Albspirit

Media/News/Publishing

Majlinda Keta: Eda, një si TY nuk duhet të ik… JO!

 
Eda, një si TY nuk duhet të ikë…JO.
Iku nga kjo jetë… Lajmësi nuk mbaroi dot frazën se edhe vetë nuk e besonte.
Për ikjen tënde edhe tastiera nuk më bindet për të shkruar se një si ty nuk duhet të ik, Eda e shtrenjtë.
E di pse?
Se edhe ajo e njeh faktin që ti ishe një luftetare jete në shumë dimensione që suksesin e kishe tëndin.
Si mund të dorëzohesh ti?! Si mund të ikësh?
A ka tastierë që nuk do të lodhej ndërsa do të shkruante për Edën si vajzë model e prindërve të nderuar, si motër model e vëllait të vetëm, për Edën model me familjen model me Profesorin, Endritin dhe Enin, për Edën e mikeve, Edën politike, Edën për të drejtat e gruas, Edën e Akademizmit, Edën mediatike, Edën e studentëve, Edën e Kërkimit Shkencor dhe Projekteve Ndërkombëtare, Edën dibrane me aq aktivizëm në Shoqatën e tyre, Edën Zonjën Klas e plot sharm.
TI e shtrenjta jonë, Edlira Haxhiymeri realisht je Zonja me një mal jete plot aktivizëm e kontribute dhe këtë pasuri e ke lënë jo vetëm për shqiptarët e shqiptarizmën, por edhe për komunitete profesionistësh e akademikësh, njerëz të thjeshtë e miq të pafund në botë si dhe për të rinjtë.
Tani, shumë prej tyre, po rradhisin nën tronditje fjalë për të shprehur dhimbjen për ikjen tënde… jam e bindur që në shpirt nuk e pranojnë, si unë, por loti që na rrjedh nuk u komandoka, flet vetë mbi lajmin e kobshëm.
Nuk di çfarë të shkruaj më parë për ty mikja ime, mikja e familjes sime për atë që t’i përfaqëson si Model Gruaje me fuqi ndikuese.
Nuk di ku ta nis… Nuk di.
Kush ishte ai që të takonte e komunikonte me ty dhe nuk ikte pa mbresë e dëshirë të të takonte sërish, të bashkëpunonte me TY, e mençura jonë.
Tek ty perfeksioni në përmbushje fillonte me përkujdesjen për stilin e veshjes për çdo lloj ambjenti, pune apo kënaqësie e deri tek cilësia e arrirë e kryerjes së çdo pune. E këtë cilësi ti e shpirtëzoje me mençurinë tënde dhe ëmbëlsinë e zërit, dibruçka ime e fortë.
Tek ty shpirti i dhimbsur në diskur kishte fuqinë ta fshihte lotin ndaj auditori tek media, nga tavolina e kafes tek Strehëza e Grave të Dhunuara ku ti drejtoje.
Ti edukoje, ndikoje përmes shumëgjerave që bëje e kontriboje në çdo ditë, kudo ku ke shërbyer për aq shume kauza dhe formime.
Ti mbetesh ZëvëndësRektorja e Universitetit të Tiranës, Prefektja e Tiranës, ZëvëndësMinistra e Arsimit që veç zotësisë për të bashkëpunuar e drejtuar tregove se ushtrohet pushtet për shtetbërje pa u korruptuar dhe me plot dinjitet.
Ti je ndër gratë e pakta të politikës, për aq kohë sa kontribove, që ju bashkove asaj kur e kishe rritur veten intelektualisht dhe zotëroje moral të fortë publik. Ti kontribove të rritej shëndetshëm e majta shqiptare. Ti ja dhurove këto vlera Partisë Socialiste dhe mbetesh në vite model i respektuar i socialistëve të ndershëm, edhe pasi u largove prej asaj godine. Për ty politika ishte mundësi për ti shërbyer shqiptarëve edhe më fuqishëm se në auditor. Se besoje kështu, ti luftove fort që asaj sigle dhe morali ti qendronin besnikë edhe ato përreth teje, bashkëpunëtorë apo të rinj FRESH- istë. Për këtë moral jete politike ti mbajte shqetësimin, ngrite zërin, bëre vendimarrjen e duhur pasi guxove të shtroje probleme, të debatoje në Forume e Tryeza, për gjendje kritike EDHE me burrat maço të politikës.
Mikja ime shtrenjtë, ta kam thënë dhe do ta rishkruaj, TI je mbretëreshë në auditor studentor, publik. Mbretëria jote është edukimi, edukimi i së ardhmes. E tashmja ndërtohej me aq forcë e investim nga ty se TI e kishe analizuar qartë e ftohtë të shkuarën. Ti luftoje të kontriboje se doje të besoje tek e Ardhmja më e mirë O Grua Dinjitoze dhe e paepur.
Ti investove pa fund për Shqipërinë e të ardhmes, për hapsirën shqipfolëse
Auditoret studentore, në veçanti, të janë mirënjohës pa fund, si kontributore dhe Model Frymëzues. Një si ty rrallë do të të gjëndet.
Eda jonë një si ty nuk DUHET të ikte kaq shpejt… Modeli YT Aktiv është ai që na duhej të gjithëve.
Ti do të jesh gjithmonë mes nesh UNIKJA Eda.
Please follow and like us: