Albspirit

Media/News/Publishing

Miho Gjini: PIQERASI I HERSHËM DHE VILLA BADESSA

PIQERASI I HERSHËM DHE VILLA BADESSA
Sipas të dhënave të reja historike
Nuk është për të thënë publikisht, por, sa botova librin me karakter letraro-historik, “PIQERASIOTËT”, i yshtur nga një ndjenjë e lartë dashurie e fisnikërie njerëzore, po edhe nga ime shoqe e jetës, e mbiquajtur prej Qirjako Çanit “ARËZA” (dhe që kështu i mbeti!), i shpreha asaj edhe “frikën” time se: “Këtë libër nuk do ma pëlqejë i gjithë fshati, po gjysma e tij dhe gjysma tjetër jo! Sepse, gjithçka është shprehur aty përmes hulumtimeve historike, jo të plota, po edhe të letërsisë, nisur nga mbresat e vështrimet e mia si shkrimtar e gazetar bashkë dhe, ata që nuk do të më kuptojnë, edhe mundet që t’i kem “armiq” për tërë jetën! Dhe kështu do të ndodhte me të vërtetë, kur gjithkush nga bashkëfshatarët e mi kërkonin aty emrat e tyre, të gjyshërve e të stërgjyshërve, bile edhe fotografitë, që unë mezi i merrja me aparatin tim nga varrezat e fshatit. Këtyre personave, të cilëve nuk ua përmend dot as emrat, i pata edhe ndër të afërmit e mi, njeri prej të cilëve më tha: “Mirupafshim edhe me ty në varrezat e Shtodhërit”… Sepse “më le jashtë fotografisë nënën time kapedane”. “Ky libër nuk bën”, tha një tjetër, sepse ky M. Gj, më shumë shkruan për veten e tij sesa për fshanë”, sikur unë të isha një “banor i KOZMOSIT”! Ndërsa tjetri më “gostiti” me një bacë në sheshin e “Shën Thanasit”, para kishës, për të mos e përmendur edhe shprehjen e një qejfmbetësi tjetër se: “Ti duhesh varrur tek ulliri i kishës së Piqerasit si Myslim Çorrin, kaçakun e hershëm të fshatit”! Që të më merrte lemeria! Dhe ja ku tani, më ka “hypur në kokë” që të botoj edhe pjesën e dytë të këtij libri, që poeti-fabulist e shkrimtari i “Thesarit” Piqerasiot Vasil Gjivogli, e ka quajtur “PIQERASIOTËT, një libër dinjitoz për ne të gjithë, për vendlindjen, shkruar bukur e me elegancë… dhe i përafrohet më tepër romanit historik…”…Mirëpo këtu kishte edhe “ustallarë mbi astallarë”, të cilët jo vetëm që po më “linçonin”, por edhe u nxitën të shkruajnë inatçe edhe dy-tre “libra” të tjerë po me këtë titull (!?). Ndërkohë që kishte “aguar një ditë prej ditësh” edhe mundësia që çdo shqiptar, me pesë para në xhep, mund të “botonte” edhe “libra”, sa për të thënë që “di edhe ai të shkruaj e të thotë diçka”,-sikundër kërkonte edhe ai labi, pas inagurimit të monumentit të pavarësisë në Vlorë, duke parë nëpër bazorelievet e poshtme, me orë të tëra se “ku jam edhe unë këtu”!? E megjithatë, në qetësinë time të këtyre viteve, po edhe i nisur nga pozicioni i mallkuar i një kritiku, të cilëve, filozofi dhe poeti romak Seneka u thoshte: “Mos kritikoni! Me kritikat tuaja drejtuar të tjerëve, s’bëni gjë tjetër, veçse shtoni numrin e armiqve”, mendoja se, ky libër, ashtu si çdo hulumtim në histori, po edhe si krijim letrar, edhe pse është një kontribut modest, duhet të pranojmë se nuk është fort i”kulluar”, apo si një “qiell i qëruar”… Ndaj më brodhi edhe mendja gjithandej, për të shkruar e botuar libërthin e dytë, më të plotësuar, sikundër i ka hije një Piqerasioti të moshuar, që kërkon t’i mbetet fshatit diçka më e plotë e më e saktë…
E ja, ku më del përpara një historian i vërtetë, Lutfi Alia! Mik e dashamirës i imi i viteve 60 të shekullit të kaluar, në Elbasan,gjatë kohës që ushtroja detyrën e parë si Drejtor e Regjisor i “Teatrit Skampa”. Zoti Lutfi Alia, mjek në atë qytet, që unë (për fatin e mbrapsht timin) e kisha harruar, i cili jo vetëm që nuk e harronte edhe atë kafe që pinte me mua, “jabanxhiun nga Piqerasi”, së toku edhe me kirurgun “duarartë”, Dr. Perikli Shetin, po më dërgoi nga Italia, me fisnikëri, edhe disa të dhëna të reja historike, plotësuese, për fshatin tim të dashur. Që unë e pashë të udhës t’i ripublikoj që tani, po me lejen e tij, si edhe të meditoj që, më gjërësisht t’i trajtojë edhe në librin e dytë “PIQERASIOTËT”, po mbeta gjallë nga ndonjë “pandemi” tjetër e natyrisht edhe nga inatçorët e fshatit që duan të më shohin sa më parë “të varur” dhe në “Varrezat e Shtodhërit”, për t’u “prehur përgjithmonë”, karshi Manastirit 500 vjeçarë të Kremesovës, ikona kryesore e të cilit, (e cilësuar “origjinale” dhe “nga më të veçantat në Europë”), ndodhet në fshatin e ri arbëresh VILLA BADESSA, të themelur kryesisht nga Piqerasiotët që në vitin 1743. Me shpresën e shenjtë se çoç do kem bërë më mirë deri atëhere…
Profesor Lutfi Alia, nuk është vetm mjek, po edhe një Historian i Lindur, pasionant i veçantë, si askush tjetër, që ka gjurmuar, hulumtuar e publikuar shumë shkrime historike dritëhedhëse, midis të cilave ,-dy prej tyre, që hedhin dritë në disa të dhëna të reja edhe për fshatin PIQERAS e për Villa BADESSËN në Itali,- me titujt respektivë: “Himariotët në Regjimentin Maqedono-Ilir të Mbretit të Napolit (1734-1861), publikuar më 22.11.2018 dhe “Arbërit nga PIQERASI,-themeluesit e VILLA BADESSËS”, publikuar më 29.01.2021.
Historiani Lutfi Alia citon këtu, dorëshkrimin e murgut arbëresh Andrea Filia, të datës 16 qershor 1764, një relacion dërgur Rev. Papës Paolo Parrino, i ruajtur në arkivin e Famullisë së Shën Nikollës të Mezzojusos, i cili dëshmon se: më 4 mars 1743, ikanakët nga Piqerasi zbarkun në Pulja me grupimin e madh të himariotëve, bashkë me familjet e tyre dhe me urdhërin e Mbretit të Napolit u sistemuan në provincën e Peskarës-Abrucio. Aty thuhet se grupimi i 18 familjeve nga Piqerasi, ishin të detyruar të largoheshin nga vendlindja e tyre, pas sulmeve e grabitjeve që kishin pësuar nga banorët e Golemit, të Borshit, si edhe nga turqit që bënin raprezalje për islamizimin e banorëve të krishterë të këtyre anëve. Përsa më sipër, dsa oficrë madhorV piqerasiotë të akomonduar në regjimentin e Napolit, sikundër ishin Kapitenët Kosta Qendro e Mikel De Mikeli, togeri Nikolla Zaho, si edhe nënoficerat Spiro Jovani, Mikel Laze, Kosta Piksio dhe Niko Martini, i kërkuan Mbretit Karl III të Napolit, për t’i sjellur në Itali familjet piqerasiote të rrezikuar nga barbarët! Dhe madhëria e tij, i cili vlerësonte lartë trimërinë e besnikërinë e oficerëve të tij Bregas-Piqerasiot, miratoi menjëherë arrdhjen e tyre , si edhe akordoi 3000 dukata ari për shpenzimet e udhëtimit…
Piqerasiotët do të largoheshin me dhimbje nga fshati i tyre i bukur e i ngritur me duart e tyre, mbi kodrinën më të lartë të Bregut, nga ku shihet i gjithë horizonti detar, gjer përtej, në ishujt e Korfuzit, pas 6 ditë e netë luftimesh të ashpra, në kufirin e të dy fshatrave, midis Piqerasit e Borshit, ku mbetën 27 të vrarë nga ata që sulmuan fshatin, si edhe dy të plagosur nga ana e piqerasiotëve,-gjithmonë sipas dëshmive të shkruara nga dora e murgut Andrea Filia. Organizimin e ikjes së tyre, që në natën e fundme të kësaj ndeshje të përgjakshme, me armë, e bëri Spiro Andrea nga Piqerasi. Në Lukovë morën dy familje të tjera dhe zbritën në Sarandë, me një varkë të vjetër. Po gjatë kësaj nate, dy vëllezërit piqerasiotë Martini, u ngjitën deri në Manastirin e Kremesovës ku morën me vete edhe ikonën e Shën Marisë së Kremesovës, me besimin e shenjtë për të “ndriçuar udhët detare” nga Saranda në Korfuz , si edhe nga Korfuzi në Brindizi. Aty i vendosën në karantinë të ardhurit përmes detit, meqënse kishte rrënë epidemia e Kolerës, që do të vazhdonte gjer në vitin 1744, duke qëndruar edhe 11 muaj në Pulja. Ndërsa grupimi i piqerasiotëve do të mbërrinte në Ambrucio më 28 tetor 1743, i përbërë nga 18 familje, me 73 pjesëmarrës. Ata i shoqëronte Demetro Mikeli, Kostandin Vlashi e Gjon Pali. Fillimisht u sistemuan në fshatin Bakuko, po banorët e këtij fshati refuzuan që tokat e tyre të ndaheshin edhe me të ardhurit. Në të njëtën kohë, edhe piqerasiotëve nuk u pëlqeu vendi ku kishin ardhur. Atëhere, sikurse rrëfen Paskuale Kastanja, 25 luftëtarët e kësaj ane në regjimentin Maqedono-Ilir të Napolit, me në krye kapitenët piqerasiotë Kostandin Vlash e Pati Gjini, si edhe majorin Demetrio De Mikeli, protestuan përpara mbretit, duke refuzuar edhe rrogat e tyre, me kushtin që Mbreti Burbon t’i sistemonte më së miri familjet e tyre. Në këto rrethana, Karli III urdhroi vendosjen e tyre në luginën pjellore, përreth lumit Nora, midis Villa Badssës e Pian Di Coccia (Koçia), duke i qetësuar banorët autoktonë se atyre do t’u jepeshin toka të papunuara, si edhe disa toka e kullota të pronësisë mbretërore, prej 320 hektarësh tok, si edhe bagëti, kafshë pune, vegla bujqësore e troje për të ndërtuar shtëpiat e tyre, si dhuratë prej madhërisë së tij, në shenjë respekti për trimërinë e luftëtarëve Bregas,…
Pra, Villa Badessa u bë tashmë fshati i dytë i piqersiotëve, ku unë kam shkelur tri herë me të njëjtën nostalgji, malli e dashurie, si në vendlindjen time e jam përkulur para ikonës së Shën Marisë së Kremesovës, që sipas legjendës, sa shkelën fshatarët e mi këtu, ajo mori vetiu një rëndesë të jashtëzakonëshme dhe, atje ku e lanë për tokë, prej supeve të tyre, atje edhe ngritën kishën, e cila mbeti pa çati, mbasi sikundër kemi spjeguar në librin e parë, nuk u pranua nga vendasit ushtrimi i fesë në ritin ortodoks në këtë vënd të fesë katolike. Ndaj edhe u “shartua” besimi i tyre me të dyja ritet bashkë, në një kishë me liturgji të përbashkët, me të dyja gjuhët, me ritin e pashkëve të vogla e të mëdha, me kryqëzimin e ringalljen e Krishtit, me meshën dy gjuhëshe, me skuqjen e vezëve e shpërndarjen e grurit të zier ndër pashkët tona, sikundër i ka kodifikuar për të ardhurit Koncili i Vatikanit. Gjithmonë sipas të dhënave historike të Lutfi Alias, komuniteti ALBANEZ në Villa Badessa, u shërbye fillimisht nga priftërinjtë e ritit ortodoks,-sikundër ishte basiliani Makario Nika nga Piqerasi dhe nga priftërinjtë himariotë Demetro Atanasi, Gjon Nika, Spiridon Andrea dhe nga Mikel Spiro Andrea,-të cilët ,”me zell e dashuri,- shkruan Andrea Filia, i shërbyen kësaj grigje albanezësh”. Edhe në Enciklopeditë Italiane (të vjetër e të renë), arbëreshët e Villa Badessës, për shumë shekuj ruajtën kulturën etnike, ritin e ortodoksisë, veshjet, doket, artin kulinar dhe, deri në vitin 1956, e ruajtën edhe gjuhën albaneze.
Në librin “Piqerasiotët” kemi folur për vizitën që bëri në Villa Badessa piktori Angles Eduard Lir në vitin 1843, pra pas 100 vjetësh nga themelimi këtij fshat arbëresh si edhe për pikturën e tij të njohur në gjininë e peizazhit. Gjithashtu, piktoria dhe shkrimtaria anglosaksone Estell Canzioni, në vitin 1911 vizitoi Ambrucion dhe mbresat e saj, së toku me rezultatet e studimeve etneografike i botoi në veprën “Përmes Apenineve dhe trojeve arbnore”, ku ndër të tjera shkruan: “Kishim dëgjuar të flitej për arbëreshët në fushat e Sulmonas. Ata ruanin besime të vjetra të çuditshme, besonin në drekësit (Driadat), në murgarat (shtrigat) dhe fiatazat (zanat). Në të njëjtën kohë ajo realizoi edhe pikturën në vaj me portretet e dy grave arbëreshe të Villa Badessas,të veshura me rroba të zeza,
Edhe shtëpiat i bënë si në Piqeras, mbi një kodrinë të bleruar, me një rrugë kryesore në mes e me ndërtesa banimi dy katëshe, shumica e tyre, në të dyja anët e rrugës. Unë e kam bërë disa herë me këmbë këtë rrugë qëndrore e të shtruar me standarte më të mira ndërtimi, që ndahet hera-herës edhe me disa rrugica anësore më të ngushta, me avllira e me ndonjë mur rrethues, tek kishte dhe ndonë çati a mure të rrëzuara nga koha e gjatë e shpërnguljes së tyre, po edhe nga emigrimet e dyta e të treta. Piqerasiotët nuk i mban kurrë vendi i tyre. Ata janë gjithmonë kërkues të një jete më të mirë, po që asnjëherë nuk rrinë pa u kthyer, pa ndrequr muret, avllitë e çatiat e të parëve të tyre. Piqerasiotët, sikundër e kam shkruar edhe gjetkë, kanë qenë detarë të zotë dhe kishin dikur varkat e anijet e tyre lundruese. Ndaj edhe niveli i tyre i jetesës, po edhe stili e bukuria e ndërtimeve, ma ato harqe guri të gdhëndur e me ato tavane të brendshme, me zbukurime e disenjo të rralla, nuk i kishte kush në Bregun e Poshtëm…
Më duhet ta falenderoj mikun tim Lutfi Alia edhe për listën e banorëve të parë shqiptarë të Villa Badesës, që vajtën aty në kohë të vështira e krijuan fshatin e ri, sipas informacionit të Dukës Montealgre që i dërgoi në atë kohë Markezit Kastiliano më 15 tetor 1643, ku përfshien 27 burra, 26 gra dhe 18 fëmijë, si më poshtë vijon: Gjon Duka -23 vjeç, Demetria Atanasi (Dhjakoni)-30 vjeç,Dhimo Andrea -60 vjeç, Spiro Andrea-45 vjeç, Gjin Vrana-60 vjeç, Dhimo Gjoka-28 vjeç, Gjin Vrana-35 vjeç, Gjik Gjoka Zhupa-25 vjeç,Martin Lessi-35 vjeç, Mikel Spiri-18 vjeç, Dhimo Varfi-50 vjeç, Gjok Gjika Guma-35 vjeç,Atanas Dhima-38 vjeç, Mikel Gjini Gjika-30 vjeç,Mikel Gjini Atanasi-30 vjeç, Papa Makario Nika-26 vjeç dhe dy vëllezërit Martino. Pa përmendur emrat e oficerëve piqerasiot që përfshiheshin në regjimentin Maqedono -Ilir të Napolit. Sikundër mund të gjykohet prej kësaj liste autentike, shumica e këtyre familjeve (sipas mbiemrave të tyre) janë shuar e nuk egzistojnë më , me përjasthtimin e familjeve të vjetëra: Duka, Vrana, Spiri, Gjini e Nika,që janë edhe në ditët e sotme… Në varrezat e vjetëra të Piqerasit nuk ka mbetur asnjë gjurmë nga varrimet e atyre viteve dhe të mëpastajme, nga vetë shpërngulja e Varrezës përbri burimit të Shtodhërit. Nga më të fundit prej tyre ishte familja e vjerit të Alaksandro Lazrit, Jorgo Lleshit, që në listën e mësipërme shkruhet Lessi! E njëjta gjë ka ndodhur edhe në Villa Badessa, kur fillimisht egzistonte varreza e vogël pas kishës dhe që,-dekada më vonë,- bëhet shpërngulja për në varrezat e reja, në periferi të fshatit, ku ndodhen dy parcela kryesore, njera për italianët e tjetra për arbëreshët tanë. Në librin tim”PIQERASIOTËT” janë hedhur edhe mbresat e mia nga të tria vizitat e atjeshme, i shoqëruar dhe nga një pinjoll i familjes Gjoni (të transformuar në Xhonkarlo). E, kur vajta në varrezat e atjeshme, u ula në gjunjë përbri një varri të v, 1925 për të lexuar epitafin e shkruar në shqipen e asaj kohe, me këto fjalë: “Eja këtu, vajzë, na një çikë bukë, vaj, ujë. (Nga) Tatzot, Bubus, mbi krua”, si një përkushtim njerëzor i dhimbshëm për ikjen nga jeta të vajzës së re Mafalda De Mikeli, nga prindër piqerasiot. Me mbiemra të transformuar, natyrisht, gjatë fenomenit asimilues, po edhe sipas gjuhës e traditës vendase. Pra, sikundër dhe thuhet “Sipas vendit dhe kuvendi”…
Ardhja e një grupimi nga Villa Bdessa disa vite më vonë në Piqerasin e tyre, pikërisht më 08.06.2013, për të kryer edhe proçesin e binjakëzimit të dy komunave (të Roscanës e të Lukovës), për më tepër ishte si një kthim vizite, pas vajtjes atje të delegacionit tonë, po edhe si një mall e tejshkuar mallit. Si një brengë, po edhe si një takim me “të panjohurën”, një zbritje nëpër shekuj e histori të hershme. Më së shumti si një “thirrje gjaku”. Ata të gjithë sa erdhën aty, në fshatin e të parëve të tyre, afro 50 persona të përmalluar e plotë dashuri për vatanin, ngazëlleheshin me gjithçka që shihnin aty, me shtëpiat e me ajrin, me rrugët e me njerëzit që i shihnin me vëmëndjen e të larguarit nga po ajo vatër zjarri, sikur të kishin zbritur nga një tjetër planet. I shoqëronte Kryetari i Komunës së Roscanës Alberto Secamiglio, po me ta ishte edhe Profesori Xhonkarlo Ranalli (nga dera e Gjone), me Antonela de Blazzi (Antoneta Vlashi, nga dera e Vlashe)…
Atë ditë që i solli në Sheshin e Shën Thanasit një autobuz, ata zbritën si të hutuar, me vështrimin e shpërndara gjithandej e unë do të dalloja të tre ata që përmenda më sipër, për t’u përqafuar e uruar mirëseardhjen, pa e ditur aspak se ata do të vinin pikërisht atë ditë, kur edhe vetë sa kisha ardhur nga Athina, duke qenë po aq i hutuar prej një gëzimi të beftë! Po dikush më ra lehtë në supe e më tha se “ata janë të shoqëruar e kanë axhendën e tyre të programuar, të lutemi shumë, bëni pak mënjanë…” duke më bërë që të largohesha me takt, po jo edha pa u turpëruar(!?)… ndërkohë që grupimin e tyre e rreshtuan dhe e drejtuan nga ku ishin programuar nga administrata e komunës së Lukovës. I vrarë shpirtërisht, do t’i gjeja të nesërmen, tek pinin kafe në tarracën e lokalit të Milit e Bitre e nuk do të ndahesha prej tyre, as kur do të shkonin në Ujvarën e Borshit e as në Kështjellën e Lëkursit, mbi kodrinën më të lartë në hyrjen e Sarandës… E kështu, nuk do të ndahesha prej këtij grupimi vëllezërish nga Villa Badessa, as kur do të largoheshin nga Piqerasi i tyre dhe Antoneta Vlashi që jeton në Gjermani do të merrte me vete një gur nga ky truall, nga “Sheshi i Vlashe”, ku stërgjyshërit e saj patën shtëpinë e tyre, rrënuar e zhdukur nga shekujt e gjatë, me luftrat e harresën e mërgatës, nga ku ishte e do të mbetej si një shenjë e simbol i metaforës shprehëse, edhe ky gur i rënd malli e gjaku “të shprishur”,-sikundër thoshte De Rada i Madh i Arbërit të përtejdetit….
Shpesh them me vehte: Mos të lëntë Perëndia pa vëllezër të vërtetë të një gjaku dhe pa miq që të duan ca më tepër e që kurrë nuk të braktisin në “udhëkryqet e jetës”. Ndër ta, ky Lutfi Alia (që e ka edhe mbiemrin si fqinjët e mi në Piqeras, Alia!) e që është vendosur në Itali, në ato rrethana si gjithë ikanakët e tjerë, më shkruan edhe këto fjalë befasuese: “I dashur Miho! Për kuriozitet, këtu në Itali ka shumë familje me origjinë nga Piqerasi që mbajnë mbiemrin Pichieri (Pikierri) dhe dy persona prej tyre, motër e vëlla i kam pas kolegë pune: Patricia Piqerasi dhe Gjon Piqerasi (Giovani Picchierri), dy mjekë me karakter e zemërbardhësi piqerasiote”. Dhe që, nga veprat e botuara të këtij historiani zëmërbardhë e mjeku filantropist “Eksodi i arbërorëve dhe vëndbanimet në Itali”, “Kronika e eksodeve dhe vëndbanimet e arbëreshëve në Itali” dhe “Dixit-2”, këta ikanakë piqerasiotë janë më të hershëm se ata të Villa Badessës dhe janë vendosur në komunën Fagiano, në skajin fundor të Italisë, bile në një vijë detare të dretpërdrejt me Bunecin e Piqerasit, nga ku niseshin edhe varkarët tanë nëpër detrat e Mesdheut… Ata ruajtën aty të njëjtin mbiemër që të gjithë, ndërsa kanë pranuar që fëmijëve të tyre, më së shumti t’u vënë emra si të vendasve, sikundër vërtetohet kjo me pagëzimet e dokumentuara në këtë komunë që në vitin 1663-1664 (Palumbo, Marselio, Canarile, Aramte, Assi, Arianiti, Kiranna, Golemi, Pellikaro etj). Me mbiemrin Piqerasi! Bile edhe në librin e martesave të viteve 1637-1670 verifikohet e njëjta gjë: që Demetrio Muzaka nga Piqerasi martohet me arbëreshen piqerasiote Adriana Panikia!
Ky fenomen i ikanakëve nga Piqerasi vërteton edhe një herë se sa të lidhur e krenarë janë të parët tanë me njeri-tjetrin, se si “mbillet” përgjithmonë, nëpër shekuj, kultura e tyre dhe DASHURIA për atë vendlindje, që mbeti në shpirtin e tyre të artë…
Shkruar në Athinë, në maj 2022, sipas gjurmimeve historike të Lutfi Alias.
Please follow and like us: