Albspirit

Media/News/Publishing

Alma Nikolli: Kokoshkat dhe motra e vëllait në karrocë me rrota

 

Në një fund dite thuajse si gjithë të tjerat, si rrallë herë ndodh, thashë po ia lejoj vetes të ndihem e lodhur. Jo se përditshmëria s’më lodh ndonjëherë, po ngaqë më rraskapit më shumë prirja e njerëzve rreth e rrotull për t’u ankuar për gjithçka, zgjedh të jem pozitive. I pakënaq puna, shiu, pirsi i asaj gocës në hundë, trafiku, televizori e gjithçka që me pak mund edhe s’do ta ndjenin si gur në këpucë.

Hipa në autobus. Sapo doja ta bindja veten se jam lodhur, shoh pranë meje një vajzë që ushqente me kokoshka një fëmijë. Ajo dukej adoleshente, ndërsa djali jo më shumë se 11 vjeç.

Vajzën e kisha përballë, më pa qetë me dy sy të bukur, si drita. Kurse bjondi me gishta të bardhë mbështetur në xham ishte me shpinë nga unë, ndërsa qëndronte në një karrocë me rrota.

Motra i jepte të vëllait një nga një kokoshkat, kurrë pa ia shoqëruar edhe me një buzëqeshje.

Nga dritarja i tregonin njëri-tjetrit dritat nëpër rrugët e Tiranës, e hera-herës hënën kur nxirrte kokën nëpër hapësirat e shkurtra mes pallateve.

Ai nuk fliste. Motra e kuptonte me gjuhën e dashurisë. Ajo nuk hezitonte t’i thoshte me zë përshtypje apo pyetje edhe pse ai nuk i përgjigjej dot njëlloj.

Ndonjëherë ai e kthente kokën përmbys dhe gjente sytë e mi, e unë i qeshja. Filloi ta shpeshtonte, ndaj e prisja me padurim të kthehej.

Ndërkohë mendoja…dhe unë që doja të ndihesha e lodhur. Ajo vajzë që nuk ia shqiste sytë të vëllait për asnjë sekondë, qoftë kur kollitej, kalonte keq një kokoshkë, apo kthente kokën përmbys për të parë mua, kishte një milion arsye për të qenë e lodhur dhe e trishtuar.

E trishtuar se i vëllai nuk mund të shijojë disa nga kënaqësitë e jetës, si të folurit, ecja apo mundësia për të ngrënë një kokoshkë me dorën e tij. E lodhur nga lodhja e stërmundimi i tij për të belbëzuar qoftë një të vetme fjalë. Adoleshente, arsyet që të jetë e papërgjegjshme apo e parritur ia legjitimon mosha, ama jo. Ajo kishte zgjedhur të ishte një motër. Ajo kishte zgjedhur të ishte një mësim e frymëzim për të gjithë ne që qëndronim mbi këmbët tona dhe ndiheshim të lodhur nga asgjëja.

Pashë edhe një herë të 4 sytë. Plot me dashuri zbrita nga autobusi dhe eca rrugës duke parë hënën. Krejt e palodhur, e plotë, e qeshur dhe me dashuri.

Please follow and like us: