Delo Isufi: Shqiponja Pazaj-Veshaj dhe libri “Shteg i heshtur”
Dy ese nga Delo Isufi për poeten Shqiponja Pazaj-Veshaj
Thonë se çdo poet mban brenda vetes një vend të shenjtë, vendin ku ka hapur sytë për të parë, ku ka dëgjuar erën që flet me malet dhe ku zemra ka mësuar gjuhën e emocioneve. Kjo është vendlindja. Dhe shpeshherë, aty fillon edhe poezia.
Është kënaqësi e veçantë që edhe unë të them dy fjalë për Shqiponjën duke u përqendruar tek poetja dhe vendlindja e saj.
Libri me poezi i titulluar “Shteg i heshtur” i poetes Shqiponja Pazaj-Veshaj flet aq shumë sa heshtja në mënyrë figurative kuvendon me njerëzit, me fshatin, fushat, malet e ngjitet lart në re ku muza poetike shpërthen vrullësh e përqafon të gjitha bukuritë.
Në jetën e çdo njeriu ekziston një vend që nuk zëvendësohet kurrë. Është vendi ku ai ka hedhur hapat e parë, ku ka dëgjuar zërin e natyrës dhe ku kujtimet kanë marrë formën e tyre fillestare. Ajo është rrënja që e lidh njeriun me tokën, me historinë dhe me shpirtin e tij.
Për poeten, vendlindja është edhe më shumë. Ajo është burimi i parë i frymëzimit. Është vendi ku lind ndjenja, ku formohet fjala dhe ku shpirti mëson të dëgjojë zërin e botës që e rrethon. Nuk është rastësi që shumë nga poetët dhe shkrimtarët e mëdhenj të botës kanë folur me dashuri të thellë për vendin ku janë lindur.
Shkrimtari i madh rus Lev Tolstoi shprehej se “Pa dashurinë për vendlindjen, njeriu është si një pemë pa rrënjë”. Ndërsa poeti anglez William Wordsworth e shihte vendlindjen si burimin e kujtimeve dhe të ndjenjave më të pastra të njeriut.
Kjo lidhje e thellë me vendlindjen gjen jehonë edhe në krijimtarinë e poetes së re Shqiponja Pazaj. Në vëllimin e saj poetik, ajo kthehet me mall dhe dashuri te vendi ku është rritur, te fshati Vranisht, një fshat me histori, tradita dhe një natyrë të bukur malore që ka ushqyer shpirtin e shumë brezave.
Si fletët e vjetra të një libri të harruar,
Një mur i grisur qëndron përballë,
Koha me penë mbi pluhur ka shkruar,
Gjurmë kujtimesh, ëndrra dhe mall!
Poetja, e lindur në Vranisht që në fëmijërinë e saj, nga prindërit, gjyshërit dhe te moshuarit, duke dëgjuar historitë e të parëve, u rrit dhe u edukua me ndjenjën e së bukurës, madhështitë e natyrës së Vranishtit, të këtij fshati të lashtë, mbi 3000 vjeçar, ku Guri me Qiell apo Sofra e Zotit, në kujtesën e saj të fëmijërisë, mblidhen perenditë e ushqehen me nektar. Dhe, këtë nektar, poetja na e ka dhënë edhe në librin që sot kemi në duar. Këtë dashuri për vendlindjen, poetja e perkund furishëm në vargjet:
Aty në vendlindje furishëm dëshirën përkund,
Të ngre në piedestal çdo gjë të mirë që është atje,
Në gjurmët e të parëve të eci pa fund,
Të prek çdo gur e grusht me dhe.
Në poezitë e Shqiponjës, Vranishti shfaqet si një peizazh shpirtëror. Në vargjet e poetes janë malet që qëndrojnë si rojtarë të kujtesës së kohës, ndihen rrugicat e fshatit ku ka hedhur hapat e fëmijërisë, dhe mbi të gjitha aty janë njerëzit e thjeshtë e të urtë që mbajnë gjallë traditën dhe shpirtin e kësaj treve.
Poetja e sjell vendlindjen e saj në poezi me një ndjenjë të thellë mirënjohjeje dhe dashurie. Ajo e shndërron atë në kujtim, në mall, në këngë dhe në identitet. Përmes vargjeve të saj, vendlindja bëhet një botë emocionesh ku ndërthuren natyra, historia dhe ndjenja njerëzore.
Të shohë matanë ku grykat thyhen,
Aty ku renë e mugët patëm vrarë,
Dremit ky malli im e lotët bien,
Nga to fillon e çel një rrap i tharë.
Vargu i poetes lodron në fusha e lugina, herë- herë ngitet lart në re e bashkë me to, kthehet në buqeta lulebore me aromë trëndeline.
Ashtu siç thotë edhe i madhi Lasgush Poradeci: “Vendlindja është një burim i pashtershëm kujtimesh, ku shpirti kthehet gjithmonë për të pirë ujë”.
Edhe kur jeta e çon larg poetin, zemra mbetet e lidhur me tokën ku je lindur. Vendlindja është ajo dritë e qetë që nuk shuhet kurrë në shpirt.
“Mund të udhëtosh në gjithë botën,- thotë Pablo Neruda- por zemra gjithmonë njeh rrugën për në vendin ku ke lindur”.
Prandaj, kur lexojmë poezinë e Shqiponja Pazaj, ne nuk lexojmë vetëm vargje. Ne ndiejmë frymën e një vendi, aromën e maleve dhe kujtesën e brezave. Ne ndiejmë dashurinë e thellë për vendlindjen e saj, për Vranishtin.
Dhe ndoshta kjo është edhe bukuria më e madhe e poezisë: ajo i jep zë kujtesës, i jep dritë vendlindjes dhe e bën atë të jetojë përgjithmonë në vargje.
Unë qëndrova vetëm tek lidhja e poetes me vendlindjen, ndërkohë që i gjithë vargëzimi në këtë libër është si një ylber që qarkon jo vetëm vendlindjen, Lumin e Vlorës, por edhe më gjerë. Poezitë e saj janë plot dritë, të thurura bukur e melodioze, janë të freskëta, janë këngë kujtese kundër harresës, janë këngë dashurie e malli, janë lule mijëragjyrëshe.
Pra, në vargjet e Shqiponja Pazaj-Veshaj jeton vendlindja, jeton kujtesa dhe dashuria për tokën ku ajo u lind.
Duke përfunduar dua të falënderoj Prof. dr. Bardhosh Gaçen për fjalët e tij në hyrje të këtij libri.
Le ta urojmë poeten që ky “Shteg i heshtur” të bëhet një udhë e gjatë dhe e ndritur në letërsinë tonë.
***
Delo Isufi: SHQIPONJA PAZAJ DHE FRYMËZIMI I SAJ ME BUKURI SHPIRTËRORE
Duke lexuar poezitë e Shqiponja Pazaj Veshaj, të duket vetja sikur je para një tabloje muzikore, ku tingujt, ritmi, melodia, emocionet bashkohen për të krijuar një pikturë me zë. Vargjet e saj janë plot rimë e bukuri shpirtërore, aty muza poetike lodron lirshëm, herë-herë me vrull në çaste gëzimi dhe, kur dhimbja sëmbon, vargu kthehet në lot e përsëri vadit vargun si në poezinë “Masakra e Vranishtit”.
Këtu, ngjarjet dhe episodet poetja i trajton si një kundërshtim, duke e veshur vargun me një diskurs të kujtesës historike dhe identitetit kombëtar. Fjala poetike revoltohet si një akt etik kundër harresës. Poezia e saj është një ndërthurje e veçantë mes epikës tradicionale dhe ndjeshmërisë lirike të kohës.
Vargjet e poetes përshkojnë një dialog të hapur me historinë dhe kujtesën kolektive. Brenda këtij konteksti Shqiponja shfaqet si një zë që e artikulon dhimbjen historike jo si narrative retrospective, por si një përvojë etike aktive. Në vargjet e poetes ndërthuren kujtesa, historia, miti, epika, lirizm,i ku figuracioni ndrit si filigram në krijimtarinë e saj. Poetja dialogon me personazhet, me historinë, me ndërgjegjen, me kujtesën, me natyrën, me vargun.
E veçantë është poezia “Masakra e Vranishtit” . Kjo poezi ndërtohet si një elegji kolektive. Metafora e errësimit kozmik dhe figura arketipale e nënës e zhvendosin ngjarjen në nivele mistike. Kujtesa këtu nuk ështe pasive por thirrje kundër harresës. Kësaj poezie i japin më shumë dritë metaforat dhe simbolikat. “Qielli zymtak u derdh mbi ty”- metaforë kozmike që shpreh jo vetëm errësirën e natyrës por rënien e fatit historik mbi një vend të pafajshëm.
“Një lot që s’thahet kurrë”-simboli i përjetshëm i dhimbjes kolektive. “Nëna Safo-zeza” simbol i nënës shqiptare që mbledh gjakun e bijve të saj dhe i bën flamur. Ashtu si “bora “-simbol i ftohtësisë së vdekjes dhe heshtjes historike apo “kali”- metaforë e rrugës së martirizimit dhe epopesë tragjike. Në këtë poezi figurat letrare si :” dhimbja më ther”, “jeta digjej”. “koha në flamur” apo antitezat jetë-vdekje,, shpresë-zi etj, përcjellin jetë tek lexuesi. Këtu poezia pohon se vdekja fizike nuk e shuam jetën historike.
Në këto frymëzime Shqiponja merr mbi vete misionin e penës si ilaç, duke e kthyer poezinë në akt shërimi kombëtar. Duke lexuar poezinë “Kthimi i kapedanit”, poetja heroin na e sjell këtu midis nesh. Pra, heroi nuk vdes kurrë, ai kthehet sa herë kombi ka nevojuë për ‘të. Poezia ka karakter epoko-mitik. Tema është ringjallja simbolike e heroit, kthimi i tij në ndërgjegjen kombëtare. Metaforat e përorura në këtë poezi si “Toka u drodh kur dëgjoi emrin tënd”- heroi bëhet force natyrore, “Malet si mburojë”-simbol i bashkmit të heroit me atdheun, “Shkallët e qiellit”- mitizimi i figures së Çerçzit, ngrijtje në panteon.
Poetja, në poezinë “Në qiell të pash” flet për mendimin filozofik dhe kulturor mbi pavdekësinë e gjeniut ku: simbolika “vjeshtë”-koha e reflektimit apo “Varri”- jo fund, por portë, “froni i qiellit”- panteoni i pavdekësisë shpirtërore. Edhe këtu forca morale e e trashëgimisë kulturore shprehet me “shpresa bëhet hekur” apo “gjuha shipe”- tempulli ke jetoi Naimi. Naimi në këtë poezi është shtyllë ontologjike e identitetit kombëtar. Kuptohet poetesha me poezinë “Çarshia e ëndrrave“ e trajton dashurinë si një dimension oriental-mitik, ku realiteti dhe ëndrra flenë bashkë dhe shkrihen në një të vetme.Këtu realja dhe imagjinaira here janë “kaftani”- simboli i mbrojtjes emocionale dhe here “shiu i ëndrrave “- dashuria e paarrirë. Në këtë poezi shprehet qart se dashuria është bukuri shpirtërore që mbijeton në kujtesë.
Teamtika e gjerë dhe e larmishme e vargut të Shqiponjës të befason me figurat letrare dhe teamtikat e trajtuara, ku me art i ka ngritur në piedestalin e kohës. Poetja kur shkruan për Fan Nolin, ajo e përshkruan si “dielli i paperënduar”- pra, i pavdekshëm. Në refrenin kënga labe përfaqëson idenitetin popullor më të fort se liturgjia dhe, mesazhi i poetes është se kombi nuk duhet t’i harrojë dhe humbas kurrë bijtë e tij të medhenj, duke lakur tutje mungesën e pjekurisë historike.
Qershia mbi tortë është poezia kushtuar rapsodit Mato Hasanit, lisit që rri mbi erë. Këtu simbolika “lisi”- është forca, rrënja, pavdekësia. Dhe, ndonëse vitet ikin por vargjet dhe këngët mbeten, ato trashëgohen brez pas brezi.
Që të flasësh për poezitë e Shqiponja Pazaj Veshaj është disi e vështirë pasi poetja në vargjet e saj ka figura letrare tepër interesante. Ajo vargun e ndërton në një univers epiko-lirik. Poezia e saj ka histori, mit, dashuri, dhimbje, art, melodi, rimë dhe ritëm. Gjuha e përdorur është e pastër. Ndoshta po t’i lexosh e rilexosh disa herë vargjet e saj gjenë frymë epike Labërie. Në vargjet e saj gjenë ndërthurrje të lirikës së vetmuar e kolektive. Poezia e Shqiponjës ështe akt kujtese dhe shërimi, është rezistencë kundër harresës. Poetja shndërrin dhimbjen në kujtesë dhe kujtesën në respekt dhe nderim. Ajo me vargjet e saj nuk pranon heshtjen, nuk pajtohet me padrejtësitë historike. Poetja, me një gjuhë të ëmbël metaforike, me frymë epike dhe ndjeshmëri lirike ndërton një univers ku vargun e kthen në këngë dhe monument shprese.
Poezia e Shqopnjës ndërtohet mbi tri shtylla kryesore: Kujtesën historike, lirikën shpirtërore dhe gjuhën e pasur metaforike, ku të gjitha së bashku mbartin frymën epiko lirike përmes ndjeshmërisë moderne të vargëzimit melodioz.
Dhjetor 2025.