Albspirit

Media/News/Publishing

Zvicra dhe Shqipëria nënshkruajnë marrëveshjen për sigurimet shoqërore

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj  dhe Ministri zviceran për për Çështjet e Brendshme, Shëndetësinë dhe Mbrojtjen Sociale, Alain Berset, nënshkruan sot një marrëveshje për sigurime shoqërore e cila lehtëson trajtimin e barabartë dhe qasjen ndaj përfitimeve sociale për qytetarët e të dy vendeve.

Marrëveshja e re dypalëshe formalizon marrëdhëniet e sigurimeve shoqërore midis Zvicrës dhe Shqipërisë. Ajo mbulon sigurimet për moshën e tretë, si dhe për mbijetuesit dhe invalidët, dhe përputhet me standardet ndërkombëtare për koordinimin e sistemeve të sigurimeve shoqërore.

Ministrja Ibrahimaj u shpreh se nënshkrimi i marrëveshjes konfirmon vullnetin dhe angazhimin e Qeverisë Shqiptare dhe Konfederatës Zvicerane për thellimin e bashkëpunimit dhe çuarjen përpara të marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy vendeve.

“Zbatimi i marrëveshjes do të ketë efekt financiar për shtetasit shqiptar në momentin  kur ata të kenë mbushur moshën për pension, kur lind dhe e drejta për përfitime nga skema e sigurimeve shoqërore. Janë afërsisht 2,000 shtetas shqiptarë të cilët jetojnë e punojnë në Zvicër, pa përfshirë shtetasit shqiptarë me shtetësi të dyfishtë. Në bazë të marrëveshjes asnjë qytetar nuk do të humbasë asnjë ditë kontribute, pavarësisht se ku ka punuar, pasi bashkimi i periudhave do të bëjë të mundur plotësimin e kushteve ligjore për përfitimin e pensionit në të dy vendet”, tha Ministrja.

“Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje përmirëson mbrojtjen sociale të qytetarëve shqiptarë që kthehen në vendin e tyre. Ajo kontribuon për forcimin e marrëdhënieve shumë të mira dypalëshe midis Shqipërisë dhe Zvicrës”, tha Ministri zviceran për Çështjet e Brendshme, Shëndetësinë dhe Mbrojtjen Sociale, Alain Berset.

Marrëveshja siguron që shtetasit zviceranë dhe shqiptarë të marrin trajtim të barabartë përsa i përket të drejtave për sigurime shoqërore, lehtëson qasjen ndaj këtyre përfitimeve dhe lejon që pensionet të paguhen edhe jashtë vendit. Ajo gjithashtu vendos themelet për një bashkëpunim dypalësh për të luftuar mashtrimet dhe abuzimet me sigurimet shoqërore. Së fundmi, marrëveshja lehtëson lëvizshmërinë e shtetasve zviceranë dhe shqiptarë dhe i mbron ata ndaj kontributeve të dyfishta të sigurimeve shoqërore. Marrëveshja do të hyjë në fuqi sapo të miratohet nga parlamentet e të dy vendeve.

Ministri Berset and Ministrja Delina Ibrahimaj diskutuan mbi masat e veçanta të mbështetjes që qeveritë e tyre kanë marrë për të trajtuar pandeminë e Covid-19, si dhe mësimet e nxjerra nga kriza. Ata folën gjithashtu mbi sfidat më të cilat përballen sistemet e pensioneve dhe përpjekjet për t’i rinovuar ato.

Please follow and like us: