Albspirit

Media/News/Publishing

Zana Tako: Fëshfërimë hapi yt

Fëshfërimë hapi yt,
melodi për veshin tim.
Zgjuar jam,
ashtu siç je edhe ti.
Po hedh një hap…
edhe një tjetër…
Oh sa kam pritur,
e ndezur, por jo e fikur.
Nuk nxiton kur vjen,
hapin mirë e peshon.
Pesha mban fjalën,
mendimin, por jo trishtimin.
Nuk nxiton kur flet,
vështrimi nuk të është zbehur.
Sytë i ke të gjallë,
buza prush e ndezur.
Nuk më mban në prehër si vogëlushe,
dy të rritur në betejë.
Lënë pas kemi mërzitë,
trishtimet, brengat, tradhtitë,
jo me shpirt të arnuar,
por të kalitur e të forcuar.
Për të ardhur tek ti,
kapërceva honin,
ku mund të bjerë çdo njeri.
Për të ardhur tek unë, i dashuri im,
luftove si dragua,
me trimërinë.
Lejomë,
të të përulem për dashurinë.
Mos u beto,
se më nuk do të shkosh,
as të betohem,
për përjetësinë e dashurisë,
sepse e dimë,
se nuk ka mal që na ndan,
as det, as oqean,
aq e madhe është kjo dashuri,
sa ç’kemi jetë unë edhe ti…
Please follow and like us: