Albspirit

Media/News/Publishing

Xhoi Jakaj: Mësuesi, prind i fëmijëvë tanë!

“Çfarë jam unë”, është pyetja që duhet të shqetësojë në tërësi mësuesin e viteve që po jeton arsimi në Shqipëri.
Arsimi është një proces i vazhdueshëm, në çdo rast kur ti si mësues i ke mësuar një nxënësi një gjë të re, para syve ke një njeri të ndryshuar, por bashkë me të ke ndryshuar edhe ti si mësimdhënës.
Pra duke mësuar të tjerët ti ke mësuar edhe veten tënde, je bërë një qënie e përshtatur me tipologji të ndryshme fëmijësh, ke mësuar gjithnjë nga një gjë të re në lidhje me nxënësit e tu dhe ke kuptuar që më së miri se përshtatja jote duhet përsosur vit pas viti, ndryshe nxënësit nuk do të bëheshin ata që ju dëshironi, por ata që do koha t’i ketë në duart e veta; unë i jap shumë rëndësi të mësuarit me dashuri.
Në librin tim e kam thënë që dashuria mësohet, por dhe shumë elementë të tjerë mësohen, përgjegjësia, respekti, mirësia, këmbëngulja, vullneti, pra të gjitha këto është mirë t’ua mësoni nxënësve tuaj, por këto arrihen vetëm nësë dini t’i mesoni me dashuri, në të kundërt as vetë të mësuarit e lëndëve të përditshme nuk do ketë rezultatin e duhur.
Ti mësues, kolegu im i dashur sot përballesh me fëmijë që ulen para jush për të dëgjuar me ose pa vëmendje, pasi asnjë familje nuk është pa të meta, pa shqetësime, pa paragjykime për mësuesit dhe sistemin arsimor, pa probleme të vogla ose të mëdha ekonomike, pa ngarkesa me stres nga jeta e përditshme!
Ndaj detyra kryesore juaja është ta edukoni si njeri pikë së pari, pastaj transmetimi i dijes suaj te ky njeriu të cilin e edukuat me dashuri do jetë shumë më i thjeshtë dhe disa herë më produktiv.
Fëmijët që do mësoni ju janë qënie njerëzore, të cilët mund edhe të gabojnë, edhe të flasin pa leje edhe të mos ju japin gjithnjë përgjigjen e duhur në lëndët përkatëse, prandaj mos tentoni të keni para syve tuaj vetëm nxënës përfektë se nuk ia dilni dot, shpesh herë fëmijët bien në depresion të thellë duke u përpjekur që të arrijnë përsosmërinë para mësuesve të tyre dhe prindërve gjithashtu, e frika se mos i zhgënjejnë i bën të mbyllen në vetvete e padashje ju keni bërë një dëm të madh në personalitetin e tyre!
Nxënësit tuaj kanë nevojë për dashuri dhe vetëm duke ju transmetuar dashuri në klasë ju do mbeteni në kujtesën e tyre; ata mbase vijnë edhe nga prindër të dhunshëm e jeni ju ata që do zëvëndësoni këtë dashuri që ju mungon në familje,
Mundet ndonjëherë të mos duket në fytyrë e një nxënësi vuajtja e tij, ndodh që vuajtja e fëmijëve nga dhuna në familje është aq e thellë sa lë shenja të dukshme brenda në shpirtin e tyre e njeriu që duhet t’i gjendet ta mbrojë dhe t’i fal shpresa për jetën është mësuesi.
Fitojeni zemrën e tyre, bëhuni njësh me hallet, dhimbjen dhe pafajësinë e çdo fëmije që do keni në klasat tuaja, harroni për një moment hallet e vuajtjet tuaja nëse i keni prezente, sepse ke fatin e njeriut në dorë; humanizmi duhet t’iu shoqërojë në profesionalizmin tuaj e të kombinuara të dyja do bëjnë mrekulli në një brez që po rritet i rrethuar nga interneti, mungesa e kohës së prindërve, nga dhuna televizive, si edhe dhunë e shumëllojshme dhe kudogjendur.
Jam e bindur që secili nga ju e di çfarë misioni ka, por varet si dhe sa e përmbushni këtë mision.
Thelbësorja e rezultatit dhe mirësia nuk është jashtë dyerve të shkollës, ajo gjendet brenda secilit mësues e mishëruar në mendjen dhe në punën tuaj të përditshme; mbajeni fort që të prodhoni njerëz të qetë për të ardhmen e vendit tuaj, ndryshe misioni i mësuesit do jetë një ditë i pamundur dhe i padëshiruar nga të gjithë.
Jam e bindur që të gjitha këto që i hodha në këtë shkrim, ju të dashur kolegë i keni brenda mendjes suaj.
Unë me dashamirësinë time jua rikujtova që t’i zbatoni vazhdimisht, në çdo vit shkollor, sepse një brez nuk i ngjan tjetrit, një nxënes është ndryshe nga nxënësi paraardhës, bota e tyre është aq e madhe dhe diverse, ndaj dhe mbetet më e bukura në botë!

Please follow and like us: