Mimoza Rexhvelaj: Dashuria rrëshqet kaltërsisht mbi ujë
E sheh yllin si ndrit mbi qetësi,
si më zbret në sy një dritë e rrallë…
Mbi lisin plak, në heshtjen e motit,
i çeli shikimet mbi gjethen e parë.
Jeta u kthye në rrënjë të thara.
Uji i pranverës një gur i harruar,
dhe era solli prej brigjeve larg
këtë këngë të gjelbër, ende pakënduar.
Dallandyshja pret hijet me bishtin gërshërë,
nën strehë flet ky mall që heshtur po djeg,
një kujtim i vonë u kthye shumë vonë
në të njëjtin prag e në të njëjtin shteg…
Mali e shkundi petkun e borës,
këmishë manushaqesh në dritë agimi
dhe fusha e mbushur me aromë lulesh
përtërihet thellë plagësh dhe gjak trëndafili…
Dashuria rrëshqet kaltërsisht mbi ujë,
psherëtima zgjon lehtë liqenin që pret,
puthet horizontesh të largët, të kuq,
aty ku çdo ëndërr na bëhet e shenjtë.