Veriu i Kosovës dhe Lugina e Preshevës – dy nyje nevralgjike gjeopolitike në Ballkan

Prof. Dr. Arsim EJUPI
Në Ballkan dhe në truallin gjeoetnik shqiptar ekzistojnë dy nyje nevralgjike gjeopolitike: Lugina e Preshevës me shumicë shqiptare dhe veriu i Kosovës me shumicë serbe. Lugina e Preshevës ndodhet në pjesën qendrore të Gadishullit Ballkanik dhe paraqet një territor-korridor që lidh luginën e Moravës në veri me luginën e Vardarit në jug, duke mundësuar komunikimin më të lehtë dhe më të shpejtë të Evropës Qendrore me atë Jugore dhe më gjerë. Paralel njëra me tjetrën, nëpër këtë trevë kalojnë autostrada dhe hekurudha me rëndësi ndërkombëtare, pjesë të Korridorit X, njërit ndër boshtet më të rëndësishme të transportit në Evropën Juglindore.
Veriu i Kosovës shquhet për pasuritë e mëdha minerale dhe ujore, pa të cilat Kosova vështirë se mund të funksionojë. Pjesa veriore e Kosovës ka një sipërfaqe prej 1.002 km² me gjithsej 174 vendbanime. Kjo zonë është e pasur me miniera të plumbit dhe zinkut me rezerva të vlerësuara në rreth 6,4 milionë tonë, si dhe me shkritoren e plumbit në Zveçan. Ndër resurset e tjera të rëndësishme janë materialet ndërtimore dhe gjeologjike kryesisht me origjinë magmatike.
Përveç kësaj, në zonën kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ndodhet Liqeni i Ujmanit i ndërtuar mbi lumin Ibër që është akumulimi më i madh ujor në vend me kapacitet prej 390 milionë m3/ujë. Ky akumulacion ka rëndësi jetike jo vetëm për popullsinë e pjesës veriore të Kosovës, por edhe për sistemin energjetik dhe industrinë në përgjithësi. Akumulacioni u ndërtua në vitet 1979–1984, me qëllim të furnizimit me ujë të popullsisë dhe ujitjes së rreth 20.000 ha toke në Rrafshin e Kosovës dhe Drenicës. Funksionimi i termocentraleve dhe i kompleksit metalurgjik “Ferronikeli” nuk mund të imagjinohet pa resurset ujore. Përveç kësaj, nga Liqeni i Ujmanit furnizohen me ujë gjashtë komuna të Kosovës: Mitrovica, Skenderaj, Drenasi, Vushtrria, Obiliqi dhe Fushë Kosova, si edhe rreth 40% e popullsisë së Prishtinës.
Për shkak të pozitës kontinentale, Serbia në asnjë rrethanë nuk pajtohet të humbasë hekurudhën ndërkombëtare Beograd–Shkup–Selanik, e cila kalon përmes Bujanocit dhe Preshevës, autostradën Beograd–Selanik, bazën e re ushtarake të ndërtuar në jug të Bujanocit, si dhe territorin e komunës së Medvegjës.
Për ata që nuk e njohin kontekstin dhe veçantitë e hapësirës gjeografike të Luginës së Preshevës: nëse nuk do të merreshin hekurudha dhe autostrada, diskutimi për shkëmbimin e territoreve do të ishte i pakuptimtë. Për hekurudhën, Serbia dhe aleatët e saj do të zhvillonin një konflikt me përmasa jo vetëm ballkanike, por edhe evropiane, ndërsa ajo tashmë ka filluar projektin për modernizimin e linjës hekurudhore Beograd–Preshevë, me mbështetje financiare nga Rusia dhe Kina. Paralelisht me hekurudhën kalon autostrada moderne e cila ka rëndësi të madhe për Serbinë dhe për transportin e saj në Evropën Juglindore.
Ideja e Serbisë për të siguruar dalje në Detin Egje daton që nga gjysma e dytë e shekullit XIX. Kjo ide filloi me projektin për ndërtimin e kanalit Moravë-Vardar, për të cilin kishin shprehur interesimin disa kompani të njohura të kohës. Megjithatë, projekti dështoi për shkak të terrenit të ndërlikuar, pasi për hapjen e rrugës lundruese do të duhej të ndërtohej një sistem i tërë kaskadash për të kapërcyer diferencën hipsometrike prej 461 m. Një pengesë e madhe ka qenë dhe mbetet ujëndarësi ndërmjet Preshevës dhe Kumanovës, si dhe mungesa e mbështetjes financiare, krahas ndërhyrjes së Rusisë, e cila synonte të kishte sa më shumë ndikim në Ballkan.
Megjithatë, aspirata për dalje në det ishte e rrënjosur thellë në vetëdijen e serbëve të asaj kohe, siç vazhdojnë të jenë të pranishme edhe në Serbinë e sotme. Vetëm pak vite më parë, për ndërtimin e kanalit Moravë-Vardar këmbëngulnin presidenti i atëhershëm i Serbisë, Tomisllav Nikoliq, disa ministra të qeverisë së Serbisë si dhe ekspertë e analistë. Për këtë projekt, një kompani kineze e ka përgatitur së fundmi një studim fizibiliteti, i cili është bërë pjesë e dokumenteve planifikuese, çfarë janë planet hapësinore dhe dokumentet tjera të ngjashme.
“Korrigjimi” ose “ripërcaktimi” i kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e kthen Kosovën në fundin e viteve ’40 të shekullit të kaluar, kur Serbia, në bazë të ligjeve për ndarjen administrative-territoriale të periudhës 1947–1950 dhe në përputhje me Kushtetutën e Republikës Popullore të Serbisë të 17 janarit 1947, ia bashkëngjiti rrethit të Preshevës shtatë fshatra të Karadakut të Preshevës, të cilat deri atëherë i përkisnin rrethit të Gjilanit. Në të njëjtën mënyrë u veprua edhe me dy fshatra në Grykën e Konçulit, të cilat, para bashkëngjitjes me komunën e Bujanocit ndodheshin në Kosovë, nën administrimin e Ranillugut, në rrethin e Gjilanit, si edhe dy fshatra të Malësisë së Bujanocit, të cilat më parë i përkisnin rrethit të Kamenicës.
Deri në fund të viteve të ‘50 skema administrative-territoriale e Kosovës u ndryshua disa herë. Në fund të vitit 1959, Serbia e ndërmori një hap të ri drejt një organizimi territorial-administrativ “më të qëndrueshëm dhe më efikas”, i cili në të vërtetë kishte synim krijimin e një Kosove etnikisht më heterogjene, por edhe për arsye tjera. Më 25 nëntor të vitit 1959, Kuvendi Popullor i Serbisë e miratoi Ligjin për shfuqizimin e qarqeve në Kosovë, duke i zëvendësuar ato funksionalisht me komuna, numri i të cilave ishte gjithsej 28. Në periudhën 1966-1984, u suprimuan gjashtë komuna: Malisheva, Novobërda, Orllani, Shtërpca, Zubin Potoku dhe Zveçani.
Nga viti 1985 deri në vitin 1991, regjimi i S. Millosheviqit i krijoi me ligje të veçanta tetë komuna, të cilat kishin shumicë serbe ose pjesëmarrje të popullsisë serbe mbi 30%. ,Këto ishin: Fushë Kosova, Obiliqi, Novobërda, Shtërpca, Zveçani, Zubin Potoku dhe Shtimja, e cila në atë kohë kishte më pak serbë, ndërsa përjashtim bënte vetëm Malisheva, e cila kishte shumicë shqiptare.
Sipas dokumentit kornizë të UNMIK-ut të vitit 2005, deri në miratimin e Kushtetutës së epublikës së Kosovës,. në vitin 2008, u krijuan 3 njësi komunale pilot, të cilat u shndërruan në komuna në vitin 2008, me Ligjin për kufijtë administrativë. Këto janë: Hani i Elezit, Juniku dhe Mamusha. Ndërkohë, Plani i Ahtisaarit e zgjeron komunën ekzistuese të Novobërdës me vendbanime serbe, nga 16 në 24 sosh, dhe i krijon 5 komuna të reja, kryesisht me shumicë serbe: Graçanicën, Kllokotin, Ranillugun, Partesh-Pasjanin dhe Komunën e Mitrovicës së Veriut. Sipas versionit përfundimtar të Planit të Ahtisaarit, komunat e Mitrovicës së Veriut, Graçanicës dhe Shtërpcës fitojnë kompetenca të zgjeruara. Komunat e reja me shumicë serbe, si edhe ato të formuara më herët, janë të lidhura horizontalisht mes tyre, por problemi kryesor është se në praktikë ato kanë edhe lidhje vertikale me Beogradin, ndërsa Serbia vazhdon t’i instrumentalizojë serbët e Kosovës më shumë se kurrë më parë. Aktualisht Kosova i ka gjithsej 38 komuna.
Me 26 nëntor 1959, Serbia ia “dhuroi” Kosovës 197 km², pjesë të ish-rretheve të Rashkës, Kopaonikut, Dezhevës dhe Studeniçanit. Kjo sipërfaqe iu bashkua rrethit të Mitrovicës dhe, si tërësi, iu dha komunës së vogël të Leposaviqit, e cila tashmë ekzistonte në Kosovë, duke bërë që përbërja etnike e Kosovës të ndryshonte në masë të vogël. Prandaj, nuk qëndron teza se është bërë këmbim i territorit të Luginës me Leposaviqin.
Presheva dhe rrethina e saj deri në vitin 1912 kanë qenë kaza e Sanxhakut të Prishtinës në kuadër të Vilajetit të Kosovës, deri në vitin 1929 ka qenë nën administrimin serb, së bashku me Maqedoninë, kurse nga viti 1929 e deri në vitin 1941 ishte pjesë e Banovinës së Vardarit. Lugina e Preshevës dhe shqiptarët, si gjatë historisë ashtu edhe sot, kanë qenë të lidhur ngushtë me Luginën Kumanovë-Shkup dhe me shqiptarët e Maqedonisë, prandaj “korrigjimi” mekanik i kufirit sjell pasoja serioze sepse i “pret” këto lidhje dhe kontakte.
Hapësira prej 85 km² përveçse nuk ka ndonjë rëndësi të veçantë territoriale, ndodhet edhe në prag të shpopullimit, sidomos fshatrat e Karadakut, në të cilat në vitin 2022 jetonin vetëm 565 banorë, ndërsa sot numri i tyre është reduktuar në vetëm disa dhjetëra. Moszhvillimi ekonomik dhe infrastrukturor, si dhe rritja e presionit të hapur ushtarak e kanë detyruar popullsinë e këtyre fshatrave të shpërngulet drejt Kosovës dhe vendbanimeve fushore në Luginë.
Skenari tjetër i “shkëmbimit” të territoreve do të kishte si kufi hekurudhën. Sipas këtij skenari, Kosovës do t’i bashkëngjitej një varg i tërë fshatrash që ndodhen rrëzë shpateve lindore të Karadakut, nga fshati Miratoc në jug e deri te fshati Lluçan në veri. Në “pjesën serbe”, sipas këtij skenari, do të mbetej edhe qyteti i Bujanocit, i cili shtrihet përgjatë autostradës që kalon paralel me hekurudhën ku sot jetojnë rreth 35% shqiptarë, rreth 30% serbë, si edhe rreth 30% romë e të tjerë. Edhe sipas këtij skenari, pala shqiptare do të ishte humbëse, pasi më shumë se gjysma e territorit do të mbetej jashtë realitetit të ri politiko-territorial, por edhe më keq, jashtë kësaj hapësire do të mbeteshin 10 fshatra shqiptare që ndodhen përtej hekurudhës.
Serbia vështirë se do të pranonte që kufiri të kalonte ngjitur me hekurudhën, por vetëm disa kilometra larg saj. Nga qyteti i Preshevës deri te hekurudha ka 4,5 km, ndërsa “rregullat” e lojës thonë se kufiri duhet të jetë të paktën 3 km larg hekurudhës, në drejtim të qytetit dhe disa vendbanimeve shqiptare që shtrihen përgjatë hekurudhës, në brezin nga Miratoci deri në Lluçan.
Pra, territori deri në këtë vijë përfshin një sipërfaqe prej rreth 300 km². Në këtë rast, meqë hekurudha kalon poshtë Karadakut, fshatrat shqiptare të Luginës që do t’i “bashkëngjiteshin” Kosovës do të mbeteshin pothuajse pa tokë pjellore dhe livadhe cilësore. Nëse hekurudha do të shërbente si kufi, atëherë në Serbi do të mbeteshin përgjithmonë 10 fshatra shqiptare, 7 prej të cilave gjenden në shpatet e malit Rujan, kurse 3 në rrafshin e Moravicës. Po ku do të mbetej qyteti i Preshevës? Shkatërrimi i tërësisë territoriale të Luginës do të ishte në të vërtet fundi i saj. Nga ana tjetër, Lugina do të ruhej si entitet territorial-politik vetëm nëse Kosova funksionon si shtet në gjithë territorin e saj.
Komuna e Medvegjës, e cila lidhet me rajonin e Gallapit në Kosovë, është një rast i veçantë, sepse atje numri i shqiptarëve është reduktuar në minimum. Sipas të dhënave të regjistrimit të vitit 2022 nga 2066 banorë, sa ishin evidentuar në qytezën e Medvegjës, vetëm 285 ishin shqiptarë.
Serbia ndoshta do të ishte e gatshme të jepte edhe qytetin e Preshevës, sepse sot aty nuk ka më shumë se njëqind serbë, të shpërndarë nëpër tërë qytetin, ndërsa qyteti është i pazhvilluar ekonomikisht e industrialisht. Por, Presheva nuk është e gjithë Lugina. Lugina është një territor shumë më i madh, si me sipërfaqe ashtu edhe me numër të banorëve. Çfarëdo që të jetë madhësia popullative-territoriale e pjesës së mbetur, brenda disa viteve ajo do të “shuhet” në aspektin biologjik dhe demografik, për shkak të emigrimit intensiv.
Edhe nëse do të ndodhte shkëmbimi i Luginës së Preshevës me veriun e Kosovës, duke përfshirë hekurudhën dhe autostradën, me ç’rast shqiptarët do të kishin përfitim maksimal, përsëri fituesja e madhe do të ishte Serbia, duke qenë se veriu i Kosovës ka pasuri të mëdha minerare dhe ujore. Madje, Kosova do të ishte humbëse edhe përnga hapësira territoriale, sepse zona mbi Ibër ka një sipërfaqe prej 1.002 km², ndërsa Lugina e Preshevës me brezin shqiptar ka një sipërfaqe prej 434,6 km².
Ish-presidenti i Kosovës H. Thaçi, në korrik–gusht të vitit 2018, kërkonte referendum për “marrjen” e Luginës së Preshevës, kërkesë kjo që ishte konceptualisht konfuze dhe e dëmshme. Në Luginë të Preshevës më 1-2 mars 1992 ishte mbajtur një referendum dhe shqiptarët e kishin shprehur vullnetin e tyre për bashkimin e Luginës me Kosovën. Në anën tjetër, me Kushtetutën e Republikës së Kosovës nuk lejohet referendumi, ndarje, ndryshimet territoriale dhe bashkimi me një shtet tjetër. Ndarja dhe bashkimi ndalohen gjithashtu me vendimet e Grupit të Kontaktit dhe të OKB-së.
Prishtina zyrtare nuk e ngriti fare çështjen e shqiptarëve në Luginë t Preshevës dhe nuk kërkoi “bashkimin” e Luginës me Kosovën, as në negociatat e Vjenës 2005–2007 dhe as në ato të Brukselit 2013–2015. Madje, gjatë dialogut për normalizim të raporteve mes Kosovës e Serbisë, nuk u kërkua qshqiptarët në Luginë të Preshevës të kenë të drejta të barabarta me serbët në Kosovë. Shqiptarët e Luginës, të cilët u larguan pas konfliktit të viteve 2000–2001 nga frika e persekutimit, ende kanë probleme me dokumentacionin për leje qëndrim dhe dokumente identifikimi, ndërkaq qeveria e Serbisë i ka fshirë dhe vazhdon t’i fshijë nga regjistrat e gjendjes civile dhe nga listat e votuesve në Luginë, nëpërmjet procesit “administrativo-teknik” të pasivizimit të adresave.
Komunat e Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut, së bashku me Mitrovicën e Veriut, janë pjesë e Planit të Ahtisaarit, të miratuar nga Parlamenti i Kosovës. Ky plan është inkorporuar plotësisht në Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Këto komuna kanë sipërfaqe më shumë se dhjetë herë më të madhe se 11 fshatrat që i ishin “dhuruar” Luginës në fund të viteve ’40. Sipas një deklarate të ish-kryeministrit të Kosovës R. Haradinaj, Serbia ka kërkuar pjesë në “Trepçë” dhe në zonat me resurse të mëdha të plumbit, zinkut dhe mineraleve tjera. Në këtë kontekst, nuk dihet “pazari” rreth statusit të Liqenit të Ujmanit pa të cilin nuk mund të funksionojë sistemi energjetik dhe industrial, furnizimi me ujë i popullsisë dhe ujitja e tokave bujqësore në fushën e Kosovës dhe Drenicës.
Nga të gjitha shqyrtimet analitiko-shkencore lidhur me idenë e “korrigjimit” të kufijve rrjedh konkluzioni se, në të gjitha opsionet, Serbia do të ishte fituese e madhe, ndërsa Kosova dhe Lugina e Preshevës do të dilnin humbëse të mëdha. Arritja më e rëndësishme e këtij shekulli është çlirimi, pavarësia dhe ruajtja e integritetit territorial të Kosovës brenda kufijve ekzistues, me sipërfaqe prej 10.905 km². Humbja e territorit të Luginës së Preshevës është skenari më i keq i mundshëm, ashtu si edhe ndarja e veriut të Kosovës, hapësirës së pasur me resurse minerare dhe ujore.
“Korrigjim” i kufijve sot nënkupton “bashkimin” me Kosovën e pjesëve të marra nga Lugina e Preshevës. Pjesa tjetër, më e madhe me popullsi, me resurse dhe me objekte të mëdha infrastrukturore ku bëjnë pjesë hekurudha dhe autostrada do t’i takonte Serbisë. Me ndryshimin e madhësisë territoriale dhe formës së shtetit të Kosovës do të hapej mundësia e tërheqjes së njohjeve nga disa shtete me të cilat Serbia ka tradicionalisht marrëdhënie të mira bashkëpunimi, Kështu do të rihapej edhe çështja e pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës. Pra, Kosova si shtet i pavarur, sovran dhe multietnik, si projekt amerikan i mbështetur nga BE-ja, vështirë se do të mund të ekzistonte: do të shpërbëhej.
Pas idesë së “korrigjimit” të kufijve dhe “bashkimit” të Luginës së Preshevës me Kosovën mund të fshihen edhe skenarë të tjerë të rrezikshëm, si bashkimi i veriut të Kosovës me Serbinë, një asociacion i komunave me shumicë serbe me kompetenca ekzekutive, një autonomi territoriale-politike për serbët në veri të Kosovës, kompetenca të zgjeruara për komunat e Graçanicës, Shtërpcës dhe Mitrovicës së Veriut, “eksterritorialitet” dhe “zgjerim të territoreve” rreth kishave dhe manastireve ortodokse serbe, etj.
Dhe në fund, si konkludim: korrigjimi i padrejtësive historike nuk mund të realizohet pa dhunë, spastrim etnik dhe luftëra të përgjakshme. Hisotrikisht, shqiptarët kanë pësuar më së shumti nga “vizatimi” e kufijve në Ballkan. Kjo është provuar edhe gjatë viteve ’90 të shekullit XX.
Projekti për ndarjen e Kosovës është një ide e vjetër serbe e cila është plasuar për herë të parë në fund të viteve të ’60 nga shkrimtari dhe ideologu Dobrica Qosiq. Versione të ndryshme të këtij projekti janë zbërthyer në nivele të larta politike, intelektuale dhe akademike të Serbisë në fund të shekullit XX dhe në fillim të shekullit XXI.
Diskursi për ndarjen e Kosovës dhe copëtimin e Luginës së Preshevës, i cili u zhvillua në mënyrë shumë jotransparente përmes formulimit “korrigjim” i kufijve” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është nuk është tjetër veçse eufemizëm i projektit për ndarjen dhe copëtimin e Kosovës. Ky projekt nënkupton zhbërjen e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran, i pranuar nga rreth 120 shtete.

(Version i shkurtuar i kumtesës “Veriu i Kosovës dhe Lugina e Preshevës – dy nyje nevralgjike gjeopolitike në Ballkansë” paraqitur në konferencën shkencore “Ndryshimet gjeopolitike dhe sfidat për shtetin e Kosovës” të mbajtur në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës më 10 qershor 2026).