Albspirit

Media/News/Publishing

Çdo libër është një akt rezistence: të zgjedhësh faqen e shkruar mbi heshtjen

Irma Kurti interviston shkrimtaren bestseller Laura Restrepo

LAURA RESTREPO është një shkrimtare, gazetare dhe aktiviste politike kolumbiane e lindur në Bogota në vitin 1950. Ajo ka shkruar shumë romane të vlerësuara me çmime dhe ka përvojë në aktivitetin politik: është  përfshirë në lëvizjet e krahut të majtë në Spanjë dhe Argjentinë dhe më vonë ka shërbyer në Komisionin e Paqes të Kolumbisë në vitin 1984. Vepra e saj shpesh eksploron temat e konfliktit politik dhe padrejtësisë sociale, duke u mbështetur në përvojat e saj si gazetare dhe aktiviste. Laura ka shkruar shumë romane bestseller dhe që kanë fituar çmime, siç janë: Leopard in the Sun (Leopardi në  diell), The Angel of Galilea (Engjëlli i Galilesë) dhe Delirium (Deliri). Librat e saj janë përkthyer në mbi njëzet gjuhë.

Ju jeni një autore kolumbiane e njohur dhe e suksesshme, me libra të përkthyer në më shumë se njëzet gjuhë. Cili mendoni se është çelësi i suksesit tuaj?

Nëse ka një çelës, besoj se ai qëndron te ndershmëria. Mundohem të shkruaj me zemër të pastër, duke besuar se e vërteta emocionale e një historie mund të kalojë kufijtë më lehtë se çdo pasaportë. Lexuesit e kuptojnë kur faqja mbart diçka të gjallë – një puls, një konflikt, një mall. Suksesi, kur vjen, është thjesht momenti kur një zemër thërret dhe një tjetër zemër përgjigjet.

Kur e kuptuat se të shkruarit do të bëhej pjesë integrale e jetës suaj?

Të shkruarit erdhi përpara të kuptuarit. Qysh në fëmijëri, ndieva se fjalët ishin një strehë ku unë  mund të jetoja lirisht. Më vonë në jetë, kuptova se rrëfimi i historive nuk ishte një zgjedhje, por një fat, për t’i dhënë kuptim kaosit dhe për ta transformuar kujtesën në kuptim.

Gjatë aktivitetit tuaj politik, keni përjetuar kërcënime që ju detyruan të  largoheshit për gjashtë vjet në mërgim. Si e ka formësuar kjo stilin tuaj?

Mërgimi lë një çarje në shpirt përmes së cilës mund të hyjnë si dhimbja ashtu edhe qartësia. Të qenit larg Kolumbisë e mprehi kuptimin tim për bukurinë dhe plagët e saj. Distanca më dha perspektivën për të shkruar për atë që dhemb, duke e dashur atë thellësisht. Librat e mi lindin nga ajo çarje ku humbja përballet me shpresën.

Si ndërthuren aktiviteti juaj politik dhe përvoja personale?

Politika nuk është e ndarë nga jeta; është historia kolektive në të cilën të gjithë marrim pjesë. Marrja pjesë aktive e imja në politikë nuk është  kurrë  teorike, ajo erdhi nga dëshmia e drejtpërdrejtë e padrejtësisë. Pra, kur shkruaj, unë nuk shkruaj për politikën, por për njerëzit që jetojnë përmes realiteteve politike: frikës, guximit, dashurisë, qëndrueshmërisë. Personalja është gjithmonë politike.

A është e vështirë për një shkrimtare ta arrijë suksesin?

Po, megjithatë ne këmbëngulim. Gratë shpesh duhet të përpiqen dy herë më shumë që  t’u dëgjohet zëri. Por unë besoj se letërsia është bërë skena ku gratë rishkruajnë rrëfimin e pushtetit. Çdo vepër e botuar nga një grua është një fitore personale ashtu si edhe një hap kolektiv përpara.

Historitë tuaja e kanë zanafillën në Kolumbi. A janë ende të rëndësishme çështjet sociale ose politike që ju eksploroni sot?

Kolumbia është vend i kontradiktave, dhunës dhe butësisë, tragjedisë dhe rilindjes. Mjerisht, shumë nga plagët që trajtoj mbeten të hapura: pabarazia, konflikti dhe migrimi i detyruar. Por ka edhe progres, qëndrueshmëri dhe një uri të thellë për paqe. Shkrimet e mia përpiqen të përfshijnë të dyja: errësirën dhe flakën që refuzon të shuhet.

A e konsideroni veten me fat, apo suksesi është veçse rezultat i punës së palodhur?

Unë mendoj se fati dhe përpjekja janë bashkëshoqërues. Puna e palodhur të hap derën, por fati vendos nëse dikush po të pret në anën tjetër. I jam mirënjohëse çdo lexuesi që ka mirëpritur historitë e mia në jetën e tij, një bekim që s’mund ta konsideroja kurrë vetëm fryt të punës.

Cilat janë disa nga sfidat që keni hasur në rrugën tuaj letrare?

Dyshimi është një mik besnik gjithmonë i afërt, që të pëshpërit se historia nuk është aq e fuqishme ose zëri nuk është i denjë për t’u dëgjuar. Ka patur raste kur frika pothuajse më ka bërë të hesht. Por çdo libër është një akt rezistence: të  zgjedhësh faqen e shkruar mbi heshtjen.

A besoni se letërsia ka fuqinë për të çuar përpara paqen në botë?

Absolutisht po. Letërsia na fton të jetojmë jetën e njëri-tjetrit dhe empatia është fillimi i paqes. Kur një lexues ndien dhimbjen ose gëzimin e dikujt tjetër, formohet një urë. Paqja ndërtohet nga ato ura të padukshme.

Çfarë është paqja me fjalët tuaja?

Paqja është momenti i qetë kur askush nuk ka frikë. Është dinjitet, drejtësi, është e drejta për të ëndërruar pa frikën se do të zgjohesh nga një makth. Paqja nuk është mungesa e konfliktit, por është prania e njerëzimit.