Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Opozita nuk është Lulzim Basha

Zonja ambasadore, opozita nuk është Lulzim Basha. Nuk është ai që po lufton korrupsionin. Nuk është ai që po mbron investimet amerikane etj. Madje ka korridore me errësirë nga ai mbi investimet amerikane. Të kujtoj rrugën e kombit 2009. Nuk është ai që po ndërton demokracinë në Shqipëri. Boll mbështetët një opozitë anemike. Një opozitë mashtruese që kurrë nuk respektoi minimalisht statutin e nderit të një qytetari perëndimor, votën e lirë. Humbi thellësisht në zgjedhjet e 25 prillit 2021 dhe nuk u largua. Madje broçkulliti lart e poshtë se ia vodhën zgjedhjet. Sot gjykata e vendit i njohu zgjedhjet. Megjithatë ai vazhdon pa kërkuar minimalisht një ndjesë publike demokratëve. Dhe ashtu paturpësisht zhvilloi një palo zgjedhje brenda Partisë Demokratike duke rishpallur veten në krye. Nderi minimal i një qytetari perëndimor është dorëheqja e parevokueshme. Në mënyrë të atillë që një forcë po perëndimore të hapi garën reale për vlerat dhe jo të mbyllet duke çimentuar kultin e individit.
Sot opozita është totalisht e dërmuar dhe ju po merrni pjesë aktive në këtë përçarje masive. Nuk mund t’i imponohesh një vendi a një shoqërie duke i thënë se ku duhet të shkojë, se kë duhet të votojë, se kë duhet të ndjeki nga pas. Shqiptarët po humbin toruan me Amerikën dhe demokracinë e saj. Kjo pikërisht për ca qoka politike të ulta.
Lulzim Basha është po aq i korruptuar dhe i pabesë sa ata të cilët akuzon. Koha po na vërteton se ka një opozitë tjetër e cila mbush përpara syve tuaj një stadium plot. Një opozitë që vjen nga frymëmarrja sociale e jo nga humbësit serial. Ashtu sikur Lulzimi yt, në një sallë me kapacitet 1800 vendesh e konsideron 5000 vota, si e si të qëndrojë kryetar. Megjithatë nuk e thatë gjysmë fjale.
Sot shqiptarët opozitarë po humbin toruan për shkak se edhe Amerika po bën demagogji dhe propagandë. Jemi vend i sfilitur nga propaganda. Aq sa sot Shqipëria po qeveriset jo nga Kushtetuta dhe ligjet por nga propaganda. Ju jeni bërë pjesë e saj. Aq sa nuk u detyroheni fare shqiptarëve opozitarë, të drejtën minimale për shtetin ligjor, mbi rastet non grata. Sidomos kur bëhet fjalë për persona që kanë drejtuar vendin. Ju përkrahët ca procese përjashtimi kur fare mirë e dini se partitë politike janë vullnete të lira politike që operojnë me votë kolegjiale. Punë e juaj. Por lëre suportin propagandistik që të mos përsireten dështimet si në Filipine a Kilin e largët, pasi duket se nuk i njihni sa duhet shqiptarët. Nëse jeni vërtetë për një opozitë konstruktive, shkoni takoni edhe ata të stadiumit, ata të rithemelimit. Nuk e doni Sali Berishën, dakort, ekipi nuk është vetëm Saliu. Sa për dijeninë tënde të cekët, aty janë më të votuarit, janë ata që kanë thyer herësin në sistemin e pabarbartë të zgjedhjeve në Shqipëri. Partia Demokratike nuk pronë e Lulit tënd por e demokratëve. Në vend që të suportosh zgjedhjet si zgjidhje e krizës, zgjedhjet brenda demokratëve, pse jo edhe pa Lulin edhe pa Saliun, i fërkoni Lulit supet. Një qytetari bizarr të cilin nuk e voton as gruaja, për shkak të një pasaporte të huaj. Ne nga Shqipëria i themi ‘në vend të ujit i hidhni zjarrit benzinë’. Këtë jeni duke bërë!
Please follow and like us: