Albspirit

Media/News/Publishing

Gjelok Marko: Berisha shpallet non grata, kësaj here nga Anglia

 

I Drejtohemi Qiellit!

Sali Berisha shpallet “non grata”! Kësaj here nga Anglia.

Shumë e çuditshme ishte mënyra se si u krye ky akt. Fillimisht shpalljen “non grata” të Sali Brishës nga Anglia e bëri të njohur publikisht Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama. Pas kësaj deklarate publike “non grata” nga Edi Rama, Sali Berisha merr një letër ku i njoftohej zyrtarisht në mënyrë “sekrete”, bashkë me një premtim se emiri i tij nuk do të shpallej publikisht, po i thuhej qartë se ish “non grata” dhe nuk lejohej të futej në territorin anglez sepse ai na paskësh lidhje me krimin e me kriminelë, etj, etj. Propaganda e Ramës këto shpallje “non grata” i përdor si granata propagandistike, si granata që shpërthejnë e bëjnë zhurmë të madhe e që përhapin një tym e mjegullnajë propagandistike me anën e të cilave Edi Rama do të verbojë mendjen e të mbyllë gojën e gjithë shqiptarëve. Ai do të na mbushë mendjen se ai dhe rruga e tij janë të përsosura dhe ato janë alternativa e vetme për Shqipërinë e për gjithë Shqiptarët. Por, po të largojmë zhurmën e madhe dhe mjegullnajën e propagandës “Rama”, nuk do të na duheshin shumë hulumtime për të zbuluar se ka diçka që nuk shkon në këto shpallje “non grata” të Sali Berishës si nga administrata e SHBA, ashtu dhe nga qeveria Angleze. Në fakt procedura e argumentimi i tyre të kujton damkosjet me termin “kulak” në kohën e komunizmit. Ju lutem mos na keqkuptoni, nuk duam të dalim në rolin e avokatit mbrojtës të Sali Berishës. Nuk themi në asnjë mënyrë se ai dhe rruga e tij politike kanë qënë të përsosura e nuk ka asnjë vend për kritikë. Nuk duam as të propagandojmë se Sali Berisha është personi që tani na duhet të vendoset në krye të Shqipërisë. Po, pavarësisht nga gabimet e kritikat e drejta që meriton Sali Berisha, këto shpallje “non grata” nuk mund ti aprovojm pa asnjë diskutim, ashtu si na kërkohej dikur të aprovonim shpalljen “kulak” të personave politikisht të padëshirueshëm për qeverinë komuniste.

Shqipëria dhe shumica e shqiptarëve janë padyshim megjithëzemër në anën e SHBA dhe të Komunitetit Evropian dhe Anglisë. Kjo vjen sepse këto shtete shpallin dhe zbatojnë parime e ligje të drejta, luftojnë për triumfin e të drejtës dhe për zbatimin e drejtësisë. Shtrohet pyetja: Sa e si u zbatuan parimet e të drejtës e të vërtetës në shpalljen “non grata” të Sali Berishës?  Me aq sa kemi informacion qeveria e SHBA deri sot nuk ka ngritur ndonjë akuzë  konkrete. Nuk ka as fakte e prova të shpallura publikisht që të na vërtetojnë akuzat e ngritura. Në rastin e vendimit të Anglisë shohim shkeljen e parimeve e të normave që vetë këto shtete proklamojnë, në mënyrë edhe më të qartë. Kur qeveria angleze na kish patur si qëllim të mbante sekret shpalljen “non grata” të Sali Berishës, përse u lejua që këtë vendim sekret të qeverisë Britanike ta shpallte hapur në parlamenti Shqiptar Edi Rama? Përse duhej mbajtur sekret shpallja “non grata” e Sali Berishës? Në qoftë se na qënka i korruptuar, eja ta demaskojmë publikisht e ti tregojmë vendin!

Si mendon qeveria angleze, kujt do t’i besojnë e kë do të admirojë më tepër populli shqiptar: Qeverinë Angleze që nuk guxon të shpallë hapur “non grata” Sali Berishën, apo do të besojë e admirojë më tepër Saliun që me të marrë këtë vendim e shpall hapur pa droje dhe i kërkon qeverisë angleze të paraqitë faktet dhe të japë provat?

Përse u shpall “non grata” sot Sali Berisha kur si arsye për marrjen e këtij vendimi zyrtarisht na deklarohen veprime që ai na i paska kryer shumë vite më parë?

Këto vendime si nga SHBA ashtu edhe nga Anglia dëshpërojnë zemrën e çdo shqiptari të ndershëm, aq më tepër kur të gjithë e shohin çdo ditë korrupsionin e hajdutërinë ekstreme të Kryeministrit Edi Rama e të klanit të tij. Kur një kryehajdut shpall “non grata” në emër të qeverisë së Britanisë së Madhe rivalin e tij politik, para se ta shpallë këtë vetë qeveria Britanike, këtu nuk dëmtohet imazhi i Sali Berishës; përkundrazi.

Një emër po përmendet gjithmonë e më shpesh, u përmend edhe nga Sali Berisha kur ai deklaroi se cilët ishin në të vërtetë personat që qëndrojnë pas shpalljes së tij “non grata” si nga SHBA ashtu edhe nga Anglia. Ky emër është George Soros. Ky person ardhi zyrtarisht në Shqipëri si një bamirës, si një person i cili kish vetëm qëllime filantropike. Zyrtarisht ai nuk shpalli se kish një axhendë politike. Nuk shpalli as se kish disa ideale apo projekte politike të cilat kish si synim t’iua komunikonte Shqipërisë e Shqiptarëve. Tani faktet flasin ndryshe. Është krejt e qartë se pas projektit të “Ballkanit të hapur”, projekt që propagandohet me pasion të verbër nga Kryeministri Edi Rama, qëndron edhe dora e George Soros. Kjo ka bërë që emri George Soros të mos jetë më simboli i një personi zemërmadh e i dashur për popullin, përkundrazi. Në Jugun e Shqipërisë ky emër nga përdorja e shpeshtë ka marrë dhe formën  e nuancat e tija shqiptare.Në bisedat e zakonshme nuk përdoret në formën zyrtare George Soros, por Jorgo ose Jorgaq Sorra. Një miku im nga Vlora më tha: Ardhi “Sorrra” që matanë Atlantikut dhe gjeti “sorrat” e politikës shqiptare. “Kryegallofin” e vuri në krye të tiranizojë Shqipërinë e shqiptarët, ti përdorë ata si kafshë eksperimentale për idetë e tija politike! Sali Berishën nuk e duam, e kemi luftuar; po duhet thënë se “non grata” atë nuk e shpallën qeveritë e SHBA e të Anglisë. Atë non grata e shpallën “sorrat” që gjenden në SHBA e në Angli: e shpallën “non grata” sepse po i prish punë “Gallofit” e “sorrave” që ata kanë vendosur në pushtet në Shqipëri!”

Nuk e dimë se sa të vërteta janë këto komente, prandaj edhe nuk mund ti aprovojmë plotësisht, po as nuk guxojmë të dalim hapur me vendosmëri e të themi  se në to nuk ka asnjë të vërtetë. Kryeministri Edi Rama na doli në Parlamentin e Shqipërisë rezolutë kundër raportit të Dick Marty-t për Kosovën. Nga goja e tij dolën fjalë patriotike, foli për gjakun e derdhur, për viktimat, për Adem Jasharin. Tone patriotike dolën si rrallë herë jo vetëm nga goja e Edi Ramës po edhe nga gazetarët e klanit të tij si për shembull nga Baton Haxhiu, etj.

Por disa na thonë se nuk binden dot nga këto fjalë patriotike. Shtrojnë pyetjet: Përse priti deri sot  Edi Rama me shpalljen e rezolutës kundër Raporti i Dick Marty-t?

Përse nuk flitet nga Edi Rama për hartuesin e vërtetë të raportit të Dick Marty-t për Kosovën, Aleksander Vuçiç?

Përse nuk përmendet emri i Joseph Goebbels-it të Millosheviçit i cili rekrutoi Dick Martyn të paraqitë raportin e rremë për Kosovën, pastaj rekrutoi persona ti bëjnë atentat Dick Marty-t me shpresë që për vrasjen e tij të akuzohet qeveria e Kosovës?

Sa të besueshme janë deklaratat e dashurisë së Edi Ramës për viktimat e luftës së Kosovës, kur ai pak kohë më parë injoroi kërkesat e familjarëve të tyre për të ndaluar koncertin e Goran Bregoviçit në Korçë?

Sa të besuashme janë deklaratat e Edi Ramës për dashurinë e respektin që ai na paska për gjakun e Adem Jasharit; kur vetë ai, Edi Rama dha urdhër që monumenti i Adem Jasharit të mbulohej gjatë vizitës së Aleksandër Vuçiçit se mos na ofendohej miku i dashur sërb?

Në një situatë të tillë nuk na mbetet rrugë tjetër veç se ti drejtohemi qiellit:

Psalmi 11

1Unë gjej strehë te Zoti; si mund t’i thoni shpirtit tim: “Ik në malin tënd, si një zog i vogël”?

2 Sepse ja, të pabesët nderin harkun e tyre, rregullojnë shigjetat mbi kordhëz, për t’i gjuajtur në errësirë kundër atyre që kanë të drejtë nga zemra.

3 Kur themelet janë shkatërruar, çfarë mund të bëjë i drejti?

4 Zoti është në tempullin e tij të shenjtë; Zoti ka fronin e tij në qiejtë; sytë e tij shohin, qepallat e tij vëzhgojnë bijtë e njerëzve,

5 Zoti vë në provë të drejtin, por shpirti i tij urren të pabesin dhe atë që do dhunën.

6 Ai do të bëjë që të bien mbi të pabesët leqe, zjarr, squfur dhe erëra zhuritëse; kjo do të jetë pjesa nga kupa e tyre.

7 Sepse Zoti është i drejtë; ai e do drejtësinë; njerëzit e drejtë do të sodisin fytyrën e tij.

Po, në emrin e Jezu Krishtit të vërtetë ne lutemi që drejtësia e Zotit, gjykimi e dënimi i Tij Hyjnor të bjerë mbi kokën e të pabesëve, sidomos mbi ata që keqpërdorin emrin e Jezu Krishtit për të justifikuar padrejtësitë, vjedhjet e krimet e tyre. Në emrin e Jezu Krishtit të Vërtetë! Amin!

Please follow and like us: