Albspirit

Media/News/Publishing

Shaban Murati: Për ata që turbullojnë ujrat fetare

Në gjitha enciklopeditë ateizmi përkufizohet si mungesë besimi ndaj çdo feje dhe Zoti. Në vendet e zhvilluara demokratike ateistët shohin punën e tyre dhe nuk sulmojnë as fenë e shumicës së popullit të vet dhe as fetë e pakicave, sepse konsiderojnë liri personale dhe e drejtë e secilit të besojë ose të mos besojë. Është e çuditëshme prirja e ateistëve publikë shqiptarë, që papushim mbjellin mllef dhe sulmojnë vetëm fenë e shumicës së popullit. U vihen në dispozicion dhe dominojnë ekrane, mikrofonë, skena, OJQ dhe fonde të bollshme për të krijuar mjedis toksik për besimin e shumicës së popullit. Kulmi i absurdit shqiptar është se në këto fushata turbulluese fetare përfshihen politikanë të lartë të shkollës së vjetër ateiste të komunizmit dhe deputetë, të cilëve nuk dihet se kush ua ka mbushur mendjen se duke sulmuar fenë e shumicës së popullit do të konsiderohen “modernë dhe europianë”. Destabiliteti fetar ecën dorë për dore me destabilitetin politik. Në pamjen e parë duket i paqartë motivi përse kjo skotë turbulluesish të jetës shoqërore i kundërvihet filozofisë dhe mendimit shoqëror të mendimtarit dhe poetit të madh At Gjergj Fishta për karakterin vëllazëror të marrëdhënieve ndërfetare në Shqipëri. Por një analizë spektrale të çon te strategjia përçarëse antishqiptare e këtij fenomeni. I lidhur me prirjet e mësipërme është edhe fenomeni tjetër specifik shqiptar që islamofobët patologjikë publikë, të ekranit dhe të politikës në Shqipëri, befas kanë rënë në dashuri me Komunitetin Mysliman të Shqipërisë dhe me një hoxhë turk, që jep predikime fetaro-politike nga mërgimi në Pensilvani. Ec e merre vesh kush e bën për-puthjen. Fushatat e sponsorizuara turbulluese, që po intensifikohen në drejtim të marrëdhënieve fetare në Shqipëri, nuk janë të rastit. Njëqind kilometra larg atyre u vjen era Serbi.

———————-

“Ajvar kosovar”! Ligësia ruse ndaj suksesit artistik shqiptar, çfarë shkruan korespodentja e Moskës në Beograd për filmin Zgjoi

Nga Shaban Murati

Arti shqiptar arriti një sukses të madh për një kinematografi të vogël kur filmi artistik “Zgjoi”, i regjisores Blerta Basholli u përzgjodh në listën e shkurtër të nominimeve për çmimin “Oskar” nga Akademia Amerikane e Filmit, ceremoni që zhvillohet në muajin mars.

Filmi dhe regjisorja shqiptare shkojnë në këtë konkurim prestigjioz pas tre çmimeve të fituara në shkurt 2021 për filmin më të mirë, për regjisoren më të mirë dhe çmimin e publikut në festivalin më të madh të filmit të pavarur në SHBA.

Në nëntor 2021 u shpërblye edhe me çmimin “Die Tilda” për “filmin më të mirë” në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Braunshvajg në Gjermani.

Por rrezatimi ndërkombëtar i suksesit të regjisores shqiptare i ka ndezur flakën e urrejtjes raciste antishqiptare korespondentes ruse në Beograd të medias proqeveritare ruse “Balkanist”, Katarina Lane.

Në një shkrim të gjatë botuar në 26 janar 2022, një ditë para nisjes së votimit për filmat në Akademinë Amerikane, gazetarja ruse, megjithëse vetë grua, lëshon pa fre ligësinë e saj kundër regjisores shqiptare qysh në titull: “Zgjoi”- Si shqiptarët e Kosovës zien ajvar për çmimin “Oscar”. Ja përroi psiqik rus i ligësisë së saj antishqiptare:

“Filmi artistik “Zgjoi” i regjisores dhe skenaristes Blerta Basholli hyri në listën e shkurtër të nominimeve për marrjen e çmimit “Oskar”. Megjithatë kjo nuk do të thotë se filmi do të marrë çmimin “Oscar”, meqë “uthulla” me të cilën Basholli ka përzier gjithçka, a do të mund të vlerësohet në SHBA.

Blerta Basholli ka realizuar filmin “Zgjoi” në të cilin heroina bën ajvar. Mendoj se ky fakt është i denjë për çmimin “Mjedra e artë” për nominim për skenarin më të keq. Pse jo? Mjedra është kulturë shumë popullore në Ballkan.

Procesi i përgatitjes së ajvarit vërtet mund të jetë idea e filmit. Aq më tepër që këngëtarja e preferuar për publikun amerikan Dua Lipa, me origjinë shqiptare kosovare, nuk lodhet së reklamuari këtë produkt, gjë që i fyen shumë serbët, të cilët e quajnë ajvarin e drejtë e tyre.

Blerta Basholli mund të xhironte një film për ajvarin, duke na treguar historinë e feminizmit kosovar përmes duarve të acaruara dhe të djegura nga specat e nxehtë të heroinave, të cilat çlirohen nga zgjedha e patriarkatit. Hani më shumë ajvar, mos harxhoni kohën me “Zgjoin”.

Me këtë thirrje e mbyll gazetarja ruse në Beograd mllefin e saj plot ironi muzhikësh, po të përdorim një shprehje ruse.

Please follow and like us: