Ismet Hajrullahu: Trashëgimia e uzurpuar
Kosova, me histori e trashëgimi të lashtë kulturore ka qenë gjithmonë vendi i një populli që nuk u përkul as përballë perandorive, e as ndaj pushtuesve serbë ndër shekuj. E megjithatë, në ditët e sotme, kjo trashëgimi kulturore po përjeton një dhunim të heshtur, e të qëllimshëm, një përvetësim të strukturuar që nuk synon vetëm objektet e kultit, por vetë rrënjët e identitetit shqiptar.
Trashëgimia kulturore e Kosovës, e cila përfshin një mozaik të pasur besimesh dhe traditash, është veçanërisht e ndjeshme në segmentin e saj ortodoks, që përmes shekujve ka qenë pjesë e pandashme e shpirtit shqiptar. Por sot, monumentet e ndërtuara nga shqiptarët ortodoksë, si Manastiri i Deçanit, Patrikana e Pejës, Kisha e Levishkës në Prizren e shumë të tjera, janë shkëputur nga konteksti i tyre etnik dhe kulturor, duke u paraqitur si trashëgimi e një historie tjetër, të huaj, të imponuar dhe të pavërtetë.
Ky deformim nuk është produkt i rastësisë, e as i padijes, por rezultat i një strategjie të mirëmenduar, të koordinuar dhe të qëllimshme, që synon të zhbëjë kujtesën kolektive shqiptare dhe ta zëvendësojë atë me mite të ndërtuar mbi themele të rreme, të diktuara nga interesa të jashtme.
Më tragjikja është se ky proces nuk ka ndodhur vetëm përmes presionit të jashtëm, por edhe përmes dorëzimit të brendshëm, ku figura të njohura të politikës kosovare, në emër të negociatave në Vienë kanë lejuar që këto monumente të falen pa asnjë rezistencë, sikur të mos kishin asnjë lidhje me historinë, dhe me kujtesën tonë.
Në këtë realitet të shtrembëruar, ku e vërteta historike po zëvendësohet me mite të fabrikuara, ku kujtesa shqiptare po nëpërkëmbet dhe zhbëhet, Kisha Ortodokse Autoqefale e Kosovës përfaqëson një institucion fetar, që është një dëshmi e gjallë e ekzistencës sonë shpirtërore, një thirrje e ndërgjegjes kombëtare, një zë që nuk pranon të heshtë përballë deformimit dhe harresës.
Fatkeqësisht, institucionet e ndryshme kanë dështuar ta mbështesin këtë kishë, mediat e kanë trajtuar me rezervë, ndërsa akademikët, të strukur në ‘guacken’ e tyre, kanë zgjedhur të heshtin, duke u fshehur pas një neutraliteti që në fakt është bashkëfajësi. Heshtja e tyre nuk është as qëndrim shkencor, as maturi intelektuale, por dorëheqje nga përgjegjësia historike dhe morale.
Për hir të së vërtetës, edhe në periudhën që u zhvilluan bisedimet e Vienës, e kam ngritur zërin duke kërkuar së pari veting e proces votimi në parlamment për ata zyrtarë që u caktuan për të negociuar në emër të trashëgimisë kulturore, por që jam përballur me largim nga puna , pikërisht se kam dalë hapur me bindjet e mia duke argumentuar gabimet e bëra të cilat nuk do na i falë historia e brezat që do të vijnë.
Kisha Ortodokse Autoqefale e Kosovës, në vazhdën dhe rrugën që trasoi Fan Noli ynë i madh, ka potencialin jo vetëm të rikthejë besimin e nëpërkëmbur tek shqiptarët ortodoksë, por edhe të rivendosë pronësinë kulturore mbi monumentet që u përkasin atyre me të drejtë historike duke u kthyer në një institucion dokumentues, që mbledh dëshmi, mbishkrime, rrëfime dhe elemente arkitekturore, të cilat vërtetojnë origjinën shqiptare të objekteve të kultit, duke ndihmuar kështu në rikthimin e së vërtetës në vetëdijen kombëtare dhe në arenën ndërkombëtare. Përmes liturgjisë në gjuhën shqipe, përmes edukimit të brezave të rinj dhe diplomacisë kulturore, kjo kishë, me dinjitet mund të forcojë ndjenjën e identitetit tek shqiptarët ortodoksë, të cilët për shumë kohë janë ndjerë të përjashtuar nga rrëfimi zyrtar i historisë sonë.
Përvetësimi i trashëgimisë kulturore shqiptare nuk është një akt i izoluar, por një proces i vazhdueshëm, i cili synon të zëvendësojë kujtesën kombëtare me mite ruso-sërbe për të legjitimuar pretendime politike dhe territoriale. Në këtë kontekst, Kisha Ortodokse Autoqefale e Kosovës është më shumë se një institucion fetar, një mundësi për rikthimin e së vërtetës historike dhe të lashtësisë së një besimi që ka rrënjë të thella në këtë tokë, që nga koha e Konstandinit të Madh e deri në ditët tona.
Prandaj, është më se urgjente që të ndërmerren hapa të qartë, të shpejtë dhe të qëndrueshëm, të dokumentohen sistematikisht monumentet ortodokse shqiptare, të përfshihet historia e shqiptarëve ortodoksë në kurrikulat arsimore, të ofrohet mbështetje institucionale dhe mediatike për Kishën Autoqefale, dhe të krijohet një bashkëpunim i ngushtë me akademinë dhe shoqërinë civile për mbrojtjen e trashëgimisë sonë të lashtë.