Sadik Bejko: Toleranca dhe tradita, zakone, klishe, mite…
Sipas një pikëpamjeje gjerësisht të njohur, merret si fakt që religjoni është thelbi, ndërsa kultura e një vendi është veshja, mishërim i këtij thelbi. Këtë paradigmë e gjejmë në çdo tekst të historisë së qytetërimeve. Në krye të çdo kapitulli jepen tiparet e religjonit (hebraizmi, hinduizmi, politeizmi helen etj). Tiparet e religjionit për secilën hapësirë shpjegojnë atë që mbi këto vende ngrihen këto dhe jo lloje të tjera tempujsh, këto modele të ngrehinave shtetërore, të sferës kulturore, të shoqërisë e deri për të shpjeguar sjelljet e individëve përkatës.
Qytetërimi i sotëm ngjan të jetë, më realist, më laik, më afetar se kurrë. Kjo mundet erdhi si pasojë e luftrave të mëdha botërore të shekullit që sapo. shkoi. Mundet nga konsumizmi dhe hedonizmi që u nxitën nga arritjet e mëdha të shkencave, nga që jetojmë në epokën postindustriale.
A mund të shmanget ky qytetërim postindustrial nga ndiçimet e mëdha në religjon, në filozofi, që shpërthyen dikur, dhe që me dritat e tyre u treguan shtegun qytetëtimeve që kemi sot? Janë shterrur ato drita që me ngjyrat e tyre e mbështjellin rreth e qark botën që prej të 2000-3000 vjetësh? Apo mos priten zgjime të agimeve të reja, të mëdha e të përbotshme? Shekulli i ri vjen me sfida të reja?
Këto pyetje do të kërkonin të tjera shtjellime, ndaj është më mirë të kthehemi në shtëpimë tonë.
Një dominante e qytetërimit shqiptar
Ne shqiptarët gjeografikisht u ndodhëm në kryqëzimet e tre qytetërimeve: ortodoks, katolik, mysliman. Ortodoksizmi e katolicizmi i përkasin një religjoni, por kanë dhënë qytetërime të ndryshme, në rite, në tempuj, në ndërtimin e shtetit dhe më tej. Shqiptarët mbeten një qytetërim i hapur, ata i shohin (dhe kështu i kanë parë e pranuar) si pasuri shpirtërore e materiale të tyret të trija formacionet kulturore. Në se kështu ka ndodhur gjer më sot, që nga epoka e Skënderbeut, që kur u krijua alfabeti, e më pas flamuri e shteti ynë, kjo vjen se në qytetërimin shqiptar ka një dominante gjithëpërfshirëse mbi të tri shfaqjet e qytetërimeve.
Kjo dominante është adhurimi për Perëndimin, kulti i Perëndimit, i humbur dhe i rigjetur ndër kohëra, i ushqyer që nga rilindasit, po më parë nga Buzuku, Budi, Bogdani … e më herët nga figura emblematike e Skënderbeut. Migjeni ka shkruar mbi “dashurinë tragjike” të shqiptarëve për “Perëndimin e mrekullueshëm”. Në se flasim për ndikime a shfaqje të tri qytetëimeve ndër ne, nuk dyshohet qër jemi një kulturë, kemi një kulturë shqiptare.
Prirja ndaj Perëndimit të mrekullueshëm është një dominancë për jetën publike, për qytetërimin shqiptar.
Shqiptarët identifikohen me kombin, me gjuhën shqipe jo sipas përkatësisë fetare.
“Vërtet kemi Bajram e Pashkë, por Shqipërinë e kemi bashkë”.
Funksioni i religjoneve ka qenë si të punojnë nga brenda njeriut, individit, si të kultivohemi në kopshtet brenda brinjëve dhe gjakut tonë. Këtu secili e gjen rrugën më vete.
Shqiptari është krijuar – si gjithë bota e që kur se u krijua njeriu ndër njerëzit – si qenie me mungesa.
Mungesa dhe pasiguria nga brenda shtyjnë te një plotëri dhe mbushulli me atë çka është përjashta. Të mbushesh së jashtmi. Me atë që është, po dhe me atë që mendja dhe imagjinata e krijojnë, me fe, besim, monumente, filozofi, doke. Pafuqia reale e planetit, e perandorive që bien e ngrihen, – jo më kot nga mitet më të para në botë janë ato mbi krijimin dhe mbi katastrofat – ka çuar nga mistika, nga gjetja e një shpëtimi te besimi metafizik, por edhe nga krijimi i një strehe, i një qielli të përbashkët idesh nga jashtë, sipër nesh . Strehë shpirtërore, e mendimit më të lartë e mbikohor me të cilën si hapësirë, si individë identifikohemi.
Të jetosh në grup
Le të zbresim në tokë.
Të jetosh në grup. Kjo mund të jetë një karakteristikë e qytetërimit shqiptar. Mbushja nga jashtë, nga bashkësia, grupi. Ndihma që të vjen nga një madhështi e jashtësisë. Krenari, dukje, shfaqje… e
fryrë, gjithë ajo që të dukesh, na është mbase më me rëndësi nga ajo që të jesh. Për shqiptarin ka rëndësi kjo veshje force, kjo koracë, kjo jashtësi e ky të qenë që imponohet e që të thotë: kështu e bëjnë burrat, burrat e tundin, e bëjnë një nam. Namuzi (në kuptimin nder, turp, respekt për normat) – ky është fytyra jonë. Sedra është domethënia jonë. Nderi, të qenurit me kokën lart para grupit, shpesh na prin nga teatraliteti.
Pa një thelb jemi një ngrehinë ere, një shfaqje imponuese së jashtmi, mbase ajo që dëshirojmë të dukemi mbi brimat a honet e mungesës sonë. Të dukurit, kjo pelerinë pavdekësie, krenie, lavdie, zakoni… na mbulon mungesat. Por kjo është dhe të mbetesh në ndoren e dikujt, të jesh i dobët. I dobët, pa atë ndihmën nga diku tej vetes: nga nipër me pushtet, miq, krahë, burra, djem që janë në rresht me ty e për ty, që nga zakoni, nga turpi- jo aq nga dashuria- nga detyrimi përtej vetes, ata janë me ty. Se dhe ata e shohin forcën në grup, thelbin në grup, e shohin ekzistencën si gjak dhe si grup. Si të tillë ata, familja, grupi, bëhen institucion dhe të mbështesin, ty të parin e grupit, por derisa ti ke vlera, forca, energji për ta vënë në punë makinën e grupit- pra të nderit- i cili gjithmonë shpreh raportin unë dhe grupi ( familja e vogël…fisi, kombi), jo unë dhe përgjegjësia judeo-kristiane, përgjegjësia ime (personale) e vënë drejtpërdrejtë ndaj përjetësisë hyjnore, ndaj Zotit.
Nderi, të jesh faqebardhë ndaj një bashkësie, është karakteristikë mesdhetare. Mesdhetarët jetojnë në grup, thotë Fernand Braudel.
Një nga faktet, një nga përbërësit strukturorë, që shqiptarët si kulturë, dhe se të shtresëzuar në tri fe, prapë mbeten një qytetërim unik dhe origjinal, është dhe ajo që quhet toleranca shqiptare. Për të do të bëjmë dy tri shtjellime më poshtë.
Tradita dhe toleranca – loja e dy planeve
Traditat janë të tilla që veprojnë si në një tabu. Dhe jo vetëm në kulturën tonë. Kur kam lexuar që një grua e Jugut të Italisë, grua e moshuar, i thotë shkrimtarit Karlo Levi (Kristo si e fermato a Eboli) se ajo nuk mund të hynte në dhomën e tij, në banesën e një mashkulli. “Kështu është gjendur ndër ne; dhe pse jam plakë, zakoni ma ndalon të hyj në dhomën tënde; nuk kam ç’t’i bëj: zakoni rron më gjatë se njeriu”. Kjo thënie sikur më ndriçoi një pjesë e jetës sime. Këtë “zakoni është më jeëgjatë se njeriu” e kisha dëgjuar nga të parët e mi qysh nga fëmijëria.Tradita nuk kërkon arsyetim, është një gur kufiri pa sy dhe pa veshë, para saj duhet të zmbrapsesh. Të zmbrapsesh… dhe pikë.
Çdo shoqëri ka ndalesat e saj, të cilat duhen respektuar dhe ruajtur të palëvizura. Ndryshe ndodh me tolerancën. Ajo më tepër vepron si një plan i dytë, si në teatrin çehovian: personazhet tjetër thonë, tjetër mendojnë e ndiejnë. Dy shqiptarë të sotëm, – dhe të dikurshmit- njëri mysliman e tjetri i krishterë, takohen ditën e Bajramit dhe pyetet myslimani: e, a festuat sot? “Po, ia shtruam në një drekë të mirë, u mblodhëm me familjen, me shokë e me miq”. Thotë i krishteri: “sebep është festa, rast për të ngrënë e për të pirë. Kështu do të ndodhë këto ditë dhe me ne në Pashkët. Ja ashtu, festojmë, gëzojmë familjarisht”.
Në të vërtetë është më shumë sesa sebep. Derisa secili gëzon në mënyrë të veçantë, në ditë të veçanta, me forma kulturore të veçanta, janë ndryshe, nuk janë njësoj. Por në pazar, në rrugë, ballëpërballë, madje dhe në shtëpi e urojnë njëri-tjetrin si në një zakon, si një gjë që duhet bërë, pa shumë thellësi dhe tjetri me lehtësi na përgjigjet: “ja ashtu, festojmë për zakon, për të bërë një muhabet më shumë, për t’u mbledhur me njerëz, me të dashur“.
Është vërtetë kaq pa rëndësi?
Në këto raste ndodh që plani i pasmë, më i thelli, spostohet dhe, për arsye të mbijetesës në kundërshtitë e jetës, nuk del në shesh. Shtypet, po më së shumti spostohet, për t’i lënë vend sferës publike mbi atë intime. Loja e të dy planeve ku njëri është për në publik dhe tjetri për atë hapsirën përtej pragut të shtëpisë, ngjason me lojën midis rolit dhe identitetit; njëri (roli) është zyrtar, publik, tjetri (identiteti) është intim, personal, që zbulohet në rrethana përtej publikes.
Të dy, vënë në raport me njëri- tjetrin, janë pranga. Ndonse si kontrapunkt i njëri-tjetrit, brenda njeriut tonë- shqiptar, ballkanas e më gjerë- në të quajturin njeri shoqëror, të shtënguarin të ketë role, të ketë shfaqje të dukshme dhe të padukshme të të njëjtit thelb, publikja është rrobja që mbulon lakuriqësinë e intimes.
Nga marrëdhënia e gjatë, të dy shfaqjet marrin dhe japin, shkrihen ose, më së fundi, pranohet të dominojë shfaqja egzistenciale: roli publik. Kjo sjellje kështu, e kthyer në praktikë zakonore, e ngurosur si e tillë, nuk ka më shpjegim, nuk ka pse-ra dhe si-ra. Pse dhe si? Po ja.. se kështu na është bërë vazhdë, kështu na e lanë pleqtë, të parët tanë. Dhe kjo është tabu. Pranon nënshtrim të heshtur, pa kushte kohore a hapsinore, pa moshë, pa seks, pa dritë, pa errësirë- një rrul i rrafshët që hap e shtron udhë dhe ti nuk ke nga shkon. Kjo shkrin dhe ngrin të shkuarën me të ardhmen, të vdekur dhe të gjallë. Dhe… të shliron. Ti je i përcaktuari nga rrethanat të jesh kështu dhe të detyrosh pasardhësit e tu të jenë po kështu. Po. Kështu e kemi zakon dhe… pikë. “
Duke menduar kësisoj, ti pranon tjetrin të të vijë i pandryshuar në të vetën. Pa e arsyetuar. Ai është andej, unë këndej, por dhe kështu të ndryshëm mund të jemi miq. Të ndryshëm, por miq. Mundohemi të gjejmë anët që na bashkojnë, të shmangim ato që janë të përveçme. Jo t’i zhdukim, t’i mbajmë për vete e në vete veçantitë.
Klisheja
Kjo veprohej, ndiehej me kutin e tolerancës së lashtë të gjyshërve. Kuptimi, mendimi i sotëm mbi tolerancën mbase do arsyetime, do argumente, ide, mbathje teorike, veshje mbi lakuriqësinë e së ngurtës. Kjo përçon nga një qytetërim i kultivuar, jo nga mitikja e ngurosur që bëhej e gjallë vetiu e brez pas brezi. Ajo mishërohej me njeriun dhe me mjedisin e bashkësisë, ngjallej për t’u dhënë pasardhësve një thelb guri a druri të pafrymë, një thelb i mbyllur ndaj nesh dhe ndaj atyre që vijnë ndër shekuj.
Klisheja të fut në kallëp, të detyron të veprosh kështu dhe jo ndryshe. Njerëzi e klisheve thonë të dua e vdes për ty, kur nuk duan e nuk vdesin për ndonjë.
Ndodh që klisheja të jetë më e fortë se morali, se ndjenja, se mendja, se gjaku. Mund të jesh i ndarë shpirtërisht dhe fizikisht nga gruaja, por, nëse dikush të thotë: “atë ish-gruan tënde e bëra kështu dhe ashtu, bëra ç’desha me të, pastaj ia përshesha turinjtë e brinjët, ia pëshesha gjak dhe kocka sa villte dhe pështynte zorrët.. atë gruan tënde..” Në këtë rast, befas klisheja vihet në punë. Punon më përtej se ndjenja. Mbase se ty të kanë poshtëruar. Të kanë goditur në një gjë të dobët, të pambrojtur. Të kanë dhunuar ty, duke dhunuar atë “tjetrën’. Po të kishin vepruar kështu me ty, nuk do të ishte kaq e hidhur. Madje shkaku, Raviku, heroi i romanit vihet në lëvizje nga klisheja për t’u hakmarrë ndaj dhunuesit të gruas, të cilën ai me kohë nuk e donte më. E kishte ndarë. Kjo ndodh edhe ndër gratë. Një grua është zënë dhe është therur me burrin e saj, nuk kanë shkuar tërë jetën, por ditën që ai vdes, ajo qan e ulëret në pikë të qiellit. Pse? Klisheja. Zakoni zëvendëson ndjenjat e mendimet, është një kallëp që formëson jetën. Pushkini te “Eugjen Onegini” thotë: “zakonin e dërgon një zot,/ ku lumturia s’shkon dot”.
Klishetë i prodhon sidomos ajo që ne jetojmë në grup. Në shumë qytete tonat si në Berat, në Fier, janë shtuar varrezat me trupa të rinjsh. Në kushtet e mosveprimit të ligjit, shumë nga këta djem iu bindën asaj thirrjes së të parëve, për të venë në vend nderin e nëpërkëmbur të të fejuarave a të motrave të tyre. Shpesh e kanë paguar me kokë vetgjyqësinë me “të fortët”, trafikantët e vajzave. Trafikantë që u thoshin: “e kam vënë në punë atë motrën tënde; ma mbushi xhepin me para”.
Dhe kur kjo vetëgjyqësi ndodh në qytete, ç’të thuash pastaj për ata banorë të ardhur nga fshatrat, tani kryeqytetas, që zbrazin armën mbi të bijat, vetëm se ato po shkojnë në diskoteka? Këta dhe në kryeqytet jetojnë me klishetë e grupit nga erdhën. Dhe ky grup ua përligj krimin.
Të ngjan se klisheja vepron vetëm tek vegjëlia, tek të prapambeturit, por edhe shtresat e tjera kanë ritualet e tyre të sjelljeve, me të cilat mbushin palumturinë a boshllëkun, varfërinë e jetës shpirtërore. Kjo e fundit mundet është e njëjtë për të gjitha shtresat. Ajo që ne i mbushim kafet dhe e shtyjmë kohën bosh në to, jo për tjetër, po se duam të zëmë një vend në shoqërinë e burrave, të grupit, të rrethit ku bëjmë pjesë, ajo zdërhallja e ngeshme rrugëve e të tjera, janë klishe tipike shqiptare dhe mesdhetare.
Mitikja
Benedeto Kroçe, duke sjellë episodin e Krishtit (sipas ungjillit të Gjonit) me atë gruan e përdalë që duan ta vrasin duke e qëlluar publikisht me gurë, na thotë se kjo si parabolë “mëson, pa mësuar, qorton, pa qortuar”. Kështu tradita vjen përmes fuqisë mitike, fuqisë së arketipales. Ajo tashmë është një hije që peshon nga enët e fshehta të gjakut. Kjo hije është brenda teje. E gatshme, e prekshme, e dridhshme dhe rrëmbyeshëm si përrenjtë e nëntokës. Është përherë aty. Dhe ti e vesh (nga brenda) siç hedh mbi supe (nga jashtë) qyrkun e varur në gozhdë prej kushedi kur. Si dhe pse- nuk të duhen. Hijet janë më të afërta, më të brendshme se çdo arsyetim që vjen nga jashtë, se çdo ushtrim i stërholluar mbi trurin tënd. Idetë dhe argumentet vijnë si armët e pajisjet mbi supet e ushtarit. Klishetë, fuqia mitike, vijnë vetiu nga burimet e gjakut, të hijeve, vijnë pa mundim. Qortim i paqortuar, mësim i pamësuar. I lindur bashkë me ty.
E kaluara peshon rëndë mbi njeriun. Njeriu e ka më vështirë të mësojë, më lehtë për të është të rrëshqasë me ajrin, në rrymën, në klimën që e lindi dhe që e modelon me gishtërinjtë e normave të padukshme, me format kulturore që veprojnë vetiu.
Kjo ngjan të jetë një e keqe e madhe, por, në fund të fundit, shumicës së njerëzve u jep një identitet. Në se ne shqiptarët jemi dhe mbetëm këta që jemi, kjo jo se qemë më të mirët, më të kultivuarit se sa ata përreth nesh. Popuj dhe popuj në botë janë zhdukur. E kundërta mbase është më e udhës ta themi. Ne mbetëm mbase nga që nuk u kultivuam. Ne u konservuam, i mbetëm besnik natyrës sonë. Vëllai, kur ndahej nga vëllai, nga trungu i atit, do ta bënte shtëpinë një të shtënë pushke larg. Koliqi e kishte të vështirë ta shpëtonte nga kjo traditë e së kaluarës personazhin e ditur të novelës “Gjaku”. Ai ishte vetëm një brez larg nga tradita e ngulur brenda tij.
Sot shqiptari i ri me prindër e gjyshër të mësuar është disa breza më larg nga tradita, sot nuk egziston një traditë aq kompakte. Bashkësia fshatare gati u zhduk; sot shqiptari e ndien veten të viktimizuar nga ajo traditë, nga çdo traditë, dhe po kërkon një identitet të ri. Ne po kërkojmë të përshtatemi nganjëherë gjer në majmunëri. Cilët do të jemi nesër?
Tradita të ringjallura?
Ungjilli me atë parabolën e gruas mëkatare shembi një traditë për të krijuar një të re. Vemi e nga do të vemi, pa u futur në disa forma kulturore, nuk kemi si të shpëtojmë. Sot e dy mijë vjet pas Krishtit ne ende vrasim për sedër, për pronë, për para, për grua. Po nesër a do të jetë kështu? Disa nga këto cene të njeriut nuk i ndreq dot asnjë religjon, asnjë shkallë qytetërimi. Pse disa nga këto dukuri janë kaq ashpër e kaq shpesh të ndodhura ndër ne? Mbase se ne sot jemi në ditë të vështira. Gjithë ç’ishte e mbrapshtë brenda nesh, doli përsipër. U kthyem në bij të zemërimit. Ringjallja e traditave të lashta, nga që ato u shtypën, u shkelmuan përbuzshëm- kanuni, kishat, xhamitë, teqetë- na erdhën sot si ajo fëmija që e nxjerrin mamitë e fshatit përdhunshëm nga barku i nënës. U ndodhëm midis dy praktikave të këqija. Dhe u përsollëm mbrapa vrullshëm nga ajo traditë që pa mendim dikur e shanim, e mohonim. Meqenëse e pamë vetë se komunizmi na la ashtu si na la, – hëm, ai e paska fajin, – t’i kthehemi të shkuarës së largët. Po cilës (?) Asaj që e kishim harruar, nuk e praktikonim prej gjysmë shekulli.
Ai njeriu i skajeve shoqërore, nga i mbajtur fort në dhëmbët e kafazit të hekurt të utopisë, i lëshuar menjëherë në anarki, varfëri dhe harresë shtetërore, nuk pati rrugë tjetër veç të ringjallë qoftë dhe përçudshëm një traditë që si një armë e ndryshkur të pëlcet në duar nga që prej kohe nuk përdorej më.
Sot e qindra vjet ne arritëm, për traditë, të bashkëjetojmë me fe të ndryshme, pa vrarë njëri-tjetrin për arsye fetare. Nesër, kur kjo traditë, si gjithë traditat e tjera do të mund të thyhet – një traditë që kur kërkon arsyetim, nuk vepron më si traditë (!)- cilët do të jemi ne?
Një pyetje që mbetet e shtruar: cilët do të jemi ne?
Ritualet kanë fjalë, koreografi që nuk mund të ndryshohen.
Për praktikën teologjike është mallkim të ndjekësh ritualin pa shpirt, pa kuptim, pa një tendosje të brendshme.
Një kulturë duhet të vetëndërgjegjësohet, të dijë çfarë do dhe çfarë urren, çfarë është e saj dhe çfarë është e huaj. Ka kultura që i mban në këmbë urrejtja, ne shqiptarët priremi nga toleranca që ndonjëherë shkon… deri në shpërfillje për tonën.
Ne kemi sot një shtresë të arsimuar, një rini që do shpjegime të thella, do mbështetje teorike për vlerat tona. Duhen shpjegime të asaj kush jemi ne, si erdhëm ne deri këtu nëpër shekujt që ishin kundra nesh. Vallë kultura shqiptare e shquar në shekuj për vitytin e qëndresës në ruajtjen e shtatit dhe të fytyrës së saj, e ka shterrur atë pusin ku katragjyshat tanë kanë depozituar hijet arketipale të racës sonë, skemat mitike të mendimit e të sjelljes të cilat dhe pa e ditur ne zgjaten nga mjegullat e së kaluarës dhe na modelojnë në erën e modernitetit me atë që është vetëjakësia jonë?
Unë besoj se shqiptarësia është e thellë, e fortë brenda nesh. Është e gjallë. Dhe pa e ditur, nga që nuk dalim dot nga vetja, ne e praktikojmë traditën tonë sot e gjithë ditën.
(Botuar së pari te revista “Mehr Licht”, prill 2004, nr. 23, tashmë e redaktuar).