Mehmet Kraja: Filmi, letërsia, shkrimtari i vetëmburrur
Në një shkrim të disa ditëve më parë një shkrimtar i Shqipërisë nxori një konstatim që tërhoqi vëmendjen e lexuesve të portaleve dhe të mediave sociale në Kosovë (unë e lexova te “Panorama”, 6 shtator 2026). Ai shkroi për filmin shqiptar, e quajti të shëmtuar, shkroi për aktorët kosovarë që nuk iu përshtaten roleve të fshatarëve analfabetë të Librazhdit dhe të Milotit dhe që, dihet tashmë, nuk kuptohen çfarë flasin. Vetëm se, vetëm se, në këtë e sipër, bëri dy konstatime për letërsinë e Kosovës, njërin për Anton Pashkun dhe tjetrin për letërsinë e Kosovës në përgjithësi.
Megjithëqë me punët e filmit jam marrë me kompetencë profesionale (sukseset e filmit të Kosovës të viteve të fundit vijnë nga gjeneratat e studentëve që iu kam dhënë skenarin e filmit), kufizohem të shprehem për atë që shkruan shkrimtari i vetëmburrur, sepse nuk kam dijeni sa gjen shprehje neo-socializmi i Shqipërisë në filmin shqiptar. Por, konstatimi për letërsinë e Kosovës se ajo është “një natë pa mëngjes” është një zhgardhnim i mendjes së një shkrimtari diletant dhe mediokër. Pastaj: “Kosovarët kanë kinema eklektike e cila duket sikur ka dalë nga librat e Anton Pashkut, një shkrimtari të talentuar që shpjegon në tre faqe si punon galexhanti i banjos”. Së pari, ku me e marrë që kinemaja e Shqipërisë të dilte, ta zëmë, nga librat e Kadaresë! Së dyti, këtij shkrimtari të Shqipërisë me parashenjën e propaganduesit ideologjik të neo-socializmit duhet thënë se kur shkroi Anton Pashku “Oh”, “Sinkopa” dhe “Gof” si anti-drama dhe anti-roman, ju në Shqipëri nuk e dinit vërtet se çka është galexhanti i banjos!
Pashku duket ta ketë pasur këtë në mendje, kur paska shkruar tre faqe për këtë “subjekt të lartësuar”!