Albspirit

Media/News/Publishing

Kastriot Dervishi: Komisioni Mezini dhe komisioni Bezhani

Komisioni Shtetëror për Kontrollin e Figurave së Zyrtarëve dhe personave të tjerë, u formua në bazë të ligjit nr.8043, datë 30.11.1995 “Për kontrollin e figurës së zyrtarëve dhe personave të tjerë që lidhen me mbrojtjen e shtetit demokratik”. Ai u përbë nga: kryetari (caktohej dhe hiqej nga Kuvendi Popullor), nënkryetari dhe një anëtar (caktoheshin dhe hiqeshin nga Këshilli i Ministrave), nga një anëtar (caktoheshin dhe hiqeshin nga Ministria e Drejtësisë, Ministria e Brendshme, Ministria e Mbrojtjes dhe Shërbimi Informativ Kombëtar).
Më 15.2.1996 Kuvendi Popullor zgjodhi Hajri Muke Mezinin kryetar të komisionit. Efekti i ligjit ishte deri më 31.12.2001, por nga rrethanat që kaloi vendi, ai humbi shumë shpejt nga efektet e qëllimit të tij. Komisioni veproi për zgjedhjet e 26 majit 1996, 20 tetorit 1996 dhe 29 qershorit 1997. Pavarësisht verifikimit masiv, komisioni gjeti vetëm 1 dosje bashkëpunëtori të Sigurimit dhe gjithë puna e tij u mbështet në bazë të regjistrave të agjenturës, duke mos kryer asnjë lloj verifikimi real, por vetëm verifikim mekanik dhe shpeshherë të gabuar. Komisioni nuk e shtriu aktivitetin e tij mbi sistemin gjyqësor, sepse nuk pati kohë.
Ndryshimet ligjore:
-Me ligjin nr.8151, datë 12.9.1996 “Për ndryshime në ligjin… për zgjedhjet e organeve të pushtetit lokal”, sipas së cilave, u hoq verifikimi për kandidatët për këshilltarëve të bashkive dhe komunave.
-Me ligjin nr.8220, datë 13.5.1997, ligji u ndryshua, duke përjashtuar nga pengesa bashkëpunëtorët e Sigurimit në 20 vjetët e fundit. Kjo bëhej për të shpëtuar ish bashkëpunëtorët “Ylli” dhe “Cigarja”, funksionarë të lartë politikë.
-Me ligjin nr.8232, datë 19.8.1997 u hoq verifikimi për kandidatët për kryetar bashkish e komunash.
-Me ligjin nr.8280, datë 15.1.1998, u hoq kufizimi i ligjit për oficerët e Sigurimit, duke u lënë vetëm përcaktimi për “oficerët madhorë”, të cilët në fakt riktheheshin në funksione publike me firmë të kryeministrit. Kësisoj ligji ngeli më shumë për ushtarët (bashkëpunëtorët) dhe jo për operativët e Sigurimit (gjeneralët).
Më 18.8.1997 Kuvendi Popullor vendosi shkarkimin e 62 vjeçarit Hajri Mezini dhe emërimin në këtë detyrë të 69 vjeçarit Nafiz Bezhani. Ky i fundit vijoi të mblidhte komisionin për gjëra të vogla kryesisht në administratë. Edhe ky nuk verifikoi në bazë dosjesh, por listash, e meta kryesore e kësaj mënyre verifikimi në gjithë vitet e tranzicionit.
Please follow and like us: