Pandeli Majko: Shqipëria rrezikon të kthehet në një Siçili
Për Pandeli Majkon ligji i dekriminalizimit më shumë sesa efektiv ka mbetur në suazën e moralit. Në një intervistë për Report TV, Majko i referohet faktit se asnjë prej zyrtarëve të cilët iu publikuan emrat për të kaluar me precedentë penalë, nuk rrezikon mandatin.
“Nuk më sugjestionon asnjë lloj letre që tregon se dikush është hetuar, bile edhe nëse doni ta dini nëse është hetuar. Mua më shqetëson fakti se gjykatat dhe prokuroritë tona nuk janë në gjendje që të dënojnë. Kam përshtypjen se ligji i dekriminalizimi ka mbetur në suazën e tij të një ligji moralizues. Megjithatë fjala e fundit i takon kohës dhe jo ne”, tha ai. Tashmë kur reforma në drejtësi ka hyrë në fazën e negociatave politike për çështjet pikante, maxhoranca është në pritje të reflektimit të opozitës. “Ne jemi në prag të një dështimi të madh, ose suksesi të madh. Nëse Shqipëria nuk miraton reformën në drejtësi, rrezikojmë tw kthehemi në një shoqëri gjysmw siçiliane. Kjo duhet thënë kështu siç është për të kuptuar rrezikun dhe dështimin që na kanoset. Dështimi nuk mbetet një dështim politik, por për të gjithë shoqërinë tonë”, tha Majko.