Albspirit

Media/News/Publishing

Eden Babani: Dy Llambrot

KREU IV
SHAKA, QYFYRE DHE PËRJETIME TË TJERA NGA JETA IME FSHATRAVE DHE QYTETEVE TË VENDIT

Dy Llambrot

1.

Që të dy e kishin emrin Llambro, por për shkurt thirreshin Llambi.
Që të dy i pata njohur në restorantin e hotel “Sazanit” në Vlorë”, ku shkoja të paktën tri herë në ditë për të ngrënë mëngjesin, drekën dhe darkën, në mos po edhe disa herë të tjera me ndonjë shok për një kafe, për një birrë a për një teke raki.
Që të dy i pata njohur bash në qendër të qytetit, mu përallë lulishtes ku në mënyrë simbolike valonte ditë e natë Flamuri ynë Kombëtar, simbol i shpalljes së Pavarësisë nga Plaku i Vlorës, Ismail Qemali.
Them simbolike, sepse patrioti nga Kanina e shpalli Pavarësinë Kombëtare, në Skelë, në ballkonin e vogël të një ndërtese dykatiëshe. Them kështu edhe sepse atëherë, në kohën që jetoja te “Sazani”, për fat të keq Shqiponjës Dykrenore regjimi pati vënë sipër yllin pesëcepësh të komunizmit.
Gjithsesi, ashtu ose kështu, me yll a pa yll, ishte fat i madh për mua të flija e të zgjohesha mu aty, mu pranë Flamurit. Falesha me të para së të bija për të fjetur dhe i thosha mirëmëngjes me t’u ngritur nga gjumi.
Të parin, Llambron 1, – le të quajmë kështu në marrëveshje me lexuesin, – e njihja vetëm si fytyë dhe prej një farë distance, ngase përditë e hante drekën atje, te “Sazani”.
Të dytin, Llambron 2, – ca llafazan e ca qyfyrexhi, – e njihja ca për së afërmi, si njëri ndër kamerierët restorantit, me cilët shkëmbeja edhe ndonjë muhabet.
Që të dy ishin mjaft të njohur tejembanë qytetit.
Llambroja 1, ishte drejtor i Ndërmarrjes Shtetërore të Grumbullimit. Emri i tij, ama pa mbiemër, shoqërohej vetëm nga fjala “shoku”, – “shoku Llambro”, – dhe mbahej në gojë nga i madh e i vogël nga Sheshi i Flamurit, deri në Skelë e në Ujë të Ftohtë, madje deri matanë tunelit, te Vilat e Udhëheqjes. Mbahej në gojë jo vetëm në këtë diagonale, por edhe në një diagonale të dytë, që kryqëzojej me të parën mbi Kuzbaba, domethënë nga Çmendinës ndënë Kaninë, deri në Çole, në Nartë e në Zvërnec.
Pse mbahej në gojë kaq shumë, do të pyeste ndokush? Sepse të ishe atëherë drejtor i një ndërmarrjeje kaq të madhe nuk ishte pak. Merreni me mend sa qumësht për gjizë, për të piksur djathë të bardhë apo kaçkavall dërgonin stanet rreth e qark Vlorës. Merreni me mend sa grurë e misër, e kunguj, e ullinj, e rrush, e kumbulla etj.etj. dërgonin kooperativat bujqësore dhe fermat e rrethit, pasi kishin mbajtur nëpër depot e tyre rezervat e nevojshme për gjithë vitin.
Edhe tjetri, – Llambroja 2, – ishte jo pak i njohur nga vlonjatët, sidomos nga klientët e “Sazanit”.
Mbiemrin nuk ia dija asnjërit, as të parit, as të dytit. Ama për kamerierin, me të cilin shkëmbeja edhe ndonjë fjalë lidhur me menynë e restorantit, kisha përshtypjen se ishte grekofon, ngase e shqipen fliste shtrapa-shtrupa.

2.


Që para një viti, babai im, ishte transferuar nga Durrësi bregdetar në qytetin tjetër bregdetar, në Vlorë, si shef i Inspektoratit të Shëndetësisë.
Siç e shihni, bregdeti m’i pati hapur dyert kat e kat, sa në Durrës, aq edhe në Vlorë.
Fat i madh, jo?!…
Ajër i pastërt, era e detit, kripa nën lëkurë pas një zhytjeje në Plazhin e Vjetër, në Skelë, ose në Plazhin e Ri, në Ujë të Ftohtë.
Unë sapo kisha mbaruar shkollën e mesme. Shtoj se familja jonë nuk ishte shpërngulur ende në Vlorë. Im atë priste që zyra e strehimit të na jepte një shtëpi me qira, sipas rregullave të kohës. Në ato kushte, donim apo s’donim, rrinim në hotel “Sazani”. Babait i caktuan dhomën numër 12, mua 13-n, që të dyja në katin e dytë sipër kuzhinës.
Drejtori i “Sazanit”, një çam i njohur ato ditë për aryse pune me tim atë, na e bëri këtë nder, sepse dimër po afronte, helbete.
Që të dyja ishin dhoma të këndshme, të mobliuara bukur, të ngrohta e me diell. Por ja që hë!… Mua m’u bë “Ferra Ibrahim”, siç thonë, qyshe se lexova te dera e dhomës sime numrin 13?!…
Numër ters, bre?! Edhe kjo m’u desh! Të vij në Vlorën e Flamurit dhe të gjej belanë!… Kurrsesi.
Bestytni, do të thotë ndokush.
E pranoj. Besrytni a paragjykime, quajini si të doni, do t’i pergjigjesha. Madje sot e pranoj me keqardhje, jo sepse atëherë isha i ri, por sepse regjimi kumunist i Enver Hoxhës ende nuk kishte shpallur fenë të jshtëligjshme!…
Pastaj s’ke ç’i bën?!… Ato, bestytnitë dhe paragjykimet, e kanë ndjekur të gjorin njeri si ferrë që nga lashtësia deri në kohët moderne, sot e gjithë ditën. Ty s’të janë qepur kurrë bestytnitë pas këpucësh, pas çorrapesh, pas pas xhakete a pas pantallonash?!…
Me lejen e drejtorit të hotelit, ma hoqën kartonin me numër 13 dhe ma zëvendësuan me një tjetër: 12/1.

3.


Siç e shihni, njohjen me këta dy shokët Llambro pra, e kam përjetuar bash në restorantin e “Sazanit”, në fund të vjeshtës dhe në fillim të dimrit 1954, afërsisht gjashtë muaj pasi pata marrë dëftesën maturës.
Asohere, për maturantët, ekzistonte ligji i “mobilizimit”. Kjo donte me thënë që, nëse për njërën apo tjetrën arsye ndokujt nuk i dilte e drejta e studimit për Shkollën e Lartë, Ministria Arsimit e urdhëronte me letër rekomande të paraqitej në aksh Komitet Ekzekutiv. Sipas nevojave, zyra përkatës e punësimit e emëronte mësues në ndonjë shkollë fshati a qyteti, nëpunës në ndonjë zyrë brendapërbrenda Komitetit ose e dërgonte me punë si kalemxhi, – magazinier, normist a llogaritar, fjala vjen, – në ndonjë nga kooperativat a ndërmarrjet bujqësore të rrethit.
Mua, për arsye politike me tim gjysh, Mehmet Babanin, dënuar me vdekje si “armik i popullit” – siç e kam thënë edhe gjetkë në faqet e këtij libri, – nuk më doli e drejta e studimit, sado që me një xhaxha, Sedat Babani, dëshmor i Luftës Nacional – Çlirimtare dhe me baba të internuar si antifashist në Kampin e Porto Romanos në Durrës.
Kështu që, me një letër rekomande, më urdhëruan të paraqitesha në Komitetin Ekzekutiv të Divjakës.
Babai kërkoi takim me Manush Myftiun, Anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë njëherësh edhe Zv-Kryeministër, edhe Ministër i Shëndetësisë, me të cilin e pati lidhur prej vitesh detyra si mjek. Ky e priti tim atë në zyrë dhe më transferoi nga Divjaka në Vlorë.
Për fatin tim, Shef i Seksionit të Arsimit në Komitetin Eksekutiv të Vlorës qëlloi Eqrem Kallfa, ish-drejtor i Gjimnazit “Asim Zeneli” në Gjirokastër, ku bëra gati dy vjet të shollës së mesme në kohën që im atë ishte Shef i Spitalit Ushtarak në Divizionin e Jugut, dislokuar në Gërhot buzë lumit Drino. Bash aty ku forcat komuniste, në bashkëpunim me forcat fashiste të Divizionit italian Peruxhiia vranë tridhjetë e ca ushtarë të Ballit Kombëtar, në krye me komandatin e tyre, Hysni Lepenicën, masakër që ka hyrë në histori si një nga më të famshmet gjatë luftës Antifashiste Nacional- Çlirimtare.

4.


I rreptë në detyrë, por korrekt me kolegët dhe me nxënësit, ish-drejtori i Gjimnazit “Asim Zeneli” siç kishte qenë dikur, kishte mbetur edhe gjatë detyrës së re. Im atë më tha se vonjatët kishin po aq respekt sa edhe gjirokastritët për Shefin e Seksionit të Arsimit.
Megjithatë në zyrën e Shefit të Arsimit u paraqita me zemër të ngrirë dhe duke u dredhur.
Pse kështu, me zemër të ngrirë e duke u dredhur?! – do të pyeste ndokush.
Nuk ka nevojë për koment, – do t’i përgjigjesha.
Me një buzëqeshje të lehtë, të cilën e kisha fiksuar në kujtesën qyshse isha nxënës në Gjimnazin “Asim Zeneli”, shefi u ngrit nga tryeza e punës, më shtriu dorën dhe më përgëzoi për mbarimin e shkollës së mesme. Pastaj më zgjati një zarf të mbyllur.

– Paraqitu në shkollën shtatëvjeçare të Skelës, – më tha.

– Faleminderit! – iu përgjigja.

– E di ku është dhe si shkohet në Skelë?

– Po, – iu përgjigja.

– Punë të mbarë, – më uroi. – Dhe kujdes!… – tundi gishtin tregues teksa po hapja derën e po largohesha nga zyra. – Mos turpëro veten, në rradhë të parë! Por edhe doktor Fiqretin, edhe mua, mikun e tij…

5.


Tashti, te të dy Llambrot.
Pak i zgjatur me këto “më the të thashë”, do të jetë mërzitur ndokush, teksa më lexon.
Po si të bëja? Të mos e tregoja rrugëtimin tim nga deftesa e maturës në Durrës, te dy Llambrot e Vlorës?
M’u duk e pamundur.
E, që thoni ju, një ditë prej ditësh shoku Llambro, ai i Grumbullimit, porositi një kokë qengji të pjekur.

– Thuaju atyre të kuzhinës për shokun Llambro, – e urdhëroi prerazi, demek që t’ia zgjidhnin.
Dhe kamerieri, që atje tej me shqipen e tij shtrapa-shtrupa e duke rrotulluar tavën ku mbante ushqimet

– Një koka qengji e pjekura për shokun Llambro! Një tjetra koka e pjekur për atë te cepi dhe dhio koka për ata di te tjetra cepi!… Katër supa orizi ve lejmoni për te cepi na e majta. Një paçe koka viçi për profesorin, djalin e doktorit…
Si duket shoku Llambro u bë pishman. Më mirë një paçe sesa një kokë qengji të pjekur.
Ia bëri me shenjë kamarierit dhe i tha të ndërronte porosinë.
Kamarieri, që atje tej:

– Koka e shokut Llambro, të bëhet paçe!
Gjithë sa ishin në restorant ia plasën së qeshurës.
Shoku Llambro u revoltua. U ngrit në këmbë dhe i bëri shënjë adashit të afrohej:

– Me kë tallesh ti? – i shfryu i inatosur. – Do t’i kërkoj Organizatës së Partisë dhe drejtorisë së “Sazanit” të të pushojnë nga puna. Do të të pushoj nga puna, more vesh?!… – e kërcënoi me ton autoritar.

– Çili je ti, mo? Kush na qenke ti bre që na pushojke mua te puna?

– Unë jam Llambro Koka!…
Kamerieri, iu përgjigj aty për aty gjithashtu me inat:

– Po mirë, mo, mirë!… E pasatanaj?!.. Qoftë se juve na qenka Llambro Koka, unë na qenka Llambro Këmba. Ç’na vijka te kjo?