Albspirit

Media/News/Publishing

Izet Duraku: Kodra e Vilson Blloshmit

Vilsoni është rritur me malet ndër sy. Meritonte ta kishte një mal emrin e Vilson Blloshmit. Po malet qenë të largët. Ishte vështirë, gati e pamundur të shkonte atje. Sy ujqërish do ta shqyenin ende pa lindur dëshirën e tij.
Për fat, fare pranë shtëpisë ngrihej një kodër që qarkonte horizontin. Ishte kodra e Vilsonit, ku si Moisiu, ngjitej shpesh të fliste me zotin.
Edhe kur ndjehej i dërmuar prej rropatjeve të stërlodhshme të ditës nëpër baltra të pabesa arash, pushonte në verandën e kullës. Ndjente vështrimin e kodrës së vet.
Me 17 korrik pata fatin të shkoj në shtëpinë ku u shkrua poezia Saharaja e martirit Vilson Blloshmi që i dha nder fjalës shqipe, që nuk mund t’i nënshtrohej tiranisë.
Vilsonit i vjen mirë që më sheh te veranda e shtëpisë së tij për të folur bashkë me mua me kodrën sipër, me pemët, rrepet, gemushat e ferrat që heshtin ende nën qiellin e paqtë
Ndërrohet bimësia, ndërrohen njerëzit, po Guri i Gjatë, ashtu siç e le Ti atje në majë të kodrës ku pushoje e këndoje për vete, nuk të harron kurrë. Pret ardhjen tënde.
Ndërron drejtimi i erërave, ndërrojnë format e reve sipas stinëve në qiell, prej nga më sheh ti Vilson gjithmonë njëlloj, pa ndryshuar kurrë, siç sheh zoti jetën tonë, vetëm me bekim e dashuri të pavdekshme.
Zoti e bekoftë kodrën tënde Vilson!

Please follow and like us: