Albspirit

Media/News/Publishing

Bislim Ahmetaj: “Dua ta vras babain!” — Pse bijtë kundër etërve?

“Dua ta vras babain”!

Kjo është një “britmë” e njohur që del nga gjoksi i adoleshentëve në prag të moshës së lirisë.

Tema e konfliktit mes birit dhe babait është trajtuar nga shumë shkrimtarë të mëdhenj botërorë, shpesh si simbol i përplasjes së brezave, autoritetit, identitetit dhe fatit njerëzor.

Në letërsinë antike, Sofokliu e trajton këtë temë në tragjedinë “Edipi Mbret”, ku marrëdhënia mes birit dhe babait merr përmasa tragjike dhe fatale.

Shekspiri, tė “Hamleti” dhe “Mbreti Lir”, eksploron konfliktet familjare, trashëgiminë dhe përplasjen mes autoritetit prindëror dhe revoltës së fëmijëve.

Dostojevski e vendos këtë temë në qendër të romanit “Vëllezërit Karamazov”, ku marrëdhënia e tensionuar me atin bëhet burim krimi, urrejtjeje dhe kërkimi shpirtëror.

Franz Kafka, në “Letër Babait”, jep një nga dëshmitë më të fuqishme personale mbi frikën dhe shtypjen që mund të krijojë figura atërore. Turgeniev, në romanin “Etër dhe Bij”, trajton konfliktin ideologjik mes brezit të vjetër dhe të riut revolucionar.

Ndërsa në letërsinë moderne, autorë si Albert Camus apo James Joyce kanë prekur, në mënyra të ndryshme, krizën e identitetit dhe raportin e ndërlikuar me figurën e babait.

Kjo temë mbetet universale sepse prek marrëdhënien më themelore njerëzore: përplasjen mes trashëgimisë dhe dëshirës për liri.

Kjo ndodh në familje, sepse marrëdhënia atë-bir është marrëdhënie fati dhe jo zgjedhjeje. As babai dhe aq më pak biri nuk kanë mundësi të zgjedhin modelin më të përsosur të asaj që projektojnë për njëri-tjetrin.

Ajo që ata kanë të përbashkët është gjeni dhe fati.

Nuk zgjidhet as babai dhe as biri me votë.

Siç nuk mund të ndryshohet me votë kjo përplasje vullnetesh.

Ajo është mishërim i vullnetit të Zotit, i marrëdhënies mes prindërve dhe i kushteve sociale, ekonomike e politike në të cilat zhvillohen marrëdhëniet e tyre.

Por tema e këtij shkrimi është tjetërkund…

Gjenerata “Z” në Shqipëri, pikërisht atëherë kur shpresa e brezit tonë tek ajo, pothuajse ishte bjerrur, në kohën kur paragjykimi ynë kishte arritur kulmin, mbushi me shpresë, entuziazëm dhe besim — si kurrë më parë në këto 35 vite — Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, rrugët dhe sheshet e Shqipërisë dhe botës.

Sikur të donte të dëshmonte se jo vetëm ekziston, por është plotësisht e ndërgjegjshme, e motivuar dhe e gatshme të ndryshojë jo vetëm opinionin e krijuar për të, por edhe realitetin mbytës dhe alarmant ku është zhytur vendi.

Një realitet i krijuar veçanërisht nga qeverisja autokratike e sektit të “Rilindjes”, trashëgimtare e pushtetit të etërve politikë, por edhe nga gjithë periudha postdiktatoriale dhe tranzicioni i stërgjatë e i dhimbshëm shqiptar.

Pse ndodhi kjo?

Nëse prindin nuk e zgjedh dot me votë, sepse ai është zgjedhje e Zotit dhe e fatit, kryeplakun, kryetarin e komunës apo bashkisë, deputetin, kryetarin e partisë dhe kryeministrin i zgjedh me votë dhe i ndryshon po me votë.

Të paktën ky ishte sistemi që shqiptarët zgjodhën pas Lëvizjes Studentore të Dhjetorit ’90: një Republikë Parlamentare me pushtete të balancuara, ku të gjitha pushtetet e kanë burimin tek vota e lirë e qytetarëve.

🔹️Ku ndodhi devijimi?

Sipas mendimit tim, devijimi nisi atëherë kur ustallarët e nëndheshëm të pushtetit të parasë vendosën kontrollin mbi monopolin e zgjedhjes së kryetarëve të partive.

Partia Socialiste praktikisht nuk zhvillon zgjedhje reale, sidomos pas ardhjes së Edi Ramës në krye të saj.

Partia Demokratike e ka zgjedhur kryetarin shpesh përmes farsave elektorale.

Mjafton të kujtojmë mënyrën se si u imponua Lulzim Basha dhe raportin e tij të sotëm me politikën për të kuptuar sa formale dhe të pavërteta kanë qenë ato votime.

Ndërsa partitë e vogla, nën shembullin e Partisë Socialiste, pothuajse nuk e përdorin fare instrumentin e votës për zgjedhjen e kryetarit.

Kjo ka krijuar një marrëdhënie aspak etike dhe aspak statutore mes kryetarëve dhe anëtarëve të partive.

Kryetari sillet si “babai” i partisë, ndërsa anëtarët trajtohen si fëmijët e tij.

Kjo gjendje, zgjoj brezin “z” dhe lindi revoltën qytetare.

Kjo shpjegon, pak a shumë, edhe shpërthimin e revoltës popullore të rinisë shqiptare, e cila nisi si reagim ndaj mungesës së transparencës për një investim hipotetik në Zvërnec dhe tashmë ka marrë përmasat e një revolte kombëtare kundër autokracisë, korrupsionit, përdorimit të pasurisë kombëtare për interesa private, si dhe lidhjes së politikës me krimin dhe baronët e drogës.

Është një revoltë që kërkon të ndahet njëherë e mirë nga ky tranzicion i gjatë dhe i mundimshëm.

Një revoltë që kërkon t’u tregojë vendin të gjithë atyre që kanë kontribuar në degradimin e shoqërisë shqiptare deri në limitet dramatike të shpërbërjes së saj.

Kjo është koha kur bijtë dhe bijat duhet të marrin në duart e tyre fatet e Atdheut dhe të bëhen zotër të tij — për të sotmen dhe për një të ardhme më të mirë, më të sigurt dhe më të drejtë.