Albspirit

Media/News/Publishing

Ambra Hysa: Gjumi i vdekjes

Fragment
Zoti Boris, ndërkohë ishte mbështetur në parmakun që ndante pjesën e hollit të madh ku qëndronin mijëra qytetarë, me një pjesë më të vogël të cilën e rrihte më shumë i ftohti. Në mes të mijëra njerëzve ai ndihej krejt i vetëm. Kur ecjet afër tij zunë të rralloheshin ai nxori nga xhepi i përparmë i xhaketës një fotografi të vogël të cilën e afroi pranë buzëve dhe e puthi. Ishte mësuar t’i mbante lotët por këtë herë nuk mundi dot. U ul në gjunjë dhe vuri të dyja duart mbi koke, nuk i interesonte nëse të gjithë po e shihnin, shpirti i tij kishte nevojë të qante. Shpirti ishte shkatërruar, jeta ishte treguar mizore me të, përse o Zot atij ? Çfarë kuptimi kishte për të, të vazhdonte më? Anastasia nuk do të vraponte më për në krahët e tij kur ai të mbërrinte në oborrin e shtëpisë së tyre, nuk do ndjente më kurrë aromën e flokëve të gruas se tij, as zërin e saj të mëndafshtë, nuk do e dëgjonte të qeshte dhe as të këndonte, nuk do i provonte më as gatimet e saj që dikur i kritikonte…
Ah, sa e kishte marrë malli! Jeta paskësh qenë shumë e shtrenjtë dhe shumë e bukur dhe ai nuk e kishte ditur, kishte qenë shumë i zënë për ta kuptuar. Do të donte shumë të ishte në ëndërr dhe të zgjohej nga  ky makth që po jetonte, por gjithçka ishte e vërtetë dhe shpirtin e tij mund ta shëronte vetëm gjumi i vdekjes. Për çfarë ia vlente të jetonte? Përse të strehohej për t’i shpëtuar bombardimeve? Përse të frymonte? A meritonte të shpëtonte ai, kur dy engjëjt e tij kishin vdekur? Ndihej egoist që merrte frymë, që vazhdonte të ekzistonte. Jeta ishte treguar dyfish mizore me të, e kishte vrarë dy herë, ditën që e kishte shpëtuar të gjallë…

Sigurisht, kur kthehemi pas në kohë, kuptojmë se disa ngjarje janë të destinuara të ndodhin në jetën tonë për të na ndryshuar rrjedhën  e saj, vijnë si sinjale nga lart, vijnë si bekime të mishëruara në njerëz.

Askush tjetër, përveç dorës së Zotit nuk e kishte sjellë Vikin e vogël atje lart, e cila nuk pushonte dot së qari, nuk pushonte së dridhuri dhe shtrënguari xhaketën e bërë qull nga shiu, të zotit Boris.

Ai e kishte mbrojtur nga i ftohti me trupin e tij, e përqafonte me gjithë zemër dhe nuk pushonte së derdhuri lot malli, ndërkohe që shija e kripur e tyre bashkohej me atë të pikave të shiut. Ajo vajzë e vogël që e thërriste për të dytën herë “Babi” , i kishte shpëtuar jetën, ajo mund të kishte moshën e Anastasias së tij, kishte shikimin e saj të ëmbël, faqet e buta, doçkat e vogla dhe nevojën për ti qëndruar pranë e për tu kujdesur për të. Si e kishte emrin? Kush ishin prindërit e saj? Nga vinte? Përse ndodhej e vetme ajo vogëlushe aty dhe përse po e thërriste për të dytën herë, “Babi”?

Nuk dëshironte ta pyeste, për momentin donte vetëm ta përqafonte dhe t’i qëndronte afër. Atë moment, ajo ishte vajza e tij, ajo vogëlushe e kishte kthyer në jetë dhe kjo nuk mund të ishte rastësi. Bija e tij e kishte mbrojtur nga lart, tamam si një engjëll mbrojtës, përmes kësaj vogëlusheje.

Dhe ndoshta, tani ia vlente të jetonte vetëm që dikush ta quante atë përsëri “babi”, ndoshta ia vlente të sakrifikonte çdo gjë për Vikin.

Please follow and like us: