Zana Tako: Për ata që rrëzohen…
Njeriu lind dhe rritet. Lindja nga rritja ndryshon, por ky ndryshim nuk kuptohet nga njeriu. Lind i pasur ose i varfër, ashtu sikurse rritesh i pasur ose rritesh i varfër. Kjo analogji e ka edhe barazimin e vet, që do të thotë, se pasuria ndryshon nga varfëria, ashtu sikurse varfëria ndryshon nga pasuria.
Por njeriu ende nuk po e kupton këtë ndryshim, pasi sheh sipas kutit të vet, sipas interesit të vet dhe botëkuptimit të vet. Nëse do të kuptonte thelbin e kësaj mrekullie, do të zgjidhte të ishte i pasur për nga dituria, dhe i varfër për nga pasuria.
Shkrimi i shenjtë e bën me dije njerëzinë, se do të vijë koha që paraja do ta sundojë njeriun, e sot ka shumë të pasur për nga pasuria, por ka të pasur edhe për nga dituria. Këtu ndalemi të kuptojmë vlerën e pasurisë dhe vlerën e diturisë.
A janë të lumtur të pasurit e tokës, dhe a janë të lumtur të pasurit në dituri?
Pasuria e tokës sjell bollëk për trupin por jo për shpirtin, krijon mirëqenie në pavarësi ekonomike, por nuk e shpëton njeriun nga tundimi dhe lakmia, përkundrazi, e lidh me zinxhirët e babëzisë.
Të pasurit nuk nginjen, përveçse kërkojnë më shumë e më shumë pasuri. Ndryshimi nga të pasurit e ditur është vesi. Vesi për të bërë sa më shumë pasuri e le të varfër njeriun në këtë botë.
Të pasurit me dijen, falenderojnë Zotin në çdo hap që hedhin drejt dijes. Janë ata që shijojnë çdo minutë, çdo orë të ditës për të vetmen pasuri, dijen, e cila u përcjell begati shpirtërore, mirëqenie dashurie, ku veç të diturit dinë të vlerësojnë dhe të notojnë në ujrat e qeta të shpirtit që vallëzon me paqen, që ëndërron për fuqinë që u dhuron i madhi Zot, për të përballuar ditën dhe nevojat e saj. Ky falenderim është pasuria më e madhe që e bën të diturin të bekuar dhe të dashur.
Nëse njeriu do ta kuptonte këtë Hir që i dhurohet në jetë, do të ecte në udhën e dijes duke e shpërfillur pasurinë e tokës, duke e quajtur si një mjet që të le në rrugë kur duhet të ecësh dhe të përparosh në udhën e jetës.
Njeriu duhet të rritet i vlerësuar vetëm nga bujaria e të madhit Zot, i cili të shpërblen dhe kurrë nuk të le të pambrojtur dhe të pastrehë.
Ata që kërkojnë pasuri pa hirin e Zotit, janë të varfër dhe jo të pasur.
Mendja e lidhur nga lakmia quhet mendjeshterpë, sepse nuk prodhon atë që i duhet njeriut në jetë, atë mbrojtje e cila do ta shoqërojë deri në ditën e tij të fundit, për të përcaktuar dhe shenjuar rrëzimin apo shpëtimin, dy kahe të kundërta ku jeta varet në fije të perit.
Këputja e këtij peri është fatale për ata që rrëzohen!