Albspirit

Media/News/Publishing

Me vargjet e Nënë Terezës, Genc Tukiçi prezanton ‘Valsin hyjnor’ në Selanik


Jam i nderuar t’iu njoftoj që “Valsi hyjnor” që kam kompozuar mbi vargjet e Nënë Terezës dhe me rastin e kanonizimit në Selinë e Shenjtë, në Vatikan, do të interpretohet për herë të parë në Selanik, Greqi.
Për ata që do munden të marrin pjesë, koncerti do të zhvillohet në ‘MEGARON CONCERT HALL’, më 4 mars 2022 , ora 21.00.
Valsi do të interpretohet nga ‘INTERBALKAN CHOIR’ me dirigjente Mary KONSTANTINIDOU dhe soliste Sofia KOLA. Ky vals ëshë interpretuar në një ceremoni të veçantë edhe në Selinë e Shenjtë.
————————

Në Bazilikën e Shën Palit në Vatikan është mbajtur koncerti për nder të shënjtërimit të Nënës Terezë. Një koncert që do të mbahet mend për gjatë kohë, i cili solli bashkë fytyrat më eminente të muzikës shqiptare që me punën e tyre e kanë lartësuar kombin shqiptar. Në fillim të këtij aktiviteti është paraqitur me një fjalim imzot Dodë Gjergji i cili ka folur për figurën e Nënës Terezë duke vlerësuar lart personalitetin e saj, humanizmin dhe devotshmërinë. Ai ka falënderuar Qeverinë e Kosovës për ndihmën financiare si dhe të gjithë ata që kanë kontribuuar për të mundësuar realizimin e këtij koncerti. Programi ka startuar me një këngë korale të interpretuar nga Kori i Filarmonisë së Kosovës nën dirigjimin e Rafet Rudit.Këngëtarja me famë botërore me prejardhje nga Kosova, Rita Ora dhe kapiteni i kombëtares Lorik Canan kanë bërë hapjen e koncertit. Rita Ora fillimisht u është drejtuar të pranishmeve në gjuhën shqipe duke i përshëndetur dhe uruar mirëseardhje.  “Zonja e zotërinj, motra e vëllezër, mirëmbrëma”, ka thënë Ora. Pjesën tjetër, një dedikim Nënës Terezë, Rita e bëri në anglisht, ndërsa përkthimin në shqip dhe italisht e bëri ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare, Lorik Cana. Ata kanë thënë se sonte bijtë e gjakut janë aty për ta nderuar dhe falënderuar Nënën Terezë për jetën dhe veprën e saj madhore dhe në dobi të më të varfërve në botë. Ata kanë thënë se Nënë Tereza e ka bashkuar njerëzimin duke përkujtuar fjalën e saj se vetëm dashuria do ta shpëtojë botën. Më pas skenën e ka mbizotëruar diva e muzikës shqiptare, Inva Mula e cila është paraqitur me këngën “Ave Maria” . Sopranoja Mula është pasuar nga baritoni, Gëzim Myshketa i cili ka interpretuar nën dirigjimin e Bujar Llapës dhe nën shoqërimin e korit dhe të orkestrës së Filarmonisë së Kosovës. Programi ka vazhduar me recitimin e vargjeve të Nënës Terezë nga djaloshi i talentuar Andi Bajgora i cili përfaqësoi vendin edhe në ceremoninë ‘Oscars’ si protagonist i filmit të shkurtër ‘Shok”. Ai ia ka lënë radhën violinistit nga Gjakova me famë botërore Shkëlzen Doli, i cili ka interpretuar një pikë muzikore nga repertori i tij. Skenën madhështore të Bazilikës së Shën Palit e ka mbizotëruar me zërin e saj, sopranoja Elbenita Kajtazi e cila më pas i ka lënë radhën tenorit me prejardhje nga Istogu Ramë Lahaj, i cili po bën bujë në karrierën e tij. E simpatiku Lum Veseli ka recituar në shqip vargje të Nënës Terezë për t’i lënë radhën sopranos shqiptare, Ermonela Jaho e cila ka shpërthyer me zërin e saj lirik. Në skenë është paraqitur pianisti dhe kompozitori shqiptar, Genc Tukiçi me një instrumentale në piano i shoqëruar nga instrumentistët e tjerë të pranishëm në sallë. Këngëtarja shqiptare me famë botërore Rita Ora ka performuar një nga himnet më të bukura të Krishlindjes, këngën “What child is this”, të shkruar nga William Chatterton Dix, në 1865 dhe të sjellë enkas për këtë koncert nën orkestrimin e mjeshtrit Shpëtim Saraci. Këtë këngë Rita Ora e kishte interpretuar në një duet me tenorin e madh Italian Andrea Bocelli, në dhjetor të vitit 2015, por këtë herë ajo do të jetë e vetme në skenë.

Gonxhe Bojaxhi: LAMTUMIRË

Po lë shtëpinë zemërfanar
Vendlindje e farefis
Po vete n’Bengalin dergje-vrarë
Atje, në të largtin vis.

Lë të njohurit në mejtime
Të afërmit e vatrën shqim,
Më tërheq zemra ime
T’i shërbej Krishtit tim.

Nënë e dashur, lamtumirë
Ju le shënde’n miq të mi
Më djeg, o, një fuqi e dlirë
Drejt të përflakurës Indi…

Dhe anija lehtë lehtë lundron
Pret valët e detit të trazuar,
Për herë të fundit syri vrojton
Brigjet e Evropës së hakërruar.

Qëndron në anije e galduar
Fytyrë e përvuajtur gjithë hare
E Krishtit flijetarja e vluar
Nuse e njomë e botës së re,

Një kryq hekuri n’dorë shtërngon
Shpëtimi lëvarshëm kumbon në të,
E shpirti i gatshëm pranon
Blatën e rëndë fli për të,

Pranoje, këtë flijim, o Zot,
Dëshmi e përbetimit që të dashuroj,
Ndihmoi gjallesës Tënde sot
Që emrin do të madhëroj!

Si shpërblim, Të lus o i Hirt’,
O Ati ynë plot mirësi
Të më japësh vetëm atë shpirt
Atë shpirt që-veçse Ti e di.

Dhe t’imtë, të pastër si n’ag vere vesojnë
Të valët lot rjedhin qetë, me mall,
Që betimin për Ty prore e madhërojnë
Për të madhin blatim që tani u shpall.

Please follow and like us: