Albspirit

Media/News/Publishing

Frank Shkreli: Muri i Berlinit ra, por muret politike dhe ideologjike midis shqiptarëve vazhdojnë të qëndrojnë

Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, Luginën e Preshevës dhe viset e tjera shqiptare nuk duhet të mbeten jashtë vëmendjes së politikës kombëtare të Tiranës dhe Prishtinës zyrtare.
Më 9 nëntor 1989, bota dëshmoi një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë bashkëkohore: rënien e Murit të Berlinit. Pas 28 vjetësh ndarje, ky mur, simbol i diktaturës komuniste, i shtypjes së lirive njerëzore dhe i ndarjes së Evropës në dy kampe ideologjike, u shemb nën peshën e vullnetit të njerëzve për liri dhe bashkim. Me atë rast nuk ra vetëm një mur betony, por ra një simbol i padrejtësisë historike, i izolimit dhe i një sistemi që kishte ndarë familje, shoqëri dhe kombe. Rënia e tij shënoi fillimin e një epoke të re për Evropën dhe dëshmoi se asnjë diktaturë dhe asnjë ndarje e imponuar nuk është e përjetshme.
Por, ndërsa Evropa përkujton këtë ngjarje historike, shqiptarët kanë arsye të bëjnë një reflektim të veçantë: Muri i Berlinit ra, por sa mure të tjera vazhdojnë të qëndrojnë mes shqiptarëve? Për shqiptarët, ashtu si edhe për kombe të tjera në Evropë, fundi i Luftës së Ftohtë dhe rënia e komunizmit në Evropë hapën një kapitull të ri historik. Shqipëria doli nga izolimi i gjatë komunist. Kosova vazhdoi rrugën e saj drejt lirisë dhe pavarësisë, ndërsa shqiptarët në trojet e tyre në Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, Luginën e Preshevës dhe viset e tjera fituan mundësi të reja për të kërkuar e mbrojtur të drejtat e tyre kombëtare. Pavarësia e Kosovës më 2008 ishte një nga arritjet më të mëdha të historisë moderne shqiptare. Ajo ndryshoi realitetin politik të rajonit dhe krijoi mundësi të reja për një bashkëpunim më të ngushtë ndërmjet shqiptarëve. Megjithatë, sot, më shumë se tri dekada pas shembjes së Murit të Berlinit, duhet pranuar se shumë prej shpresave të asaj kohe ende nuk janë realizuar ndër shqiptarët. Po, shqiptarët kanë fituar liri politike dhe kanë krijuar institucione shtetërore, por nuk kanë arritur të kapërcejnë shumë prej ndarjeve që vazhdojnë t’i pengojnë. Disa prej tyre janë trashëgimi e historisë, ndërsa të tjera janë prodhim i politikës së ditës, i interesave partiake dhe i mungesës së një vizioni afatgjatë kombëtar.
Muret më të vështira për t’u shembur nuk janë gjithmonë ato që ndajnë territoret, por ato që ngrihen në mendjet e njerëzve dhe në ndërgjegjen politike të një shoqërie. Një nga këto mure është ndarja politike dhe partiake. Në Shqipëri dhe Kosovë, por edhe në hapësirat e tjera shqiptare, rivalitetet politike shpesh janë shndërruar në pengesë për bashkëpunimin. Interesat partiake dhe ambiciet personale të politikanëve individual kanë zënë jo rrallë vendin e interesave të përbashkëta. Kundërshtari politik trajtohet si armik, ndërsa kompromisi, aq i domosdoshëm në një demokraci funksionale, shihet si dobësi. Nuk kërkohet që shqiptarët të kenë të njëjtat bindje politike apo të mendojnë njësoj për çdo çështje. Demokracia jeton nga pluralizmi dhe dallimet. Por kërkohet që, përtej këtyre dallimeve, të ekzistojë një platformë e përbashkët për çështjet themelore kombëtare. Shqipëria dhe Kosova, si dy shtete të pavarura, kanë një përgjegjësi të veçantë historike. Marrëdhëniet ndërmjet tyre nuk duhet të varen nga raportet personale të udhëheqësve apo nga përkatësia e tyre partiake. Ato duhet të mbështeten në interesa strategjike, bashkëpunim institucional dhe një vizion të përbashkët për të ardhmen. Nuk është e pranueshme që dallimet ndërmjet qeverive të Tiranës dhe Prishtinës të pengojnë projekte të rëndësishme ekonomike, kulturore, arsimore dhe diplomatike. Dy shtetet mund të kenë politika të ndryshme në shumë fusha, por nuk duhet të kenë qëndrime të ndryshme për rëndësinë e bashkëpunimit kombëtar.
Një tjetër mur që ende nuk është shembur është ai i ndarjeve ideologjike dhe i interpretimit të historisë shqiptare të shekullit të kaluar, dominuar nga regimi komunist sllavo-aziatik. Edhe pas kaq shumë vitesh nga përmbysja e komunizmit, shoqëria shqiptare nuk ka arritur të bëjë një rivlerësim të plotë dhe objektiv të trashëgimisë së saj historike e kulturore. Figura të shquara të kombit vazhdojnë të mbeten peng i paragjykimeve dhe dënimeve ideologjike dhe përjashtimi të një regjimi që kërkoi të kontrollonte jo vetëm të tashmen, por edhe të kaluarën e shqiptarëve. At Gjergj Fishta, Ernest Koliqi, Martin Camaj, Arshi Pipa dhe shumë e shumë figura të tjera të kulturës kombëtare meritojnë të vlerësohen mbi bazën e veprës dhe kontributit të tyre, dhe jo sipas gjykimeve politike të një kohe që i përjashtoi nga kujtesa zyrtare. Një shoqëri që nuk ka guximin të pajtohet me historinë e vet, nuk mund të ndërtojë një të ardhme të shëndoshë. Historia nuk duhet të jetë pronë e partive politike dhe as instrument për të ndarë shqiptarët. Ajo është pasuri e përbashkët kombëtare.
Por ndarjet, për fat të keq, nuk përfundojnë këtu. Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, Luginën e Preshevës dhe viset e tjera shqiptare nuk duhet të mbeten jashtë vëmendjes së politikës kombëtare të Tiranës dhe Prishtinës zyrtare. Të drejtat e tyre gjuhësore, kulturore, arsimore dhe politike duhet të jenë pjesë e një angazhimi të vazhdueshëm të Shqipërisë dhe Kosovës. Nuk mund të pretendohet se ka një vizion kombëtar kur një pjesë e shqiptarëve vazhdojnë të përballen me vështirësi për të realizuar të drejtat e tyre themelore, kulturore, gjuhësore dhe të identitetit të tyre kombëtar. Në këtë kontekst, nuk mund të lihet jashtë as diaspora shqiptare. Ajo qëndroi pranë çështjes kombëtare në momentet më të vështira, veçanërisht gjatë përpjekjeve për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe shembjen e komunizmit. Kontributi i saj politik, diplomatik, financiar dhe kulturor është pjesë e historisë modern shqiptare. Por diaspora nuk duhet të kujtohet vetëm në raste ceremoniale apo gjatë fushatave zgjedhore. Ajo duhet të trajtohet si një potencial i rëndësishëm kombëtar dhe të përfshihet në mënyrë serioze në strategjitë e zhvillimit, diplomacisë, arsimit dhe kulturës.
Rënia e Murit të Berlinit na kujton se ndryshimet historike kërkojnë guxim, vendosmëri dhe vullnet qytetar. Por na kujton edhe se liria, pasi fitohet, duhet të mbrohet dhe të përdoret me përgjegjësi. Shqiptarët kanë bërë hapa të rëndësishëm historikë! Kanë kapërcyer diktaturën, kanë fituar pavarësinë e Kosovës dhe kanë krijuar mundësi të reja për zhvillimin e tyre politik e kombëtar. Këto arritje nuk duhen nënvlerësuar. Por ato nuk janë arsye për vetëkënaqësi. Shqiptarët sot kanë nevojë për institucione vërtetë demokratike, për bashkëpunim ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, për mbështetje të shqiptarëve në rajon, për një diasporë të përfshirë në jetën kombëtare dhe për një histori të çliruar nga paragjykimet ideologjike. Bashkimi kombëtar nuk fillon dhe nuk përfundon me kufijtë shtetërorë. Ai fillon me vetëdijen për përkatësinë e përbashkët, me respektin ndaj historisë, me solidaritetin dhe me përgjegjësinë për njëri-tjetrin. Nuk është fjala për të mohuar realitetet shtetërore dhe politike në të cilat jetojnë shqiptarët, por për të ndërtuar një hapësirë të përbashkët kombëtare, ku gjuha, kultura, historia, arsimi dhe interesat e përbashkëta të mos bëhen peng i politikës së ditës.
Muri i Berlinit u shemb më 9 nëntor 1989. Ishte një fitore e lirisë mbi diktaturën, e vullnetit njerëzor mbi ndarjen dhe një fitore e shpresës mbi frikën. Por, për shqiptarët, përvjetori i kësaj ngjarjeje duhet të jetë edhe një moment vetëkritike. Nuk mjafton që në këtë ditë të përkujtojmë muret që kanë shembur të tjerët, nëse nuk kemi guximin të shohim muret që vazhdojmë t’i mbajmë mes nesh. Evropa e shembi Murin e Berlinit për të kapërcyer ndarjen e saj historike. Shqiptarët duhet të shembin muret politike, ideologjike dhe mendore që vazhdojnë të pengojnë bashkëpunimin dhe unitetin e tyre kombëtar, që nga shembja e komunizmit zyrtar në Evropë. Historia u dha mundësinë shqiptarëve. Tani përgjegjësia është e tyre. Dhe kjo përgjegjësi nuk mund të shtyhet, pafundësisht. Shqiptarët kanë nevojë për një Pakt Kombëtar — jo për interesat e politikanëve të këtyre 35-viteve tranzicion të pafund — por për një marrveshje historike me njëri tjetrin.