Zaho Golemi: Koço Kosta, shkrimtari rrebel i letrave shqipe
Në historinë e letrave shqipe ka autorë të shumtë si, Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Fatos Arapi, Petro Marko, Agim Shehu, Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli, Gjergj Fishta, Shuteriqi, Çajupi, Jakov Xoxa… që i përkasin kohës së tyre, por që ka edhe të tjerë që e kapërcejnë kohën me mënyrën rebele dhe shumëdimensionale të të shkruarit, sikurse ishte Koço Kosta. Koço Kosta i përket kategorisë së shkrimtarëve me klas të lartë që nuk “u puth” kurrë me pushtetin dhe as me funksionarët politikë. Ai ishte dhe ngeli kështjellë rrebele e mençurisë së shkrimtarëve. Ai është ndër ata shkrimtarë që nuk u mjaftuan të rrëfenin jetën, por kërkuan të depërtonin në pjesën më të errët e më të ndërlikuar të shpirtit njerëzor, atje ku frika, dashuria, vetmia, kujtesa dhe liria përplasen ashpër, shumë ashpër me njëra-tjetrën. Në një epokë kur letërsisë i kërkohej bindje ideologjike e politike, por dhe uniformitet estetik, Koço Kosta zgjodhi rrugën më të vështirë: rrugën e lirisë krijuese, rrugën e rebelizmit ndaj gjithë fenomeneve që i shikonte të shëmtuara në mënyrën e vet.
Koço Kosta lindi më 13 maj 1941 në fshatin e bukur të Suhës në Lunxhëri, në jug të Shqipërisë, një trevë me tradita të pasura kulturore dhe me një peizazh njerëzor që do të linte gjurmë të thella në universin e tij letrar dhe në shpirtin e tij poetik. Fëmijëria e kaluar mes natyrës, kujtesës së gurit, zakoneve dhe gjuhës së gjallë popullore të Suhës, do të bëhej më vonë një nga burimet më të fuqishme të frymëzimit të tij artistik. Studimet e larta i kreu në Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit të Tiranës, në degën Gjuhë dhe Letërsi Shqipe. Që gjatë viteve studentore ai nisi të botojë shkrimet e para, duke tërhequr vëmendjen për stilin e veçantë dhe ndjeshmërinë e rrallë që ngjante si një shkrimtar plugar, që e dashuronte tokën, zakonet e traditat që dinte të depërtonte thellë në to.
Që nga libri i tij i parë “Në rrugë”, botuar në vitin 1967, Koço Kosta u shfaq si një zë i veçantë në prozën shqipe. Ishte një autor që nuk pranonte të ecte në shtigjet e gatshme të realizmit socialist dhe as të ndërtonte personazhe artificialisht heroikë. Në qendër të letërsisë së tij ishte njeriu i zakonshëm, me plagët, dobësitë, pasionet dhe ankthin e tij. Kjo e bëri Koço Kostën një shkrimtar të pazakontë për kohën, por pikërisht ky refuzim i konformizmit e ktheu atë në një nga figurat më të rëndësishme të prozës moderne shqiptare.
Në vitin 1969, me vëllimin “Unë dhe komiti”, ai fitoi Çmimin e Parë në Konkursin Kombëtar të Letërsisë, organizuar me rastin e 25-vjetorit të Çlirimit të Atdheut. Ishte një vlerësim i rëndësishëm për një autor të ri, por edhe një dëshmi se talenti i tij nuk mund të kalonte pa u vënë re. Megjithatë, rruga e tij krijuese nuk do të ishte e qetë. Sa më shumë thellohej në kërkimin e së vërtetës artistike, aq më shumë largohej nga skemat e ngurta të letërsisë zyrtare.
Koço Kosta nuk ishte thjesht një kundërshtar i heshtur i skemave ideologjike e politike; ai ishte një artist me botë të gjerë që e ndërtoi të gjithë universin e vet letrar mbi parimin e mosbindjes estetike. Letërsia e tij nuk ecën në mënyrë lineare. Rrëfimi shpesh thyhet, kohët ndërthuren, zërat shumohen dhe personazhet lëvizin në kufijtë e ankthit ekzistencial. Në veprën e tij ndihet vazhdimisht një tension i brendshëm, sikur personazhet jetojnë “në teh të briskut”, mes dëshirës për liri dhe peshës së realitetit që i shtyp.
Në një kohë kur censura përpiqej të zhdukte nga arti gjithçka intime dhe njerëzore, Koço Kosta guxoi të trajtonte tema që konsideroheshin tabu: erotizmin, vetminë, frikën, humbjen, boshllëkun shpirtëror. Pikërisht kjo e bën prozën e tij të ketë ende sot një tingëllim modern dhe të pazbehur. Ai nuk shkroi për të kënaqur sistemin apo institucionet; ai shkroi për të mbrojtur të vërtetën artistike.
Një nga veçoritë më të spikatura të krijimtarisë së tij është gjuha. Shqipja e Koço Kostës është e gjallë, organike, e pasur me nuanca dhe ritëm të brendshëm. Në të frymon peizazhi i Jugut, kujtesa e fshatit shqiptar, urtia popullore dhe muzikaliteti i natyrshëm i gjuhës sonë. Ai nuk përdor artifice të kota dhe as stërhollime akademike; fjala tek ai rrjedh me një natyrshmëri të rrallë, por mbart një ngarkesë të thellë emocionale e filozofike. Përmes kësaj gjuhe, ai arriti të krijojë një botë letrare që mbetet e dallueshme menjëherë, një univers ku lexuesi ndien aromën e tokës, peshën e heshtjes dhe dramën e shpirtit njerëzor.
Veprat e tij, janë kaq reale dhe të dashura, nga “Shënime përmes shiut”, “Bisedë në mesnatë”, “Dademadhja”, “Buka e një stine me borë” e deri te romanet “Nata e Sofie Kondilit”, “Absurdi” dhe “Mëhalla e Pelës”, dëshmojnë për një vazhdimësi të rrallë krijuese. Në secilën prej tyre, Koço Kosta shfaqet si një kërkues i pandalur i formave të reja të rrëfimit dhe i thellësive psikologjike të njeriut shqiptar. Ai i përket asaj linje të letërsisë që nuk kërkon spektakël të zhurmshëm, por synon të mbetet gjatë në kujtesën e lexuesit përmes atmosferës, mendimit, ndershmërisë dhe ndjeshmërisë artistike.
Romani “Nata e Sofie Kondilit” konsiderohet me të drejtë një nga kulmet e prozës shqipe bashkëkohore. Aty shfaqet qartë aftësia e autorit për të shmangur glorifikimin artificial dhe për të parë historinë përmes dramës së individit. Personazhet e tij nuk janë heronj monumentalë; ata janë qenie të brishta, njerëz të zakonshëm që përballen me fatin, me kujtesën dhe me vetveten. Kjo qasje e bën letërsinë e Koço Kostës thellësisht humane, njerëzore, të prekshme. Por jeta e tij si shkrimtar nuk ka qenë e lehtë. Në vitin 1986, novela “Ata të dy dhe të tjerë”, e botuar në revistën “Nëntori”, u konsiderua problematike nga regjimi komunist. Pasoja ishte e rëndë: autorit iu ndërpre e drejta e botimit dhe u dërgua në punë të detyruar në kooperativën e Greshicës. Megjithatë, as ndëshkimi dhe as izolimi nuk mundën ta thyenin, pasi Ai vijoi të shkruante, sepse për të letërsia nuk ishte profesion, por mënyrë ekzistence, ishte një mision .
Në demokraci, pas viteve ’90, Koço Kosta u vendos në Tiranë, ku rifilloi me energji të re krijimtarinë e tij letrare. Ndërkohë që vepra e tij u rivlerësua nga lexuesit dhe kritika, ndërsa ai vetë u nderua me disa çmime dhe tituj të rëndësishëm, mes tyre Urdhri “Naim Frashëri”, Çmimi i Republikës dhe titulli “Nderi i Akademisë” nga Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë. Megjithatë, Koço Kosta gjykon se vlerësimi më i madh për të mbeti gjithmonë lexuesi i vërtetë dhe mbijetesa e veprës në kohë, një vepër që do të lexohet përherë.
Një episod domethënës nga jeta e tij mbetet përgjigjja që i dha një funksionari të lartë të sistemit socialist, kur i drejtohet në një gjuhë paksa të drunjtë. “…Koço ti shkruan bukur për fshatin, e njeh mirë jetën e fshatarit…”. Koço Kosta që dinte mirë tju kundërpërgjigjej edhe ironive më therëse, iu përgjigj: “Po e vërtetë, por njoh më mirë qytetin, prandaj shkruaj për fshatin. Fati i fshatit dhe i fshatarit vendoset gjithmonë në qytet”. Në këtë përgjigje të shkurtër fshihet jo vetëm zgjuarsia e tij, por edhe vizioni i një shkrimtari që dinte të shihte përtej sipërfaqes së realitetit. Të gjithë ata që e kanë njohur nga afër, ose dhe kanë njohur veprën e tij flasin për seriozitetin e jashtëzakonshëm që ai i kushtonte procesit krijues. Biblioteka e tij nuk ishte vetëm një vend librash, por një laborator i vërtetë letrar, i mbushur me shënime, skeda, me ide embrionale që më vonë shndërroheshin në tregime e romane të spikatura. Për Koço Kostën, koha nuk matej me vite apo muaj; koha matej me krijimtari në letërsi, porn ë të njëjtën kohë ishte një mësues brilant letërsie veçanërisht në Shkollën e Mesme “Dr. Bilal Golemi” në Urën e Kardhiqit. Koço Kosta ishte më shumë se shok me nxënësit e shkollës dhe nxënësit e shikonin, e lexonin dhe e respektonin si një gjeni të letrave shqipe. Ai ishte katalizator dhe analizues i letërsisë botërore dhe letërsisë shqiptare, matej me intelektuale e letrarë shkrimtarë klasi. Jo rrallë e shikonim me shkrimtarët më të mëdhenj shqiptarë të shekullit të XX-të.
Koço Kosta mbetet një nga ndërgjegjet më të rëndësishme të kulturës shqiptare. Ai është shkrimtari që nuk iu bind mediokritetit, që nuk pranoi të bëhej zëdhënës i propagandës së pushtetit, bile pranoi edhe të ndëshkohej, dhe që mbrojti dinjitetin e fjalës së lirë në kohët më të vështira të saj. Vepra e tij është një dëshmi e fuqisë së artit përballë dhunës së kohës.
Letërsia e Koço Kostës na kujton një të vërtetë të madhe se sistemet politike mund të rrëzohen, ideologjitë mund të harrohen, por arti i vërtetë letrar jetonm dhe do të jetojë gjatë, përgjithmonë. Dhe mbetet pikërisht sepse buron nga liria, ndershmëria, nga guximi intelektual për të mos iu bindur askujt tjetër përveç së vërtetës së shpirtit njerëzor. Gjuha në veprën letrare të Koço Kostës rrjedh me një natyrshmëri mahnitëse, e mbarsur me leksikun e gjallë të truallit dhe peizazhit të Jugut, duke i dhënë veprës një vitalitet të jashtëzakonshëm, ku edhe “huqet” e shkrimtarit shpesh herë ishin bërë për kohën edhe sikurse i thonë në gjuhën popullore, “dëmi i kokës”. E megjithatë shkrimtari e pranonte kohën dhe kufizimet natyrisht me mënyrën e vet, edhe kur e dinte se do të ndëshkohej.
Koço Kosta është dhe do të mbetet, një nga shkrimtarët që i bën nder letërsisë shqiptare, shkrimtari rebel i lirisë. Fakt është se shkrimtari nuk ka moshë, pasi mosha e shkrimtarit Koço Kosta “peshohet” vetëm me veprën, me letërsinë që krijoi dhe Brenda kësaj vepre vendosi shpirtin e lirë dhe rebel të Suhjotit të mençur. Në këtë 85-vjetor të lindjes, shkrimtarit Koço Kosta i shprehim respektin dhe mirënjohjaen për vlerat e spikatura dhe vendin brilant që ka zënë tashmë në radhën e shkrimtarëve më të lexuar shqiptarë.
Jetë të gjatë dhe krijimtari të begatë Mjeshtër i Madh i latrave shqipe, shkrimtari i shquar Koço Kosta!