Albspirit

Media/News/Publishing

Forum i Albspirit: Ç’mendoni për raportin e Agjencisë Britanike të Sigurimit të Cilësisë?

 

Këto ditë janë bërë publike përfundimet e agjencisë britanke të akreditimit për universitetin publik. Sipas Agjencisë Britanike të Sigurimit të Cilësisë, Universiteti i Tiranës renditet ndër më të dobtët. Në raportin e bërë publik nga kjo agjenci, UT i përmbush pjesërisht 5 kushtet kryesore për një universitet cilësor. Gjithashtu, kjo agjenci rendit edhe mangësitë që ka ky universitet. Programet e vjetra mësimore, proces i mangët, vlerësim i pasaktë i studentëve, mungesë në tekste shkollore apo aksesi në biblioteka dhe burime të pamjaftueshme për kërkimin shkencor, janë disa nga mangësitë më flagrante që luajnë rol parësor në nxjerrjen e brezave të rinj.

Nisur nga këto mangësi, bordi i akredidimit i bën disa rekomandime UT për vitin e ri akademik 2017-2018.

“Universiteti duhet të zbatojë një qasje gjithëpërfshirëse të qëndrueshme dhe të dokumentuar për vlerësimet periodike të performancës dhe aftësive të stafit, si dhe të rishikojë të dhënat e programeve të studimit për të siguruar që është aktual, korrekt dhe në përputhje me kërkesat ligjore. Mungesa e misionit dhe objektivave të qarta janë vënë në pah si dobësi dhe rekomandohet të përmbushet në kohë rekord. Niveli i ulët i performancës së universitetit ka shkaktuar zemërimin edhe të studentëve që i kanë besuar të ardhmen e tyre. Në shenjë proteste, një grup studentësh kanë vënë një banderolë në hyrje të rektoratit të UT-së me mbishkrimin: Ulu 4, turp”. – shkruhet ndër të tjera në raport.

EKIPI I KONTROLLIT GJETI DOBËSITË E MËPOSHTME:

  • Mungesën e një deklarate të qartë të misionit të Universitetit dhe objektivave në Statut, të miratuara në 2009 dhe vonesa në zhvillimin e një Statuti të rishikuar, që merr parasysh ligjin për një edukim më të lartë të vitit 2015.
  • Mungesën e zhvillimit të një strategjie aktuale, të kohëve të fundit dhe të plotë Një raport vjetor nuk i është paraqitur ministrisë për vitin 2016.
  • Mungesa e një tregu kërkimor të nivelit institucional, për të përforcuar misionin dhe qëllimin e Universitetit.
  • Mungesa e provave për një qasje gjithëpërfshirëse, të qëndrueshme dhe të dokumentuar për vlerësimet periodike të performancës dhe aftësive të stafit.
  • Përmbajtje kontradiktore të uebsajtit, stilit dhe formatit, mungesën e zhvillimit të sektorëve kryesorë dhe sigurinë në shqip.
  • Presion i vazhdueshëm në ambientin dhe infrastrukturën për performancën shkencore dhe akademike.
  • Të dhënat e programeve të studimit janë të vjetra, përmbajnë kopje dhe mungesën e dokumentacionit ligjor.
  • Lëvizshmëri e ulët e studentëve nëpër programe europiane.
  • Mungesa e një sistemi moderimi të qartë dhe prova me dokumente, që do të siguronte aksionerët se proceset e vlerësimit janë të vlefshme, të sakta dhe të drejta.
  • Mungesa e një politike formale mbi plagjiaturën dhe shkelje të tjera akademike.
  • Mungesa e një politike të qartë dhe dokumentuar të Universitetit mbi garancinë e cilësisë së programeve të studimit.
  • Mungesa e një strategjie formale kërkimore për të drejtuar prioritetet.
  • Sigurim dhe akses i pamjaftueshëm si në tekste librash, ashtu edhe në materiale online.
  • Mungesa e një politike të qartë për të ushtruar qasje parandaluese dhe kuruese për të përmirësuar shëndetin e studentëve.
  • Nuk janë mbajtur të dhëna statistikore mbi punësimin e të gjithë të diplomuarve.

 

Ju lutemi, jepni mendimin tuaj.

Ftoni studentë dhe pedagogë të marrin pjesë në këtë diksutim. Të gjitha mendimet tuaja do të pasqyrohen të plota në portalin: www.alb-sprit.com dhe në faqen zyrtare në facebook: https://www.facebook.com/albspirit2017/

Shkrimet mund te hidhen drejtpërdrejt në faqen e facebook ose mund të dërgohen në adresën elektronike: cercizloloc@gmail.com

Faleminderit për bashkëpunimin,

Bordi editorial i Albspirit

 

 

 

Prof. Edmond Dragoti: Universitetet tona midis mbijetesës dhe cilësisë

Në të gjitha fazat e jetës sonë individuale, të grupit apo shoqërisë ne kalojmë në dy nivele të mirëqënies fizike, sociale ekonomike apo shpirtërore: së pari luftojmë për mbijetesën dhe më pas, kur e arrijmë atë, kërkojmë cilësinë e jetës. Këto dy shkallë nuk mund të kapërcehen për të arritur majën e piramidës së nevojave të Maslout, vetëaktualizimin. Me sa duket, edhe institucionet, ku punojnë e jetojnë frymorët, siç janë universitetet, lindin e zhvillohen, rriten e piqen, janë dhe zhduken duke ecur në këto gjurmë.

Për ta bërë më aktuale situatën, mjafton t’i referohemi përpjekjeve që po bëhen në disa media për ta paraqitur Universitetin 60 vjeçar të Tiranës me të meta serioze në procesin e akreditimit nga një OJF angleze e paguar nga Ministria jonë e Arsimit dhe Sporteve dhe me diplomë të rrezikuar nga mosnjohja prej Këshillit shqiptar të Akreditimit.

Duket që është një moment delikat në ditët që përfundon faza e parë e regjistrimit të studentëve dhe fillon e dyta. Nëse i referohesh të dhënave të regjistrimeve të fazës së parë, Universiteti publik i Tiranës ka arritur nivelin më të lartë të kuotave të regjistrimit të studentëve të rinj, 3 deri 4 herë më shumë se të gjitha universitetet e tjera, madje në fazën e parë janë regjistruar me mesataren më të lartë të notave.

Pra, nëse i referohemi shpjegimit të mëparshëm, Universiteti i Tiranës, si në sasinë, ashtu edhe në cilësinë e të regjistruarve është në nivelin e cilësisë, ndërkohë që universitetet e tjera dhe kryesisht ato private, janë duke luftuar në nivelin e mbijetesës. Me sa duket ky është edhe motivi i informacioneve mediatike për problemet e UT-së me akreditimin.

Por kjo nuk mjafton për të qenë e vërtetë. Në fakt, organizata angleze studioi letrat dhe dokumentacionin e universiteteve dhe bëri sondazhe me pyetësorë me studentë dhe pedagogë të tyre. Dhe me të drejtë identifikoi disa të meta edhe tek Universiteti i Tiranës, si psh, vlerësimi i munguar apo i dobët i cilësisë së mësimdhënies (pra jo cilësia, por vlerësimi i saj), mungesa e disa dokumentave si Strategjia e Zhvillimit, apo një punë e dobët me kërkimin shkencor e të tjera.

Dhe këto të meta janë pasojë e punës së dobët të drejtuesve të mëparshëm të Universitetit të Tiranës, që me sa duket më shumë kujdeseshin se si do të menaxhoheshin paratë e institucionit sesa mësimdhënia dhe kërkimi shkencor. Madje edhe sot situata në universitet nuk është premtuese: drejtuesit dhe ish drejtuesit vazhdojnë “të shqetësohen, përpiqen e luftojnë” se si dhe kush do të administrojë paratë e universitetit.

Në këtë atmosferë normalisht të pazgjidhshme, shtohen edhe hamendje të tjera. Kështu, Këshilli i Akreditimit i jep vetëm një vit afat UT-së për të plotësuar dhe përmirësuar rekomandimet, që është një kohë shumë e shkurtër. Me sa duket, ministria përkatëse synon ta reformojë UT-në, pak a shumë si me Akademinë e Shkencave.

Në të vërtetë kjo situatë krize nuk lidhet me përmbajtjen dhe cilësinë e Universitetit të Tiranës dhe diplomave që ofron ai. Ajo është vetëm krizë e drejtuesve të tij, e cila duhet zgjidhur vetëm me ta. Vlerësimet formale të akreditimit nuk mund të japin realitetin e cilësisë së universiteteve, kur letrat, procesverbalet e mbledhjeve, raportet dhe dokumentat e tjera jo gjithmonë pasqyrojnë punën që përshkruhet në to. Ekipi i vlerësuesve të brendshëm të UT-së, qoftë nga serioziteti dhe përgjegjësia profesionale, qoftë nga siguria e tepruar tek cilësia e punës së institucionit, nuk sajuan, kopjuan dhe rishkruan letrat, nuk porositën dhe përgatitën pedagogët dhe studentët se si duhet të plotësonin pyetësorët. Prandaj, ato që prezantojnë organet e akreditimit janë të vërteta, por nuk janë tregues i cilësisë së dobët të punës në institucion.

Sepse, në radhë të parë, cilësia e punës përcaktohet nga niveli shumë i lartë i studentëve të ardhur në Universitetin e Tiranës. Nga interesi dhe motivimi i tyre për të studiuar.

Po ashtu, së dyti, cilësia e punës në universitet varet edhe nga profesionalizmi i pedagogëve, kualifikimi dhe ndërgjegja e tyre profesionale dhe morale, që nuk maten me letra.

Ndërkohë, së treti, UT ka një përvojë dhe traditë mësimdhënie e kërkimi shkencor dhjetra vjeçare, të cilat orientojnë vazhdimisht profesionalizmin e pedagogëve dhe motivimin e studentëve.

Dhe në këtë aspekt Universiteti i Tiranës është i padiskutueshëm në cilësinë e tij. Studentët dhe pedagogët e UT-së si edhe tradita e tij historike e bëjnë atë modelin e vlerave univesitare të vendit tonë.

Sidoqoftë, ky moment është një tregues dhe motiv reflektimi për drejtuesit e UT-së, rektoratit e dekanatet, por edhe një moment ndërgjegjësimi edhe për studentët e pedagogët e universitetit për rolin e tyre në ruajtjen dhe ringritjen e vlerave të tij.

 

 

Please follow and like us: