. ATA edhe pse ikin nga kryeqyteti në fundjavë dhe kalojnë kohën te vilat e tyre në bregdet apo jashtë shtetit, po i ndjek ankthi. ATA kanë humbur gjumin e flenë me qetësues. Shohin ëndrra të frikshme dhe në mëngjes zgjohen me sytë të buhavitur me rrathë të zinj nga pagjumësia. Ata po shohin ish-prokurorin Llalla që ka ngelur si ajo varka në mes të detit që rrihet nga dallgët dhe askush nuk e ndihmon, pikërisht atë që i ka ndihmuar aq shumë ATA në momente të vështira. Por ndodhi e kundërta. Tashmë secili mendon për kokën e vet. Populli thotë: Çdo dhi varet për këmbët e saj. Ata janë të kërcënuar dhe të zënë ngushtë. Po hapen shumë plagë. ATA që janë përzierë në këto afera abuzive apo falsifikime pronash, janë zënë ngushtë si miu në çark. Opozita edhe pse akuzon qeverinë për vjedhje dhe korrupsion  nuk mund të dalë e larë, pasi është e zhytur vetë në gjithë këtë mesele. Kur ajo ishte në pushtet apo në bashkëqeverisje dhe ka jo pak skandale, ku do të vijë ai çast i vështirë edhe për ta.

Dosja e financimeve ruse të Bashës kërkon kurbanin e radhës. Dosjet e nxehta të grabitjes së  pronave, CEZ, Gërdeci, katër vrasjet e 21 janarit dhe shumë afera të tjera po i tërheqin prej hunde këta zullumqarë. Edhe ekstradimi i ish-bodigardit të Berishës i ka bërë me dhimbje koke të gjithë ATA që kanë dorë në atë skenar ogurzi të vrasjes së Azem Hajdarit apo në skandale të tjera.

Në vilat hijerënda të zhytura në luks  ku dëgjohen vetëm lehjet e qenve të fisëm të racave nga më të njohurat  që kalojnë sa nga njëra anë e vilës tek tjetra… Ata kërkojnë të zotët e këtyre vilave, të cilët kanë shumë kohë që nuk vijnë aty. Vilat në breg të liqenit pretendonin se banorët e tyre, deputetë, pushtetarë, ish-pushtetarë, kishin shkëlqimin dhe pastërtitë e ndershmërinë, të paktën kështu betoheshin banorët e tyre se punonin dhe shkriheshin për hallet e popullit.

Më pas mbylleshin brenda kangjellave të vilave ku dëgjohej trokëllitja e gotave të kristalta nën dritën vezulluese të shandanëve të artë. Por ata sot ndihen të vetmuar dhe të anatemuar në çdo bisedë dhe më tepër se kushdo  këtë vetmi dhe “tërmet” që pritet të bjerë, është ish-kryeprokurori Adriatik Llalla i cili u shërbeu dje duke u fshehur dosjet nëpër sirtarë, e kanë lënë në baltë, madje duke ja shitur lëkurën shumë lirë… Kjo është jeta, nuk mund të jesh i lumtur dhe i qetë shpirtërisht me pará të vjedhura dhe abuzime, por vjen një ditë që  duhet ta kalosh jetën me brenga apo në qeli. Është një kosto që duhet ta paguajë secili zullumqar, por dhe nëse je i varfër dhe i ndershëm, të nesërmen të pret një shpresë… Tashmë, ata i pret vuajtja dhe vetmia, ndërsa ata që ju kanë vjedhur djersën, shpresa te Vetingu se një ditë ky vend mund të bëhet… Në këtë prag zgjedhjesh demagogjia e tyre për të veshur ide të vogla me fjalë të mëdha premtimesh i ka dalë boja .Shumica e problemeve sot në botë shkaktohen  nga njerëz të paaftë që kanë hipur nepër karrike të medhaja. Kur i pyet nëpër intervista ata heshtin. Nuk ka gjë më të bukur se të dëgjosh heshtjen e një budallai që nuk iu përgjigjet pyetjeve por hidhet degë më degë me fjalë boshe. Ngado dëgjon lloj-lloj thashethemesh që janë aq shumë saqë janë kthyer tashmë në mitologji. Vetëm një gjë duhet të kemi të qartë në këtë prag zgjedhjesh se përfaqësuesit e këqinj në parlament zgjidhen nga njerëzit e mirë që nuk shkojnë të votojnë. Klasa politike tek ne në këto 30 vjet për të gjitha këto  dëme që i ka shkaktuar popullit është një turp i madh. Frojdi ka thënë: Mungesa e plotë e turpit është tregues i parë i cmendurisë… Pasuria dhe karriera e njerëzve të mëdhenj matet gjithmonë me mjetet me të cilat është arritur… Gjithsesi të gjithë ata që i kanë bërë duart pis me djersën e popullit kanë filluar të ndjejnë aromën e qelive dhe tringëllimin e prangave…

 

 

 

Please follow and like us: