Luan Rama: Mjeshtri ka shkuar…
Mjeshtri ka shkuar,
aromë e zisë nderet mbi atelier
kullon nga tablotë,
bulevardi “Arago”, numri 7,
kati i shtatë dhe pastaj qielli
gjithësia dhe etërit nderur sipër tij
oh ç’qiell i errët vetëm me një yll fillikat.
“Mjeshtër ku je”?
Të gjithë e presin,
kolltuku i drunjtë që të shohë tablonë e mbaruar,
këmisha e nderur në cep të çardakut,
çorapet fshatare thurrur nga një bareshë s’dihet kush,
sahati i vjetër mbetur pa kurdisur si në kohë dervishësh
këtu në katin qiellor
ku heshtja e madhe rëndon
mbi xhamat që pikojnë mungesë dhe shi.
Ku vallë ke shkuar, në ç’shtigje barinjsh dhe ashikësh?
Këmbët nëpër shkallë nuk dëgjohen më,
askush nuk e shtyn më këtë portë
ku sipër ke lënë emrin e tij “Omer”,
në një homeriadë kokash,
ndoshta ka shkuar me engjëjt që kërkoje me penelin tënd?
Bareshat në telajo thonë se ke shkuar në mal
në shpatin sipër shtëpisë ku linde që mjerisht u dogj,
fëmijë përzije hirin e prushtë
hedhur më vonë mbi telajo,
dervishët thonë se ke shkuar tek Jonuz Emre,
atje ku Haxhi Bektashi shfaqet në shtatë varret e tij,
“ku vallë është pinjolli im”, pyet nga ikona Gjon Pagëzori
ku poshtë tij, në minder, gjithnjë pihej raki,
një seri dervishësh me qeleshe të gjata
presin në korniza të shkojnë në galerinë e Stambollit
por ah, mjeshtri vonon
java ndjek javën,
shkallë druri të harruara
dhe atelieri që përgjumet në këtë braktisje të madhe
ku çdo ditë nata e vret gjithnjë e më shumë,
paleta dergjet e lut në heshtje ardhjen e tij,
ngjyrat “Rembrandt” kanë ftohtë
bojrat po thahen
spatula e mjeshtrit nuk vjen më t’i kërkojë,
vetëm kavaleti mbart ende autoportretin e tij,
në blu, në gri,
e fundit nga duart në kohën e ethes
para se të shkonte në natën e përjetshme
si të donte tu linte miqve fytyrën e tij
dhe pse i ati dikur imam,
portretin e quante mëkat
por ai guxoi dhe e pikturoi portretin e tij.
Mjeshtri ka humbur rrugëve të qiellit dhe botës
si dikur në Puerta del Sol
kur donte të shihte në Prado të zgjedhurin e tij
Goja me pikturat e zeza në kubenë e “Shtëpisë së shurdhit”
në “Quinta del sordo” ku prehej magjia.
Mjeshtri ka shkuar për mos tu kthyer më
bashkë me të kuqen dhe të zezën e tij
okrën dhe të bardhën e telajos
si të donte të pikturonte përsëri
fytyrën e një Ballkani tjetër,
“koka” plot ëndrra që vetëm ai i di,
“koka” të dashuruara që nxitojnë fushave
të dehura, rrugëve të Parisit,
nga Place de Gobelin në Montparnasse
ku mjeshtri gëzonte dashurinë e “kokave”
por jo martesën e tij,
“E dashura ime është piktura”, thoshte ai,
një grua tjetër krijuar në telajo,
një dashuri murgu në mbrëmjen që s’ka fund.
Ja gratë e tij fshatare me shportat në krahë
që dhurojnë ende fruta,
dardha dhe mollë në kryqëzimet e botës,
në boheminë e hershme të tij,
koka në shporta, koka nderur mbi litar
koka në trungjet e gështenjave të Parisit
që qajnë nëpër natë ikjen e tij…