Nora Muja: Jam e virgjër dhe nuk kam të dashur
Jam e virgjër, akoma nuk kam të dashur”; ishin këto fjalët e bukuroshes kosovare Nora Muja në një intervistë televizive në Prishtinë, që më pas ndezën debate e komente në mediat rozë. Në fakt, edhe në intervistën për “VIP Pages”, Nora tregon se është ende “single” dhe se kapriçot e shijet e saj për blerjet firmato ia plotëson babai e jo ndonjë i dashur pasanik. Zeshkania super seksi me prejardhje nga Drenica, ka fituar shumë kurora bukurie, nisur që nga “Miss Kosova”, për të vazhduar me “Miss Intercontinental”, e pak ditë më parë rrëmbeu edhe kurorën e “Miss Grand Internacional”, ndërsa do të jetë përfaqësuesja e Kosovës në garën e bukurisë që do të zhvillohet në fund të këtij viti në Vietnam. Studentja e juridikut na tregon se nuk është një Miss si gjithë të tjerat në këtë intervistë pa dorëza, e hapur dhe e çiltër, si asnjë vajzë tjetër e skenës dhe sfilatave.
Je përfolur shumë kohëve të fundit; si ndihesh për këtë?
Jam ndier shumë mirë, sepse jam përfolur pozitivisht, për punën që bëj dhe për karakterin, të cilin e kam të tillë.
E prisje që do bëje kaq shumë bujë?
E kam pritur deri diku këtë reagim, por që do ketë këto përmasa, nuk e kam menduar.
Ishte qëllimi yt?
Qëllimi im ka qenë fitorja dhe gjërat që rrjedhin nga ajo.
Kush është në fakt Nora, na e përshkruaj anën tënde të panjohur?
Nora është një vajzë, e cila me prejardhje është nga Drenica nga ana e babait, ndërsa nga mami jam nga Tetova. Jam lindur dhe rritur në Gjermani. Jam duke studiuar për juridik, por hobin si modele dhe Miss e zhvilloj në Kosovë, vend me të cilin identifikohem.
Si është një ditë e jotja jashtë angazhimeve?
Impenjimet për Miss-et nuk janë dhe aq të mëdha sa ato për fakultetin, kështu që janë të përditshme.
Ke qenë pjesëmarrëse në shumë sfilata mode; si je pritur? Mendon se ia vlen ky profesion?
Ky nuk ka qenë për mua profesion, por thjesht hobi. Për mua ia vlen të punosh, pasi më relakson nga jeta e përditshme e një studenteje. Nuk ka përfitime të mëdha, pasi të gjitha pagesat dhe shpenzimet m’i kryen babi im. Mendoj se nuk duhet të merresh me modeling pa pasur një profesion më serioz. Në të gjitha sfidat jam pritur shumë mirë.
Gjermania, është vendi i ëndrrave?
Gjermania është shtet familjar dhe për studime, por jo vendi i ëndrrave të mia.
Për momentin je në Kosovë; ke vendosur të qëndrosh?
Kam kaluar shumë javë në Kosovë, por tani u jam kthyer angazhimeve të mia në Gjermani.
Ke marrë ndonjë ofertë pune aty?
Kam marrë disa.
Shumë modele shqiptare provojnë edhe muzikën; ke tentuar të këndosh ndonjëherë?
Jo, sepse nuk është profesioni im.
Si e kalon një ditë nga mëngjesi në darkë?
Zakonisht zgjohem në orën 6, sepse në 8 duhet të jem në Köln, në fakultet. Mami më përgatit zakonisht kafen turke në mëngjes. Deri në orën 17:00, apo 19:00 jam në fakultet, derisa vij në shtëpi shkon ora 19:00, ose 21:00, në varësi të leksioneve. Konsumoj darkën, flasim në familje për ndodhitë e ditës, e më pas mësoj deri në mesnatë. Kjo është një ditë e zakonshme këtu.
Kur je e lirë, çfarë bën?
Kur jam e lirë, më pëlqen të qëndroj në shtëpi me mamin dhe motrën, pimë kafe e muhabet, sepse janë mikeshat më të mira të miat.
Çfarë ushqimesh preferon të përgatisësh kur je e lirë?
Kur jam e lirë, më pëlqen më shumë ushqimi i mamit, vetë përgatis më shumë salmon, sallata, pasta e ushqim të lehtë.
Me çfarë e josh më shumë të dashurin?
Jam e virgjër, akoma nuk kam të dashur.
Blen edhe gjëra të lira, apo gjithmonë “firme”?
Shumicën e rrobave ma blen mami, sepse e di stilin dhe ma heq atë impenjim. Preferoj disa marka, më shumë. Si studente ndoshta nuk do kisha mundësi të blija veshje firmash, por familja ma plotëson atë dëshirë.
Të ka ndodhur që të refuzosh ndonjë mashkull vetëm pse ai nuk është i bukur?
Bukuria nuk e karakterizon një njeri dhe asnjëherë nuk e vlerësoj një njeri për bukurinë e tij.
Tipari kryesor i karakterit tuaj?
Sinqeriteti dhe dëshira për drejtësi, sepse padrejtësinë e urrej me shpirt, nuk ia bëj askujt e as nuk dua të ma bëjnë.
Çfarë do të ndryshonit te vetja nëse do mundeshit?
Për momentin jam mirë. Jam kjo që jam dhe nuk më shqetëson ndonjë gjë.
Terapia juaj kundër stresit?
Mbesat e mia, Dea dhe Suela.
Cilët do ishin të ftuarit e një darke ideale në shtëpinë tuaj?
Natyrisht që familja dhe shoqëria, që ma bëjnë çdo darkë ideale.
Në cilën epokë do kishit dashur të jetonit?
Në kohën kur ka jetuar Marilyn Monroe.
Ju trembin vitet që ikin?
Aspak, kam kaluar vite të bukura dhe shpresoj që të kaloj akoma më të bukura në të ardhmen.
Karrierë pastaj fëmijë, apo fëmijë pastaj karrierë?
Për momentin jam akoma e re dhe shpresoj të bëj një karrierë ashtu si e dua. Nuk e di si më vjen fati, por unë mendoj se duhet të mbaroj njëherë studimet për të qenë e pavarur, pastaj mund të mendoj për fëmijë, sepse fëmija kërkon përkushtim dhe një nënë që mund ta mbështesë atë në çdo aspekt.
Po sikur të ishe një film, si do të ishte titulli i tij?
“Titanik”, sepse e kam jetën të bukur, me lloj-lloj sfidash, si çdo njeri. Por shpresoj që në fund, të gjitha gjërat e jetës të mbesin një kujtim i bukur në mendjen time./Gsh/
Mars 2017