Sadik Bejko: PËRKULEN GJETHET
Xh.
Përkulen gjethet, fryn pakëz erë
ecëm mbi kaq mbrëmje –
qilima të nderë.
Si një llohë e madhe muzgje anembanë,
Ne të dy dhe mbrëmjet… dhe fusha Thumanë.
Shteg i misërishtes, shteg i grunjores
Thumana tërthores na marrka për dore.
Misërishtat e njoma, grunjoret e arta
Një lëmsh i mbledhur, mbrëmjeve të gjata
Rëndojnë në gji.
Në gji na rëndoka Thumana verore,
Puthemi mbi sanë, kapemi për dore.
Ditën kur do ikim… bari do mbytë gjurmët,
Ku u puthëm ne… lëkunden lulekuqet.
Ikim, marrim dhenë. Veç tej mbi Thumanë
Dy hije duhen e aq puthen,
si s’u lodhkan vallë?
1966
Botuar për herë të parë revista “Ylli” 1971.