Albspirit

Media/News/Publishing

Arben Iliazi: Luan Rama risjell në jetë figurat e Omer Kaleshit

Omer Kaleshi do të mbetet një artist i rrallë i pikturës moderne, i cili la gjurmë në historinë e arteve pamore në vendin tonë dhe në botë. Figurat e tij kanë lindur gjatë një kërkimi të gjatë dhe pikturat janë ekspozuar në disa galeri të Evropës.

Omer Kaleshin pata fatin ta njoh nga afër në 11 maj 2004, kur ekspozoi për publikun shqiptar në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë, 23 vepra arti në teknikën vaj dhe telajo. Objektet kryesore figurative të tij ishin koka njerëzish. Duke parë portretet e Kaleshit, vërejta gravitetin e rëndë të jetës dhe njeriut, zymtimin dhe vuajtjen sizifiane, një dramë e vërtetë ballkanike. Kur e intervistova, më tha: “Ka vite që punoj mbi këtë dramë. Njeriu? Unë s’mund ta kuptoj ç’ka mundem me bo tjetër send se njeriu. Peizazhi nuk më intereson, në njeriun unë shoh gjithë botën e njerëzisë”.

Më pas e studiova nga afër natyrën e tij prej artisti, duke hulumtuar rreth veprave të tij.

Omer Kaleshi ishte një piktor i përmasave botërore, i cili me eksperiencën e tij artistike shfaqi një profil krijues mjaft të veçantë. Interesimi dhe preokupimi kryesor i tij kanë qenë gjithnjë portreti, fytyra, brenga e njeriut, trishtimi, dhimbja, gëzimi i tij. Tablotë e Kaleshit janë e gjitha një dramë e thellë njerëzore, e cila përcillet nga ato portrete të shumta barinjsh, dervishësh, grash apo fëmijësh nëpër stacionet e trenave që nxitonin t’u shisnin me shporta frutash në duar udhëtarëve që shkonin larg.

Artisti ka zgjedhur pamjet e zymta, gati asketike, duke transfiguruar mungesën e shprehjes së rrokshme të stilit realist në një stil “ndryshe”, ku bëhen aktive imazhet amorfe si në mishërimin e shqisave të zakonshme, pamjet si të rëndomta, fytyra të përvuajtura, herë të buhavitura dhe herë nën një trishtim rëndues, ku shprehet vetmia dhe jeta e njeriut nëpërmjet dritëhijes, ngjyrave.

Për Omerin kanë shkruar shumë njerëz të mëdhenj të Parisit si dhe shkrimtari ynë Ismail Kadare, për të cilin piktori shprehet se, duke lexuar romanet e tij, gjen shumë pikëtakime me portretet e pikturuara nga dora e shkrimtarit. Në librin me titull “Arti si mëkat”, shkruar nga Ismail Kadare, përmes pikturave të këtij piktori, përshkruan epoka, perandori, kombe, popuj, dialogje, monologje, marrëdhënie njerëzore, luftra, dënime, ndëshkime, maturi etj. Ndërsa autorja franceze, Laure Cambau, ka përshkruar në një libër me poezi piktorin Omar Kaleshi.

Rreth krijimtarisë dhe veprës së piktorit Kaleshi janë shkruar 5 libra. Më i fundit është një libër i mbështetur mbi fakte të zgjeruara rreth jetës dhe veprës së tij, me titull, “Omeri Kaleshi” (botuar në frëngjisht-2014 dhe në shqip-2021) i shkrimtarit, studiuesit dhe kineastit të mirënjohur Luan Rama. Sot Luan Rama publikoi dhe një poezi mbresëlënëse, si një detyrim shpirtëror pas vdekjes së tij, me titullin “Mjeshtri ka shkuar”. Duket sikur gjithë vepra e Omerit, përmes vargjeve si “Mjeshtri ka humbur rrugëve të qiellit dhe botës”, merr frymë në këtë poezi drithëruese. Poeti L. Rama u jep jetë figurave të tij, që vdekja i ruan të dlira dhe të madhërishme, duke i rikthyer në Tërësi. Dhe dlirësia është ligji më i lartë për artistin. Veç vdekja mund ta pavdekësojë jetën e tij në mit.

Mjeshtri ka shkuar…

———

Mjeshtri ka shkuar,

aromë e zisë nderet mbi atelier

kullon nga tablotë,

bulevardi “Arago”, numri 7,

kati i shtatë dhe pastaj qielli

gjithësia dhe etërit nderur sipër tij

oh ç’qiell i errët vetëm me një yll fillikat.

“Mjeshtër ku je”?

Të gjithë e presin,

kolltuku i drunjtë që të shohë tablonë e mbaruar,

këmisha e nderur në cep të çardakut,

çorapet fshatare thurrur nga një bareshë s’dihet kush,

sahati i vjetër mbetur pa kurdisur si në kohë dervishësh

këtu në katin qiellor

ku heshtja e madhe rëndon

mbi xhamat që pikojnë mungesë dhe shi.

Ku vallë ke shkuar, në ç’shtigje barinjsh dhe ashikësh?

Këmbët nëpër shkallë nuk dëgjohen më,

askush nuk e shtyn më këtë portë

ku sipër ke lënë emrin e tij “Omer”,

në një homeriadë kokash,

ndoshta ka shkuar me engjëjt që kërkoje me penelin tënd?

Bareshat në telajo thonë se ke shkuar në mal

në shpatin sipër shtëpisë ku linde që mjerisht u dogj,

fëmijë përzije hirin e prushtë

hedhur më vonë mbi telajo,

dervishët thonë se ke shkuar tek Jonuz Emre,

atje ku Haxhi Bektashi shfaqet në shtatë varret e tij,

“ku vallë është pinjolli im” pyet nga ikona Gjon Pagëzori

ku poshtë tij, në minder, gjithnjë pihej raki,

një seri dervishësh me qeleshe të gjata

presin në korniza të shkojnë në galerinë e Stambollit

por ah, mjeshtri vonon

java ndjek javën,

shkallë druri të harruara

dhe atelieri që përgjumet në këtë braktisje të madhe

ku çdo ditë nata e vret gjithnjë e më shumë,

paleta dergjet e lut në heshtje ardhjen e tij,

ngjyrat « Rembrandt » kanë ftohtë

bojrat po thahen

spatula e mjeshtrit nuk vjen më ti kërkojë,

vetëm kavaleti mbart ende autoportretin e tij,

në blu, në gri,

e fundit nga duart në kohën e ethes

para se të shkonte në natën e përjetshme

si të donte tu linte miqve fytyrën e tij

dhe pse i ati dikur imam,

portretin e quante mëkat

por ai guxoi dhe e pikturoi portretin e tij.

Mjeshtri ka humbur rrugëve të qiellit dhe botës

si dikur në Puerta del Sol

kur donte të shihte në Prado të zgjedhurin e tij

Goja me pikturat e zeza në kubenë e “Shtëpisë së shurdhit”

në “Quinta del sordo” ku prehej magjia.

Mjeshtri ka shkuar për mos tu kthyer më

bashkë me të kuqen dhe të zezën e tij

okrën dhe të bardhën e telajos

si të donte të pikturonte përsëri

fytyrën e një Ballkani tjetër,

“koka” plot ëndrra që vetëm ai i di,

“koka” të dashuruara që nxitojnë fushave

të dehura, rrugëve të Parisit,

nga Place de Gobelin në Montparnasse

ku mjeshtri gëzonte dashurinë e “kokave”

por jo martesën e tij,

«E dashura ime është piktura » thoshte ai,

një grua tjetër krijuar në telajo,

një dashuri murgu në mbrëmjen që s’ka fund.

Ja gratë e tij fshatare me shportat në krahë

që dhurojnë ende fruta,

dardha dhe mollë në kryqëzimet e botës,

në boheminë e hershme të tij,

koka në shporta, koka nderur mbi litar

koka në trungjet e gështenjave të Parisit

që qajnë nëpër natë ikjen e tij…