Albspirit

Media/News/Publishing

Gledis Nano: Pas uniformës është gjithmonë njeriu

Intervistoi Fatjona Molla, Revista Thank You Magazine

Çfarë do të thotë për ju autoriteti? Ku mbaron autoriteti dhe fillon respekti?

Gjatë gjithë jetës i jam përmbajtur një parimi, të cilin e kam ndjerë si bashkudhëtar në rrugëtimin tim: autoriteti është i lidhur në mënyrë të natyrshme me atë model që çdokush ndërton në jetë. Ky format njerëzor përfshin brenda dhe përtej detyrës, pra lidhet në mënyrë të pazgjidhshme me vetë profilin njerëzor.

Në lidhje me pyetjen e dytë, mendoj se ka dy modele autoritetesh: Ai që qëndron në këmbë nëpërmjet frikës, si model i imponuar, dhe tjetri, krejt i pangjashëm me të parin, ai që vendoset nëpërmjet respektit. Unë, në çdo kohë, pavarësisht çdo rrethane, i përkas këtij të fundit, sepse edhe thellë në vetvete kam respektuar çdo autoritet që ngrihet mbi ndikimin pozitiv në jetën e shoqërisë ku bëj pjesë.

Çfarë ju ka mësuar jeta për njerëzit, që nuk mund ta mësonit nga asnjë libër?

Një ndër dilemat e mia të gjithkohshme lidhet me pikëpyetjen që besoj se mund ta kenë edhe shumë të tjerë: janë fatet njerëzore që kanë krijuar librat apo vetë jetët njerëzore janë ndikuar, përgjatë gjithë kohërave, nga modelet që kanë njohur përmes librave?

Herë-herë, në këtë mëdyshje në vetëdijen time fiton epërsi ideja se njeriu është qenia më e përsosur në pafajësinë e tij për të zhvilluar, gabuar, shpërdoruar apo përmirësuar botën rreth tij. Rastet dhe dukuritë që lidhen me njerëzit e çdo epoke, kulture apo shoqërie janë të panumërta dhe kjo ka qenë dhe vijon të jetë një shkollë e vërtetë për mua dhe jo vetëm për mua.

Të rinjtë kërkojnë sukses të shpejtë. Çfarë do t’u thoshit për durimin dhe ndërtimin e një karriere?

Të gjithë kalojmë nëpërmjet një moshe e cila karakterizohet nga ëndrrat, aspiratat dhe vrullet rinore, karakteristika këto që i ndërlidhin dy tipare të rëndësishme, idealizmi dhe atdhedashuria.

Në moshën time, në të cilën përmblidhet një karrierë afro 25-vjeçare, të rinjve të sotëm do t’u thosha se karriera ka vetëm një alternativë për t’u ndërtuar si e tillë: kohën!

E pra, kjo kohë dhe mënyra sesi përballesh me të përcaktojnë drejtimin dhe mënyrën sesi i je qasur modeleve të kohërave rinore. Parë edhe në këtë aspekt, unë i qëndroj fort mendimit se, sido të vijnë sfidat e jetës, tipari i idealizmit dhe atdhedashurisë tek cilido nuk duhet të humbasë apo të tjetërsohet për asnjë çmim, sepse pikërisht aty përcaktohet vija ndarëse: nëse je vazhdim i njeriut që dikur ëndërronte që, me energjinë dhe sinqeritetin e tij, të ndryshonte botën apo, gjatë viteve, ke krijuar dhe rritur një personalitet tjetër, për rrjedhojë një njeri tjetër, i cili në mënyrë intuitive ka shkelmuar dhe larguar nga skena të parin, atë të cilin jeta dhe profesioni e mirëpritën në këtë arenë të madhe, të vëzhguar nga sytë e të gjithëve.

Çfarë gabimi shihni shpesh tek të rinjtë dhe që do të dëshironit ta shmangnin?

Të rinjtë e kohëve të sotme po jetojnë në një periudhë dhe në një mendësi të re, por, në fakt, edhe përballë një rreziku: atë të lënies ose të moslënies së gjurmës në epokën së cilës i përkasin. Kjo ka të bëjë me përgjegjësitë e tyre individuale dhe kolektive për të qenë një forcë që do të duhet të adresojë dhe të vazhdojë procesin e nisur nga paraardhësit dhe pararendësit e tyre.

Etja për të ndërtuar një karrierë të shpejtë, e lidhur shpesh me përfitimet materiale dhe financiare, kam frikë se po shndërrohet në një mendësi dominuese për këtë brez.

Në këtë aspekt, unë do t’i këshilloja çdo të riu dhe të reje që të ketë parasysh se duhet t’u përkasë dhe të ndërtojë vlera të qëndrueshme. Sepse, mbi këto vlera, do të ndërtohen siguria, një karrierë e suksesshme dhe, mbi të gjitha, emri që secili prej nesh do të dëshironte të linte si pjesë të mozaikut të profesionit dhe të rrugëtimit që ka zgjedhur të ndjekë.

Në fund të fundit, karriera mund të ndërtohet me kohë, pasuria mund të fitohet dhe pozitat mund të ndryshojnë, por emri dhe vlerat që lëmë pas janë gjurma jonë e vërtetë në kohë.

Si kanë ndryshuar brezat? Çfarë kujtoni ju nga koha kur ishit student?

Mendoj se ka një ndryshim drastik dhe të dukshëm. Evolucioni në të gjitha fushat dhe ritmi i shpejtë me të cilin përpiqemi të kapim përditshmërinë kanë dhënë ndikimin e tyre. Megjithatë, kjo jo gjithmonë ecën në të njëjtin ritëm me nocionin e kohës.

Kjo sepse koha, në thelb, ka mbajtur të njëjtin kurs, ritëm dhe koherencë. Pikërisht këtu mendoj se ka lindur një kontradiktë që i bën gjeneratat të dallueshme nga njëra-tjetra.

Një pjesë e tyre vjen dhe largohet shpejt nga skena sociale dhe politike, ndërsa tjetra qëndron për një kohë të gjatë brenda epokës që shënjon një brez apo një periudhë historike.

Dhe, nëse do të hulumtojmë brenda kësaj epoke, ata do të jenë gjithmonë aty, si pjesë organike e saj.

Në fund të fundit, një brez nuk përcaktohet vetëm nga koha në të cilën jeton, por edhe nga gjurma që lë në të.

A mendoni se disiplina është diçka që lind me njeriun apo që ndërtohet?

Për mua, disiplina ka qenë gjithmonë pjesë e itinerarit të mënyrës se si i kam ndërtuar detyrimet ndaj vetes, familjes dhe profesionit.

Njeriu, nga natyra, lind si një qenie e lirë dhe, më tej, mëson ose jo të disiplinohet. Unë, për fat të mirë, disiplinën e kam mësuar shumë herët, sepse paraardhësit e mi kishin krijuar një traditë në jetën e tyre familjare dhe profesionale, ku disiplina ishte një normë që përcaktonte çdo marrëdhënie dhe, njëkohësisht, udha e duhur për përmbushjen e çdo aspirate.

Me kalimin e viteve kam kuptuar se disiplina nuk është kufizim i lirisë, por një mënyrë për t’i dhënë drejtim asaj. Ajo të mëson të respektosh detyrimin, të përballosh përgjegjësinë dhe të qëndrosh i qëndrueshëm edhe atëherë kur rruga bëhet e vështirë.

A mund të ndryshojë një njeri një shoqëri vetëm duke bërë mirë punën e tij çdo ditë?

Edhe pse mund të tingëllojë si diçka patetike në ditët e sotme, unë besoj se një njeri i vetëm mund të ndikojë dhe, në rrethana të caktuara, të ndryshojë një shoqëri, nëse e kryen me përpikëri detyrën dhe misionin e tij.

Historia na jep shembuj të shumtë. Nelson Mandela është një nga shembujt më domethënës të fuqisë së durimit dhe të qëndrueshmërisë në përmbushjen e një misioni.

Rruga e tij drejt suksesit nuk ishte e shpejtë dhe as e lehtë; ajo u ndërtua përmes një procesi të gjatë, në të cilin bindja ndaj një vizioni u shoqërua me disiplinë, maturi dhe këmbëngulje.

Mandela dëshmoi se ndikimi i vërtetë nuk krijohet domosdoshmërisht përmes protagonizmit të menjëhershëm, por përmes aftësisë për të qëndruar i fokusuar te qëllimi dhe për të pritur momentin kur puna e akumuluar ndër vite mund të shndërrohet në rezultat.

Në fund, ai arriti në majë jo vetëm si një lider politik, por si një figurë që ndryshoi rrjedhën e historisë së vendit të tij.

Ky rast është një kujtesë se durimi nuk është pasivitet; është aftësia për të vazhduar të ecësh drejt qëllimit, edhe atëherë kur rezultati nuk duket ende në horizont.

Çfarë vlere mendoni se po humbasim si shoqëri dhe duhet ta rikthejmë?

Gjykoj se sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë të rikthejmë dhe të forcojmë marrëdhënien me njeriun, duke mos lejuar që ajo të zëvendësohet nga ftohtësia dhe distanca e ekraneve.

Teknologjia ka transformuar mënyrën se si komunikojmë, por nuk duhet të lejojmë që ajo të zëvendësojë dimensionin njerëzor të marrëdhënieve tona.

Në mënyrë të pavetëdijshme, rrezikojmë të tjetërsojmë vetë hapësirën njerëzore ku jetojmë dhe ndërveprojmë, atë habitat social që, në thelb, na lidh me të tjerët dhe na rikthen te vetvetja.

Sfida e kohës sonë nuk është të refuzojmë teknologjinë, por të ruajmë ekuilibrin, në mënyrë që progresi teknologjik të mbetet në shërbim të njeriut dhe jo të zëvendësojë atë që e bën marrëdhënien njerëzore të pazëvendësueshme.

Cili është një moment që ju ka bërë të ndiheni krenar jo për profesionin, por për njeriun që jeni?

Ndoshta momentet që më kanë bërë më shumë krenar si njeri nuk kanë qenë domosdoshmërisht ato kur kam arritur diçka për veten, por ato kur kam kuptuar se një veprim imi ka pasur vlerë për dikë tjetër.

Në një profesion ku përballesh çdo ditë me situata të vështira, me përgjegjësi dhe me vendime që shpesh nuk kanë zgjidhje të lehta, kam mësuar se suksesi nuk matet vetëm me atë që arrin, por edhe me mënyrën se si sillesh gjatë rrugës.

Ka pasur raste kur kam zgjedhur të bëj atë që kam konsideruar të drejtë, edhe kur kjo nuk ka qenë zgjedhja më e lehtë dhe as ajo që më sillte ndonjë përfitim personal.

Pikërisht në këto momente jam ndier më pranë vetes. Sepse, në fund të fundit, profesioni të jep një pozicion, një titull apo një përgjegjësi; ajo që mbetet është karakteri me të cilin e ke ushtruar atë detyrë.

Dhe nëse ka diçka për të cilën dua të jem krenar, është të mund të them se, pavarësisht rrethanave, jam përpjekur të mos humbas njeriun brenda profesionistit.

Nëse do të mund t’i jepnit një këshillë vetes suaj 20-vjeçare, çfarë do t’i thoshit?

Vetes sime 20-vjeçare do t’i thoja të besonte tek njeriu që një ditë do të bëhej: Gledisi 45-vjeçar.

Do t’i thoja të mos tërhiqej, për asnjë arsye apo rrethanë, nga ëndrra për të ecur përkrah pedagogëve dhe kolegëve të tij në një përpjekje të pakompromis kundër krimit dhe në shërbim të një shoqërie më të sigurt, më të drejtë dhe më të lirë.

Do t’i kujtoja se rruga mund të jetë e gjatë, se rezultatet nuk vijnë gjithmonë menjëherë dhe se, në momente të caktuara, do të jetë më e lehtë të heqësh dorë sesa të vazhdosh.

Por pikërisht atëherë duhet të kujtojë nga vjen dhe për çfarë beson. Të mos i harrojë rrënjët familjare, vlerat dhe idealet që e kanë formuar dhe të përpiqet, gjatë gjithë jetës, të jetë një vazhdues i denjë i tyre.

Për mua, kjo nuk ka qenë dhe nuk është thjesht një zgjedhje profesionale. Është një përgjegjësi që e kam ndier thellë brenda vetes dhe një amanet që duhet ruajtur e përcjellë me dinjitet brez pas brezi.

Sepse, në fund, ajo që mbetet nga një njeri nuk është vetëm ajo që ka arritur, por edhe vlerat që ka mbrojtur dhe gjurmët që ka lënë te të tjerët.

Çfarë do të thotë për ju një jetë e suksesshme?

Një jetë e suksesshme nuk matet thjesht me arritjet apo pozicionet e fituara gjatë rrugës. Ajo lidhet me mënyrën se si e ke përmbushur udhëtimin tënd, si në planin njerëzor, ashtu edhe në atë profesional: me sa përgjegjësi, dinjitet, integritet dhe përkushtim ke përballuar çdo etapë të tij.

Mendoj se është pikërisht kalimi i viteve ai që të jep mundësinë ta shohësh jetën me më shumë objektivitet. Me kalimin e kohës, titujt, pozicionet dhe sukseset e momentit humbasin peshën e tyre dhe mbetet vetëm pyetja më e rëndësishme: a ke qenë besnik ndaj parimeve dhe vlerave që ke zgjedhur të udhëheqin jetën tënde?

Vetveten nuk e gënjen dhe as mundet të të gënjejë dot! Dhe pikërisht përballë vetes, në heshtjen e ndërgjegjes, bëhet bilanci i vërtetë i një jete.

Një jetë e suksesshme është ajo që, kur e sheh pas, mund ta pranosh me qetësi se e ke jetuar me dinjitet, me përgjegjësi dhe pa tradhtuar atë që ke besuar.

Cili është një mësim që do të donit ta merrte çdo lexues nga kjo intervistë?

Do të doja që çdo lexues të merrte nga kjo intervistë një bindje të thjeshtë, por të rëndësishme: Jeta nuk është as shaka dhe as një lojë që mund ta sundojmë sipas dëshirës. Ajo është një provë që, përpara se të përpiqemi ta zotërojmë, duhet së pari ta kuptojmë në thellësinë e saj.

Jeta kërkon të njohësh veten, rrethanat, njerëzit dhe kohën në të cilën jeton, të kuptosh mekanizmat e saj dhe të ndërtosh aftësitë që të lejojnë të përballesh me të.

Por edhe kur i ke bërë të gjitha këto, nuk ka garanci se gjithmonë do të dalësh fitimtar. Ka beteja që i fiton dhe të tjera që i humbet. E rëndësishme është që një humbje të mos të kthehet në një mposhtje.

Ndoshta ky është një nga mësimet më të rëndësishme që kam nxjerrë nga rruga ime: mund të humbasësh një betejë pa humbur veten; mund të rrëzohesh pa hequr dorë dhe mund të dalësh i dëmtuar nga një përballje, por jo i mposhtur prej saj.

Fitorja më e madhe është të ruash aftësinë për të vazhduar, për të mësuar nga ajo që ke kaluar dhe për të mos lejuar që vështirësitë të përcaktojnë se kush je.

Thank You Magazine do t’ju kërkonte t’u thonit “faleminderit” tre njerëzve që kanë ndikuar në rrugëtimin tuaj. Kujt do t’ia thoshit?

Në jetën time ka shumë njerëz dhe figura ndaj të cilëve ndihem vërtet mirënjohës. Nëse do të përmendja vetëm tre prej tyre, do të kisha frikë se, pa dashje, do të lija jashtë jo pak të tjerë që kanë pasur një rol të rëndësishëm në rrugëtimin tim.

Mirënjohja, në fund të fundit, nuk mund të matet gjithmonë me numrin e emrave që përmend, por me gjurmën që njerëzit kanë lënë tek ti. Kjo lidhet edhe me vetë natyrën e profesionit tim. Ka qenë një profesion ku përballja me rrezikun të bëhet rutinë dhe, në momente të caktuara, një fije e hollë dhe pothuajse e padukshme të ndan nga një dramë apo tragjedi e mundshme.

Në rrethana të tilla, kam mësuar të vlerësoj më shumë se kurrë jetën, kolegët, besimin dhe njerëzit që kanë qenë pranë.

Gjatë këtij rrugëtimi kam marrë falënderime dhe mirënjohje, por kam pasur edhe mundësinë t’ua shpreh mirënjohjen time njerëzve të tjerë. Dhe ndoshta kjo është një nga gjërat më të çmuara që të mëson jeta: se mirënjohja nuk është një ndjenjë që duhet vetëm ta marrësh, por edhe një përgjegjësi që duhet ta shprehësh.

Sepse pas çdo detyre, çdo përballjeje dhe çdo suksesi, ka gjithmonë njerëz që kanë dhënë diçka nga vetja për të të ndihmuar të arrish deri aty ku je.

Mendoj se rrugëtimi i një njeriu nuk ndërtohet vetëm nga sukseset e tij. Ndërtohet nga njerëzit që e kanë edukuar, nga ata që e kanë sfiduar, nga ata që i kanë besuar dhe nga ata që kanë qenë pranë tij në momentet më të vështira.

Prandaj, nëse do të duhej ta përmblidhja në një fjali, do të thosha: Faleminderit atyre që më mësuan të jem njeri, atyre që më mësuan të jem profesionist dhe atyre që më dhanë forcën për të vazhduar rrugën.