Albspirit

Media/News/Publishing

Miho Gjini: A është bombarduar vallë Teatri Kombëtar i Kievit?

Duke jetuar në kohë lufte përsëri, kur Ukraina po shkatërrohet nga raketat ruse, deri edhe te banesat e banorëve civilë, si njeri i teatrit, më shkoi mëndja edhe tek dy nga artistet ukrainase, nënë e bijë, të Teatrit Kombëtar. Irina Klishievska është edhe drejtoreshë e këtij teatri qendror, ndësa e bija, Maria Grunicheva aktore, -që të dyja artiste të fuqishme me reputacion jo vetëm në Ukrainë, po edhe në Poloni, Francë, Rumani, Suedi, Amerikë, Austri dhe në Shqipëri. Ato kanë debutuar edhe në skenat ruse, pa menduar kurrë se raketat e Putinit të çmendur do t’i linin jo vetëm pa shtëpi, po edhe pa teatër… Ku janë vallë ato tani? A janë gjallë a vdekur nga predhat e zjarri që vjellin katjushat e vendit fqinjë? A janë strukur në bodrumet e metrosë së Kievit, a kanë rrëmbyer pushkën dhe ato, apo kanë kapërcyer kufirin e shtetit të tyre?
I kam njohur në vite të ndryshme në skenën e Korçës që të dyja, të afta në dramë e në komedi, po edhe me një vokal këngëtareje. Irina interpretonte me shumë sukses Edith Piafin, këngëtaren e famëshme franceze, ndërsa Maria në një komedi të nobelistit Dario Fo. Aktrimi i tyre ishte plot mjeshtëri e finesë artistike. Me çmime të para që të dyja… Me duartrokitje e lule nga publiku ynë i nderuar… Por, si artiste të Ukrainës, që kishin mbaruar Institutin Teatral të Moskës (GITIS),-as që mundej ta besonin se prredhat ruse të binin edhe mbi teatrin e tyre të dashur, t’u shkatërronte karrierën, mandej edhe jetën, Po tashmë askush nga Putinistët, nuk do t’ia dijë as për një popull të tërë, as për qytetet e fshatrat e këtij shteti të lirë e sovran që përflaken dhe as për lotët e fëmijëve… Ato jetonin në parajsën e artit të tyre…. Por “Gjithë parajsa nuk vlen sa loti i një fëmije”,-thoshte shkrimtari i madh rus, Fjodor Dostojevksi”!… Ndaj dhe triumfi do të jetë i tyre, i gjithë popullit ukrainas, i buzëqeshjes së fëmijëve… Dhe nënë e bijë artiste, Irina me Marien do të vijnë përsëri të luajnë në skenat tona!
Please follow and like us: