Albspirit

Media/News/Publishing

EDHE GJËRAT E VOGLA MUND TË BËHEN URA QË LIDHIN TË SOTMEN ME TË KALUARËN

Prof. dr. Bardhosh Gaçe

Mbi vëllimin poetik të Zeqir Camës: “Pikojnë çatitë e shtëpive”

Shkak për këto meditime letrare, mbi poezinë e poetit aviator Zeqir Cama u bë një poet tjetër aviator, Delo Isufi, i cili, duke lexuar disa poezi dinte përmendsh mjaft vargje nga miku i tij poet. Një çast solla ndërmend vitet ’80, kur poeti Arif Kaze, agronom në Llakatund, më dha vëllimin e tij poetik “Flora e vargjeve” për t’ia dhuruar Zeqir Camës në Tiranë. Deri në vitet ’90 kisha lexuar mjaft poezi nga Zeqir Cama, pastaj edhe ai “humbi” në rrjedhat e kohës, duke shtegtuar si emigrant në Kanada. Miku im, poeti Delo Isufi më dhuroi një libër të ri të Zeqir Camës, i cili më nxiti të hedh në letër këto shënime.

Vëllimi poetik i poetit Zeqir Cama, “Pikojnë çatitë e shtëpive” paraqet një botë krijuese të ndërtuar mbi përjetime personale, kujtime, marrëdhënie njerëzore, situata të përditshme dhe reflektime mbi jetën. Në poezitë e këtij vëllimi, ashtu si dhe në mjaft krijime të tjera, poeti i talentuar dëshmon një mënyrë të veçantë të vëzhgimit dhe të interpretimit të realitetit, ku edhe ngjarjet më të zakonshme shndërrohen në burim frymëzimi artistik.

Një nga veçoritë më të dallueshme të krijimtarisë së tij është ndërthurja e humorit me mendimin filozofik, e ironisë me ndjeshmërinë dhe e përjetimit individual me përvojën njerëzore në përgjithësi. Poeti nuk e paraqet jetën vetëm përmes emocioneve të mëdha e situatave dramatike, por edhe përmes episodeve të vogla, të cilat, ndonëse në dukje të parëndësishme, mbartin domethënie më të thella. Gjuha poetike e Camës është e gjallë, e natyrshme dhe e pasur me shprehje popullore, fjalë të ligjërimit të përditshëm, metafora, krahasime dhe personifikime. Këto elemente i japin poezisë spontanitet, ritëm dhe një karakter të veçantë komunikues, duke krijuar afërsi me lexuesin.

Në qendër të kësaj krijimtarie qëndron shpesh gjendja shpirtërore e individit, luhatjet emocionale dhe përpjekja e njeriut për të ruajtur qetësinë e kënaqësinë e brendshme përballë vështirësive të jetës. Poeti paraqet një UN poetik që kërkon të ruajë mirëqenien shpirtërore, duke u mbështetur edhe te shoqëria dhe atmosfera që e rrethon. Megjithatë, kjo gjendje nuk është gjithmonë e qëndrueshme. Herë pas here shfaqen mërzia, lodhja dhe shqetësimet, të cilat kërcënojnë të prishin ekuilibrin emocional të individit.

Një nga mënyrat më interesante të ndërtimit poetik të Camës është nisja nga një episod krejt i zakonshëm i jetës së përditshme. Kështu ndodh edhe në poezinë “Më ra taka e këpucës”, ku një problem i vogël shndërrohet në një situatë poetike të mbushur me humor, tërheqje, hutim dhe ironi. Që në fillim, poeti e paraqet drejtpërdrejt shqetësimin e tij, duke kërkuar një zgjidhje për këpucën e dëmtuar. Por shfaqja e personazhit femëror, Zeba (zeshkania) e zhvendos menjëherë vëmendjen nga problemi fillestar. Përshkrimi i saj, lëvizjet dhe pamja tërheqëse krijojnë një atmosferë lozonjare, ku shqetësimi praktik zëvendësohet nga një përjetim tjetër, më spontan. Këtë situatë e konkretizojnë vargjet: “Më ra taka e këpucës/Si ta ngjit? T’i ngul thonjtë?/Zeshkania që dansonte rrugës/Gati m’i mbathi potkonjtë.”

Në këto vargje, një ngjarje fare e zakonshme shndërrohet në subjekt poetik. Prania e vajzës zeshkane e largon poetin nga shqetësimi fillestar dhe e përqendron vëmendjen e tij te bukuria dhe tërheqja njerëzore. Përmes humorit dhe një krahasimi të goditur, poeti i mirënjohur krijon një situatë komike, në të cilën emocioni dhe hutimi duket se e bëjnë njeriun të humbasë përkohësisht kontrollin mbi veten. Poezia ka karakter të theksuar rrëfimtar. Ngjarja zhvillohet natyrshëm, sikur autori po tregon një episod të përjetuar personalisht. Ky spontanitet e bën lexuesin pjesë të situatës dhe i jep krijimit një gjallëri të veçantë. Ironia buron pikërisht nga kontrasti ndërmjet problemit të vogël, thyerjes së takës, dhe situatës së papritur që e bën poetin të harrojë për një çast shqetësimin e tij.

Një tjetër qasje interesante në poetikën e Camës lidhet me mënyrën se si individi perceptohet nga të tjerët. Nëpërmjet një situate të vendosur në një mjedis të huaj, poeti ndërton një rrëfim plot humor, ironi dhe nënkuptime shoqërore. Kjo dukuri shfaqet në poezinë “Në Havana”. Që në strofën e parë, përdorimi i shprehjes angleze “Marry me” krijon një kontrast gjuhësor e kulturor, duke e vendosur personazhin përballë një realiteti të ndryshëm nga ai me të cilin është mësuar. Poeti përpiqet të shpjegojë se pamja dhe sjellja e tij mund të interpretohen ndryshe nga njerëzit që e rrethojnë.

Një nga boshtet kuptimore të kësaj poezie është keqkuptimi ndërmjet imazhit të jashtëm dhe realitetit të brendshëm. Të tjerët e shohin si turist, me çantën në shpinë, por ai e kundërshton këtë perceptim, duke e paraqitur veten përmes një shprehjeje humoristike: “Ti s’më njeh kush jam unë, as ku rri/Më sheh si turist me çantë në shpinë,/Por unë s’jam ashtu siç mendon ti/Jam një xhepashpuar, ulërimë…”. Shprehja “xhepashpuar” krijon një tablo ironike të gjendjes së tij ekonomike, duke rrëzuar imazhin e turistit që mund të krijohet nga pamja e jashtme. Poeti vazhdon lojën me perceptimin e të tjerëve edhe përmes përdorimit të fjalës “boyfriend”, e cila pasuron tekstin me elemente të kulturës së huaj dhe e bën më të dukshëm kontrastin gjuhësor e kulturor. Strofa përmbyllëse rikthen motivin fillestar dhe e mbyll poezinë me një ton ironik, duke krijuar një lloj strukture rrethore. Kështu, ideja e paraqitur në fillim rikthehet në fund, por tashmë me një domethënie më të plotë.

Në këtë poezi, autori trajton dallimin ndërmjet asaj që individi është në të vërtetë dhe mënyrës se si e perceptojnë të tjerët. Mjedisi i huaj bëhet hapësirë e përballjes me një botë tjetër, ku njeriu duhet të përshtatet me rrethana, gjuhë dhe perceptime të reja. Humori nuk është thjesht mjet argëtimi, por edhe mënyrë për të zbuluar paradokset e marrëdhënieve njerëzore. Përtej motiveve të udhëtimit dhe të përjetimeve në mjedise të huaja, poezia e Zeqir Camës trajton edhe motive intime, ku ndjeshmëria dhe imagjinata zënë një vend të rëndësishëm. Në këtë drejtim spikat poezia “Ra një yll”, e cila, për nga tematika dhe realizimi artistik, lidhet me një traditë poetike që e shndërron bukurinë njerëzore në simbol dhe përfytyrim: “Rralluan yjet nëpër qiell/I fundit fare s’di ku humbi,/Gusha jote pa zbërthyer/Yllësonte erë parfumi…”

Poezia ndërtohet mbi një situatë intime, ku figura e yllit shërben si element simbolik për të krijuar një atmosferë lozonjare dhe poetike. Në qendër qëndron përjetimi i bukurisë dhe tërheqjes, i shprehur përmes një përfytyrimi origjinal. Poeti sqimatar paraqet figurën e një vajze, bukuria dhe prania e së cilës ndërthuren me aromën e parfumit. Përmes kësaj tabloje krijohet një atmosferë e veçantë, ku vështrimi poetik e shndërron një çast intim në përjetim estetik.

Vetvetiu lind pyetja: ku përfundoi ylli i fundit? Në qiell apo në hapësirën intime të bukurisë njerëzore? Kjo pyetje nuk kërkon një përgjigje të zakonshme, sepse funksioni i saj është të shprehë mënyrën figurative me të cilën poeti e percepton bukurinë. Ylli shndërrohet në simbol të diçkaje të rrallë, të çmuar dhe tërheqëse. Këtu krijohet edhe një lojë poetike ndërmjet dëshirës për të zbuluar dhe përpjekjes për të fshehur. Figura e vajzës paraqitet përmes një përshkrimi që thekson hijeshinë dhe tërheqjen e saj, ndërsa ylli bëhet metaforë e bukurisë së veçantë. Poeti dëshmon se edhe një moment i zakonshëm mund të shndërrohet në përjetim artistik përmes imagjinatës dhe ndjeshmërisë.

Një vend të rëndësishëm në krijimtarinë e Camës zë edhe motivi i vendlindjes, i cili shfaqet si burim kujtimesh, emocionesh dhe reflektimesh mbi kohën e kaluar. Këtë e dëshmojnë veçanërisht poezitë: “Qershia e vegjëlisë” dhe “Herën e fundit që vajta në fshat”. Poezia “Qershia e vegjëlisë” ka një karakter të veçantë emocional, sepse trajton kujtimet e fëmijërisë dhe lidhjen e njeriut me vendet, objektet dhe përvojat që kanë lënë gjurmë në ndërgjegjen e tij.

Autori poetizon një qershi të vogël, së cilës era e fortë i thyen një degë. Ky episod, krejt i natyrshëm në jetën e përditshme, bëhet pikënisje e një përjetimi më të thellë. Dega e thyer përfundon në zjarr, ku digjet deri në fund. Kjo pamje sjell idenë e humbjes dhe të përfundimit, por njëkohësisht zgjon lidhjen me kujtimet personale të poetit. Vargjet përmbyllëse janë veçanërisht domethënëse. Në çastin kur poeti zbraz trastën me qershi, pranë tij rikthehet fëmijëria. Kjo është një mënyrë e bukur poetike për të treguar se një shije, një aromë apo një objekt i thjesht mund të zgjojë kujtime të ruajtura thellë në ndërgjegjen njerëzore.

Qershitë nuk janë më thjesht fruta. Ato shndërrohen në bartëse të kujtimeve, të gëzimit dhe të kohës së kaluar. Qershia bëhet simbol i fëmijërisë, i përjetimeve të para dhe i një bote të pastër, që mbetet e gjallë në kujtesën e njeriut. Kështu, rikthimi te qershitë zgjon mallin për kohën që nuk mund të përsëritet. Mesazhi i poezisë qëndron në idenë, se kujtimet e fëmijërisë janë pjesë e pandashme e identitetit tonë. Koha mund të largojë njerëzit dhe të ndryshojë vendet, por nuk mund t’i fshijë plotësisht përjetimet që kanë lënë gjurmët në shpirt.

I lidhur ngushtë me motivin e vendlindjes është edhe malli për atdheun, i cili shndërrohet në një reflektim të fuqishëm shpirtëror, veçanërisht për njeriun që jeton në emigracion. Dëshira për t’u kthyer në vendlindje, përballë pamundësisë për ta realizuar këtë dëshirë, krijon një kontrast të dhimbshëm ndërmjet ndjenjës dhe realitetit. Këtë gjendje poeti e shpreh përmes vargjeve: “Mbi galopin marramendës të gjokut të bardhë/Më lidhen këmbët të vij/Po pa ardhur s’më rrihet…”. Në këto vargje, Zeqir Cama shpreh ndjenjat e një njeriu që jeton larg vendit të tij dhe përjeton vazhdimisht mallin për të. Dëshira për t’u kthyer në atdhe përplaset me pengesat që e bëjnë kthimin të vështirë. Krijohet kështu një kontrast ndërmjet lirisë së dëshirës shpirtërore dhe kufizimeve të realitetit bashkëkohor.

Aluzioni ndaj legjendës së Doruntinës e forcon lidhjen me traditën dhe kulturën shqiptare, duke sjellë ndërmend motivin e kthimit, të mallit dhe të besnikërisë. Përmes këtij referimi, përjetimi individual merr një dimension më të gjerë kulturor e kombëtar. Atdheu nuk paraqitet thjesht si një hapësirë gjeografike, por si pjesë e pandashme e identitetit njerëzor, që mbetet e pranishme pavarësisht largësisë dhe kohës. Duke i parë këto krijime si pjesë të së njëjtës përmbledhje poetike, vërejmë se Zeqir Cama ndërton një botë, ku përvoja personale shndërrohet në përvojë universale. Edhe pse poezitë trajtojnë tema të ndryshme, ato bashkohen nga disa tipare që përbëjnë individualitetin krijues të këtij poeti të çmuar.

Një nga veçoritë kryesore të poetikës së Zeqir Camës është aftësia për të trajtuar çështje të rëndësishme njerëzore përmes situatave humoristike. Në poezitë “Në kokërrqejfin tim”, “Më ra taka e këpucës” dhe “Në Havana”, humori nuk shërben vetëm për të argëtuar lexuesin, por edhe për të zbuluar kontradiktat e jetës dhe të sjelljes njerëzore. Pas situatave komike fshihen vëzhgime mbi karakterin, marrëdhëniet dhe mënyrën se si individi përballet me realitetin. Nga ana tjetër, poezitë “Qershia e vegjëlisë” dhe “Në kokërrqejfin tim” dëshmojnë se bota e brendshme e poetit është e lidhur ngushtë me kujtimet dhe përvojat personale. Kujtimet nuk paraqiten si rikthime të thjeshta në të kaluarën, por si përjetime që vazhdojnë të ndikojnë në të tashmen. Në këtë kuptim, e kaluara nuk është një kohë e mbyllur, por një prani e gjallë në ndërgjegjen e njeriut dhe të poetit.

Në poezitë “Stuhi dëbore në rrugë”, “Në Havana” dhe “Kthesa”, individi vendoset përballë një realiteti që shpesh nuk mund ta kontrollojë. Natyra, qyteti, shoqëria dhe rrethanat bëhen elemente që ndikojnë në gjendjen e tij shpirtërore dhe në mënyrën se si ai e percepton botën. Edhe gjuha poetike përbën një element të rëndësishëm të individualitetit krijues të poetit. Ajo karakterizohet nga ndërthurja e shqipes së përditshme me shprehje figurative dhe ndërtime të veçanta estetike dhe artistike. Poeti përdor fjalë popullore, shprehje idiomatike, elemente të ligjërimit bisedor dhe fjalë të huaja, duke krijuar një stil të gjallë, komunikues dhe të dallueshëm.

Një tipar tjetër i rëndësishëm në frymëzimin e këtij poeti është përdorimi i objekteve dhe i fjalëve në kuptime të dyfishta. Kështu, kthesa nuk mbetet vetëm një element i rrugës, ylli nuk është thjesht një trup qiellor dhe qershia nuk është vetëm një frut. Secili prej tyre fiton një domethënie më të thellë, duke u shndërruar në simbol të përvojave, emocioneve dhe kujtimeve njerëzore. Në këtë mënyrë, poeti arrin të krijojë një marrëdhënie të veçantë ndërmjet konkretes dhe abstraktes, ndërmjet objektit të zakonshëm dhe kuptimit të tij simbolik. Pikërisht këtu qëndron një nga vlerat më interesante të poetikës së tij: aftësia për të zbuluar të jashtëzakonshmen brenda së zakonshmes.

Në përfundim, poezitë e analizuara nga vëllimi “Pikojnë strehët e çative” dëshmojnë një krijimtari ku e zakonshmja dhe e jashtëzakonshmja bashkëjetojnë natyrshëm. Zeqir Cama arrin të zbulojë kuptimin poetik të situatave të përditshme, duke i shndërruar ato në reflektime mbi jetën, kujtesën, dashurinë, marrëdhëniet njerëzore dhe natyrën e karakterit njerëzor. Vlera e këtyre krijimeve qëndron në mënyrën origjinale të vështrimit të realitetit. Poeti nuk përpiqet ta idealizojë jetën, por e paraqet atë me kundërthëniet, vështirësitë, momentet gazmore dhe përjetimet e saj të ndjeshme. Humori dhe ironia u japin poezive një lehtësi të dukshme, ndërsa nën sipërfaqen e tyre fshihen mendime, filozofime dhe ndjenja, që kërkojnë vëmendje e interpretim më të thellë.

Në thelb, poezia e Zeqir Camës na mëson të shohim përtej ngjarjeve të zakonshme, sepse pikërisht në hollësitë e vogla të jetës fshihen kujtimet, emocionet dhe të vërtetat më të rëndësishme të përvojës njerëzore. Dhe ndoshta pikërisht këtu qëndron mesazhi më i bukur i poezisë së tij: edhe gjërat më të vogla mund të bëhen ura që lidhin të sotmen me të kaluarën, sepse kujtesa dhe ndjenja kanë aftësinë ta shndërrojnë një çast të zakonshëm në një përjetim të thellë, që mbetet përgjithmonë në shpirtin e njeriut.

Vlorë-Tiranë, 18 maj 2026.