Albspirit

Media/News/Publishing

Agron Shabani: Antoni…


Kushtuar shokut dhe mikut tim të gjimnazit dhe rinisë, z. Anton Mirakaj

Tek shkruaj mbi sintezën dhe algoritmin jetësorë të Anton Mirakajt: Me vjen shpesh të them se të lindësh është hyjni, të jetosh është luftë, te përpicësh ose luftosh për jetën, familjen dhe farefisin, është heroizëm dhe sakrificë, të dashurosh është art, ndërsa të jetosh për respektin dhe dashurinë e pastër-ndaj familjes, faresifisit e miqve gjithandej- është roman ose poezi.
I tillë ishte im shok i dashur dhe aq i shtrenjtë i gjimnazit dhe rinisë, Anton Mirakaj.
Fjalëmbël si mjalti, i dashur si buka, i thellë dhe i urtë si toka, i përkushtuar dhe përparimtar- deri tek Zoti, i vendosur dhe patriot- deri në tempull, shokë besnik dhe i idealist sa s’ka më!
Me kujtohet se për herë të fundit me Antonin u ndamë në vitin 1987 në Ulm ose Konstanzë të Gjermanisë. Ne duar na mbeti zjarmia e dëshirës së pafshehur për t´u parë dhe takuar përsëri.
Nuk u lirova dot nga pengu i madh i ndarjes së asokohshme me Antonin, deri në çastet ose momentet e hartimit ose formulimit të këtij shkrimi tim autobiografik mbi Antonin, i cili me kujtohet se i kishte vënë vetës bast për të ndryshuar dhe përmirësuar jetën e familjes.
Anton Mirakaj i kishte tri vëllezër dhe tri motra, secili prej tyre më i bukur dhe më krenar se tjetri.
Prore me kujtohet Nënlokja Malësore dhe tepër fisnike e Antonit, Nana Mane me ato lutje dhe shikime të ngritura drejt qiellit, tek lutej dhe bënte kryq në qiellin e Zotit për jetën dhe mirëshëndetin e djemve dhe vajzave të saj. Edhe per mua gjithashtu.
Ishin të njëjtit sy me të cilët Zoti i shihte Nana Mane dhe fëmijët e saj që i kishte rritur jetimë në familjen e madhe dhe tradicionale shqiptare të Mirakajve nga Skivjani i Gjakovës.
Duke ngritur, krijuar dhe shruar kështu faqe dhe kronika të bukura dhe aq të shkëlqyera mbi jetën, krijesën, ekzistencën, bukurinë, besnikërinë ndaj burrit dhe fëmijëve, mundimin, sakrificën dhe kështu me radhë… Pa u lodhur dhe mërzitur kurrë se ç’thonin asokohe njerëzit, analet ose kronikat e ndryshme ditore ose periodike.
Ato rrahje dhe ‘përplasje indiferente’ vetullash dhe qepallash në sytë e vëllezërve dhe motrave te Antonit që mezi prisnin agun ose zbardhjen e dritës së bekuar të Zotit.
Mbaj mend se Antoni si vëllau i madh dhe kujdestar i familjes: Pos një stilolapsi të shkollës, në fotrollen ose këllëfin e tij e mbante edhe një thikë të mprehtë. E qebesa e Zotit, edhe unë bashkë me të, me Antonin…
Parasegjithash, e di se ne asokohe vazhdimisht sodisnim dhe meditomin për bukurinë, dashurinë, lumturinë dhe krenarinë e njohur atdhetare ose vendlindore që i kishim, apo që besonin dhe shpresonim aq shume se do i kemi një ditë.
Ngjanim në marinarë ose minatorë që dalin nga një galeri e thellë dhe deti plot valë… Donim të lundronim dhe marshonim drejt rrugës së ditës së nesërme…
Zëri ynë, disi nuk dilte i qetë dhe i butë nga thellësitë e zemrës dhe shpirtit, por i fortë dhe tepër kumbues.
Ishte kohë e njerkës dhe e djallit. E rëndë plumb si morti, apo si nata e fundit mbi tokë.
Popullit dhe atdheut tonë në Kosovë, asokohe u kishte shkuar thika e serbit në asht dhe laku i robërisë serbe dikund thellë në fyt.
Ndaj, nuk ishte aspak e çuditshme, apo e rastësishme kur ne ndienim aq shumë mall, nevojë dhe nostalgji samaritane që djeg e flet, për një trohë truall atdhetar ose vendlindor nën këmbët tona.
Për një fytyrë ose pamje të bukur atdhetare dhe vendlindore të femrës ose vashës së njohur shqiptare.
Për dy duar të njoma që të marrin në ledhatim dhe përqafim të thellë.
E gjithë kjo sikur i ngjante një vorbullë të çmendur ëndërrash, nostaligjie dhe përmallimi, e cila megjithatë nuk i thyente dot hallkat, zinxhirët ose grilat e kujtimëve të mbyllura në to.
Kështu që të gjithë ne asokohe sikur ishim të burgosurit ose pengjet e përhershme të ëndërrave dhe kujtimeve tona për një jetë dhe ardhmëri me të mirë, e cila nuk vdeste kurrë në shpirtin, zemrat dhe kujtimët tona.
Është për të ardhur keq për buzëqeshjet ose buzagazët e dikurshme atdhetare e vendlindore, të harruara tek pragu i derës si kujtim i përjetshëm dhe amanet.
Për melodinë dhe lehtësinë e padurueshme të një fjale ëmë, at, vëlla, motër, vendlindje, atdhe… që nuk kërkojnë lejën dhe lëmoshën e askujt.
Dashuria ndaj kombit dhe atdheut nuk është e destinuar për t´u përshkruar ose deshifruar me pak fjalë.
Ajo gjithëmonë të ndjek dhe shoqëron nga pas.
Gjaku nuk bëhet ujë.
Njeriun në jetë, përveç tjerash e ndjekin dhe shoqërojnë dy emra të ndryshëm: Ai që kur ka lindur dikur, ia kanë venë prindërit ose familjarët e tij dhe ky emri tjetër që njeriu ia vë vetës me shëmbëlltyrën, sjelljet dhe veprat e veta.
Ishin (janë) plazmimët, betimët dhe kushtrimet e brendshme skeletore dhe gjenetike të gjakut, palcës dhe limfës: ato që Antonin e bënin të veçantë!
Familja dhe farefisi i Antonit, kishin origjinë nga Mirdita.