Protesta për Zvërnecin është revolta e të qeverisurve ndaj qeverisjes
Bledar M. Kurti
Pas protestës së tretë masive poshtë dritares së zyrës së tij, Kryeministri Edi Rama kaloi gjithë natën dhe mëngjesin duke gërmuar dhe postuar video ku grupe të rinjsh i drejtoheshin atij me sharje dhe fyerje. Në tri ditë Rama ka ndryshuar disa herë strategjinë dhe qasjen ndaj diçkaje që deri para pak ditësh as e mendonte se do t’i merrte kaq shumë kohë dhe energji.
Në fillim ai u tha shqiptarëve se investimi ishte tërësisht privat, një marrëdhënie privatësh e atij që ka tokën dhe atij që ka paratë.
Më pas se ky ishte investimi më i madh që kjo qeveri sillte jo në Zvërnec, jo në Vlorë, as në Shqipëri, por në të gjithë Mesdheun, që do të ndryshonte faqen e historisë së Shqipërisë, dhe kjo ka bërë xhelozë edhe grekët, edhe serbët, edhe rusët, saqë kanë nisur të fusin edhe hundët në punët e Shqipërisë duke nxitur protestën.
Nuk harroi të këmbëngulë që ai as e ka shitur dhe as do ta shesë vendin, dhe nëse protestuesit që e kishin votuar një vit më parë do të mendonin të kundërtën, ai kishte menduar dorëheqjen, largimin dhe tërheqjen në shtëpinë e tij në Surrel.
Pastaj tha se ky është një investim amerikan, pastaj katarjot, pastaj se qeveria nuk ka miratuar asnjë projekt, se nuk ka asnjë projekt, se ende nuk është bërë asnjë studim mjedisor, se çfarëdo që të ndodhë do të respektohen të gjithë, do të dëgjohen të gjithë dhe nuk do të tolerohet asnjë shkelje.
Në ditën e tretë të protestave erdhi edhe lutja për të folur me protestuesit.
Dhe kur nuk mundi t’i përçajë e t’i kontrollojë, tani është në fazën e demaskimit, duke nxjerrë fragmente ku protesta merr ndonjë ngjyrë groteske apo del jashtë etiketave dhe etikës.
Kush e njeh sadopak Edi Ramën e ka shumë të qartë që ai nuk e ka menduar asnjëherë dorëheqjen. Që kur erdhi në Tiranë për t’u bërë ministër i Kulturës në qeverinë Nano, më pas Majko, e më pas Meta, Edi Rama e ka pasur shumë të qartë çfarë donte të bëhej dhe të bënte, duke bërë atë që di të bëjë shumë mirë: të luajë me të gjithë faktorët e momentit për të fituar pushtet dhe për të mbajtur pushtet.
Ai që ka shkelur mbi kokat dhe trupat e bashkëpunëtorëve të tij, nuk e çon asnjëherë në mendje të largohet prej pushteti për hir të një grupi që as i ka njohur, as i ka llogaritur ndonjëherë përveçse si numra.
Por numrat i kanë dalë nga kontrolli dhe i kanë prishur planet dhe, sikur në protestën e studentëve, atij i duhet të luajë pjesën sa të gjejë zgjidhje, sa t’ua gjejë anën e të kalojë momentin e vështirë në të cilin ndodhet.
Deri tani nuk i ka funksionuar, protesta rritet çdo ditë dhe bëhet edhe më e pakontrollueshme. Edi Rama tani ka frikë, vërtet frikë, sepse ai nuk trembet më nga karikatura e Sali Berishës, që as frymëzon njeri e as nuk e rrezikon pushtetin e tij.
Edi Rama e di që në rastin më të keq me Sali Berishën do ta gjejë një zgjidhje. Me një turmë që as shitet dhe as blihet, gjithçka mund të ndodhë.
Protesta mund të bëhet më e madhe çdo ditë që kalon dhe zemërimi i turmës i pakontrolluar dhe i pandalshëm.
Për të mos thënë pastaj për imazhin, atë që Edi Rama e ka kthyer në art që ditën e parë që shkeli në një zyrë shteti. Sidomos imazhin në sytë e ndërkombëtarëve, aq më tepër imazhin në sytë e familjes Trump.
Omerta që mbuloi të gjithë burimet e informacionit për Zvërnecin nuk ndodhi pse një grup pronarësh mediash me kokën e tyre vendosën të mos flasin për investimin e madh në Zvërnec.
Ishte porosi e tij, sepse projekti për të cilin Ivanka Trump flet në Amerikë, në Shqipëri nuk duhet të kishte asnjë njollë.
Por djajtë tani kanë dalë nga shishja dhe protestat të mërkurën u shfaqën mediatikisht me zë dhe figurë deri në New York Times.
Ndaj Edi Rama ka frikë dhe është në hall. Ai ka disa probleme, dhe jo vetëm atë të shpjegimit të investimit në Zvërnec. Edi Rama tani pyet pse gjithë ky mllef që po mban kaq gjatë për një gardh dhe një incident sado të rëndë dhune në një cep të humbur në periferi të Shqipërisë. Ndaj në ditët në vijim do ta shohim të bëjë akrobaci edhe më të mëdha.
Pak kush nga ata që janë në qeveri e qeverisje e kupton se çfarë bëri që në shesh, me një fishkëllimë në rrjetet sociale, pa asnjë mbështetje dhe mbulim mediatik, të mblidhen me mijëra e mijëra veta, të të gjitha shtresave të shoqërisë, të rinj kryesisht, por edhe prindër e të moshuar.
Protesta në Zvërnec lindi si një reagim i një grupi banorësh që pretendojnë pronësi atje, të cilëve rrethimi me gardh nga policia private u kishte bllokuar edhe rrugën për në fshat, i një grupi ambientalistësh për një çështje mjedisi e biodiversiteti, dhe i një grupi aktivistësh për të gjitha këto kauza.
Ata as e njohin dhe as e kanë parë ndonjëherë investitorin. Ata kanë parë apo njohin ata që mendojnë se u kanë grabitur pronën, rrugën, u shkatërrojnë natyrën, dhe këta nuk janë as izraelitë, as sirianë, as katarjotë e as amerikanë. Janë shqiptarë.
Është i gjithë shteti i 36 viteve të fundit, është qeverisja arrogante e katër mandateve të Edi Ramës, që e ka kthyer në kapilar, nga lart poshtë, abuzimin, arrogancën, përbuzjen dhe grabitjen.
Protesta është kundër sistemit dhe modelit qeverisës ku qeveria merr plaçkën dhe e ndan pa asnjë transparencë dhe me arrogancë ditën me diell, një pjesë mes vete dhe një pjesë me një grup biznesmenësh strategjikë.
Protesta është kundër shtetit të Edi Ramës ku Republika e Drejtorëve dhe zyrtarëve me poste dhe pushtet, nën shembullin e atyre më lart, prekin paratë, pronën dhe çdo liri të atyre më poshtë, sepse në këtë model qeverisjeje pandëshkueshmëria është kthyer në normalitet dhe sistemi punon kundër më të dobëtit e në favor të më të fortit.
Ndaj ata mijëra që ishin dje, e mijëra të tjerë që do vijnë sot dhe nesër, nuk e kanë as me investimin e as me investitorin. Është revolta e të qeverisurve ndaj qeverisjes.