Ambasadorja e Italisë në Australi, Francesca Tardioli, ka rënë nga ballkoni, në një banesë në qytetin e saj të lindjes Foligno. Sipas raportimeve, ambasadorja Tardioli, 56 vjeçe, u gjet e pajetë jashtë shtëpisë së saj, pasi ra nga kati i tretë i banesës. Ngjarja, ndërkohë po hetohet nga policia e Italisë. “Lajm tronditës për ndarjen nga jeta të ambasadores Francesca Tardioli… Kolege brilante. Diplomate shumë e respektuar”, shkroi në Twitter Margaret Twomey. “Mendimet tona janë me familjen, miqtë e saj”, shton më tej ambasadorja. “Ajo dyshohet se humbi ekuilibrin ndërsa ishte përkulur mbi ballkonin e saj”, raportoi agjencia italiane e lajmeve AGI. Tardioli, mbante postin e ambasadores që nga shtatori 2019 dhe zotëronte rrjedhshëm anglishten dhe frëngjishten dhe kishte njohuri të mira të gjermanishtes dhe spanjishtes. Ajo iu bashkua Shërbimit Diplomatik Kombëtar Italian në 1991.