Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Asoc. Dr. Zaho Golemi: BESA E SHTËPËZIT, BESË E SHPRESË PËR SHQIPËRINË

(Me rastin e 110 vjetorit të Kuvendit lab të Shtëpëzit, në nderim të kapedanëve të këtij Kuvendi Selam Musa Salaria, Halil Huto Sullo, Sulo Beqiri (Sulo Beqir Bedaj), Mersin Gjoça, Sali Murat Vranishti, Çerçiz Ago Topulli, Bajram Ligu (Prongjia), Hasan Xhiku, etj. Pjesëmarrjes në këtë kuvend të kapitenit hollandez De Val (De Waal), lejtnanti Juljus Sonne, ekipit mjekësor hollandez të përbërë nga mjekët ushtarakë Tido Reddinguis dhe Van Vliet si dhe civili De Groot. Në mirënjohje edhe për atdhetarin Manxhar Taka që ka shkruar para një dekade librin  “Drithërimat e Katërmbëdhjetës” që hedh dritë mbi egërsinë e qeveritarëve dhe ushtrisë greke që ishin vërsulur 110 vite më parë kryesisht kundër popullsisë muslimane shqiptare të Labërisë, ku vullnetarët patriotë e atdhetarë të Labërisë e më gjerë jo vetëm që kundërshtuan burrërisht pushtimin dhe makinacionet asimiluese, por u thanë “ndal” barbarive greke në Shqipërinë jugore. Nderim burrave që shkruan histori me trimëri, mençuri dhe vendosmëri si dhe nderim në përjetësi gjakut të të rënëve!).

 

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

 

Shtëpëzi është një copëz e historisë kombëtare shqiptare. 110 vjet më parë më 10 prill 1914, malet e Labërisë kishin hequr qeleshen e bardhë të dëborës. Në këmbët e tyre jeta rrjedhte “e qetë”, por e shqetësuar që në zhargonin popullor është quajtur “drithërtimat e katërmbëdhjetës”. Gjithë fshatrave të jugut dhe mbarë Labërisë i kanosej një prej gjëmave më të tmerrshme të shekujve. Qeveria e Ismail Qemal Vlorës ja kishte besuar kontrollin e vendit Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit (KNK). Vilhelm Vidi kishte disa ditë që kishte zbaritur në Durrës dhe “sundonte” në një zonë të papërfillshme në Durrës. Vendi ishte rrethuar me dhelpëri nga “uqër” të të gjitha ngjyrave. Gjarpërinjtë e kombit shqiptar ishin ngritur për të copëtuar trupin e një Shqipërie londineze ende pa unitetin e duhur. Jugut dhe veriut të vendit i ishte veshur ushtritë mercenare të lakmive të megaliidhesë dhe të naçertanjes të planifikuara në skutat më të errrëta të barbarisë ballkanike. Në Gjirokastër “shqiptari” famëkeq Zografos kishte ngritur një qeveri që trembej vetëm nga kapedanët e Labërisë. Dhe këta kapedanë fole e kishin në zonat më luftarake, ku në magje bashkë me bukën gatuhej liria, liria që rrugën e niste në odat dhe në kuvendet e Labërisë, atje ku lidhej besa dhe niste veprimi luftarak i kryengritjes së përgjithshme popullore. Në këto kushte ogurzeza për Shqipërinë e shqiptarët për t’i thënë “ndal” dorës kriminale pushtuese nga Jugu në Shtëpëzin historik, kemi një eveniment memorial për Labërinë, për Shqipërinë dhe për mbarë kombin shqiptar, që në gjuhën historiografike është i njohur si Kuvendi i besëlidhjes popullore të Shtëpëzit. Është kjo arsyeja që ndryshe këtij kuvendi i thonë: “Besa e Labërisë në Shtëpëz”, që ishte besë e shpresë për Shqipërinë.

Kapedanët e Labërisë në Shtëpëzin historik

Fshatrat, njerëzit dhe kapedanët e Labërisë ishin të gjithë gjerdan në kuvende. Kjo u vërtetua edhe në njoftimin gojë më gojë në gjithë Labërinë e më gjerë: “Kapedanët në takim në Shtëpëz, për t’i bërë ballë hasmit që ka ardhur tek dera. Thirrjes ju përgjigjën të gjithë prijësat e çetave. Të gjithë shkuan në Shtëpëz në kuvendin historik të prillit 1914. Kapedanët lidhën besën për luftë ndaj andartëve. Ka kaluar 110 vjet dhe Shtëpëzi është po ai, mes gjelbërimit me kokën “pështetur” në faqe të malit dhe që ngjason me bedenat e një kalaje të stërlashtë. Edhe pse ka humbur gjallërinë ende ka vellon jeshile të hijeshisë e të qetësisë. Shtëpëzi të fton si në një ballkon ku lugina e Drinos duket në pëllëmbë të dorës, nga Lekëli deri në Kakavijë. Përballë tij qëndron hijerëndë manastiri i Cepos, vendi i Zotave, karakoll mijravjeçar i mbushur me ngjarje heroike, kuvende, ku “shkruhej” e ardhmja e gjithë trevës. Në të djathtë lugina e lumit të Kardhiqit që kullon bardhësi dhe që përfundon me qafën e Skërficës dhe atë të Shtufit. Mali i Gjerë, mali i Lucës dhe mali i Pusit mbyllnin horizontin me rryma ajri të freskëta mëngjesore, për t’ia lënë vendin ditës së ndritshme gjithë diell.

Si fishekë gjerdani për kombin arbëror

Është fakt se, sa herë binte briri i luftës lebrit, gjirokastritët, lunxhiotët, tepelenasit e përmetarët ishin bashkë, sikurse thotë polifonia, lidhur “si fishekë gjerdani”. Kështu ishin mbledhur edhe në fillim të prillit 1914 paria e kuvendi të kapedanëve dhe prijësave. Nga Fushëbardha Halil Sullo, legjenda e pushkës, burrërisë dhe mendjemprehtësisë së bashku me katër djem fushëbardhas: Dalip Kondi, Surja Tefa, Rizal Muho e Sejdi Baho. Nga Golëmi ishte kordinatori i katër çetave Sulo Beqiri, luftëtar trim dhe i meçur, që me krismën e katër çetave që drejtonte shkroi epope lavdie. Po kështu nga Zhulati Mersin Gjoça, kapedan e prijës, figurë shumë e njohur popullore krahinore, por dhe trimi Hazhi Zeman Muxhai. Gjithashtu merrnin pjesë luftëtari kombëtar Çerçiz Topulli, që vinte nga fronti i përjetshëm i luftrave për liri. Çerçizi kishte shkruar me gjak historinë kur çeta e tij me Hito Labin (Lekdushin) dhe Bajram Ligun (Prongjia) shrinë përtokë bimbashin osman, troditën themelet osmane me betejën në Mashkullorë dhe kishin mbjellë farën e lirisë ë çdo fsahat. Në Kuvend kishte ardhur dhe trimi e luftëtari i paepur Hasan Xhiku, legjenda e të gjithë luftrave me osmanët, grekun e italianin e 20-tës. Nga Salaria kishte ardhur Selam Musa Salaria me një pjesë të çetës së tij; nga Vranishti historik ishte kapedan Sali Vranishti, që ka hyrë në histori me këngën “Kapedan Sali Vranishti sa rrojte të punojë gishti..”, etj. Prijësa e kapedanë të tjerë shkuan në kuvendimin e Shtëpëzit, ku ishin mbledhur përfaqësitë e gjithë fshatrave të Kurveleshit të sipërm dhe të Kardhiqit si dhe nga luftëtarë të Lunxhërisë si dhe fshatrave të tjera përreth.

Pesë hollandezë në Shtëpëz në Kuvendin e Labërisë kundër andartëve

Kuvendi i Shtëpëzit ishte vlerësuar dhe nga ekipi holandez që kishte ardhur në Shqipëri për ngritjen e xhandarmërisë ushtarake shqiptare dhe me bekimin e Fuqive të Mëdha të kohës. Ishte koha kur Fuqitë Europiane ishin “bindur” se edhe Shqipëria duhej të krijonte Shtetin e vet sipas modelit Perëndimor. Gjithësesi kufijtë territorialë shtetërorë do të ishin ata, që u përcaktuan nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër në vitin 1913. Është fakt i njohur historik se gjatë Luftrave Ballkanike 1912 – 1914, e sidomos pas largimit të pashmangshëm të Princit Vilhelm fon Viddi më 3 shtator 1914, por edhe gjatë shtjellimit të ngjarjeve të Luftës së Parë Botërore, Shteti Shqiptar u zhduk: territori i tij u shndërrua në fushëbeteje për fqinjët dhe objekt këmbimi për Fuqitë e Mëdha. Antanta e përdori këtë territor si karrem për të tërhequr në kampin e saj Greqinë, duke i dhënë “linçesën” atë të pushtojë Korçën e Gjirokastrën, sikurse i premtoi Italisë se, do të lejohej të vendosej në portin e Vlorës dhe në ishullin e Sazanit.

Në takim ishin edhe kapiteni hollandez De Val (De Waal), lejtnanti Juljus Sonne si dhe ekipi mjekësor i përbërë nga ushtarakët Tido Reddinguis, Van Vliet dhe civili De Groot. Takimi i Shtëpëzit u inicua nga hollandezët mbështetrur nga një batalion xhandarmërisë shqiptare. Qëllimi ishte që të vëzhgohej nga afër tërheqja e ushtrisë greke dhe rivendosja e autoritetit të shtetit shqiptar nën drejtimin e Vilhelm Vidit. Në fakt ishte direktiva e Fuqive të mëdha. Ushtria e grekut po tërhiqej nga Picari, Fushëbardha e Kardhiqi. Urdhëri i fuqive të Mëdha ishte që ata të dilnin jashtë kufirit të njohur të “Shqipërisë londineze” të miratuar nga Konferenca e Ambasadorëve. Takimi i Shtëpëzit ishte përzgjedhur në kohën e vendin e duhur. Shtëpëzi ngjante si një vendkomandë lufte në faqe të malit, që priste e përcillte kapedanë, ku lidhej besa si gjerdan i gatshëm për beteja.

Kuvendi i Shtëpëzit – “Besë për lirinë, besë për Shqipërinë”

Labëri, djemtë ti bën guri,/Përulen, veç tek flamuri!

Burrat e bashkuar në idealin e lirisë lidhën besë që do të zinin pikësëpari të pesë shtigjet e Labërisë por shtegu i parë ishte qafa e Skërficës. Ata u bashkuan kundër synimeve të qeverisë autonomiste të Vorioepirit me seli në Gjirokastër. Oshëtiu zëri i kapedanit e kryeplak i Fushëbardhës Halil Huto Sullo, i cili kërkoi nga hollandezët vetëm armë dhe municion se gjithë burrat e fshatit ishin të gatshëm për luftë. Kishin vetëm pak mauxer, maliher e disa nagantë. Një pjesë e tyre të fshehur në Qafë Dardhë që të mos i gjenin ushtarët andartë të kapitenit grek Xhavarrës (komandant i postës greke në 1913-1914). Këto anë nuk kishin pasur ndonjëherë ndihmë shteti deri në këtë periudhë. Për herë të parë shikonin dhe mjekë hollandezë në Labëri. Personel mjekësor tradicional kanë qenë nënat labe dhe ilaçet popullore si melhem për plagëst si dhe shehlerët, hoxhallarët e ca “doktorë” pleq e plaka që mjekonin me mjete rrethanore. Foli Sulo Beqiri, Kapedan Çerçizi, Xhaferi nga Gusmari, Latifi nga Progonati.. “Fermani i kuvendit të Shtëpëzit” ishte i qartë: “..të mbyllet me çdo kusht e me çdo sakërficë Skërfica, kjo portë e moçme e Labërisë nga kapedan Halil Sullo dhe burrat e Fushëbardhës, Zhulatit e Rrëzomës, por edhe luftëtarë të tjerë. Kapedan Sulo Beqiri me çetat e tij u vendos nga Manastiri i Cepos, Qafa e Shtufit, Gryka e Kaparielit dhe Rehovës, Jomenin dhe me radhë.. gjithë shtigjet e Kurveleshit dhe të Labërisë”. Duke u bazuar në ngjarjet e luftës së vullnetarëve labë kundër ushtrisë greke, në pranverën e vitit 1914, të shkruara bukur edhe në librin e intelektualit Manxhar Taka “Drithërimat e Katërmbëdhjetës”, ndalimi i mësymjes së andartëve u mundësua më 22 Prill 1914, nga forcat e vendosura të rreth 700 luftëtarëve të Labërisë dhe jo vetëm. Edhe një herë vërtetohej ajo që thoshte ish kryeministri i fqinjëve grekë Eleftherios Kyriakou Venizelos (1864-1936): “Le të ketë një çik Shqipëri, po të mos ketë Labëri”. Historia e luftrave për liri nuk do të rreshtë dhe as do të dorëzohet përballë civilizimit, përbashkimit në institucionet ndërkombëtare dhe as përballë globalizmit. Paskaqenë e shkruar që thënia proverbiale të jetë plotësisht e vërtetë: “Labëri, djemtë ti bën guri,/Përulen, veç tek flamuri!”.

Dyfeku-zanat i Labit

Krismat për lirinë përcjellin historinë në një krahinë e treve luftarake të panënështruar ndaj çdo pushtuesi. Ishin këta prijësa dhe çetat e tyre që përbaltën akademikët ushtarakë fqinjë, që hodhën në koshin e plehrave të historisë strategjitë e tyre, përfshi edhe ata ushtarakë grekë që kishin studiuar në akademitë gjermane. Kishin kaluar gjithë jetën me armë në dorë. Në Shtëpëz nuk munguan edhe rromuzet, kur oficerët hollandezë kërkonin t’u mësonin lebërve artin e luftës si dhe armët. Ata nuk e dinin se shqiptarët kishin lindur me armë. Lebërit ishin mjeshtra kur merrnin nishan në zemër dhe dinin ti dërgonin plumbat në lule të ballit.

Djalëria e labërisë këpuste edhe fijën e gjalmit me plumb. Dyfekun e kishin zanat. “Mësimi” i armëve në Shtëpëz nga lejtnanti Juljus Sonne i njohu me arsenalin e armëve të andartëve grekë që pothuaj ishin që të gjitha i markave bavareze gjermane me pushkë gjysëmautomatike, mitroloza e armë artilerie, topa të kalibrave të lehtë e të mesëm, por dhe thikat që mbanin në brez. Depërtimi në gojëdhënën popullore, në arkivën e përjetshe të shqiptarit, por dhe në fondet dokumentare gjejmë ende krismën e betejave popullore të 120 burrave në Fushëbardhë, 60 burrave në Zhulat, 170 luftëtarëve të Golemit, 100 luftëtarëve të Lekëdushit, 80 luftëtarë të Gusmarit, 46 burra të Rexhinit, 110 burra të Nivicës dhe çdo fshati të Labërisë.

Në roje të tokës shqiptare

Kuvendi i Shtëpëzit ishte një odë burrash në ballkonin e luginës së Drinos. Atje lidhej besa për çdo pëllëmbë të tokës shqiptare të kthehej në xhephane lufte, për të shenjtëruar: “ruajtja e tokës shqiptare”. Shtegu i Fushëbardhës në Labëri përpara se të futej në bannkoprovën e historisë kishte marrë bekimin e Kuvendit të Shtëpëzit. Po ashtu edhe xhephania e Cepos. Lufta në Skërficë dhe në Cepo jaë prova më e mirë e besës së Shtëpëzit e këtij kuvendi historik, që i shërbeu denjësisht çështjes kombëtare shqiptare. Kështu Lufta e përgjakshme nga 20 deri më 26 qershor 1914 në Skërficë, ku Çeta e Fushëbardhës që kishte dhe djem luftëtarë nga Zhulati, Golemi, Picari, Libohova, Gjirokastra, Delvina, Rrëzoma që në total shkonin mbi 120 luftëtarë e që  komandoheshin nga Halil Sullo në shtegun e parë të Labërisë shkruan epope lavdie. Luanët flisnin me grykën e maliherit ndaj pesëqind andartësh. “Kali i Trojës”, nuk mundi të mposhtë “Patkoin strategjik” të Skërficës deri në largimin e gjithë banorëve drejt Vlorës. Fushëbardha e Skërfica ngelën të lidhura pazgjidhshmërisht nëpër shekuj sikurse edhe në betejën me andartët. “Patkoin strategjik” të Skërficës e “zbuluan” për herë të parë dhe u ndeshën legjonet romake, Pirrrua i Epirit tregoi muskujt në emër të forcës dhe krenarisë kaone, duke bërë që të lartësohej lavdia e forca e madhështisë ilire. Në Skërficë me marrëveshje me Papa Zhulin kaloi Boemundi, por u bë shteg i pakalueshëm për gjithë hasmët e të pabesët e Shqipërisë. Skërfica dhe Fushëbardha si binjake historike në mbretërinë e Zotave. Shkalla e Bregu i Erëzës bashkë me qafën e pesë priftëre janë mbushur me legjenda e mite që i pështjell Lëmëthi me mistere historike. Ato janë dëshmitare nga kaluan romakë, bizantinë, venecianë, osmanë, grekë etj. Vëndasit u ndeshën me perandoritë në Gjashtë, Lëkurës, Sarandë, Delvinë, Rrëzomë në të gjithë Kaoninë. Liria, dinjiteti, krenaria kanë shoqëruar në shekuj luftëtarët fushëbardhas, zhulata.. në barikadën e shekujve. Ndaj u bënë barikadë për andartët e 1914-ës, dhe ngelën në përjetësi në memorialin “Fushëbardha 2014” më i madhi në Labëri, që u kushtohet nëntë dëshmorëve që ranë në Skërficë. Nuk harrohet “përqafimi” bajonetë më bajonetë e thikë më thikë më pushtuesit në Skërficë. Kaonia, Labëria, Fushëbardha ecin… në rrugën e prosperitetit. Dëshmorët e djeshmja dhe e sotmja bashkë. Rruga aty këtu ndriçon nga gurët e shndritshëm fosforikë, që Fushëbardha i ka me bollëk. Ngjan si bulevard pedonaleje e ndriçuar me drita të “mbira” nga dheu. Ato rezatojnë vetëm lartë. Dëshmorët e 14-ës, luftëtarët e tjerë në Skërficës nuk bënë pakt me dredhinë, sepse nuk u zihej besë të pabesëve. Dëshmorët u trupëzuan me kalanë natyrore të Skërficës, portën e parë të Labërisë. Ata ngelën në panteonin e kombit e memorien popullore të Kardhiqit, Rëzomës, Labërisë, mbarë kombit shqiptar.

 

Please follow and like us: