Violeta Allmuça: TETRALOGJIA E JETËS NJERËZORE
Prej gati 6 vjetësh si redaktore e librave të tij ndjek me vëmendje krijimtarinë e shkrimtarit Ramiz Selimi. Kur kam lexuar librin e tij të parë “Rrënjët e kujtesës” jam befasuar. E kam përjetuar thellë atë roman pasi e kuptova, se ai ishte personazhi kyesor i romanit. Po vjen një letërsi ndryshe mendova.
Nëpërmjet kujtesës, autori arrin deri te romani më i ri “Hijet e Shpresës”. Në secilën vepër ai shpalon tematikën, stilin e rrjedhshëm, gjuhën e pasur, dhe më e veçanta, ai na sjell një rrëfim origjinal të jashtëzakonshëm të ngjarjeve të cilat ende nuk i kemi ditur. Ramiz Selimi më ngjante si një rrëfyes me lëndë origjinale që kishte ndërthurur me çiltërsi artistike romanin e tij më të ri.
Më vonë ai e ndiente se po rritej, ndoshta edhe kishte gabuar. Edhe pse rrëzohej gjithnjë besonte tek vetja, edhe kur ndodhej para një kurthi që e pengonte të mos shkonte në mësim, kur shkonte në protestë dhe gjakosej, kur hapte me forcë dyert e hekurta të një autobusi për të shkuar pas jetës, kur dashuronte një grua Lorin, e cila nuk kishte dashuruar askënd, përveç djaloshit Dardan.
Për ta kthyer një vepër autobiografike në një vepër të mirëfilltë artistike është një përgjegjësi e madhe për çdo krijues, sepse çdo vepër ka synim kryesor mendimin e lexuesit. Përmes kësaj arritjeje, autori e ka kthyer jetën personale në vepra sa jetësore po aq edhe të pazakonta, ku rrjedhin kohët, hapësirat, kthesat dhe ndalesat e tij.
Historitë e personazhit kryesor Dardanit në vijimësi nuk janë një trillim modern, as edhe ndonjë rastësi. Koha e tij, sa epike është edhe një urë shprese drejt lirisë. Ajo ngjan me çdo kronologji të jetës shqiptare për t`i mbijetuar kohës barbare. Dardani do të ishte zëri i së ardhmes.
Kompozimi i të gjithë veprave të botuara vjen me një narracion të ngjeshur ku edhe personazhet e tjerë që enden rreth Dardanit shpresojnë që koha e tyre jetësore ngjyrë gri një ditë do të shfaqej e bardhë. Ka krijues që shpesh shkruajnë historinë e tyre, jehonën e kohës, identitetin, përmasën e vetëdijes letrare sa dramatike aq edhe shpresëdhënëse që mbetet kujtesë në shpirtin e tij. Kosova mbarte në trup legjendën e gjakut për liri.
Ajo që i bën romanet e tij të veçanta janë përshkrimet mbresëlënëse dhe humane, ndonjëherë edhe të tepërta, ku trazohen historitë e gjithsecilit në epoka qëndrese, në labirintet ku akoma nuk e dimë çfarë presim, të mërgojë në një botë tjetër ku marrim frymë lirisht apo atje ku na pret vendlindja, ku ndodhet vetvetja jonë.
Romani i dytë “Dëshirë e djegur” shkruar me ndjeshmëri nga autori Ramiz Selimi mbetet një nga librat më të mirë që kam lexuar. Po ashtu romani “Shpirti i plagosur” u mirëprit nga lexuesit, si një rrëfim prekës për Dardanin, personazhin më të suksesshëm dhe figurën e nënës Rinë që zë një vend të veçantë në të gjitha romanet. Autori e skaliti fytyrën e nënës si shpresa e tij e pafundme. Ajo e shpëtonte nga tmerri dhe ikjet!
Këtë roman e kam lexuar në një kohë kur u shkrua edhe romani i katërt me titull ”Hijet e Shpresës”. Gjatë leximit e parandjeva se ky roman do të përbënte kryeveprën e shkrimtarit Ramiz Selimit. Çdo kapitull bëhet më i dallueshëm se sa tjetri. Janë rrëfime që vijnë nga largimi prej atdheut, me personazhe që shfaqen ashtu si hijet, ndien dhembje për vdekjen e një fëmije në kufirin e shpresës dhe takimin me lirinë e ëndërruar. Ramiz Selimi ka shkruar mbi filozofinë e kujtimeve, kohës dhe rikthimin në kohë të fatit njerëzor duke na sjellë një tetralogji artistike të jetës, tashmë i përkthyer edhe në gjuhë të huaj ku krijohet arti i përmasave të mëdha.
Romani meriton të ketë vëmendjen e kritikës së mirëfilltë letrare. Dimensioni i evoluimit artistik në krijimtarinë e çdo autori është qasje individuale. Fakti që Ramiz Selimi shkruan një letërsi jashtë traditës që e vlerëson lexuesi na thotë, se kemi sot një shkrimtar që me origjinalitetin dhe stilin e tij, përqaset me të mundshmen. Ai e zotëron strukturën e rrëfimit pra edhe mendimin estetik të romanit. Ndaj edhe romani autobiografik edhe pse disi voluminoz “Hijet e Shpresës” si protagonist nëpërmjet rrëfimit për gjurmët e kohës, ëndrrat, shpresën. Përveç gjuhës artistike sjell ardhjen me dinjitet të shkrimtarit Ramiz Selimi një nga prozatorët më të mirë të gjuhës shqipe.