Çapajev Gjokutaj: Të lexosh apo të shkruash?
Ka të ngjarë që dilemë e ditëve tona nuk është më të flasësh apo të heshtësh, vendin ia ka zenë: të lexosh apo të shkruash.
Dikur njeriu thuajse vetvetiu vinte të parin leximin dhe pastaj shkrimin. Ndodhte kështu edhe ngaqë të shkruaje ishte shpesh me kosto të lartë, harxhoje shumë kohë po mundësisa që të kishe lexues ishte tej mase e paktë, duhet t’i pëlqeje redaktorit dhe pastaj ta shihje kontributin tënd në gazetë a, ëndërr mbi ëndrrat, në libër.
Sot mendimin e parë që të vjen në kokë, qoftë shkëndi talenti, qoftë bëlbëzim gagaçi intelektual, e shkruan në fejsbuk a në rrjete të tjera sociale dhe tak fak, me një klik ia nis njerëzisë.
Teknologjia ka bërë të mundur që, në një shumicë rastesh shkrimi të jetë më i lehtë e më i pëtdorur sesa leximi. Po çfarë fitojmë e çfarë humbasim nga kjo përmbysje?
Leximi ka qenë dhe mbetet akt i brendshëm, i ngadalshëm, vetvetiu kërkon respekt për mendimin e tjetrit. Është një ushtrim modestie: të pranosh se dikush tjetër ka diçka për të thënë dhe ti duhet ta ndjekësh me kureshtje e durim.
Shkrimi i sotëm në rrjetet sociale, përkundrazi, është akt i dukshëm, performancë publike. Ai është i lidhur me praninë, me dëshirën për të lënë gjurmë, me kënaqësinë e reagimeve të menjëhershme.
Në garën mes leximit dhe shkrimit duket se përditë e më shumë po zgjedhim shkrimin: të gjithë duan të shkruajnë, pak duan të lexojnë. Teksti po priret të mos jetë më dialog, por një mori monologësh që kërkojnë klikime e pëlqime. Leximi, i braktisur nga masa e përdoruesve, po kthehet në një praktikë të fshehtë, një kult i vogël i atyre që ende besojnë se kuptimi lind nga përqendrimi.
Dilema “të lexosh apo të shkruash?” është edhe dilemë mes thellësisë dhe dukshmërisë. Leximi të zhyt, shkrimi të ekspozon. Leximi të bën të mendosh, shkrimi të bën të dukesh. Dhe ndoshta, si në mesjetë, leximi do të mbijetojë si privilegj i një pakice të zgjedhurish, kurse shkrimi do të mbetet rit i përditshëm i shumicës.
Në fund të fundit pyetja nuk është vetëm praktike, por ekzistenciale: a duam të jemi lexues të botës apo vetëm shkrues të vetes?