Albspirit

Media/News/Publishing

CIA: SHBA, informacione për arrestimin e Enver Hoxhës më 1950, ja si agjentët e UDB u strehuan në Shqipëri dhe lëvizjet e të arratisurve kundër regjimit

Shërbimi sekret amerikan vijon të deklasifikojë dokumente për Shqipërinë. Në një përmbledhje që është bërë për zhvillimet politike nga 1949 tregohet për të gjithë zhvillimet politike. Mirëpo në një dokument për vitin 1950 tregohet se CIA ka pasur informacione për arrestim të Enver Hoxhës. Më pas, janë treguar dhe efektet e prishjes së bashkëpunimit me Bashkimin Sovjetik dhe më pas me Kinën.

Shkurt 1949, lirohet lideri i rezistencës shqiptare Bajram Bajraktari

Më 3 tetor 1948 qeveria jugosllave ka liruar nga burgu Bajram Bajraktarin, ish-kreu e lëvizjes së rezistencës antikomuniste dhe vëllanë e Muharrem Bajraktarit, gjithashtu lider anti-komunist. Pas lirimit ai u dërgua na Prizren të Jugosllavisë, për të organizuar refugjatët shqiptarë në banda guerile, për operacione kundër qeverisë komuniste. Bajraktari ka marrë pjesë në operacione kundër qeverisë komuniste shqiptare deri në qershor 1947, kur u plagos dhe u detyrua të strehohej në territorin jugosllav. Pak më vonë ai u kap nga policia jugosllave, u çua në Shkup dhe u dënua me 30 vjet burgim. Në të njëjtën kohë është liruar dhe Gani Bej Kryeziu, lider kosovar me influencë.

Prill 1949, rebelim kundër mbledhjes së prodhimit nga regjimi

Një kryengritje fshatare ndodhi në rajonin e Gjirokastrës rreth 20 shkurtit 1949, si rezultat i kërkesave të vazhdueshme të autoriteteve për prodhime ushqimore për funksionarët dhe trupat sovjetike. Por ndihmat ushqimore në këtë rajon kërkoheshin dhe për mbështetjen shqiptare ndaj guerrilasve komunistë grekë që luftonin kundër Athinës. Një tjetër rebelin raportohet se ka ndodhur në të njëjtën periudhë dhe në rajonin e Skraparit. Pas shtypjes së revoltës, shumë nga ata që kishin marrë jesh u larguan për t’u fshehur në male, ku ndihmoheshin nga popullatat lokale. Ndërsa një pjesë e pjesëmarrësve u larguan për në Greqi.

Shtator 1949, aktivitete shqiptare në Jugosllavi

Si rezultat i paralajmërimeve të dhëna nga Shtetet e Bashkuara për Titon, që Jugosllavia të mos i japë BRSS pretekst për luftë, Gani Bej Kryeziu është detyruar të veprojë më ngadalë në krijimin e grupeve guerile shqiptare anti-Hoxha. Por refugjatët shqiptarë janë gjithsesi të përfshirë në njësitë para-militare në Pejë. Ndërsa në zonën e Dibrës, Cen Elezi gjithashtu po vazhdon ndërtimin e forcës para-militare. Megjithëse normalisht ai është i varur nga Kryeziu, Elezi vepron thuajse si i pavarur. Një komitet katolik i rezistencës është krijuar në Prizren, i drejtuar nga Nik Sokoli, lideri i guerilasve katolikë në Jugosllavi. Përveç komitetit ushtarak të Gani Kryeziut në Pejë, një tjetër komitet politik shqiptar është krijuar në Prizren i drejtuar nga Safo Bej Ulqini.

Tetor 1949, Jugosllavi, dezertimet UDB

Në fund të majit 1949, i gjithë stafi i UDB i zonës së Gjurgjevaç u arratis drejt Hungarisë përgjatë lumit Drava. Në qershor 1949, thuajse të gjithë zyrtarët kryesore të UDB në Malin e Zi tentuan të arratisen drejt Shqipërisë. Disa prej tyre u vranë dhe një numër i madh u kap. Nuk njihet numri i atyre që kaluan drejt Shqipërisë. Stanko Canica, ministri i pyjeve të Republikës Jugosllave të Kroacisë dhe Marko Beliniç, kreu i sindikatës së bashkuar të Kroacisë, u akuzuan nga UDB si pro-sovjetikë. Informatori ynë është i sigurt se ata të dy janë në fakt pro-sovjetikë dhe se do të ndahen me Titon në rastin më të parë. Në Jugosllavi janë futur kontrabandë taktet pro-sovjetike Nova Borba dhe “Për një Jugosllavi Sovjetike”, me anë të konteinerëve në lumin Danub, Tomis dhe Tisa, të cilat më pas janë riprintuar dhe shpërndarë në vend.

Mars 1950

Një raporti i pakonfirmuar thotë se gjenerali Enver Hoxha është arrestuar në Shëngjin prej 15 ditësh, dhe se pushteti është tashmë në duart e gjeneralit Mehmet Shehu. Përveç kësaj, Tuk Jakova, ministrat e Financave dhe i Arsimit raportohet të jenë arrestuar. Burimi ynë thotë gjithashtu se Abedin Shehu ka kryer vetëvrasje. Një informator me pozitë të mirë thotë se autoriteti i Enver Hoxhës mbi ushtrinë e Shqipërisë është reduktuar shumë, dhe se oficerëve që më parë kanë mbështetur regjimin, janë të gatshëm të revoltohen. Ajo që e mban ushtrinë në linjat e saj është vetëm disiplina e hekurt dhe mbikëqyrja e Ministrisë së Brendshme.

Gusht 1950, aktivitet ushtarak në Maqedoni

Në Maqedoni besohet gjerësisht se pritet një sulm simulant i forcave pro-sovjetike nga Bullgaria dhe Shqipëria, trupat e të cilave do të takohen në Maqedoni. Prandaj në zonat e Resen, Ohrit, Strugës e Dibrës është ndaluar udhëtimi i qytetarëve. Të gjithë ata që dëshirojnë të vizitojnë qytetet duhet të kenë leje të veçantë nga Ministria e Jashtme. Njësitë e mbrojtjes kufitare po bëjnë manovra përgatitjeje. Thuhet gjithashtu se Bashkimi Sovjetik i ka premtuar Bullgarisë qytetin e Kosovë-Mitrovicës dhe minierën e Trepçës, përveç krahinave maqedonase të konsideruara bullgare etnike, që më parë ishin pjesë e Bullgarisë së Madhe të Sveti Stefan.

6 mars 1951

Qeveria e Turqisë raportohet se po ofron viza për të gjithë kosovarët në kampin grek në Lavrion. Ata që do të shkojnë atje besohet se do të vendosen në zonën Edirne, sipas përpjekjeve të Turqisë për të krijuar një komunitet, sipërkundër kolonisë bullgare në atë zonë. Kosovarët e kampit të Pavrion të cilët janë myslimanë, thuhet se mezi presin të pranojnë ofertën e qeverisë turke.

21 shtator 1951, pritja e liderëve të Ballit Kombëtar Indipendent në Jugosllavi

Pal Bibë Mirakaj dhe Nikoll Gjonmarkaj u pritën në Jugosllavi me ato që informatori ynë quante nderime të plota zyrtare dhe u akomoduan në Hotel Moskva. Mirakuj u takua më pas me funksionarët e një ministrie të paspecifikuar jugosllave, të cilit i kishin raportuar se qeveria jugosllave vlerëson shumë liderët e Ballit Kombëtar Indipendent. Megjithëse jugosllavët fillimisht kundërshtonin Mirakaj dhe ishin përpjekur ta “eliminonin” ata u shprehën se kishin ndryshuar mendim dhe ishin të lumtur për ardhjen e tij në Jugosllavi. Zyrtarët thanë se ata do të merrnin të gjithë ndihmën e nevojshme për rrëzimin e qeverisë Hoxha. Populli shqiptar do të ishte i lirë për të zgjedhur qeverinë e tij të re dhe Jugosllavia nuk do të përzihej në punët e brendshme të vendit. Pas qëndrimit afro një-mujor në Beograd si të ftuar të qeverisë , Mirakaj dhe Gjonmarkaj u nisën më 17 shtator për një qytet në Kosovë.

24 janar 1952, propagandë mes refugjatëve Shqipëri-Jugosllavi

Sipas informacioneve nga Stambolli e Damasku, të dërguar jugosllavë që e përshkruajnë veten si përfaqësues të “Komitetit Kombëtar Shqiptar të Çlirimit” në Jugosllavi, po kryejnë aktivitete propagande mes refugjatëve shqiptarë në Turqi, Siri dhe Shtetet e Bashkuara duke pretenduar se shqiptarët në Jugosllavi kërkojnë të bashkohen për të përmbysur regjimin e Hoxhës. Zhvillimet kanë shkaktuar alarm te refugjatët shqiptarë në Itali dhe vende të tjera të Evropës, të cilët janë të bindur se në rast të përmbysjes së regjimit aktual, jugosllavët do të përpiqen të instalojnë një qeveri komuniste të varur prej tyre.

26 janar 1952, vdekja e Dan Kaloshit dhe aktiviteti i Lutfi Spahiut

Myftar Spahiu në kampin e refugjatëve shqiptarë në Lavrion, Greqi, i ka shkruar sa më poshtë Asllan Cenajt në Romë: “Taf Lita më ka shkruar një letër ku më thotë se Dan Kaloshi ka vdekur në burgun e Shkupit. Letrën ai ma dërgoi me Daman Lile, i cili u kthye këtu në kamp nga Turqia”.

Gusht 1953, transmetimet në Shkodër

Në zonën e Shkodrës dëgjuesit shqiptarë preferojnë më shumë programin në shqip të BBC, pasi sipas tyre folësit e Zërit të Amerikës nuk tingëllojnë mjaftueshëm shqiptarë. Nuk kemi shumë informacione për kapjen e valëve në këtë zonë të transmetimeve të Radio Free Europe apo të Komitetit të Shqipërisë së Lirë. Në fillim të vitit 1951, një transmetim në shqip i Zërit të Amerikës po e përshkruante Jugosllavinë si një vend i botës së lirë. Si rezultat i kësaj disa qindra shqiptarë u arratisën drejt Jugosllavisë të nxitur nga ky keqinterpretim, duke përfunduar në kampet apo burgjet jugosllave.

Koment: Keqinterpretimi këtu i referohet faktit që në Jugosllavi jo vetëm që nuk ka liri politike për refugjatët shqiptarë, por dhe se të arratisurit në Jugosllvi e kanë shumë të vështirë të lëvizin drejt vendeve të tjera, pasi shqiptarët kapen dhe burgosen nga autoritetet.

Tetor 1961, Shqipëri-Blloku sovjetik

Regjim në Shqipëri po përpiqen të akumulojë mbështetjen publike për sfidën e Enver Hoxhës ndaj liderit sovjetik Hrushov. Në një deklaratë të partisë së punës në 20 tetor, Radio Tirana bëri një lexim të telegrameve të marra nga e gjithë Shqipëria në mbështetje të veprimeve të Hoxhës dhe në indinjatë ndaj Krushovit. Në të gjithë vendin po organizohen takime dhe demonstrata në mbështetje të regjimit dhe legata italiane në Tiranë thotë se në demonstratat duket se ka një element spontaniteti, që reflekton ndjesitë e vjetra antisovjetike të Shqipërisë. Sipas raportimeve të shtypit nga Beogradi, policia shqiptare ka ndërhyrë për të mbrojtur legatën sovjetike nga “demonstrues armiqësorë”. Ambasadori sovjetik të Tiranë, Josef Shifin, thuhet se është “shumë i nervozuar” nga reagimet në Shqipëri ndaj fjalimit të Hrushovit. Shifin raportohet të ketë thënë për një nga mediat ruse: “Do t’ia tregojmë ne Shqipërisë”. Ndërkohë Tirana ende nuk ka vënë në jetë kërcënimin e saj se do të publikojë dokumentet që faktojnë fajin e sovjetikëve në marrëdhëniet me Shqipërinë. Tjetër provë e mbështetjes së vazhdueshme kineze për qeverinë shqiptare është një transmetim i Pekinit më 25 tetor, i cili dy herë iu referua besimit në “udhëheqjen e partisë së punës nga shoku Enver Hoxha”. Ndërsa më 26 tetor gazeta shtetërore e Pekinit publikoi për herë të parë detajet e akuzave kundër Shqipërisë së Hrushovit dhe qeverive aleate, si dhe përgjigjen e komitetit qendror të Shqipërisë. Publikimi i këtyre deklaratave ishte në kontrast me politikën e asnjëanësisë së Çu En Lait, dhe mund të reflektojë pikëpamjen e re të Pekinit se mbulimi i debatit tashmë është i padobishëm.

Tetor 1968, hapjet Shqipëri-Jugosllavi

Shqipëria ka nisur kohët e fundit hapje për përmirësimin e marrëdhënieve me Jugosllavinë. Privatisht Tirana ka nisur të testojë Beogradin për sa më sipër, por nuk kemi më shumë detaje. Shqiptarët kanë ndaluar polemikat e tyre me jugosllavët dhe sipas zëvendës-ministrit të jashtëm jugosllav, Beogradi është përgjigjur pozitivisht ndaj një interesimi të Tiranës për qëndrimin e Jugosllavisë në lidhje me ruajtjen e pavarësisë dhe integritetit territorial të Shqipërisë. Shfaqjet sovjetike të forcës dhe vendndodhja e izoluar e Tiranës mund të jenë arsyet e heshtjes së përkohshme të saj ndaj frikave territoriale jugosllave. Shqipëria ndoshta ka kuptuar se dhe aleatja e saj e largët Kina, nuk mund të japë ndihmën e duhur në rast nevoje. Ministri shqiptar i mbrojtjes do të shkojë së shpejti në një vizitë të nivelit të lartë në Pekin për të kërkuar siguri dhe mbështetje.

Prill 1970, lidhjet Shqipëri-Itali

Në lidhje me hapjet e kohëve të fundit të Shqipërisë drejt vendeve evropiane jo-komuniste, Tirana duket se po fton Italinë për shtim të lidhjeve ndërshtetërore. Lëvizja e fundit e këtij lloji erdhi në 28 mars kur regjimi i Hoxhës propozoi negociata për një marrëveshje të kontrollit të cilësisë së importeve ushqimore, njohjen reciproke të patentave të drejtimit, shtrimin e një kabulli telefonik dhe një vizitë nga një trupë e muzikës popullore shqiptare në Itali. Shqipëria dhe Itali tashmë kanë ambasadorët e tyre reciprokë dhe marrëdhëniet mes vendeve janë korrekte, për të mos thënë të mira.

13 korrik 1978, ndihma kineze

Dje radio zyrtare shqiptare konfirmoi raportimet e mëparshme se Kina do të ndërpresë të gjithë asistencën ekonomike ndaj vendit. Megjithëse regjimi i Hoxhës e kishte pritur diçka të tillë, humbja e ndihmës kineze, e cila ka arritur deri në 800 milionë dollarë që prej vitit 1961, me siguri do të krijojë vështirësi për ekonomin e dobët të vendit. Lidhjet Kinë-Shqipëri janë tashmë në pikën e tyre më të ulët që prej nisjes së krisjeve pas vizitës së presidentit amerikan Nixon në Pekin në 1972. Mbështetja e Shqipërisë kohët e fundit ndaj Vietnamit në debatin me Kinën me siguri që i ka inatosur kinezët, pasi prej disa kohësh tashmë shqiptarët po kritikonin politikën e jashtme kineze. Ata mendojnë se Kina po përzihet shumë me Perëndimin dhe në veçanti me SHBA. Pekini ka shprehur irritimin e tij duke reduktuar gradualisht asistencën e tyre dhe kontaktet bilaterale gjatë vitit të fundit. për më tepër, kryeministri kinez Hua Kuo-feng ha hequr Tiranën nga ndalesat e nj turneu në rajon, ku përfshihen vizita në Jugosllavi dhe Rumani. Nuk është e qartë sesa rëndë tërheqja kineze do të prekë procesin shqiptar të industrializimit, por Shqipëria do të ketë pak shanse për të blerë pajisje dhe teknologji perëndimore, prej paaftësisë së saj për shtimin e eksporteve dhe prej refuzimit të pranimit të huave të huaja. BRSS mund të dëshirojë të përfitojë nga situata duke i bërë oferta shqiptarëve, por udhëheqja aktuale atje me shumë gjasa nuk do të pranojë riafrimin me sovjetikët prej frikës së humbjes së pushtetit të tyre personal. Përkeqësimi i lidhjeve me Kinën është një shqetësim dhe për jugosllavët të cilët e shikojnë me dyshim rritjen e influencës sovjetike në Ballkan, prandaj Beogradi do të përpiqet edhe më shumë të përmirësojnë lidhjet me Shqipërinë, veçanërisht në fushën ekonomike.

Maj 1979, pasojat ekonomike të tërmetit

Tërmeti që shkatërroi disa pjesë të Jugosllavisë muajin e kaluar goditi rëndë dhe Shqipërinë. Raportimet thonë se më shumë se 200 njerëz u vranë dhe të paktën pesë fshatra dhe rreth 1000 shtëpi janë shkatërruar. Një minierë që jepte shumicën e kromit për Jugosllavinë është dëmtuar rëndë, ashtu si dhe shumë fabrika mallrash dhe pajisjesh. Qeveria komuniste vazhdon politikën e saj të vetëmjaftueshmërisë dhe ka refuzuar të gjitha ndihmat nga jashtë. Humbja e prodhimeve dhe kostot shtesë të riparimit të fabrikave do të dëmtojë planet e prodhimi ekonomik të 1979. Mungesa e mallrave të eksportit dhe e kapitalit do të dëmtojë përpjekjet e rekupeirmit ekonomik të Shqipërisë, pas ndalimit të ndihmës kineze vitin e kaluar.

Please follow and like us: