Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: TË DALËSH NGA HISTORIA ME KËMBËT E TUA

(Profecia e zezë e Preng Bib Dodës)
Pas sa e sa kohe në postkomunizëm, pas 30 vitesh të tranzicionit katovician, mendoj se ky vazhdimi i pushtetit nga komunistët u bë nga elita të papërgatitura për një kalim të tillë. Klasi i tyre intelektual ngjante me fundin e kazanit, pra ishin elita të mbetura nga komunizmi shqiptar i viteve ’80, një komunizëm në rrëgjim, në zvjerdhje, në tërheqje.
Fakt është që akademia, institutet, stafet akademike e krijuese dhe ato shkencore të qendrës dhe universiteteve në rrethe, bibliotekat, ojq-të, institucionet kulturore janë edhe sot të mbizotëruara nga fundet e kazaneve intelektuale të viteve ’80. Ndaj ka agoni krijuese, ecje mbrapsht, mbetje në vend, kthime si të gjarpërit që kafshon bishtin e vet.
Përmendni emrat më kryesorë të këtyre viteve, krahasojini me profesorët e tyre të viteve ’70 dhe… merret vesh.
Edhe në letërsi u zvarritën katovicianët.. dianat, ahmetaj, spahinjtë, londot, kongolët a lekajt, mustafajt… zeqot… etj.
Edhe në diplomaci… po ata. Në gazetari pas riciklimit në gazetën RD prej Berishës të gazetarëve të ZP, të ZR e të Bashkimit, shpejt, emrat e rinj i lanë në bisht… ata më tesër të kuqe. Gazetaria e vetmja që i përmbysi emrat e vjetër…nuk u shpëtoi sëmundjeve të tranzicionit.
Në ekonomi ky ndikim katovician ka krijuar një oligarki…të majtë në zemër, po të mbufatur djathtas nga xhepat. Mbase e kemi edhe ne të majtën tonë të kaviarit.
Deri këtu kjo e majtë në kulturë dhe në ekonomi ka ecur si ka ecur. A do dijë të bëjë dhe një klasë politike që jeta politike e së nesërmes të mos jetë amatore. Do të dijë ta vërë në shina politikën e këtij shteti?
Këtë detyrë nuk e kryejnë dot me projekte e studime ata të instituteve , akademikët që janë ende nga fundi kazanit komunist, që marrin fondet (thërrime) të shkencës e të kulturës për mbijetesën…e tyre.
Ata të oligarkisë, veç që të bëjnë pare, do dijnë të kenë mend për të pasur një shtet të qeverisur politikisht, jo kaçakçe?
Këtu duhet vënë pikëpyetjet dhe duhet pritur.
E majta sidoqoftë është një hap përpara.
Pse ka krizë të shpallur “e djathta” e quajtur e Berishës. Se dhe ai është katovician. Zbatues e zellshëm i katovicës.Të majtët e urrejnë, po ai është i tyre. Ai qeverisi me kënaqësi bashkë me të majtët në kulturë, në ekonomi, në politikë. Këtu është dhe katastrofa e tij. I bëri gropën vetes. Ai është pa shtresë kulturore, ekonomike, pa një “ideologji” të së djathtës, pa investim në rekrutimin e burimeve njerëzore në politikat e tij. Ushqeu dhe majmi të majtën që e ka partinë e vet, në P S, jo me Berishën.
PD e Berishës pati një ngjyrim të fortë krahinarizmi. Mbështetës në krahinat veriperëndimore. Po kjo nuk është një shumicë numerike. Nuk fitohet me krahinarizëm. Partia pati dhe karizmën e fortë të tij si udhëheqës i madh i revolucionit demokratik… etj etj. Por tani ai është i konsumuar nga vitet në pushtet, nga mosha, nga humbja e nderit në vendimmarrësit ndërkombëtarë. E djathta po përjeton tollovinë politike që ia ka bërë vetes.
Ilir Meta në politikë hyri me forcën e atyre të rinjve me shumë ambicje që kishin mbetur jashtë P D, dhe jashtë P S. Ai ndërtoi një parti të mbështetur në dhënien e shpërblimeve dhe posteve politke, e përfitimeve të shpejta në pasuri, në karierë. Sa mund të vazhdohet kështu?
Pas këtij skicimi të shpejtë, katovicianizmi dhe katovicianët besoj e arritën cakun. U harxhuan si energji. Ç’ do të bëhet më tej?
Nëpër botë, jashtë Shqipërisë, në kulturë ka një shtresë të re të krijuar në këto 30 vite. Ka emra që kanë marrë poste politike, ka profesorë në universitete më emër. Ka që punojnë në banka e në biznese me rëndësi. Kjo shtresë kulturore është ku e ku më e lartë nga ata që sot janë në krye të punëve në këto fusha në Shqipëri. Këta tanët janë ende nga fundi i kazanit të komunizmit.
Kriza duket hapur te P D. Por ajo mund të ketë gëlltitur padukshëm edhe PS. LSI, një parti e dëmtuar ligsht, është e mbajtur vetëm te Ilir Meta që ashtu si Berisha, si dhe Rama duhet të hapin krahun. Të vijnë njerëz të rinj.
Kjo është një fjalë goje. Vështirë që këta njerëz të etur për pushtet të përjetshëm ta lënë postin.
Si i bëhet?
Ka një bisedë të Preng Bibë Dodës me Princ Vidin. Ai shqiptoi një profeci të zezë që i ra mbi kokë. “Do të bësh Shqipërinë”, i tha Preng Pasha Vidit? “Që ta arrish këtë, duhet të vriten tre veta: unë, i pari, Ismail Qemal Vlora, i dyti dhe Esad Pashë Toptani, i trerti”. Preng Pasha u vra në një pritë në lumin Mat, mars 1919. Ismail Qemali vdiq në rrethana të dyshimta në Itali, janar 1919, Esat Toptani u vra me atentat në Paris, qershor 1920.
Shteti shqiptar rilindi me organizim, me emra të rinj në Kongresin e Lushnjes.
Nuk them se duhet të vritet fizikisht ndonjëri nga “pashallarët” tanë të sotëm. Politikisht, po. Ata duhet të dalin nga historia me këmbët e tyre.
Duhen njerëz të rinj.
Ka dhe një zgjidhje tjetër.
Si dikur Andrea Papandreun, nga pedagog universiteti në SHBA e sollën në krye të politikës në Greqi, ashtu mund të ndodhë edhe me ne në Shqipëri.
Siç vërejta pak më lart, sot në Europë dhe në Amerikë ka një dorë të re njerëzish, të rinj në kulturë, në mendësi që mund të sjellin erë të freskët këndej nga anët tona.
A mund të na vijnë djem e vajza nga kjo diasporë e re shqiptare?
Si do vënë punët?
Të presim dhe të shpresojmë…
22 janar 2022.
Please follow and like us: