Avdulla Kënaçi: Vazelina
Novelë
Pjesa e parë
1.
I shikoni ato togjet e maleve të larta në veri të Luginës së lumit Drino? Në mes tyre është një fshat i lashtë, me shtatë mëhallë, të paktën kaq ka qenë kur unë në rininë time, për herë të parë, fillova punën si mësues në shkollën 8-vjeçare. Atëherë fshati përbëhej nga rreth njëqind zjarre dhe klasat e shkollës ishin të mbushura dingëza me fëmijë faqekuq si molla, jo prej ushqimit të zgjedhur, por prej ajrit të pastër e të kulluar, më saktë prej klimës malore. Në perëndim të shkollës, mbështetur pas një kodre të vogël, ngrihej ajo shtëpia e vetmuar, qarkuar me pemë frutore nga të katër anët. Aty jetonte një grua trupimtë e fjalëpak, së bashku me të bijën e saj të vetme. E ëma, nga kreu në fund, ishte veshur në rroba të zeza. Ajo dukej si diku tek mosha pesëdhjetvjeçare, ndërsa vajza e saj, një vit më parë, kishte mbaruar shkëlqyeshëm shkollën 8-vjeçare ku unë po jepja mësim për herë të parë në jetën time. Salla jonë e mbledhjeve të këshillit pedagogjik ishte gati ngjitur me rrugën e cila ngrihej mbi një metër nga niveli i sheshit mbrapa shkollës. Ishte e pamundur që asaj rruge të mos kalonte dy a tri herë në ditë nëna veshur krejt në të zeza, ose e bija trupimtë si një lastar i njomë kumbulle. Ato herë kalonin vetëm, ose të dyja së bashku, njera pas tjetrës. Rruga e ngushtë nuk i lejonte të ecin krah për krah. Pak më tej mbushnin ujë në çezmë ose shkonin për punë në stallat e kooperativës, përtej qendrës së fshatit. Sa kalonte në rrugë njera prej tyre, ose tjetra, mësuesit e vjetër flisnin vetëm për jetën e tyre. Dikush thoshte se gruaja ishte betuar mbi varrin e të shoqit se nuk do të martohej kurrë, derisa të bashkohej me të në jetën e amëshuar. Para dy vjetësh, papritur, bashkëshortin e saj e kishte goditur rrufeja në stanet e vjeshtës. I kishte nxirë e djegur krahun, ndërsa qenit që ai mbante të lidhur me zinxhir pas dore, i kishte këputur qafën si me një të rënë sopate. Asnjë dele nuk ishte dëmtuar ose vrarë nga rrufeja. Mësuesit ishin njëzëri të mendimit se bariu do të kishte shpëtuar jetën e vet sikur të mos mbante pas vetes qenin të lidhur me zinxhir. Ata mendonin se rrufenë e kishte ndjellë zinxhiri i qenit. Shtëpia jo vetëm që mbeti pa kulmin e saj, burrin, nikoqirin, por u muar në qafë edhe fati i vajzës së cilës iu akordua burës për të vazhduar politeknikumin mjeksor në Tiranë, me pagesë nga shteti. Ata të këshillit dhanë e morën t’i mbushin mendjen nënës që e bija të vazhdonte shkollën ku e priste një e ardhme e begatë, por ajo u përgjigjej me kokëfortësi se ata duhet të flisnin me vajzën e t’i mbushnin mendjen, jo asaj vetë. Nëna pajtohej me propozimin e këshillit, por e bija këmbëngulte se në këto rrethana nuk do ta braktiste kurrën e kurrës të ëmën e saj të shtrenjtë, sidomos pas asaj gjëme të madhe familjare.
Vajza quhej Vazelina, por ajo asnjëherë nuk pranonte ta thërrisnin me atë emër i cili në të vërtetë ishte një produkt farmaceutik për të mbrojur lëkurën. I pëlqente emri i shkurtuar Lina, vetëm ai, as Vazelina e aq më keq Vazo. Edhe pas kaq shumë vjetësh mua ende më ka mbetur në sy e memorie ajo vajzë, e veshur në më të shumtat e rasteve me një fustan të bardhë basme me pika të zeza dhe një bluzë pambuku të fryrë tek supet. Nga larg ngjante sikur ecte mbi majat e gishtërinjve të këmbës dhe gjithmonë përshëndeste me një zë të mekur sikur vinte nga nënëdheu. Nuk i pëlqenin fjalët e tepërta, po shumica e fshatarëve e lidhnin këtë me zinë e gjatë që mbante për babain e goditur aksidentalisht nga rrufeja.
Po afronte Viti i Ri. Mua dhe mësuesin e muzikës, Shorin, na thirri drejtori i shkollës në zyrën e tij. Na vuri detyrë të përgatisnim një koncert të cilin do ta shfaqnim në sallën e shtëpisë së kulturës së fshatit me rastin e Vitit të Ri. Në fillim shfaqja do të jepej për nxënësit e shkollës dhe personelin pedagogjik, ndërsa për herë të dytë do ta shfaqnim për të gjithë kooperativistët e fshatit. Kishim një muaj kohë në dispozicion. Mësuesi i muzikës, i cili e qante me lot fizarmonikën, zgjodhi këngët, interpretuesit, ndërsa unë skeçet dhe recitimet.
– Mos harro të qëmtosh ca vjersha për Partinë dhe Udhëheqësin, nëse do ta kesh mirë me drejtorin dhe kryetarin e kooperativës, – më pëshpërti në vesh mësues Shori. Buzëqesha ashtu, si pa të keq dhe shtova:
– As këtu në majë të maleve nuk na ndahet Partia, – i thashë po me zë të ulët mësuesit të muzikës.
– Unë nuk dëgjova gjë, – tha ai duke ndryshuar papritmas çehren e fytyrës. U tremb aq shumë sa dukej sikur në duar mbante një thëngjill të ndezur e jo partiturat e këngëve. U largua në heshtje duke u përpjekur të ishte sa më i padukshëm për gjindjen që kishim rrotull, nëpër këmbë.
Zgjodha një grup fëmijësh të gatshëm, nga më të mirët për çdo klasë. Ishin aq të përkushtuar e të zellshëm të dilnin në skenë sa thua se do të garonin në ndonjë olimpiadë kombëtare, por për ters nuk po gjeja dot midis tyre konferencierin. Të gjithë nxënësit që vura në provë, nuk shpreheshin natyrshëm, ngrinin shumë lart zërin, impostoheshin dhe hera herës dukeshin qesharakë. Konferencieri për mua ishte reklama e koncertit, boshti rreth të cilit duhet të vërtiteshin të tjerët. Konferencieri duhet të kishte zë të mirë, paraqitje fizike të pëlqyeshme dhe të mos bërtiste, por të interpretonte natyrshëm. Nuk isha i kënaqur me asnjerin prej atyre që mora në provë. I qava hallin kolegut, si gjithmonë mësuesit të muzikës me të cilin ndaja dhomën e fjetjes. Ishte minoritar grek nga fshatrat e Pogonit, por djalë zemërbardhë dhe shumë i gjendur. Ai, pasi u mendua ca, më sugjeroi:
– Ah, u kujtova, pse nuk merr Vazelinën, atë vajzën që kishim aktivizuar edhe Vitin e kaluar?
– Kush është kjo, nuk e kam dëgjuar asnjëherë këtë emër?
– Hë mo, ajo që ka shtëpinë në kodër. Ka një vit që ka mbaruar këtu tek ne 8-vjeçaren, me të gjitha notat dhjeta, ekselente. Ajo ka drejtuar të gjitha koncertet tona gjatë tri vjetëve të fundit.
– E para, nuk është më nxënëse e shkollës sonë. Nuk kam si ta detyroj dhe e dyta, duhet të pyesim drejtorin, ndoshta na ndihmon ai, ka më shumë autoritet dhe lidhje me këtë fshat.
– Prit njëherë, do ta lajmëroj unë vajzën për një takim, ajo ma dëgjon fjalën, të jemi të tre, pastaj shkojmë tek drejtori, – sugjeroi me dashamirësi Shori. Ashtu vepruam. E lajmëruam Vazelinën të paraqitej të nesërmen në shkollë, pas mësimit, gjatë provave me grupin tonë artistik.
2.
Një nxënës trupvogël, rrondokop, nga klasat e ulëta, më tha se Lina kishte mbërritur dhe më priste në klasën e tetë. Isha duke shkruar ditarin e punës për të nesërmen. Mbylla fletoren dhe po mendohesha se si do ta bindja Linën të angazhohej. Ajo ishte ulur në bankën ku kishte qëndruar një vit më parë. U ngrit vrulltaz në këmbë. Vura re me kujdes, m’u duk e zbehtë në fytyrë dhe si e paushqyer mirë. Kishte një lëkurë të bardhë si cipë veze, tipare të mprehta, sy të kaltër, vetulla të holla e të zeza dhe flokë të butë si mëndafsh, të lëshuar mbi supe. Ishte veshur me një palë rroba sportive, krejt ndryshe nga vajzat e fshatit. Unë e prisja të ishte veshur me rroba të zeza, por jo. Nisa të prezantohem. Nuk më la të vazhdoja.
– Profesor, e di kush jeni dhe çfarë lënde jepni, ju vë re çdo ditë, unë me nënën time banojmë këtu afër shkollës, si të thuash jemi fqinj.
– Po, edhe unë di që para një viti keni pasur një fatkeqësi të rëndë familjare. Aksidentalisht ju la babai… Jam ca me vonesë, por pranoni ju lutem ngushëllimet e mia. Në fund të fundit nuk keni hak për të marrë, babanë tuaj e mori Zotin në gjirin e vet. Këtë fat pati, vdekjen e kemi borxh të gjithë. Babai juaj iku pa kohë, nuk ju gëzoi, këtu qëndron drama juaj. Ju kuptoj më së miri dhe marr me mend vuajtjet, vetminë dhe vështirësitë tuaja familjare.
– Faleminderit, asnjë fjalë nuk na qetëson e ngushëllon për humbjen e tij të papritur. Nuk ka natë që Babai të mos kthehet tek unë në gjumë, në ëndrrat e mia të llahtarshme.
– Mendoj se ty, si më e re, të takon të jesh e fortë dhe t’i japësh zemër nënës tënde, t’ia lehtësosh jetën. Mos harro, ka edhe më keq. Nuk thonë kot i gjalli me të gjallët.
– Aah, mjerë kush e ka në kurriz! – psherëtiu ajo duke rënkuar thellë në shpirt dhe nga sytë e kaltër i rrodhën disa pika loti.
Më bëri përshtypje siguria në fjalët e saj, dinjiteti, sjellja e çiltër dhe llogjika, arsyetime tej moshës së saj. Ishte momenti t’i bëja propozimin. Ula tonin e zërit dhe iu drejtova kështu:
– Nuk di sa mundësi ke të më vish në ndihmë, më duhet një konferenciere, po afron Viti i Ri dhe askush nga nxënësit nuk ma mbush mendjen për një rol të tillë. Këta kolegët e mi e marrin lehtë këtë hallkë të programit, por për mua është gjysma e punës. Shokët e mi për ty flasin me admirim. Kam parimin se konferencieri me zërin dhe interpretimin e tij duhet të ngrejë peshë spektatorin.
– Unë do t’ju përgjigjesha me plot dëshirë kërkesave të shkollës, se e kam të shenjtë, nga këto banka kam dalë, por Babai im më ndjek andej, aty, lart nga qielli dhe nuk ia thyej dot zemrën pa mbushur tri vjet, kaq jam betuar, as këngë e as dalje në publik. Të tjerët e kanë me nga një vit kohën e zisë, unë kam tjetër masë, jam pak më ndryshe.
E pashë drejt e në bebe të syrit, vura re vendosmëri në fjalët dhe bindjen e saj. Ishte e kotë të këmbëngulja. Ula kokën dhe po bëhesha gati të dilja nga klasa, kur ajo u çel në fytyrë dhe ngriti pak zërin:
– Mund t’u jap një sugjerim? – U ktheva drejt saj me përtesë.
– Hëë, pa më thuaj?
– Në klasën e shtatë, tek banka e fundit keni një vajzë të pamshme, pak më të zhvilluar se shoqet e tjera? – U kujtova, i kisha vënë notë negative në një koment letrar dhe nuk e kisha provuar për konferenciere, më ishte krijuar bindja se ishte e paaftë.
– Po, e kam parasysh, nuk kam besim tek ajo. Më ka lënë përshtypje jo të mirë.
– E keni vënë në provë si spikere? Mendoj se nuk e keni njohur mirë.
– Jo, ndoshta ti ke të drejtë.
– Ajo është vajza e tezes sime. Nuk është aq e mirë në mësime, por reciton shumë bukur, madje thotë se do të bëhet aktore.
– Ashtu? Mirë, për hatrin tënd, nesër do ta marr në provë. I thuaj të bëhet gati.
Të nesërmen, puna e parë që bëra, kërkova Nurien, kështu quhej. Ajo erdhi e mbuluar me ndrojtje, me një prush bulëzash djerse mbi ballë. Rrinte para meje kryeulur, si e zënë në faj. Ishte e trembur; duhet t’i ndryshoja gjendjen e saj shpirtërore dhe t’i largoja ndrojtjen e frikën. Eh, shpesh ne mësuesit kemi hije të rëndë, por nuk jemi ashtu si dukemi.
– Jo kaq e turpshme zonjush Nurie, jo kaq shumë mosbesuese tek forcat dhe aftësitë e tua, do ta nderosh kushërirën tënde, apo do të na zhgënjesh të dyve?
Ajo ngriti kryet dhe më pa drejt e në sy, gjithë mosbesim. Qëndronte para meje si e mpirë, si një këlysh i rrahur paq. Iu njomën sytë nga mallëngjimi, por i dridheshin supet dhe ishte gati t’ia shkrepte të qarit. Unë buzëqesha dhe i hodha një vështrim dashamirës nga koka tek këmbët, sikur nuk kishte ndodhur asgjë e rëndësishme midis nesh. Dalëngadalë po e mblidhte veten, fytyra po i vinte në vend dhe e skuqura po i avullonte nga faqet topolake.
– Nurie, nuk jemi në mësim, mblidhe veten, moj vajzë. Po e theksoj, nuk jemi në mësim, do të na recitosh ndonjë vjershë që dëshiron, apo të të jap unë një tekst të gatshëm?
– Profesor, më mirë të më jepni ju një monolog.
– Ja ku e ke! – dhe ia vura përpara duarve një fashikull të tërë me pjesë letrare.
– Lexo, – i thashë – dhe mendo sikur ke përpara syve spektatorë që të ndjekin.
Nisi të lexojë, por i merrej goja, diku-diku belbëzonte, pastaj u ndal dhe me dëshpërim tha:
– Unë nuk jam si kushërira ime! – dhe ia plasi të qarit.
Realisht mua më pëlqeu diksioni kumbues i zërit të saj dhe i thashë i bindur se ia vlente ta merrte ajo rolin e konferencieres. Vazhdova ta bindja:
– Kjo provë nuk quhet, Nurie. Më dëgjo mua me kujdes, mos u merr me mësimet e tjera, por përgatitu, do bisedoj unë me kolegët që ty nesër të mos të ngrenë e pyesin në mësim. Shpresoj që ti ta marrësh këtë rol në koncertin e Vitit të Ri! – i fola në atë mënyrë sikur ajo ta kishte fituar garën. Dhe vazhdova:
– Të lutem, shko tek kushërira jote dhe ndiq këshillat e saj, ti e di që ajo ka përvojë të pasur në këtë drejtim, siç më thonë të gjithë kolegët. Nesër shihemi përsëri këtu. Kam shumë besim se do t’ia dalësh. Të shkoftë mbarë, moj vajzë! – dhe i përkëdhela lehtë shpatullat për t’i shtuar guximin e për t’i lënë të kuptohej se për të kisha ndërruar opinion.
Nga mënyra se si ndyshoi gjendja e saj shpirtërore u binda se ajo do të bënte të pamundurën për të ndrequr përshtypjen e parë të gabuar. Atë natë dritat në shtëpinë e Vazelinës qëndruan të ndezura gjer vonë. Me siguri aty bëheshin prova për koncertin tim të Vitit të Ri. Isha i sigurt se të dy kushërirat i kisha futur në punë.
3.
Të nesërmen, kur duhej edhe shumë kohë të fillonin provat e koncertit, në oborr të shkollës ecte poshtë e përpjetë një vajzë e panjohur për mua. Afrohem për ta dalluar mirë se kush ishte. Eh, dreqin, qenkishte Nuria. Ishte veshur bukur, flokët i kishte bërë bisht kali dhe në trup m’u duk si më e zhvilluar se një ditë më parë. I habitur vura re se kishte veshur një palë këpucë me taka të larta.
– Nurie, këtu ke fjetur sonte? Nuk paske shkuar në shtëpi?! – iu drejtova me humor.
– O nderoj kushërirën, o vdes këtu në oborr të shkollës. Profesor të lutem më dëgjoni vetëm ju, kam turp nga shokët e klasës, ndaj kam ardhur kaq herët.
– Kjo është gjëja më e lehtë që mund të bëj. Isha nisur për kafe tek klubi i fshatit, në qendër, aty më pret mësues Shori, por meqë e ke merak, po të dëgjoj. Ku ke qejf, këtu në hije të arrës apo në klasë?
– Po në klasë, o profesor, dua të më dëgjoni vetëm ju e jo fletët e arrës.
– Ec përpara, ama me kujdes se do thyesh takat e këpucëve.
– M’i fali Lina, janë të pa veshura fare, krrëk të reja.
– Ruaji për koncert!
– Rrofsh Profe! Më duhej aprovimi juaj.
Dreq, o punë, ku është ai turpi i djeshëm i kësaj vajze?! Sa shumë kishte ndryshuar, brenda një nate. Magji i paska bërë ajo Vazelina?! Si janë kështu këta të rinjtë, mendova, këtu qeshin, këtu qajnë…Është art i madh të punosh e të edukosh këta. Po më pëlqente profesioni që kisha zgjedhur.
– Fillo, bën hapjen, zonjush Nurie!
– Tallu, tallu, Profesor, po mua po më ikën truri…
Nuria kroi pak zërin, mbajti kryet lart dhe nisi përshëndetjen për spektatorët, me një ton të paparë solemn. E lashë të vazhdonte, aq sa të dëshironte, vetëm pas çdo paragrafi, për t’i dhënë zemër, tundja kryet në shenjë miratimi. Kishte disa defekte, nuk i ndiente ato që thoshte, më shumë fliste me zë koke, por ishin gabime të rregullueshme. Nuk i thashë asnjë vërejtje. Vërtetë kishte zë të bukur, hera-herës interpretonte si një aktore e vërtetë, por me të duhej bërë punë, shumë prova, duhej theks llogjik, ajo duhej mësuar me durim. Në fund të fundit për këtë paguhemi ne mësuesit, mendova.
– Si t’u duka Profesor? – pyeti ajo me nxitim, duke iu marrë fryma. Kraharori i ngrihej e i ulej me shpejtësi. Ishte tepër e emocionuar. Me ngut priste vlerësimin tim.
– Ke rrëmbyer notën shtatë, si në klasë të shtatë që je. Rëndësi ka që nuk t’u muarr goja si dje, i ndjen ato që thua. Duke bërë prova së bashku me grupin shpresoj të ngjitemi nga shtata tek dhjeta. Urime, jam i gëzuar që e ke fituar vendin e konferencieres, sigurisht me meritë, edhe pak me hatër. Tani shko tek Lina dhe jepi një përqafim të zjarrtë dhe mua më hap rrugën të shkoj tek kafja, se po më ftohet në filxhan…
– Atë e di vetë unë, mos ma ki merakun për Linën, do t’i jap të fala edhe nga ju dhe do t’ia marr shpirtin me përqafime.
Ajo u nis përpjetë, drejt kodrës, pastaj diçka iu kujtua dhe u kthye me fytyrë drejt meje. Duke iu marrë fryma, tha me zë të ulët:
– Profe, Lina lexon shumë libra artistikë, m’u lut t’u kërkoj hua ndonjë prej tyre, nëse keni, sa për t’i lexuar, se mërzitet e shkreta, ju e dini çfarë fatkeqësie i ka ndodhur. “Dua të humbas mendjen me lexime”, më tha e dëshpëruar dhe unë qava pas atyre fjalëve.
– Në rregull, ti e kreve porosinë, do të bisedoj unë vetë me të, pa merak, – iu përgjigja dhe vazhdova me ngut rrugën për në kafe. Ajo mbeti e hutuar në mes të rrugës. Priste përgjigje tjetër prej meje. Pastaj e mblodhi veten dhe u nis drejt shtëpisë së Linës, në perëndim, e menduar dhe me kryet ulur. Ecte me hapa të ngadaltë. Ndoshta kishte frikë se mos gërvishte këpucët e reja nëpër gurët gëlqerorë që zbrazeshin si rrëke të bardha, që lart nga ajo kodër e vogël si mullar bari.
4.
Në mbasdite, pas mësimit, edhe me ndihmën e mësuesve të vjetër, tani që e kisha pikasur konferencieren, zgjodha aktorët e skeçeve. Nuk ishte e vështirë. Ky fshat shquhej për humorin dhe zgjuarsinë. Ishte me nam në gjithë krahinën. Nuk ta priste mendja se nga ku mund të shpërthente humori dhe batuta e goditur. Bëheshin seriozë përpara se të flisnin dhe krijonin aq shumë situata, sa mendoje se këta fëmijë gjenden këtu vetëm për të këputur romuze djathtas e majtas. Ndjenjën e humorit e kishin në gen, të lindur. Në fund të fundit këta malësorë e kanë ndërtuar në shekuj jetën e tyre jashtë zonave urbane, pikërisht për të qenë të lirë, për të qenë vetvetja dhe të thoshin ato që mendonin. Kur këputin shakara nuk mbanin distancë dhe hierarki mësues-nxënës. U kisha bërë një gjë të qartë, të mos përdornin kurrë fjalë banale. Tek babaliteti dallohej njeriu i kulturuar nga budallai, i latuari nga i pagdhenduri. Fëmijve të grupit artistik, përpara se të ndaja rolet u thashë se kam dy kërkesa; të lexoni këto skeçe që kam zgjedhur dhe të më jepni mendime se çfarë tema duhet të prekin, çfarë problemesh ka këtu në kooperativë që duhen goditur publikisht dhe e dyta më tregoni cilat histori të fshatit tuaj ju bëjnë për të qeshur, ta zemë gënjeshtra, mburrjet, vjedhjet, shejtan-budallai, ose këngët satirike që këndohen nëpër dasma… Të qëmtojmë disa edhe prej atyre. Për ta bërë sa më interesant e të pëlqyeshëm koncertin, u vunë në lëvizje jo vetëm “aktorët” e vegjël, por edhe familjet e tyre. Përditë më kërkonin kooperativistët për të shfaqur mendimet dhe propozimet e tyre.
Në gjithë këtë valë pune, kisha lënë pasdore një njeri të rëndësishëm, fqinjën, Vazelinën simpatike. Me siguri ajo priste prej meje libra artiskë të goditur. “Sonte do lë çdo lloj pune dhe do gjej një libër për të », mendova. Kërkova midis gjithë atij pirgu me gazeta, shkresurina dhe libra të lëshuara pa kujdes nën krevat dhe në fund të dhomës. Kisha me vehte vetëm romanin “Ana Karenina” plus “Princi dhe i varfëri”. I pari, mendova, nuk bën për moshën e saj, është shumë proliks. Tamam-tamam më duhej të zbrisja në qytet të e të kërkoja libra të përshatshëm për moshën dhe përgatitjen e saj, por shfaqja e Vitit të Ri ma rrëmbënte gjithë kohën e lirë. Të nesërmen ishte e diel, porosita nxënëse Nurien ta njoftonte kushërirën të zbriste në shkollë për një bisedë të shkurtër me mua. Bëra gati dy librat, i mbështolla në një gazetë “Pionieri” dhe i lashë përmbi tavolinën e bukës. Dola nga dhoma e gjumit, çfarë dhomë gjumi, ajo ishte shtëpi-pritje, guzhinë, lavapjatë, vetëm nevojtore nuk kishte ngjitur. E jona ishte vendosur njëzet metra më tej, e përbashkët për gjithë personelin pedagogjik. Në ato vite kështu ishin kushtet e banimit për të gjithë. Çdo shtëpi fshati i kishte WC- të dhjetë-pesëmbëdhjetë metra larg banesës. Hekur rrobash nuk kishim në dhomë. Për të hekurosur pantallonat i vendosja natën nën dyshek, thjesht të mos dukeshin të rrudhosura. Të nesërmen, në mëngjes, megjithse dola gjysmë ore përpara se të shkoja në kafe, dy vajzat kishin ardhur, prisnin tek dera e shkollës. Vazelina kishte veshur një fund me pala, bluzë ngjyrë mente e cila i rrinte bukur pas trupit dhe flokët i kishte bërë model kalipso. Faqet nuk i kishte më aq të zbehta, ndoshta i kishte tonifikuar me pak krem, sepse i shkëlqenin. Më habiti me flokët, ky model sa kishte dalë prej gjimnazisteve të qytetit. Kërcitën çelësat e dyerve në duart e rojës, u hap e para klasë, e dyta dhe tek e treta i ftova vajzat të hynin brenda. Nuria hezitonte dhe i mbante sytë nga kushërira, priste aprovimin e saj, por unë i thashë me humor “Futu Nurie, ç’pret, apo të thonë se mësuesi kishte fjetur në shkollë me Linën, këtë do ti”?! Vazelina uli sytë përdhe dhe u skuq gjer në majë të veshëve. Ndërsa Nuria qetë-qetë tha me një lloj djallëzie:
– Më fal, Profesor, mendova se ju keni për të biseduar probleme që nuk duhet t’i di unë.
– Lëri ato manovra, nuk ia dredh dot mësuesit, ka lindur para teje, – dhe i hodha dorën në qafë për ta tërhequr brenda derës. Instiktivisht ajo më vuri pëllëmbën e saj mbi dorën time plot dashamirësi e ngrohtësi. Në çast u pendova që i fola me atë lloj toni, mund ta kisha lënduar. Mesa dukej u zu ngushtë dhe u justifikua ashtu kot.
– Lina, ndjesë për vonesën, nuk marr dot frymë nga provat për koncerin. Unë këtu kam vetëm dy libra “Princi dhe i varfëri” si dhe këtë librin e trashë “Ana Karenina”.
Ajo vuri pëllëmbën e dorës mbi romamin “Ana Karenina”. Nuk di pse pëlqeu Tolstoin përpara Mark Tuein. Ndërhyra me takt:
– Unë mendoj se ky, më i vogli, “Princi dhe i varfëri” do të pëlqejë më shumë, është historia e një djaloshi endacak, por me një vullnet të hekurt dhe e princit të Uellsit të cilët do të takohen rastësisht një ditë për t’i dhuruar njeri-tjetrit miqësi dhe një aventurë të bukur. Nuk ndërruan vetëm rrobat, por edhe emrat e pozitën shoqërore. Ja, ashtu siç i këmben ti rrobat me Linën, por me që je pak më e shëndoshë, kushedi sa herë ia ke shqepur fustanët nën sqetull, ndërsa djemtë ngjanin në shtat e pamje, dukeshin njësoj.
Ndalova për një moment, pastaj ndryshova tonin e zërit. Iu drejtova vetëm nxënëses sime dhe e pyeta edhe njëherë me dashamirësi:
– I këmben ti Nurie ndonjëherë veshjet e tua me Linën?
– Profesor, Lina është vajzë e vetme dhe kush nuk i sjell asaj peshqeshe nga të afërtit, kanakare hesapi?! Sidomos ata që janë në Tiranë, ndërsa ne jemi pesë motra dhe një vëlla, ku më bie mua radha të marr dhurata?!
– Mos u mërzit, nuk i dihet fatit, mundet që ti të martohesh me një të pasur si Princi.
– Ku ka këtu princër, Profesor, ata janë vetëm në përralla.
– Po ti, Lina, si mendon?
– Unë mendoj se mund të mos gjej dot një princ, por mund të kem fat me një njeri të ditur dhe me zemër të madhe. Nuk vlen pozita dhe pasuria pa zgjuarsinë dhe njerëzillëkun. Siç e sheh, profesor këtu jeta është e vështirë, e gjen nga nuk e pandeh.
Unë këmbeva vështrimet me Nurien. Ajo tundi kryet. U morëm vesh, të dy ishim të një mendimi se përgjigja e Linës kishte të bënte me fatin e papritur të babit të saj, fatkeqësisht i goditur nga rrufeja. Pra, ajo nuk ndihej e sigurt duke jetuar në këtë fshat malor me të papritura. U ktheva përsëri tek librat.
– U laguam shumë nga tema, librin “Princi dhe i varfëri » unë e kam lexuar në moshën e Nuries dhe e konsideroj nga më të bukurit. Ky libër më bëri që të ëndërroj se edhe unë mund të këmbehesha një ditë me një Princ, por ju e shihni se tashmë unë jam “këmbyer” me një mësues fshati. Jeta është e habitshme, e paparashikueshme, me shumë të papritura. Nurie, këtë libër ta rekomandoj ta lexosh edhe ti.
– Faleminderit profesor, ja që edhe unë sot përfitova nga shoqërimi që i bëra kushërirës dhe qafsha prindërit, nuk i ndahem Linës, budallenjtë të bëjnë edhe ty budalla, ndërsa të mençurit të japin edhe ty pak nga zgjuarsia e tyre.
Lina buzëqeshi dhe mua m’u duk edhe më e bukur. Më ranë në sy dhëmbët e saj të bardhë si fildish, të drejtë e simetrikë. Kishte një buzëqeshje që figurativisht mendoja se ishte një kornizë e artë e hijeshisë së saj. “Kjo ka diçka nga bukuria e zanave të Malësisë” thashë në mendjen time. Ato që shprehte Nuria me zë, i aprovonte duke tundur kryet dhe me siguri me gjuhën e saj të shkurtër thoshte se nuk është budallaqe kjo kushërira edhe pse disa herë ia këput kodra pas bregut.
Vura re orën e dorës. Nuk duhet të vonohesha në takimin tjetër. Biseda me të dy vajzat kishte zgjatur ca si shumë. U shqetësova, në ato momente duhet të isha në zyrën e Kryetaritt të kooperativës. Ai më priste aty. Nuk duhet të cedoja nga orari.
– Atëherë ti, Lina merr “Ana Kareninën”, si më e madhe që je të takon libri më voluminoz. Lexoje me nge dhe pa lejen time mos ia jep askujt tjetër. Për moshën e Nuries ai është libër i vështirë për t’u kuptuar. Një herë tjetër unë do t’u mësoj se çfarë të lexoni dhe si t’i përtypni në mendje ato që lexoni.
Vajzat nuk e prisnin të ndaheshim aq shpejt, u bënë të heshtura dhe në sytë e tyre lexohej lutja; na tregoni pak më shumë për librat…
5.
Kryetari ishte një burrë i gjatë, si një qipariz, me fytyrë të zeshkët, vetulla të trasha dhe me një vështrim të ëmbël e të butë si të një fëmije. Kurrë nuk e ngrinte zërin, ama kur fliste, me llogjikë të mbërthente pas murit. I pëlqente të rrinte shumë më pak në zyrë e më shumë ecte në këmbë drejt brigadave të bujqësisë, sidomos me ato të frutikulturës. E përsëriste shpesh se pemët, vreshtat, pyjet tërheqin shiun gjatë verës dhe largojnë vapën. Kur binte fjala për klimën e zonës malore, vazhdimishit thoshte: « Eh si ka qenë ky fshati ynë, mbushur vreshta e pemë, por i dogjën luftrat dhe tani ka mbetur karkacul, kërcu i thatë e i zhveshur në mes të këtyre bokërrimave». Fliste me të gjithë, me të rritur e fëmijë, pavarësisht moshave apo gjinisë. Me ne mësuesit rrinte shpesh, pyeste për gjithçka, me një fjalë më shumë blinte se sa shiste. Ishte i pakursyer për ndihmë, me ato mundësi që kishte ekonomia e vogël që ai drejtonte me përkushtim të paparë. Fshati, kooperativa ishin për të mbi gjithçka. I pëlqente vazhdimisht të përsëriste një thënie të Napoleon Bonopartit: «Po qe se gjenerali ha një pulë të fshatit, ushtarët kanë borxh të sosin gjithë shpëndët e atij vendi ». Shtëpia e tij ishte e para që më mirseardhi, qysh ditën e parë. Unë i tregova se nuk do të rrija shumë në atë fshat. Piksynimi im ishte të vazhdoja shkollën e lartë. Prisja të thoshte « Nuk të lëshojmë », por ai më tha:
– Unë, nuk të pengoj, madje do të ndihmoj me miqtë e mi, jo vetëm ty, por kushdo që mbaron shkollën 8-vjeçare këtu, dua medoemos të vazhdojë arsim të lartë, jo gjysmak si puna ime.
Kuptova se edhe ai vetë e kishte brengë të madhe shkollën, por ishte praktik dhe kishtje nuhatje të jashtëzakonshme. Që atje tej i njihte karakteret e njerëzve. Të gjithë e dinin se nuk mund ta gënjeje lehtë. Akush nuk i fliste në fshat « Shoku Kryetar ose shoku Abas », por thjesht « Xha Abas! » Unë e gjeta përpara zyrës së tij duke biseduar me një përgjegjës kopeje rreth kullotave dimërore. Prita sa mbaruan. Më ftoi të shkonim në vendin e punës. Ishte e para herë që hyja në zyrën e tij. Nëpër mure nuk kishte asnjë fotografi, veç ca skicave e hartave ku ishin shënuar tokat e bukës, vreshtat dhe kullotat verore. Si zot shtëpie, e nisi i pari fjalën:
– Si shkon me atë mësuesin grek?
– Mendoj se është njeri i mirë, pak i ndrojtur, por i gjendur.
– Dua të veroj një kope dhish të kooperativës në pyjet e fshatit të tij, thua t’i dëgjohet fjala në vendlindje?
– Mendoj se po.
– Si po të venë përgatitjet për koncertin e Vitit të Ri?
– Më ha shumë kohë, disa gjëra duhen bërë nga fillimi. Ky fshat ka fëmijë të zgjuar, e kapin në ajër atë që do të thuash, por duhet punë individuale me secilin dhe kjo mua më ha shumë kohë, më largon nga librat.
– Siga-siga qe mallako, thotë greku, neise unë kam një problem tjetër, atë me millonain e fshatit, kam strehuar pranë mullirit një tufë me pula, por më trimiqisen. Millonai më justifikohet e më thotë se m’i ha dhelpra. Na vijnë shumë të deleguar në fshat, nuk kam me çfarë t’i ushqej. Nuk mund të prishim një dash për një darkë, me pula kursejmë, kokoshët i therim, pulave u marrim vezët. Janë me leverdi për ekonominë tonë malore.
– Nuk kam haber nga kjo punë, por po i lëshove pulat në pyll medoemos do t’i hajë dhelpra, duhet rrethuar sheshi ku kullotin me tel apo vendi ku ushqehen se me siguri millonai i ka paravalur me mbeturina nga drithrat që bluan.
– Edhe atë kusht ia kemi krijuar, por ai këmbëngul në të tijën. Dyshoj se i ha vetë, por nuk mund t’ia faktoj. Unë dua të ma futësh në ato skeçet humoristike që përgatit ti se me mua nuk merr vesh. Po ta heq nga mulliri mbeten pa bukë shtatë fëmijët e tij, ndoshta gdhëndet me këto cimbisjet e estradës së fëmijëve.
– U tha, u bë, – iu përgjigja i bindur – sa më lindi një ide si ta qindis një skeç të tillë, gjë që realizohet. Faleminderit që ma besuat mua këtë hall, shpresoj t’ua heq nga supet.
– Rrofsh, mor bir, do më heqësh nga kurrizi një siklet të madh.
Më përcolli vetë gjer jashtë në oborr dhe duke u ndarë më dha një porosi për jetën time e cila më vlejti shumë. E mbajta gjithë jetën si vath në vesh:
– Do bëj çmos të vazhdosh shkollën e lartë, jo për skeçin e millonait, por më kanë thënë se ti lexon shumë libra. E do dhe e respekton diturinë. Kush lexon, mendoj unë, kërkon ta njohë botën më shumë dhe kush e njeh botën, di si të lundrojë e fluturojë brenda saj. Shtyje sa më shumë martesën nëse do të arrish qëllimet e tua në jetë.
– Faleminderit për këshillat! – i thashë me gjithë zemër dhe shtërnguam duart fort si në një betim përpara një vendi të shenjtë.
Gjatë rrugës për t’u kthyer në shkollë më shkoi ndërmend Vazelina. Mos i ka raportuar dikush xha Abazit se unë kam ngrohur muahabetin me të?! Duhet të mos i ushqeja shpresa për martesë. Sa mbarova drekën i hyra shkrimit të skeçit për millonain; dhelprën dhe pulat i bëra personazhë. Shori kishte talent jo vetëm për muzikë, por edhe për vizatime. Gjetëm në dyqan një basmë me foto pulash të stampuara, ndërsa dhelprën e pikturoi Shori me bojra vaji mbi një çarçaf të vjetër. Me ato piktuara maskuam personazhet. Skeçin e ndërtova duke organizuar dialog dhelpër – pula. Pulat u luteshin dhelprave të shpëtonin nga hanxhari i millonait. Bashkë me dimrin, po u vinte fundi, sidomos tani që afronin ngricat dhe millonai rrinte gjithë ditën pranë oxhakut dhe pse të shkonte kot zjarri me dru përralli kur aty mund të piqeshin pulat radhë-radhë!
Vazelinën e kisha lejuar të shihte provat me justifikimin se duhej të ndihmonte kushërirën-spikere. Ajo kishte shumë dëshirë të fliste për librin që po lexonte, por unë i shmangesha me justifikimin që isha i zënë deri në grykë. Dhe vërtetë isha mjaft i okupuar. Një mbrëmje, duke u kthyer me Shorin, vonë nga provat, tek dera e dhomës, me pako në duar po na priste e ëma e saj. Në një pecetë mbante diçka të mbështjellë. Kishte përgatitur një byrek me lakra të egra, ende ishte i ngrohtë. E falënderuam përzemërsisht. Për kortezi e ftuam të hynte brenda dhomës. Nuk dinim që ajo ende ishte në periudhë zie dhe nuk duhet të bënte vizita në asnjë shtëpi të fshatit. Madje shumë rrallë duhet të dilte edhe për të kryer ndonjë punë të domosdoshme. Duke ardhur deri aty, e ndjemë se kishte bërë një sakrificë të dyfishtë. Sa u largua ajo, i hymë byrekut si të babëzitur. Zot i madh, si ia dolëm ta mbarojmë brenda darkës tërë atë tepsi të madhe?! Ishim të uritur. U habitëm edhe vetë si e kollofitëm ashtu?!
– E paska qarë, – tha Shori aty afër kafshatës së fundit, – ndoshta nuk na qëndron rëndë në stomak nga që është i gatuar me perime. Po ku i ka gjetur gjithë këto lakra të egra, si nuk i ka vrarë ngrica fletët etyre?!
– Dhe i ka mbytur në gjalp të tretur, – iu përgjgja unë duke fshirë i kënaqur buzët, ndërsa ndërmend më mbiu përsëri portreti i Vazelinës duke buzëqeshur. Me siguri na përfytyronte me kryet në tepsi.
Pas darke, Shorin e zuri menjëherë gjumi, ndërsa unë dola jashtë në oborr dhe po i bija shkollës rrotull. Ishte një natë e qetë dhe e heshtur, qielli i vizatuar i tëri me yje. A e dini se sa më lart të ngjiteni në male, aq më afër të duken se zbresin yjet? Mësuesi i fizikës në shkollë të mesme, Zoti Myzafer, na thoshte vazhdimisht se nëse doni të shijoni bukurinë e kupës së qiellit të ngjyer me yje, duhet të ngjiteni sa më lart në mal, aty ajri është i rrallë dhe shikimi është shumë më i qartë. Të vërtetën e kësaj shprehje e dëshmonte kjo natë e magjishme. Nuk dëgjohej asnjë e lehur qeni, vetëm yjet shkëlqenin sipër kokës sime të turbullt, miliarda yje – larë në atë dritë të feksur argjendi. Natë e shurdhër dhe e magjishme dhjetori, në prag të Vitit të Ri. I dolla kundruall shtëpisë së Vazelinës, pashë pas xhamave të dhomës siluetën e kurmit të saj, vizatuar nga një dorë mjeshtri. Vallë e ka mbaruar romanin e shkrimtarit të famshëm Leon Tolstoi?! Nga jashtë dukej sikur shikoje një film multiplikativ. Ajo u zhvesh për të fjetur. Si thoni, e dinte që po e ndiqja me sy nga oborri i shkollës?!
6.
Nuk e kuptoja se si fluturonin ashtu ato ditë dhjetori, jo nga që ishin të shkurtra, por ishim aq tepër të zënë me punë, si brenda ashtu edhe jashtë shkollës, sa nuk merrnim dot frymë. Gjumin e natës e bënim copa-copa. Edhe sikur të punoje njëzetekatër orë papushim, rroga ishte e njëjtë, asnjë përfitim veç stimulit moral. Shteti dhe aq më pak kooperatiava, nuk kishte shpërblime për veprimaritë jashtëshkollore. Ato ditë përgatitjesh intensive menuja e ushqimit ishte reduktuar në maksimum, bukë, djathë, vezë, makarona. Nuk premtonte koha për gatim. Unë e Shori disa herë e mbyllnim vaktin e darkës me biskota të njomura në ujë. Shpesh i thoshja me humor se do na mbijë sheqeri në bark nga që atë e hanim duke ua hedhur sipër fetave të thekura të bukës. I njomnim me ujë që t’i bënim më të përtypshme. Vetëm ne të dy kishim përgjegjësinë e koncertit të Vitit të Ri, veç mbylljes së semestrit për lëndët që jepnim mësim. Shori më thoshte me të qeshur: “Sa për koncertin si skenarist që je, ti ke përgjegjësinë ideologjike dhe unë kam atë artistike. Me ty ka hesap Partia, jo me mua”. I përgjigjesha me humor: “Nuk ditka hiç greku, mua të më mbyllin tek shtatë penxheret për riedukim dhe ty të të kritikojnë në shtypin lokal për nivel të dobët artistik. “Shtatë penxheret” quhej burgu i Gjirokastrës me shtatë dritare nga ana e lindjes dhe vazhdoja “Mirë e ke ti, si grek i zgjuar që je, e shoh që ecën me parimin e arixhinjve – gaxhoi përpara e unë pas”. Kur dëgjonte këto fjalët e fundit, qeshte me të madhe dhe më hidhte dorën mbi supe. Pastaj më këshillonte:
– Kam vënë re që kjo gjitonia me emër ilaçi farmaceutik, nuk t’i ndan sytë, mos e mbaj pas vetiu si shelege manare, por jepi punë, aktivizoje.
– Çfarë lloj pune, mendon ti?
– Po ja t’u mësojë recitimet nxënësve, të bëjë njoftimet, të merret me organizimin. Mos u mundo t’i bësh vetë të gjitha, nuk ia del dot. Mendoj se ajo është vajzë energjike dhe ka qejf të jetë aktive, do të duket. Të siguroj se do përfundojë sekretare partie në fshat.
– Mirë të ka shkuar mendja, do ta bluaj propozimin tënd, do të mundohem, – iu përgjigja – por më parë duhet marrë miratim nga e ëma, nëse e lejon.
Për koincidencë, po atë ditë e takova të ëmën duke u kthyer nga çezma me një teneqe uji të hedhur në sup. Iu luta ta ulte ngarkesën përdhe. Ajo e kuptoi se kisha ndërmend t’i kumtoja diçka.
– Lulëzime, (kështu quhej) ke një bijë dinjitoze, më të pjekur sesa mosha që ka, të lutem, kam dëshirë të më ndihmojë, jam shumë i ngarkuar, kam marrë shumë kunguj nën sqetull.
Në ato çaste, nuk e dija se i dola në shtegun e duhur. Ajo atë priste, të fliste me mua. U vrejt si reja e ngarkuar me shi dhe fjalë për fjalë tha kështu:
– Unë nuk e kuptoj, çfarë i ke bërë, i ke hedhur sërën, i ke hedhur trutë e gomarit që e ke lidhur pas vetes?! Na tani, po më kërkon edhe leje. Uu, pika! Një e dy dhe emrin tënd përmend, mos ma çmënd vajzën, t’u bëfsha kurban, mos ma merr më qafë me këto budallalëqe çilimijsh! Vetëm ajo më ka mbetur në këtë dynja, mbeta si qyqe në brinjë.
Sytë iu mbushën me lot. I tha ato që kishte për të thënë, u shkarkua më në fund. Mori frymë thellë. Fjalët e saj më tronditën pa masë dhe m’u ngulën thikë në zemër. Si foli ashtu?! Drejtpërdrejt, pa u sjellë rrotull fare, por ballëpërballë, sigurisht atë moment priste. Shikova rrotull se mos e kishte dëgjuar njeri tjetër bisedën tonë. Rruga ishte e shkretë, vetëm ne në mes të atij shtegu të verbër. Popull i çuditshëm, pa asnjë paragjykim. Këta malësorë, shprehin me guxim atë që mendojnë. Nuk duan t’ia dinë për taktin apo delikatesën. E ku se? Në mes të rrugës. Si t’i përgjigjesha?! Pasi u mendova pak, mora guximin e i thashë duke ngritur pak zërin:
– Dëgjo Lulëzime, vajza jote nuk është për këtu në fshat, por duhet të vazhdojë shkollën më tutje, mos e pengo, të lutem. Është më e zgjuar nga ju të gjithë dhe shikon shumë larg. Unë jam njëzetë vjeç. Nëse jap mësim në 8-vjeçare, ata të qendrës nuk kanë gjetur mësues tjetër dhe kanë caktuar mua. Nuk u vjen njeri këtu, është fshat i largët që nuk e kap rruga automobilistike. Sa për miqësinë e vajzës tënde me mua, mos ki fare merak. Nuk kam ndërmend të lidh litar nëpër këmbë pa mbaruar disa plane që kam përpara. Do bëj çmos të iki nga ky fshat, por sa të jem këtu, dua të lë gjurmë të mira, të mbahem mend si një mësues model. Vajzën tënde nuk e kam prekur as me majën e gishtit. E di ti këtë? A nuk ta ka thënë ajo?
– Oh, nuk e kisha fjalën për nga ai krah, ti e ke prekur në shpirt, i ke hedhur trutë e gomarit. Ajo nuk bën si i them unë, por ato që i përrallis ti. Çfarë janë ato libra që i jep për të lexuar?
– Ato janë libra që qarkullojnë lirisht, i ka lejuar Partia, shiten në librari.
– E si shiten në librari me përmbajtje që gruaja, nuse e re, pa asnjë shkak të lërë burrin e fëmijën, të lërë pasuri e katandi dhe të arratiset me një mashkull tjetër, gjasme e dashuron?! Pse nuk i ka rënë një damblla asaj nuseje?!
– E para, mendoj se ti ke parë disa rreshta nga ai libër, disa psherëtima të atij vëllimi dhe të duket se romani po prish moralin e fshatit, më saktë moralin e bijës sate. Ti dhe ju të tjerët nuk shihni si këtu në këtë gropë mes malesh ku jetoni, nuk keni ndonjë moral për ta marrë si shembull. Se pikërisht prej jush, nën zë, unë kam mësuar se vjehrri shkon me krushkën, gjitoni me gjitonen e martuar, kushëriu me kushërirën. Madje këtu ka edhe inçest. Ju i varrosni këto zullume, u vini shqelmin e kapakun e hekurt se mos dëmtojnë reputacionin e fshatit tuaj dhe i del nami i keq në krahinë. Nuk është kështu?!
Për çudi ajo u nemit. Nuk e priste ta kundërshtoja në atë lloj mënyre. Kishte idenë se unë isha një mësues i urtë e i sjellshëm, madje nuk dinte as moshën time reale. Fjalën “ineçest” isha i bindur se nuk e mori vesh fare, gjithsesi iu duk fjalë e rëndë. Sigurisht që nuk mund t’ia dinte kuptimin e mirëfilltë. Për çudi, u urtësua, ndërroi tonin e zërit dhe u përgjegj më me njerzillëk:
– Me besë, ta kam dorëzuar ty Dritën e syrit, kujdesu për të si për motrën tënde të vogël dhe mendo më të mirën e mundshme, mos ia thyej zemrën, është akoma e vogël, e njomë, gjashtëmbëdhjetë vjeçe mbush në shkurt e bukura e mëmës. Ty të sheh si perëndi. Nuk ka as vëlla e as motër tjetër. Vur dorën në zemër për jetimen! Konsideroje si motrën tënde më të vogël.
Dy herë përsëriti “si motrën tënde të vogël”. Më habiti si e mori ashtu kthesën dhe sa me lezet i dha këshillat e saj. Sigurisht u shkarkua, çliroi ankthin që e gërryente përditë. Nëna është nënë, sa fjalë e madhe është kjo! Kur e pashë në atë gjendje, të rrëzuar shpirtërisht, i fola me gjithë sinqeritetin tim:
– Të faleminderit që më kuptove drejt. Këtu jemi, do të më njohësh edhe më shumë e më mirë. Kij më shumë besim tek jot bijë, pastaj edhe tek unë.
Që nga ajo ditë ne këmbenim vetëm përshëndetje të përzemërta dhe ca buzëqeshje nën buzë kuptimin e të cilave e dinim vetëm ne të dy.
Mbasdite kishim provat gjenerale në shtëpinë e kulturës për koncertin e Vitit të Ri. Unë shkova i pari në shtëpinë e kulturës. Gjeta vetëm ca djem që loznin kaladibrançe në oborr. Pas pak ia behu Vazelina. U afrua pak me ndrojtje. Kuptohet që kishte biseduar me të ëmën. E theu heshtjen e para:
– E mbarova «Ana Kareninën », do të ta kthej. Më pëlqeu jashtëzakonisht shumë. Disa faqe i kam kaluar nga dy herë. Nuk ma priste mendja të ishte kaq libër tërheqës, më ka lënë pa gjumë.
– Nuk është libër dosido. Ky titull është përkthyer në 47 gjuhë të botës. Ja, pra, edhe ti në mes të këtyre maleve ke pasur privilegjin ta lexosh, – i thashë unë i lumturuar prej reagimit të saj.
– A do më huash ndonjë libër tjetër që të jetë i bukur si ky?
– Si ky jo, por aty afër.
– Ma kërkoi disa herë Nuria, po nuk ia dhashë. E sqarova mirë e mirë, kam dhënë fjalën të mos ia jap as nënës sime dhe jo më ty, i thashë. U zemërua dhe tani më flet me anë, më rri buzëvarur.
– Isha i bindur se nuk do ta shpërdoroje besimin tim dhe nuk do t’ia jepje asnjeriu tjetër. Ashtu siç ramë dakord.
– Ah, po, u kujtova, kishe bërë një bisedë delikate me mëmën time. M’i tregoi të gjitha. Iu ktheva keq, është penduar, nuk të njihte siç të njoh unë. Profesor, e kam të mirë, por nëna është nënë, ajo vetëm mua ka në këtë botë. Vdekja e babait e ka tronditur shumë, nuk është në rregull, rri pa gjumë, dyshon për gjithçka. Nuk ka shumë shkollë nëna ime, por të jep ujë në bisht të lugës.
– A thua se edhe mua kështu ma bëri, më dha ujë në bisht të lugës?
– Jo, deshi të sigurohej për shoqërinë e miqësinë që kemi së bashku. I kishe pëlqyer shumë. E di si më tha? “Lum ajo nuse që do ta marrë”!
– Kemi kohë për nuse, kështu, beqarë siç jemi, nuk bëhemi kurrë, as ti e as unë, – i thashë duke qeshur. – t’i kthehemi punës, të kalojmë nga personalja, tek e përgjithshmja… Ja si do ecim me programin; të kam bërë gati një kopje, merre të lutem; ndërsa jepet skeçi i radhës, recitimi ose kënga, ti do të bësh gati pjesën që vjen pas saj, do të kesh në gatishmëri personin ose grupin që ke të shënuar në letër. Kujdes, nuk duhet të bëjnë biseda kot më kot, të rrinë në pritje dhe të jenë të gjithë prezent, të hyjnë në skenë me disiplinë, të kenë paraqitje dhe të sillen me kulturë e dinjitet. Asnjë komunikim me njeri-tjetrin pas kuintave. Ua kam vënë këto në dukje, por po t’i përsëris edhe ty.
– Po ju ku do jeni? – më ndërpreu ajo.
– Mua më duhet të shoqëroj në sallë xha Abazin si dhe nja dy të deleguar që kanë ardhur nga rrethi. Ende pa u dhënë shfaqja, nami i këtij koncerti ka shkuar deri në qendër. Ka shumë të interesuar të dinë se si do shkojë dhe si do të pritet. Në rreshtin e parë do jetë Drejtori i shkollës, xha Abazi, dy të deleguar si dhe unë në rolin e shoqëruesit. Mos e merr me frikë, Lina! Shumë urime, na vaftë mbarë! – i dhashë porosinë e fundit përpara fillimit të shfaqjes dhe e përqafova plot ngrohtësi, sikur ta kisha motrën time të vogël. U kthye vrik që të mos arrija t’i shihja sytë e njomur nga lotët.
Tej e tej sallës ra heshtje. Ktheva kryet. Të gjitha karriket ishin të zëna. Ca spektatorë kishin hipur në parvazët e dritareve ose ishin mbështetur pas mureve, prej andej do ta ndiqnin shfaqjen në këmbë. Tingujt e fizarmonikës ushtuan tej e tej sallës. U ngrit perdja dhe në sfond u shfaq një banderolë ku ishte vizatuar një kazmë e një pushkë, Programi nisi me një këngë për Partinë, ky ishte urdhër nga lart. Drejtori i shkollës e kishte dhënë porosinë me shkrim që kënga për Partinë të ishte e para. Ja ku u shfaq konferencierja, Nuria. Zëri i saj i plotë gjëmoi tej e tej sallës. Ajo ishte veshur lezeçëm. Nuk di, i kishte të sajat ato rroba apo i kishte huajtur prej diku. Kënga tjetër që pasoi, pas asaj të Partisë, ishte ajo për dëshmorët e fshatit. Teksti i përmendi emër për emër. Kënga e tyre ishte më e gjatë se kënga për Partinë.
– Kjo është pika jonë më e dobët, – më kishte thënë Shori në mirëbesim – mund të na heqin vrejtje pse kënga e dëshmorëve është tri herë më e gjatë se ajo për Partinë.
– Ma lër mua të përgjigjem, – i thashë – dëshmorët janë bij e bija të këtij fshati, gjaku i derdhur që të çlirohej Shqipëria prej fashizmit dhe ne të dy të jemi sot këtu, në këtë sallë.
– Mirë, o mirë, po ec e u mbush mendjen atyre të deleguarve.
– Ma beso mua këtë pjesë, përgjigjem vetë, po nuk besoj të jenë aq budallenj sa të ulin e të shkelin mbi gjakun e derdhur për liri.
Desha të shtoj më tej se partia është abstrakte dhe dëshmorët janë konkretë, me emra e mbiemra. Po ç’faj kishte minoratari i shkretë, mësues Shori?! Ai dinte si punonin ingranazhet e shtetit dhe kishte qëllim të më mbronte mua, shokun e ngushtë me të cilin ndante bukën, vuajtjet dhe gëzimet e këtij fshati malor gjysmë të izoluar. Recitimet shkuan mirë, këngët po ashtu, por kur një grup djemsh të klasës së tetë, veshur me kostume popullore kërcyen një valle, u thye një dërrasë e podiumit. “Syri i keq”, mendova unë. Velua, i pari valles, nuk e humbi toruan, iu shmang gropës dhe vazhdoi me krye të vet: “Thyeju, moj dysheme, të bën Abazi të re!”. E kishte fjalën për Kryetarin e Kooperativës. Shpërthyen duartrokitjet nga të gjitha anët.
Xha Abazi m’u kthye mua dhe më pëshpëriti në vesh:
– Ku e ke skeçin e millonait?
– Tani e ka radhën. – iu përgjigja me zë pak më të lartë. Dhe vërtetë ashtu ndodhi. Dolën pulat-aktore në skenë, pastaj dhelpra e maskuar nën çarçaf. Pulat vajtonin në kor:
Na sosi, na sosi millonai,
Na griu, na griu qerratai…
Pastaj e kishin radhën dhelprat të përgjigjeshin në skenë. Vazhdonte kori i tyre:
Neve nami na ka dalë,
Po të tjerë pulat hanë
Hani derra, pini derra,
Puplat hidhni nëpër ferra,
Ashtu siç bëni ngahera…
Pa mbaruar mirë kori i dhelprave, për habi të të gjithëve, del vetë millonai në skenë duke mbajtur në duar një çark portativ, ndërtuar me dërrasa pishe. Vërtet brenda arkës kishte një dhelpër të gjallë që rrinte e trembur në cep të saj. Nuk kishte ndodhur kurrë që në skenën e shtëpisë së kulturës të dilte një dhelpër e gjallë, e vërtetë.
– Uuauuuu! – gjëmoi salla. Të gjithë menduan se kjo ndërkallje ishte pjesë e skenarit të shfaqjes. Unë desh ngriva në vend, e humba krej toruan.
– Dëgjoni shokë e shoqe dhe ju pionerë që më goditët këtë herë! Unë jam millonai, Kryesia më kërkon dëshmitarin që të vërtetoj se pulat e mullirit i ka ngrënë dhelpra e jo unë, dora-vetë millonai. Ja ku e keni dëshmitarin, shiheni vetë me sy. Kjo zonjë e rëndë i ka sosur të tëra pulat, një nga një e jo unë derëziu!
– Më fal – i thashë i tronditur Xha Abazit – nga hyri ky i bekuar në skenë?! Qerratai, na prishi “dasmën”! Po ngrihem të pyes dhe ta përzë që këtej, nga salla, me gjithë dhelpër, – vazhdova unë.
– Mos luaj vëndit, – më këshilloi tha Xha Abazi me atë urtësinë e tij karakteristike, – millonai ma bëri borxh me këtë veprim. U vendos, do t’i heq që nesër pulat nga mulliri. Kaq ishte. Vazhdoni programin sikur nuk ka ndodhur gjë. Të deleguarit i sqaroj unë vetë si qëndron puna.
Ashtu bëra. U ngjita në skenë, por millonai ishte zhdukur me gjithë dhelpër në kafaz. Iku si me magji, sa hap e mbyll sytë. Dikush tjetër paskishte qenë më i shpejtë se unë, e kishte nxjerrë nga salla me forcë. Dhe a e dini kush? Ata qenkishin djemtë e klasës së tetë. Vazelina ia kishte plasur të qarit dhe u kishte kërkuar ndihmë, por edhe pse sherrëxhiu ishte larguar, ajo ende nuk po e merrte veten. Nuk donte kurrsesi të thyente besimin tim. Mendoi se duke ndryshuar programi, do më pushonin mua nga puna. Ec e mbushu mendjen të tjerëve se nuk ishte një shejtanllëk nga ana ime! E përgëzova për kurajon që kishte treguar. E putha në ballë. U lumturua. Fshiu lotët, shpalosi letrat dhe thirri në skenë grupin tjetër të këngëtarëve. Salla gjëmoi përsëri nga brohoritjet, sikur nuk kishte ndodhur asgjë. Por ky incident nuk u mbyll me kaq, pati pasoja në reputacionin dhe autoritetin tim. Kjo ngjarje më afroi më shumë me Vazelinën. Thuajse takoheshim përditë. Dalëngadalë ne po hynim më shumë në sekretet e njëri-tjetrit. Një ditë prej ditësh ajo më pyeti duke u skuqur nga turpi. Guxoi të artikulonte këtë pyetje:
– A ke pasur ndonjëherë të dashur, Profesor?
– Diçka kam pasur, – iu përgjigja i menduar – por nuk kanë ndodhur aq shumë gjëra të rëndësishme sa për t’u mburrur, ose treguar. Po ti?
– Unë? Kurrë. Ja më thuaj me kë mund të dashurohem unë këtu në fshat?! Lere më që nuk dua të jetoj këtu. Problemi im më i madh është halli i mëmës. Me kë ta lë këtu?! Unë nuk martohem derisa të gjej një burrë që ai të pranojë të jetojë edhe mëma ime me ne.
– Pak si i rëndë ky kusht. Mendoj se Lulzimes nuk do t’i pëlqejë të largohet nga ky fshat, veç ty, ajo këtu ka gjithë të afërtit e tjerë edhe farefisin. Është lindur e rritur në këto troje, krijoi familje, siç thonë, kishte një burrë shumë të mirë. E kam parë se çdo të diel shkon në varreza… Nejse, duke parë e duke bërë.
Kur u ndava prej saj mendova se ndoshta tërthorazi ajo më bëri një lloj propozimi, pavarsisht se unë e konsideroja ende adoleshente. Kërkoi të dijë pikpamjet dhe bindjet e mia për martesën. Një gjë ishte shumë e qartë, të paktën nga ana ime; ne e pëlqenim njeri-tjetrin, por nuk mendonim për perspektivën. Mua kjo gjë më mjaftonte.
7.
Dimri në atë fshat ishte shumë i ashpër. Shpesh, rrugët, oborret dhe çatitë mbuloheshin nga bora, gjatë tre-katër muajve të dimrit. Pas javës së parë të janarit, unë dhe Shori ishim kthyer nga pushimet dimërore. Fshatin e gjetëm tej e tej të zbardhur nga dëbora. Ishim me fat që u kthyem në ditë me diell dhe për dyzetë minuta ecëm mbi borën e ngrirë. Përpara dhomës sonë të fjetjes gjetëm një pirg të madh me dru zjarri. U gëzuam si fëmijë. Xha Abazi ishte kujdesur që veç klasave, të kishim edhe ne dru të bollshme për dimër. Pikërisht ne, dy mësuesit jabanxhij. Pas ushqimit, në atë fshat, gjëja më e rëndësishme ishte ngrohja. Dhoma jonë ishte me oxhak dhe shpesh na zinte gjumi rreth zjarrit. Në çdo dy javë shkonim në qytet për furnizime. Gjysmën e rrugës e bënim më këmbë. Ishim mësuar me vështirësitë. Sidomos në kthim, udhëtimi na dukej më i lehtë, sodomos mua që do të takoja shoqen time më të shtrenjtë. E dija, dilte në dritare dhe për orë të tëra vështronte nga dhoma jonë.
Gjatë javës së dytë të shkurtit, të shtunën, me të mbaruar mësimin, ia kishim mbathur nga shkolla e kishim zbritur në qytet. Kishim marrë lejë nga drejtori të ktheheshim të martën e javës, mbasdite. Atë herë, në kthim, në gjysmën e rrugës, binte shi i ftohtë, por kur hymë në grykën e ngushtë si një hinkë, një orë përpara se të mbërrinim në fshat, moti u egërsua. Era ndërroi drejtim. Një llohë bore po afrohej nga ana e veriut. Secili kishte në shpinë nga një çantë ushtarake të mbushur me ushqime. Veç ushqimeve, unë kisha futur brenda edhe libra. Shori kishte të veshura në këmbë gjysmë çizme me lëkurë viçi përsipër, të sjella peshqesh nga Greqia, ndërsa unë kisha një palë këpucë me lëkurë derri të prodhura në fabrikën e lëkurë-këpucëve në Gjirokastër si dhe çorape të trasha pambuku. Dëbora bëhej gjithnjë e më e dendur dhe na pengonte të ecnim përgjatë trasesë. Disa herë hidhnim hapa kuturu, nëpër ara, por ndodhte që aty bora ishte më e trashë, më shumë se gjysmë metër. Gjëja më me mend që kishim bërë, ishte paisja e secilit me nga një shkop thane mbi të cilin jo vetëm mbështeteshim, por matnim edhe trashësinë e borës. Unë gjithnjë e më tepër i ndieja këmbët të mpira, por çizmet me push të Shorit nuk donin t’ia dinin për trashësinë e borës dhe lagështinë, kështuqë atij i takonte të çante borën përpara. Flokë bore e grimca akulli na qëllonin e fshikullonin drejt për drejt në sy e fytyrë. Kishim frikë se mos dilnim nga rruga dhe humbisnim orientimin. Ishim lodhur shumë, kishim nevojë për pushim, por të dy e dinim se të uleshe në dëborë ishte e barabartë me një bronkopleumoni. Temperaturat ishin shumë gradë nën zero. Po afronte nata, xëc e errët. Papritur u ndodhëm afër një gremine. Ja sesi e kuptuam; Shori u përpoq të ngulte shkopin në dëborë, por ai gati i humbi nën bardhësi, nuk gjente dot tabanin e ngrirë ku të mbështetej. Duke ndjerë rrezikun, klitha:
– Zoti mësues, mos bën asnjë hap përpara, jemi mbi greminë, duhet të kthehemi mbrapa. Kemi ngatërruar rrugën! Për pak na hodhe në humnerë, mor i bekuar, kemi prerë shumë majtas. Kemi ecur kuturu në të majtë, – i thashë i zemëruar. Ai nuk m’u përgjegj, por u kthye mbrapsht me vrull dhe pas pak më tha me një zë të përvuajtur:
– Dorëzohem, gabova, kam dhimbje koke. Sikur kam një rreth të hekurt që më shtërngon pa pushim ballin, na udhëhiq zotërote.
– Mendoj se jemi vetëm njëzetë minuta larg nga fshati, – i thashë – eja pas meje.
Lloha e borës u bë më e dendur dhe sapo vinte dhe errësohej. Ishte natë pa hënë. Thuajse ecnim kuturu. Këmbët nuk i ndieja fare, gati i hiqja bran. Kushdo e di se ai që çan i pari dëborën ka më shumë siklet e vështirësi. Duhet të ktheheshim tek “Gorrica e vetmuar”, vetëm nëpërmjet saj mund të orientoheshim se në cilin drejtim duhet të ecnim. E kërkuam me këmbëngulje, vazhduam edhe gjysmë ore tjetër të silleshim vërdallë. Më në fund e gjetëm. Sa afër saj paskishim qenë! Dreqin, pa e kuptuar ishim sjellë rrotull si kali në lëmë më shumë se pesëdhjetë minuta rresht dhe nuk e kuptonim ku ishim. Më në fund, fare pa kuptuar, Shori desh u përplas pas një peme të bekuar, qënkishte “Gorrica e vetmuar”. Si mund të orientoheshim? Ngado errësirë, suferinë, asnjë yll nuk dukej në qiell. Pas pak flokët e borës u rralluan dhe dalëngadalë po hapej qielli.
– Po tani – më pyeti i hutuar Shori, – nga do t’ia mbajmë?
– Një minut, të gjejmë atë degën, cungun e prerë në të cilin varnin sherqet e trastat barinjtë. Pikërisht ajo degë e cunguar, mbaj mend se shikonte në anën veri-perëndimore nga ku shtrihet fshati, – i thashë duke harruar këmbët e mia gjysmë të ngrira. Rëndësi kishte që më në fund mund të orientoheshim përsëmbari.
– Tani e kam të qartë, – tha Shori – të ecim andej nga vështron cungu.
– Ekzakt.
Shori mori përsëri komandën. Po hapte borën përpara, ecte gjithnjë në të njëjtin drejtim. Pengohej, hepohej anash, përkulej përpara dhe vazhdonte me kurajo në të njëjtën kahje… Këmbët e mia ishin bërë fare dru. Më krijonin idenë sikur tërhiqja zvarrë dy kërcunj. Nuk di nëse do të mbërrija dot në fshat. Provoja të lëvizja gishtërinjtë e këmbës, por nuk po kuptoja, kisha apo nuk kisha gishtërinj. U pengova dy-tri herë, por lavdi Zotit nuk shëmbesha me turi mbi ndonjë gur, sepse më priste jorgani i trashë e i ftohtë i borës sipër gurëve. Duhet të vazhdonim pa u ndalur, të ecnim e të ecnim. Kjo ishte një luftë për jetë a vdjekje. Më në fund Shorit nuk iu durua dhe shfryu:
– Në dreq të venë ato pak lekë që marrim, po lëmë jetën tonë të re këtyre harcave, mirë ti, po unë çfarë mutin dua këtu?! Shyqyr që ende nuk jemi martuar se do kishim marrë në qafë edhe bijat e botës.
– Shori djali, unë nuk i ndiej fare këmbët, po më ngrijnë, më mirë të vras veten se të jetoj me këmbë të prera.
– Sa të kesh palikarin (trimin) këtu, nuk do të të ngrijnë këmbët, veç duhet të shpejtojmë, të lëvizim, duhet të ecim me ngut që të na qarkullojë gjaku nëpër vena, – tha dhe nxitoi të hapte rrugën përpara. Çante me duar e këmbë me një kurajë të paparë. Ishte luftë për jetë a vdekje.
– Shori, kam lexuar kujtimet e një ushtari vllah, i cili ka marrë pjesë personalisht në luftën italo-greke. Pikërisht në këtë “stadium” ku kalojmë ne të dy, është bërë një betejë e ashpër, shumë e egër. Ka qenë fundi i muajit janar, nuk e mbaj mend mirë si e shkruante, 41-42?! Papritur, në luftë e sipër dy ushtritë i zuri ngrica dhe furtuna e borës, pikërisht këtu ku jemi ne, në Luginën e Djallit. Nuk di sa shumë ishin ulur temperaturat, ndoshta njëzetë-tridhjetë gradë nën zero. A e beson që të dy kompanitë, greke dhe italiane, të dyja ngrinë më këmbë, me pushkët bajonetzbërthyer, drejtuar ndaj njeri-tjetrit?! Me siguri, kur i kanë gjetur të nesërmen, u janë dukur si skulpura të derdhura në allçi. Po a e di se çfarë bëri ushtari-vllah? Në prag të vdekjes, me shpirt ndër dhëmbë, sajoi një tip bunkeri me njerëz të ngrirë. Bëri mur me të vdekur dhe u fut në kamaren që krijoi me trupat e tyre të ngrirë. Aty e kaloi natën e mbajti frymën gjallë. Shpëtoi. Vetëm gishtërinjtë e këmbës iu atrofizuan plotësisht. Të nesërmen dolli dielli dhe dukej sikur këtu nuk kishte ndodhur asgjë. Fërshëllente vetëm era e vdekjes. Erdhën ata të prapavijës me mushka dhe i mblodhën të ngrirët. Grekërit që ishin të parët, nuk i prekën ushtarët italianë, i lanë ashtu siç i gjetën, të murosur. I dhanë konjak vllahut, ushtarit të tyre, i fashuan mirë e mirë këmbët me peceta pambuku dhe u nisën për në garnizonin e Gjirokastrës, atje ku ishte dislokuar spitali dhe komanda e tyre. Kjo është historia e kësaj lugine, reale, e vërtetë. Unë e kam takuar dhe dëgjuar me veshët e mi ish ushtarin Kristo Xhima. Kam frikë se mos më presin edhe mua gishtrinjtë e këmbës, ashtu si ushtarit-vllah të Luftës së Dytë Botërore…
– Mos paçim fatin e asaj lufte të çmendur, sa për këmbët e tua, ta kesh të qartë, sa të kesh Shorin gjallë, as maja e flokut nuk do të preket, – tha me pikëllim. Kisha idenë se qau. Nuk i dalloja dot fytyrën, por vura re që me mëngën e kapotës fshiu sytë. Fjalët e tij ishin si një betim. I besova pa as më të voglin dyshim.
Pa kuptuar po i afroheshim fshatit. Heshtje e shurdhër. Shtëpitë pa drita ngjanin si fantazma, rrethuar me çarçafë të bardhë. Kaluam shtëpitë e para. Thuajse gjysmat e dritave ishin të fikura. Kërkoja me sy shtëpinë e Vazelinës, por nuk e dalloja dot, ishte zgjuar, kishte atje drita ndezur apo fikur?! Për pak era dhe bora pushoi. Mjergulla po largohej dhe ja tek u dukën më shkoqur muret e murmë të shtëpive. Ishim shumë afër shtëpisë së parë pranë shkollës. Të trokisnim këtu?! Heshtje varri. Kërkoja të shihja me sy shtëpinë e mikeshës sime, por nuk e dalloja dot. Shori vuri re orën me fushë fosfori dhe ajo tregonte tetë e njëzetë e mbrëmjes. Fiks për tri orë e gjysëm me radhë i kishim ardhur rrotull Fushës së Djallit, më saktë Fushës së Vdekjes. Ishim mjaft të lodhur e të kapitur, nuk kishte më keq se kaq. Gati këmba-dorazi mbërritëm tek dera e dhomës sonë. Shori nuk gjente çelësat për të hapur derën, unë i kisha në çantë, por nuk mund ta hiqja dot atë nga shpina, më ishin mpirë edhe krahët. “Më prit një minut”, tha miku im i mirë dhe pa më marrë lejë, u lëshua si skifter drejt shtëpisë së Vazelinës. Unë, për t’u nxehur, ecja në vend. Më ngjante se nuk përplasja përtokë dy këmbë, por dy cungje. Punë minutash, Shori u kthye me Linën dhe të ëmën.
– Shpejt, në shtëpinë tonë, qënkeni plevitosur e bërë kallkan, o të zes, – tha Lulëzimja – shyqyr që e kemi ndezur zjarrin në oxhak, i kam vënë një kucur lisi. Profesora, aty do t’u vijë shpirti në vend.
– Unë nuk vij, jam mirë, ju lutem, kujdesuni për këmbët e kolegut tim. Ai është ankuar gjatë gjithë rrugës se po i ngrijnë gishtrinjtë e këmbës, – u tha Shori me përgjërim. Vazelina me shpejtësi më hoqi dorashkat e leshit dhe iu drejtua së ëmës:
– Korba, mami këtij po i ngrijnë edhe duart, i ka akull të ftohta.
E ëma bëri sikur nuk dëgjoi, por kur u larguam nga Shori m’i mori të dy duart dhe i masazhoi me një shkathësi të paparë. Kur pa që nuk ngroheshin me gjitha ato fërkime, sa hymë në shtëpi m’i futi të dy duart nën sqetullat e saj dhe m’i mbajti për disa minuta. Nuk fola, isha në ditë të hallit. Dinjiteti më kishte zbritur poshtë brezit. “Eh, si u katandise kështu, more derëziu Profesor?!” – i fola vetes sime me gjuhë të shkurtër. Shikoja rrotull dhomës se ku mund të gjeja një vend për t’u rehatuar.
– Bijë, mos e ul menjëherë afër zjarrit, – i dha urdhër Linës – duhet ta ndërrojmë djalin. Më sill rrobat e brendshme të burrë ziut, nuk i veshi kurrë, ende janë me etiketat e dyqanit.
– Jo, – u përgjigja – kam tesha të tjera në dhomën tonë, t’i bëjmë një zë Shorit!
– Nuk premton koha, pse të alarmojmë fshatin?! – tha prerë e zonja e shtëpisë.
Si, do vishja rrobat e të vdekurit?! Eh, nuk isha në pozita të kundërshtoja. Si më quajti ashtu, djalë?! Kjo nuk ka pasur kurrë djalë. Edhe këtë herë heshta. Ato u larguan matanë dhe më sollën një fanellë e një palë mbathje të gjata pambuku. Çorapet më ishin ngjitur pas lëkurës së këmbëve. Këpucët e ngopura me ujë e akull po shkrinin në vatër, afër zjarrit. Nënë e bijë e kuptuan që po vonohesha duke u veshur. U dëgjova vetëm zërin. Më këshilluan të shpejtoja, duhet të futja këmbët në ujë të ngrohtë, aq sa është temperatura e trupit, ndryshe do të më ripej lëkura. Ashtu bëra, me gjithë çorape veshur, futa të dy këmbët në legen me ujë të vakët. Lulëzimja, me mjeshtërinë e një kirurgu, më në fund m’i xhveshi çorapet nga këmbët. Ndjeva një farë lehtësimi.
– Lëvizi gishtërinjtë, – më urdhëroi ajo. Nuk mundesha, nuk i ndieja.
– Sillëm shishen e rakisë, atë me ballë kazani, – i tha së bijës. Ajo ia dha në çast.
– Nuk duhet të jemi shumë afër zjarrit, duhet t’i biem gishtërinjtë në jetë, pak e nga pak, – këshilloi të bijën.
Pastaj m’u kthye mua e dëshpëruar duke parë gjendjen e këmëbve të mia në pikë të hallit:
– Po ku dreqin shkon me ato këpucë në mes të borës?! Ato e thithin lagështirën një orë larg. Pse budallenj janë çobanët tanë që mbajnë shollë me goma makinash e përsipër lëkurë kau të regjur?! Sipas vendit dhe kuvendi. Po mirë, nuk kuptoj gjë fare, pse ngrive ti dhe jo ai greku?! – pyeti me kureshtje.
– Ai greku shpëtoi veten dhe mua, sepse kishte veshur gjysmë çizme me pellush brenda, posaçërisht për klimë të tillë. Të afërtit e tij ia kishin dërguar peshqesh nga Greqia. Ato lloj çizme gjuetarësh, të veshura me pellush përbrenda, ia mbanin këmbët krrok të thata, jo si këto të miat me lëkurë derri, – ua shkoqita hollësisht gjendjen, se kështu ishte e vërteta.
– Lina, e sheh që profesori yt e ka një të metë? Mban këpucë me lëkurë derri, – i tha ajo me të qeshur së bijës e cila dëgjonte me vëmendje, gjithë sy e veshë. Shihte gjithçka, dëgjonte gjithçka, por nuk ndërhynte. Më në fund nuk iu durua dhe tha:
– Mama, mos i shiko gunën Profesorit, por shihi punën, – iu kthye pak si akërryer duke më marrë në mbrojtje.
– Avash ti se nuk ta vrava, po duhet të kujdeset më shumë për shëndetin e tij. E sheh si e ruan veten greku?! U më rëntë pika, desh harrova, po ky është edhe i pangrënë. Po luaj, moj korbë vendit, na nxirr ca pastërma dhe hidhi në prush të piqen, të hajë djali darkë. Kushedi se qëkur është ushqyer!
– Ju lutem, është e tepërt, mjafton të më shpëtoni gishtërinjtë e këmbës. Kam sjellë në çantë ushqime për tërë javën, – u përgjigja i turpëruar nga që u zura shumë ngushtë.
– U fute në shtëpinë tonë dhe do të sillesh sipas rregullave të fshatit tonë. Jo ushqim nga çanta jote. Ne jemi gjitonë dhe kur të mos i hedhim dorën njeri-tjetrit, kë do të ndihmojmë? Aq më tepër në një ditë e natë dimri si kjo e sotmja, – i vuri kapak bisedës e zonja e shtëpisë.
Dhoma e ndënjies u mbush me aromën e mishit të pjekur, por unë e kisha mendjen tek gishtërinjtë e këmbëve të mia. I prekja me dorë, por ende nuk i ndieja. Lina shtroi një sofër rrumbullake përpara këmbëve, përsipër i vuri një pecetë të madhe me kuadrate, dy pjata, dy pirunë e dy thika të vogla. Nuk e kuptova se cila nga të dyja femrat do të më shoqëronte.
– Ende nuk keni ngrënë as ju darkë?! – pyeta i habitur.
– Prit njëherë, duro, – më qortoi Lulëzimja – do të shoqërojë Lina, as ajo nuk ka ngrënë.
Ndoshta, mendova unë, duhet të jetë zakon i mikpritjes së këtij fshati që një nga pjestarët e familjes duhet të shoqërojë mysafirin. Mishi i pjekur më çpoi hundët, këmbët po më thernin, ishte një dhimbje djegëse, më e keqe se ngrirja. Mbi sofër u shtrua shëllirë kaçupi, trushi domate, ullinj kokërrmëdhenj të kripur, kulaç gruri i ngrohtë dhe një gotë raki.
– Lina, – urdhëroi e ëma, – më ngroh në zjarr një kapë leshi deleje të palarë. Është koha t’i mbështjellim mysafirit me të këmbët, përpara se të nisni bukën.
Vajza sikur atë urdhër priste. Kapat e leshit, ose më mirë shtëllungat, ajo i kishte bërë gati me kohë. Iu afrua me to zjarrit, por nga që afshi i ngrohtë i prushit i përplasej në fytyrë, i mbante kryet anash, herë nga njeri krah e herë nga tjetri, sikur kishte turp prej meje. Sa e bukur dukej! Nuk mbaj mend se në cilën pikturë mesjetare e kisha ndeshur atë lloj portreti. Më përmendi nga ëndërrimet zëri Lulit. Asaj kështu i flisnin të afërtit e saj, m’i mbështolli këmbët me lesh të palarë deleje, ngrohur nga afshi i zjarrit me dru lisi. Po ndieja ngrohtësinë në gjithë këmbën, veç gishtërinjtë nuk reagonin e nuk bëheshin për të gjallë.
– Kur gishtërinjtë të marrin nga truri yt komandën, themi se kanë shpëtuar. Duhet të presim edhe ca. Ndërkohë ju të dy hani darkë, po hë, ç’pret moj bijë, shoqëroje mysafirin, le që ç’mysafir, them unë, ti e ke si vëlla të madh! Hani një çap bukë, u pastë mëma, – dëgjova si nëpër gjumë zërin zonjës së shtëpisë. Ai zë më përmendi nga ëndërrimet. Luli, kështu e thërrisnin shkurt njerëzit e saj të afërt. Atë natë të tmerrshme dimri ajo m’u bë nënë e shkuar nënës. Realisht isha i uritur, por mendjen e kisha tek këmbët. Hera-herës i përfytyroja si shputa të shkurtëra, si këmbë kau, pa asnjë gisht dhe kjo më pikonte në shpirt. Nuk kishte gjë më të shëmtuar. Nënë e bijë po sakrifikonin, në fund të fundit, nuk ishim as fis e as farë, vetëm fqinj të mirë. Po sikur t’u hapej nam i keq që futën në shtëpi një mashkull të huaj?! Dy femra pritën një mësues të largët në shtëpi! Kostua e këtij shërbimi ishte shumë e rëndë. U pa puna, sido që të ishte, duhet të haja së bashku me to. Duhet t’ua njihja sakrificën. E zonja e shtëpisë mori gotën e rakisë, e përplasi me mua dhe shqiptoi: “Mirëserdhe, me këto që na u ndodhën! Të shkuara qofshin!” Lina hante me kujdes dhe nga pak. Nuk di se diku kisha lexuar se i zoti i shtëpisë ofendohet nëse nuk ia ha bukën i ftuari, madje në Mongoli ta japin pijen në bri kau që mysafiri të detyrohet ta pijë përnjëherë. Të zgjuar, briri me verë apo raki nuk qëndron më këmbë, derdhet.
– Lina, vërtetë nuk ke ngrënë?! – e pyeta duke e parë drejt në sy me admirim e dashuri. Ajo uli kokën e turpëruar. Nuk di çfarë mendoi në ato momente, por mua m’u duk më e bukur se kurrë. Heshtje… Pas pak foli Luli dhe sqaroi shkakun:
– Do të dish pse nuk ka ngrënë? Sepse ti i kishe premtuar se do të ktheheshe sot mbasdite. Ishte kurioze çfarë libri do t’i sillje? Kushedi sa herë ka dalë në dritare. Qysh në drekë, nuk ka vënë gjë në gojë, vetëm ka pirë një lëng gorrice. Nuk pamë drita në dhomën tuaj për një kohë të gjatë. Pikërisht për ju flisnim kur na trokiti dera dhe vumë re surratin e mësues Shorit. U tmerruam. Ai ishte shumë i trembur e i alarmuar. Na kërkoi ndihmë. Si të mos ta ndihmonim?! Kudo që të trokiste, në çdo shtëpi të këtij fshati, do ta ndihmonin.
– Po, Linës i kam sjellë libra – thashë unë duke e pasur mendjen gjithnjë tek ajo.
– Ashtu? Edhe në këtë borë?! – u habit vetë Lina.
– Sigurisht, Shori më tha flaki ca libra të lehtësosh çantën, por unë nuk hodha asnjë.
– Thuajmë një titull, të lutem, – pyeti ajo me padurim duke më kapur krahun.
– “Lulet e mollës” të Xhon Galsuorthy, – iu përgjigja unë.
– Uauu, kam dëgjuar për këtë libër nga një gjimnaziste nga fshati ynë që mëson në qytet. Mami, më lejon ta përqafoj Profesorin?
– Lere moj djalin rehat, të hajë darkë njëherë se është leqendisur gjithë ditën në këtë kiamet duke çarë borën me ato palo këpucë, Ti një e dy e mendjen tek librat e ke. Nuk të japin bukë kartërat e katërshoret.
Mendova se nuk ishte momenti që unë të flisja për leximin dhe vlerën e librave. Koha fluturonte si pa kuptuar. Ndoshta kishte kaluar mesnata. Pak nga pak po më gjallëroheshin gishtërinjtë e këmbëve dhe me siguri më kishte ndryshuar pamja e fytyrës. Nuk duhet të dukesha aq i përvuajtur si në fillim kur hodha hapin e parë në këtë shtëpi bujare e mikpritëse. Po gishtërinjtë e mi? Edhe Lina aty e kishte mendjen. Pa i thënë kush e pa marrë lejë nga unë, nxitoi të futë dorën e djathtë brenda shtëllungës së leshit të deleve. Kishte ca gishtërinj delikatë, të hollë e të gjatë. Unë ndieva ngrohtësinë e atyre duarve. Dëgjova edhe të rrahurat e zemrës së saj. A mund të dëgjohen të rrahurat e zemrës nëpërmejt gishtërinjve? Nuk e di, unë i dëgjova.