Mimoza Rexhvelaj: Të kam çu fjalë mbramë
Të kam çu fjalë mbramë
me borën e parë,
me ardhë me pa,
me ardhë me marrë…
Ngrí më janë bulzat e ujit në qerpikë,
t’u prit me ardhë,
t’u prit me dal dritë…
E bora ra ashtu pa faj
mbuloi rrugë,
e mbuloi prag,
mbuloi dhe gjurmët
e pritjes së bardhë.
Të kam çu fjalë
me yllin e fundit mbramë,
me ardhë me pa,
me ardhë me marrë…
Ylli u fik,
e nata s’më pyeti
sa gjatë mundet me prit
nji zemër
pa humb n’besim…
E tash,
kur s’ka ma borë
as yje me të çu fjalë,
s’di si me ba…
s’di kujt mi ra n’qafë…
Nji gjethes iu luta,
në gjunjë i rashë
për nji grimcë fjalë
mes këtij acar..
me ardhë me pa
me ardhë me marrë.