Vaso S. Tole: Çesk Zadeja në muzikën shqiptare
Anila Dedaj, shqiptarja.com/Nga Shkodra ku ai lindi në 8 qershor të 95-viteve më parë, e deri në ditën e fundit të jetës në ’97-ën që pasoi nga jehona e mirë, Vaso Tole e sjell “Çesk Zadenë në muzikën shqiptare” të plotë me jetën e veprën e tij… “Përfshihet gjithçka. Është një biografi klasike e llojit, ku gërshetohen në mënyrë të harmonishme, informacionet dhe dokumentet sa i përket dhe jetës personale të kompozitorit, familjare, shoqërore etj., me kontributet e tij artistike”, thotë akademiku Vasil Tole.
I shkolluar në Bashkimin Sovjetik me profesorët më të mirë, sipas Toles, krijimaria e tij nuk preket nga skemat komuniste. “Pra shikohet si ja doli ky krijues i shquar që të ndërtonte një gjuhë muzikore që nuk kishte të bënte me ideologjinë, por ishte një gjuhë muzikore e cila i reziston kohës dhe është një model dhe për sot apo parimet e shkollës kombëtare në muzikë që Çesk Zadeja i legjitimoi në një dokument që ai botoi me një titull “Vetëparja e Procesit”, shton ai.
E megjithatë, mes artistëve të tjerë të “Operas” edhe për kompozitorin, që muzikologu e veçon si babain e muzikës shqiptare, Sigurimi hapi dosjen 2b për ta survejuar… “Më shumë ka ndikuar paragjykimi që ai vinte prej Shkodrës, prej një marrëdhënie farefisnie me Dom Ndre Zadejën i cili është një autoritet i rëndësishëm i muzikës shqiptare, sepse falë teksteve të tij janë muzikuar dramat e kompozuara nga Mikel Koliqi. Por edhe për faktin e origjinës së familjes së tij, pavarësisht se Çesku në të ri të vet ishte pjesë e rinisë Antifashiste siç qe gjithë rinia shqiptare, kishin paragjykime, të cilat lidheshin me faktin se ai ishte një krijues i përveçëm”, thotë akademiku. Ndërsa, sipas akademikut, në figurën e Zadesë, nuk ka vend për dritëhije sa i përket raportit me kolegët apo kompromiseve me regjimin. “Nuk ka asnjë kompozitor të muzikës profesioniste shqiptare të burgosur gjatë asaj periudhe, flas gjithmonë për krijimtarinë e kultivuar, që të jetë burgosur në atë kohë. Nuk ka asnjë dokument të Çesk Zadesë, i cili anatemon apo kundërshton kolegët e vet, përkundrazi. Çesk Zadeja gjithçka ka pasur i ka bërë publike, fakti më kokëforte për rolin e tij pozitiv në këtë çështje është që nuk ka asnjë vepër të muzikës shqiptare të asaj periudhe, të kompozuar në atë periudhë, e cila ka ngelur pa u interpretuar. Mund të mos jetë luajtur për herë të dytë por për herë të parë gjithmonë është luajtur”, thotë Tole. Në datën e tij të lindjes e në kuadër të Vitit të Zadesë, do të mbahet mbrëmjen e sotme edhe koncerti një koncert monografik në orën 19.30 në Universitetin e Arteve.